Ikni për të shpëtuar përpara «mjerimit të madh»
«Kur do të shikoni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë, . . . ata që janë në Jude, të ikin në male.»—LUKA 21:20, 21.
1. Përse është urgjente ikja për ata që janë akoma pjesë e botës?
PËR të gjithë njerëzit që akoma janë pjesë e botës së Satanait, është urgjente të ikin. Nëse duan të shpëtojnë, kur të shfaroset nga toka sistemi i tanishëm i gjërave, duhet të japin prova bindëse se janë vendosur patundshmërisht në anën e Jehovait dhe se nuk janë më pjesë e botës, sundimtar i së cilës është Satanai.—Jakovit 4:4; 1. Gjonit 2:17.
2, 3. Cilat pyetje në lidhje me fjalët e Jezuit të shkruara në Mateun 24:15-22 do të trajtojmë?
2 Në profecinë e tij të shquar lidhur me përfundimin e këtij sistemi gjërash, Jezui theksoi nevojën jetësore për këtë ikje. Vazhdimisht diskutojmë mbi atë që është shkruar në Mateun 24:4-14, megjithatë edhe ajo që thuhet pas këtyre vargjeve nuk është më pak e rëndësishme. Tani të inkurajojmë të hapësh Biblën e të lexosh vargjet 15 deri në 22.
3 Çfarë do të thotë kjo profeci? Cila ishte ‘gjëja e neveritshme që shkaktonte shkretim’ në shekullin e parë? Çfarë paralajmëron prania e saj në «vendin e shenjtë»? Ç’domethënie ka për ne prania e gjësë së neveritshme në vendin e shenjtë?
«Lexuesi le të përdorë aftësi shquese»
4. (a) Sipas Danielit 9:27, çfarë do të vinte pas hedhjes poshtë të Mesisë nga judenjtë? (b) Kur i referohej kësaj, përse Jezui thoshte qartë: «Lexuesi le të përdorë aftësi shquese»?
4 Vëre se në Mateun 24:15, Jezui iu referua asaj që ishte shkruar në librin e Danielit. Kreu 9 i atij libri përmban profecinë që parathoshte ardhjen e Mesisë dhe gjykimin që do të ekzekutohej mbi kombin jude, për faktin se do ta hidhnin poshtë atë. Pjesa e fundit e vargut 27 thotë: «Mbi krahët e gjërave të neveritshme do të jetë ai që shkakton shkretim.» (BR) Traditat e hershme judeje ia aplikonin këtë pjesë të profecisë së Danielit, përdhosjes së tempullit të Jehovait në Jerusalem nga Antioku IV në shekullin e dytë p.e.s. Por Jezui paralajmëroi: «Lexuesi le të përdorë aftësi shquese.» Dhunimi i tempullit nga Antioku IV, megjithëse pa dyshim i neveritshëm, nuk rezultoi në shkretim për Jerusalemin, për tempullin apo për kombin jude. Prandaj, ishte e qartë se Jezui po i paralajmëronte dëgjuesit e tij se plotësimi i kësaj profecie nuk kishte ndodhur në të kaluarën, por do të ndodhte në të ardhmen.
5. (a) Si na ndihmon krahasimi i tregimeve të ungjijve për të identifikuar «gjënë e neveritshme» të shekullit të parë? (b) Përse Cestius Galus i drejtoi trupat romake drejt Jerusalemit në vitin 66 të e.s.?
