BARTIMEU
[bir i Timeut].
Një lypës i verbër që Jezui i ktheu shikimin. Bartimeu dhe një shok, emri i të cilit nuk përmendet, ishin ulur në dalje të Jerikosë kur kaloi Jezui i ndjekur nga një turmë. Bartimeu pyeti ç’po ndodhte dhe, kur i treguan, filloi të thërriste: «Bir i Davidit, Jezu, ki mëshirë për mua!» Disa e urdhëruan me ton të ashpër të heshtte, por ai bërtiste edhe më fort. Kur Jezui e thirri, ai flaku rrobën, vrapoi te Zotëria dhe iu lut t’i kthente shikimin. Ngaqë dalloi besimin e tij dhe ndjeu keqardhje, Jezui e shëroi dhe Bartimeu e ndoqi duke i dhënë lavdi Perëndisë.—Mr 10:46-52; Mt 20:29-34; Lu 18:35-43.
Sipas tregimit të Markut dhe të Mateut, kjo ndodhi kur Jezui ‘po dilte nga Jerikoja’, kurse Luka thotë se ndodhi «kur [Jezui] po i afrohej Jerikosë». (Mt 20:29; Mr 10:46; Lu 18:35) Disa thonë se bëhet fjalë për dy ngjarje të ndryshme. Një autor, Jozef P. Fri, shkruan në lidhje me këtë: «Megjithatë, arkeologjia ka hedhur më shumë dritë mbi këtë mospërputhje në dukje. Në fillim të shekullit të 20-të, Ernest Selini nga Shoqëria Orientale Gjermane kreu gërmime në Jeriko (1907-1909). Nga gërmimet doli se Jerikoja e kohës së Jezuit ishte një qytet i ndarë në dy pjesë. . . Qyteti i vjetër i ndërtuar nga judenjtë ishte rreth 1,6 kilometra larg qytetit të ndërtuar nga romakët. Nën dritën e këtij fakti, ka të ngjarë që Mateu të ketë folur për qytetin e ndërtuar nga judenjtë, të cilin Jezui sapo e kishte lënë, kurse Luka për qytetin e ndërtuar nga romakët, ku Jezui nuk kishte hyrë akoma. Kështu, rrugës nga qyteti i vjetër drejt të riut, Krishti takoi Bartimeun e verbër dhe e shëroi.»—Archaeology and Bible History, 1964, f. 295.