5 Cila ishte «gjëja e neveritshme» për të cilën ata duhej të qëndronin vigjilentë? Vlen të vërehet se tregimi i Mateut thotë: «Kur të vëreni gjënë e neveritshme që shkakton shkretim . . . që qëndron në vendin e shenjtë.» Ndërsa tregimi paralel në Lukën 21:20 thotë: «Kur të shikoni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë e fushuara, atëherë ta dini se është afruar shkatërrimi i tij.» (BR) Në vitin 66 të e.s., të krishterët që jetonin në Jerusalem, panë atë që kishte parathënë Jezui. Një varg incidentesh, duke përfshirë edhe konfliktin ndërmjet zyrtarëve romakë dhe judenj, çoi në kthimin e Jerusalemit në një vatër rebelimi kundër Romës. Si rezultat, dhuna u ndez në Jude, tejpërtej në Samari, në Galile, në Dekapolis dhe në Feniki, në veri deri në Siri dhe në jug deri në Egjipt. Për të vendosur një masë paqeje në atë pjesë të perandorisë romake, forcat ushtarake të drejtuara nga Cestius Galus, u nisën nga Siria për në Jerusalem, të cilin judenjtë e quanin «qytetin [e tyre] të shenjtë».—Nehemia 11:1; Isaia 52:1.
6. Si ndodhi që një «gjë e neveritshme», e cila mund të shkaktonte shkretim, ishte «duke qëndruar në vendin e shenjtë»?
6 Legjionet romake e kishin zakon të mbanin flamuj me dinstiktiva, të cilët i konsideronin të shenjtë, por që judenjtë i shihnin si idhuj. Në mënyrë interesante, fjala hebreje e përkthyer «gjëja e neveritshme» në librin e Danielit është përdorur kryesisht për idhujt dhe idhujtarinë.a (Ligji i përtërirë 29:17) Megjithë rezistencën e judenjve, forcat romake me distinktivat e tyre idhujtare u futën në Jerusalem në nëntor të vitit 66 të e.s. dhe më pas filluan të minonin muret veriore të tempullit. Nuk kishte asnjë dyshim mbi këtë: një «gjë e neveritshme» që mund të shkaktonte shkretim të plotë për Jerusalemin, «qëndronte në vendin e shenjtë». Por, si mund të ikte gjithsecili?
Ikja ishte urgjente!
7. Çfarë bëri papritur ushtria romake?
7 Papritur dhe pa ndonjë arsye të dukshme nga pikëpamja njerëzore, kur dukej se Jerusalemi mund të merrej lehtë, ushtria romake u tërhoq. Kryengritësit judenj i ndoqën trupat romake që u tërhoqën vetëm deri në Antipatridë, rreth 50 km larg nga Jerusalemi dhe më pas judenjtë u kthyen pas. Pasi arritën në Jerusalem, u mblodhën në tempull për të planifikuar strategjinë e betejës së tyre të mëtejshme. Të rinjtë u rekrutuan për të forcuar fortifikatat dhe për shërbimin ushtarak. A do të përfshiheshin të krishterët në këto aktivitete? Megjithëse ata i shmangnin, a do të ishin akoma në zonën e rrezikut, kur të ktheheshin ushtritë romake?
8. Cilin veprim urgjent ndërmorën të krishterët në bindje të fjalëve profetike të Jezuit?
8 Të krishterët në Jerusalem dhe në të gjithë Judenë vepruan sipas paralajmërimit profetik që u dha Jezu Krishti dhe ikën nga zona e rrezikut. Ikja ishte urgjente. Ata udhëtuan në kohë nëpër zonat malore dhe disa ka të ngjarë të kenë qëndruar në Pela, në provincën e Peresë. Ata që ndoqën paralajmërimin e Jezuit, nuk u kthyen me budallallëk në përpjekje për të shpëtuar zotërimet e tyre materiale. (Krahaso Lukën 14:33.) Ikja në rrethana të tilla, për gratë shtatzëna dhe ato me fëmijë gjiri, sigurisht që ishte një udhëtim i vështirë për ta bërë të gjithin në këmbë. Dimri po afrohej, por akoma s’kishte ardhur, as udhëtimi nuk pengohej nga kufizimet e ditës së Sabatit. Ata që e ndoqën paralajmërimin e Jezuit për të ikur menjëherë, shpejt ishin të sigurt jashtë Jerusalemit dhe Judesë. Nga kjo varej jeta e tyre.—Krahaso Jakovit 3:17.
9. Sa shpejt u kthyen përsëri forcat romake dhe me çfarë rezultati?
9 Një vit më pas, në vitin 67 të e.s., romakët rimorën përsëri operacione ushtarake kundër judenjve. E para u nënshtrua Galileja. Një vit më vonë, u copëtua Judeja. Nga viti 70 i e.s., forcat romake rrethuan vetë Jerusalemin. (Luka 19:43) Urija u bë jashtëzakonisht e ashpër. Ata që ranë në grackë në qytet iu kthyen njëri-tjetrit. Kushdo që përpiqej të ikte, vritej. Ajo që përjetuan ishte siç kishte thënë Jezui, «mjerim i madh».—Mateu 24:21, BR.
10. Ç’gjë tjetër do të vërejmë, nëse lexojmë duke përdorur aftësi shquese?
10 Por a e përmbushi kjo plotësisht atë që kishte parathënë Jezui? Jo, akoma duhej të ndodhnin ngjarje të tjera. Nëse i lexojmë Shkrimet duke përdorur aftësi shquese, siç këshilloi Jezui, do të mund të vërejmë atë që është akoma përpara. Gjithashtu, do të mendojmë seriozisht mbi nënkuptimet që ajo ka në jetën tonë.
«Gjëja e neveritshme» në ditët moderne
11. Cilët janë dy vargjet e tjerë, në të cilët Danieli i referohet ‘gjësë së neveritshme’ dhe për cilën periudhë kohe bëhet fjalë?
11 Vëre faktin se përveç asaj që kemi parë në Danielin 9:27, në Danielin 11:31 dhe 12:11 ka referime të mëtejshme mbi «gjënë e neveritshme që shkakton shkretim». Në asnjërin prej këtyre shembujve të fundit nuk është trajtuar shkatërrimi i Jerusalemit. Në fakt, ajo që është thënë në Danielin 12:11, shfaqet vetëm në dy vargje pas një referimi mbi «kohën e fundit». (Danieli 12:9) Që nga 1914-a, ne kemi jetuar në këtë periudhë kohe. Prandaj, duhet të jemi të zgjuar për të identifikuar «gjënë e neveritshme që shkakton shkretim» në kohët moderne dhe më pas të jemi të sigurt se jemi larguar nga zona e rrezikut.
12, 13. Përse është e përshtatshme ta përshkruajmë Lidhjen e Kombeve si «gjëja e neveritshme» në ditët moderne?
12 Cila është «gjëja e neveritshme» e ditëve moderne? Provat dëshmojnë për Lidhjen e Kombeve, e cila doli në veprim në vitin 1920, pak pasi bota kishte hyrë në kohën e saj të fundit. Por, si mund të jetë ajo një «gjë e neveritshme që shkakton shkretim»?
13 Mbaj në mend se fjala hebreje për «gjëja e neveritshme» është përdorur në Bibël, kryesisht kur i referohet idhujve dhe praktikave idhujtare. A ishte bërë Lidhja një idhull? Në të vërtetë po. Kleri e vuri atë në «vendin e shenjtë» dhe ithtarët e tyre vazhduan t’i jepnin asaj devotshmëri të zjarrtë. Këshilli federal i Kishave të Krishtit në Amerikë shpalli se Lidhja do të ishte «shprehja politike e Mbretërisë së Perëndisë në tokë». Senati i SHBA mori një ortek letrash nga grupet fetare, që e nxisnin atë të ratifikonte paktin e Lidhjes së Kombeve. Trupi i përbashkët i baptistëve, kongregacionalistëve dhe presbiterianëve në Britani, e ngrinin atë në qiell si «mjeti i vetëm në dispozicion për arritjen [e paqes në tokë]».—Shiko Zbulesën 13:14, 15.
14, 15. Në ç’mënyrë qëndroi Lidhja e Kombeve dhe më pas Kombet e Bashkuara «në vendin e shenjtë»?
14 Mbretëria Mesianike e Perëndisë u vendos në qiell në vitin 1914-të, kurse kombet vazhdonin betejën për të vendosur sovranitetin e tyre. (Psalmi 2:1-6) Kur u propozua Lidhja e Kombeve, kombet që kishin marrë pjesë në luftën e parë botërore, si dhe kleri që kishte bekuar trupat e tyre, e kishin shfaqur tashmë se e kishin braktisur ligjin e Perëndisë. Ata nuk shikonin Jezu Krishtin si Mbret. Kështu, ata ia dhanë një organizate njerëzore rolin e Mbretërisë së Perëndisë; ata e vunë Lidhjen e Kombeve «në vendin e shenjtë», një vend që nuk i përkiste.
15 Kombet e Bashkuara erdhën në ekzistencë si pasardhës të Lidhjes më 24 tetor 1945. Më vonë, papët e Romës i shpallën Kombet e Bashkuara si «shpresën e fundit për harmoni dhe paqe» dhe «forumin suprem të paqes dhe të drejtësisë». Po, Lidhja e Kombeve bashkë me pasardhësin e saj, Kombet e Bashkuara, u bënë vërtet një idhull, një «gjë e neveritshme» në sytë e Perëndisë dhe të popullit të tij.
Të ikin nga çfarë?
16. Nga çfarë duhet të ikin sot ata që e duan drejtësinë?
16 Kur të ‘shihet’ kjo, kur të kuptohet se çfarë është kjo organizatë ndërkombëtare dhe se si ajo është bërë idhull, ata që e duan drejtësinë duhet të ikin për të shpëtuar. Të ikin nga çfarë? Nga ajo që është antitipi i Jerusalemit jobesnik në ditët moderne, pra, nga i ashtuquajturi krishterim dhe nga gjithë Babilonia e Madhe, sistemi mbarëbotëror i fesë së rreme.—Zbulesa 18:4.
17, 18. Çfarë shkretimi do të shkaktojë «gjëja e neveritshme» e ditëve moderne?
17 Mos harro, gjithashtu, se në shekullin e parë, kur ushtria romake me flamuret e saj me distinktiva idhujtare, hyri në qytetin e shenjtë të judenjve, ishte atje për të sjellë shkretim mbi Jerusalemin dhe sistemin e tij të adhurimit. Në ditët tona, shkretimi nuk po vjen thjesht vetëm mbi një qytet dhe as vetëm mbi të ashtuquajturin krishterim, por mbi tërë sistemin mbarëbotëror të fesë së rreme.—Zbulesa 18:5-8.
18 Në Zbulesën 17:16, është parathënë se një bishë e egër figurative e ngjyrosur me të kuqe të ndezur, që është treguar se janë Kombet e Bashkuara, do të vihet në armiqësi me Babiloninë e Madhe, ngjashëm një prostitute dhe do ta shkatërrojë atë me dhunë. Duke përdorur një gjuhë grafike, ajo thotë: «Dhjetë brirët që ke parë mbi bishën, këta do të urrejnë laviren, do ta bëjnë të shkretë dhe lakuriq dhe do të hanë mishrat e saj dhe do ta djegin në zjarr.» Ajo që nënkuptohet nga kjo është e frikshme për t’u menduar. Ajo do të çojë në fundin e fesë së rreme të çdo lloji në të gjitha pjesët e tokës. Në të vërtetë, kjo do të tregojë se mjerimi i madh ka filluar!
19. Cilët elementë kanë qenë pjesë e Kombeve të Bashkuara që kur është themeluar dhe përse kjo është domethënëse?
19 Vlen për t’u vërejtur se që kur Kombet e Bashkuara filluan veprimet në 1945-n, elementët ateistë antifetarë, kanë qenë të dukshëm në anëtarësinë e kësaj organizate. Në kohë të ndryshme, në shumë pjesë të tokës këta elementë radikalë kanë qenë instrumente për kufizimin e ashpër të praktikave fetare ose në ndalimin e plotë të tyre. Megjithatë, në pak vitet e kaluara, ka pasur një rënie të presionit qeveritar mbi grupet fetare. Disa njerëzve mund t’u duket se fesë nuk i kanoset asnjë rrezik.
20. Çfarë reputacioni kanë krijuar fetë e botës për veten?
20 Megjithatë, fetë e Babilonisë së Madhe vazhdojnë të jenë një forcë e dhunshme përçarëse në botë. Kryeartikuj të rinj, shpesh identifikojnë fraksionet luftarake dhe grupet terroriste, duke përmendur emrin e fesë që përkrahin. Ushtarët dhe policët e stërvitur për ruajtjen nga trazirat, kanë pushtuar tempuj për të ndaluar dhunën ndërmjet fraksioneve rivale fetare. Organizatat fetare kanë financuar revolucionin politik. Urrejtja fetare ka penguar përpjekjet e Kombeve të Bashkuara për të mbajtur lidhje të qëndrueshme mes grupeve etnike. Në ndjekjen e synimit të paqes dhe të sigurisë, elementëve brenda Kombeve të Bashkuara do t’u pëlqente të shihnin eliminimin e çdo ndikimi fetar që përbën një pengesë për ta.
21. (a) Kush do ta vendosë se kur do të shkatërrohet Babilonia e Madhe? (b) Çfarë është e ngutshme të bëhet para kësaj ngjarjeje?
21 Ka edhe një tjetër faktor të rëndësishëm për t’u shqyrtuar. Megjithëse brirët e militarizuar nga Kombet e Bashkuara do të përdoren për të shkatërruar Babiloninë e Madhe, ai shkatërrim në të vërtetë do të jetë një shprehje e gjykimit hyjnor. Ekzekutimi i gjykimit do të vijë në kohën e caktuar nga Perëndia. (Zbulesa 17:17) Çfarë duhet të bëjmë ne ndërkohë? «Dilni prej saj», dilni nga Babilonia e Madhe,—përgjigjet Bibla.—Zbulesa 18:4.
22, 23. Çfarë përfshin kjo ikje?
22 Kjo ikje për shpëtim nuk është një ndryshim i vendit fizik, si ai që bënë të krishterët judenj, kur braktisën Jerusalemin. Është largimi nga fetë e të ashtuquajturit krishterim, po, nga çdo pjesë e Babilonisë së Madhe. Ajo do të thotë që ta ndash veten plotësisht jo vetëm nga organizatat e rreme fetare, por edhe nga zakonet e tyre dhe nga fryma që ato ngjallin. Është ikja për në vendin e shpëtimit brenda organizatës teokratike të Jehovait.—Efesianëve 5:7-11.
23 Kur shërbëtorët e mirosur të Jehovait e identifikuan për herë të parë, pas Luftës I Botërore, gjënë e neveritshme të ditëve moderne, Lidhjen e Kombeve, si reaguan Dëshmitarët? Ata tashmë e kishin prishur anëtarësinë e tyre në kishat e të ashtuquajturit krishterim. Por gradualisht kuptuan se akoma ndiqnin disa zakone dhe praktika të të ashtuquajturit krishterim të tilla, si përdorimi i kryqit, festimi i krishtlindjeve dhe i festave të tjera pagane. Kur mësuan të vërtetën mbi këto gjëra, ata vepruan menjëherë. Ata ndoqën këshillën e Isaisë 52:11: «Ikni, ikni, dilni andej, mos prekni asgjë të papastër! Dilni nga ambienti i saj, pastrohuni, ju që mbani vazot e Zotit!»
24. Kush tjetër është bashkuar në këtë ikje, veçanërisht që nga viti 1935?
24 Veçanërisht që nga viti 1935, një turmë gjithnjë e në rritje e njerëzve të tjerë, të atyre njerëzve që kishin përqafuar perspektivën e jetës së përhershme në një tokë parajsore, filluan në ndërmerrnin të njëjtat veprime. Edhe ata kishin ‘parë gjënë e neveritshme që qëndronte në vendin e shenjtë’ dhe e kuptuan çfarë do të thoshte. Pasi vendosën që të iknin, ata i kishin hequr emrat e tyre nga rrotullat e anëtarësisë së organizatave që janë pjesë e Babilonisë së Madhe.—2. Korintasve 6:14-17.
25. Çfarë kërkohet përveç prerjes së të gjitha lidhjeve që një person mund të ketë me fenë e rreme?
25 Megjithatë, ikja nga Babilonia e Madhe, përfshin shumë më tepër se braktisjen e fesë së rreme. Përfshin më shumë sesa pjesëmarrjen në disa mbledhje në Sallën e Mbretërisë, apo predikimin e lajmit të mirë në shërbimin në fushë një herë apo dy herë në muaj. Një person mund të jetë fizikisht jashtë Babilonisë së Madhe, por a e ka lënë vërtet pas atë? A e ka ndarë veten nga bota, një pjesë kryesore e së cilës është Babilonia e Madhe? A mbahet akoma pas atyre gjërave që pasqyrojnë frymën e saj, një frymë që kundërshton normat e drejta të Perëndisë? A e trajton pa seriozitet moralin seksual dhe besnikërinë martesore? A i vë në dukje ai interesat personale dhe materiale më shumë se interesat frymore? Ai nuk duhet t’ia lejojë vetes të ketë si model këtë sistem gjërash.—Mateu 6:24; 1. Pjetrit 4:3, 4.
Mos lejo asgjë të të pengojë të ikësh!
26. Ç’gjë do të na ndihmojë që jo vetëm të fillojmë të ikim, por ta çojmë atë deri në fund?
26 Në ikjen tonë për të shpëtuar, është e ngutshme të mos shikojmë me dëshërim nga gjërat që kemi lënë pas. (Luka 9:62) Duhet ta fiksojmë patundshmërisht mendjen dhe zemrën në Mbretërinë e Perëndisë dhe në drejtësinë e tij. A jemi të vendosur për të treguar besim duke kërkuar këto në radhë të parë, me bindjen se Jehovai do ta bekojë këtë drejtim plot besim? (Mateu 6:31-33) Bindjet tona të bazuara në Shkrime duhet të na nxisin drejt këtij synimi, ndërsa presim me padurim të shpalosen në skenën botërore ngjarje domethënëse.
27. Përse është e rëndësishme të mendojmë seriozisht mbi pyetjet që janë bërë këtu?
27 Ekzekutimi i gjykimit hyjnor do të fillojë me shkatërrimin e Babilonisë së Madhe. Kjo perandori e fesë së rreme ngjashëm një prostitute do të çrrënjoset përgjithmonë. Ajo kohë është shumë afër! Cili do të jetë qëndrimi ynë si individë kur të vijë ajo kohë e rëndësishme? Në cilën anë do të gjendemi në kulmin e mjerimit të madh, kur të shkatërrohet mbetja e sistemit të lig të Satanait? Nëse ndërmarrim hapat e nevojshme tani, shpëtimi ynë është siguruar. Jehovai na thotë: «Ai që më dëgjon do të banojë në vend të sigurt.» (Proverbat 1:33) Duke vazhduar në shërbimin e Jehovait me besnikëri dhe me gëzim gjatë përfundimit të këtij sistemi, mund të kualifikohemi për t’i shërbyer Jehovait përgjithmonë.
[Shënimi]
a Shiko Mendjehollësi mbi Shkrimet, botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., Vëllimi 1, faqet 634-635.
A të kujtohet?
◻ Cila është «gjëja e neveritshme» në ditët moderne?
◻ Në ç’kuptim «gjëja e neveritshme . . . [qëndron] në vendin e shenjtë»?
◻ Çfarë përfshihet sot në ikjen për të shpëtuar?
◻ Përse kjo gjë është urgjente?
[Figura në faqen 16]
Për të mbijetuar, ithtarët e Jezuit duhej të iknin pa u vonuar