Çfarë domethënieje ka për ju Darka e Zotërisë?
«Kushdo që ha bukën ose pi kupën e Zotërisë padenjësisht, do të jetë fajtor në lidhje me trupin dhe gjakun e Zotërisë.»—1 KORINTASVE 11:27.
1. Cila është ngjarja më e rëndësishme për vitin 2003 dhe ç’origjinë ka?
NGJARJA më e rëndësishme për vitin 2003 do të jetë më 16 prill pas perëndimit të diellit. Në atë mbrëmje, Dëshmitarët e Jehovait do të mblidhen për të kremtuar Përkujtimin e vdekjes së Jezu Krishtit. Siç u tregua në artikullin e mëparshëm, Jezui e themeloi këtë kremtim të quajtur edhe Darka e Zotërisë, pasi festoi me apostujt Pashkën më 14 nisan të vitit 33 të e.s. Emblemat e Përkujtimit, pra buka pa maja dhe vera e kuqe, simbolizojnë trupin pa mëkat të Krishtit dhe gjakun e tij të derdhur. Ky është i vetmi flijim që mund ta shpengojë njerëzimin nga mëkati i trashëguar dhe nga vdekja.—Romakëve 5:12; 6:23.
2. Cili paralajmërim është dokumentuar te 1 Korintasve 11:27?
2 Ata që marrin emblemat e Përkujtimit duhet ta bëjnë këtë denjësisht. Apostulli Pavël e bëri të qartë këtë kur u shkroi të krishterëve në Korintin e lashtë, ku Darka e Zotërisë nuk po kremtohej siç duhej. (1 Korintasve 11:20-22) Pavli shkroi: «Kushdo që ha bukën ose pi kupën e Zotërisë padenjësisht, do të jetë fajtor në lidhje me trupin dhe gjakun e Zotërisë.» (1 Korintasve 11:27) Cili është kuptimi i këtyre fjalëve?
Disa e kremtonin Përkujtimin padenjësisht
3. Si po silleshin shumë të krishterë korintas në kremtimet e Darkës së Zotërisë?
3 Shumë të krishterë korintas merrnin pjesë në Përkujtim padenjësisht. Midis tyre kishte përçarje dhe, të paktën për njëfarë kohe, disa e merrnin darkën me vete për ta ngrënë para ose gjatë mbledhjes, madje shpesh hanin e pinin jashtë mase. Ata nuk ishin syçelë as mendërisht dhe as frymësisht. Kjo i bënte ‘fajtorë në lidhje me trupin dhe gjakun e Zotërisë’. Ata që nuk kishin ngrënë darkë ishin të uritur dhe shpërqendroheshin. Po, shumë veta merrnin pjesë pa respekt dhe pa qenë plotësisht të vetëdijshëm për seriozitetin e ngjarjes. Nuk çuditemi që ata sollën gjykim kundër vetes.—1 Korintasve 11:27-34.
4, 5. Pse vetëshqyrtimi është thelbësor për ata që zakonisht marrin emblemat e Përkujtimit?
4 Kur Përkujtimi afrohet çdo vit, është thelbësore që ata që zakonisht marrin emblemat të bëjnë një vetëshqyrtim. Për të marrë pjesë siç duhet në këtë darkë të përbashkët, duhet të jenë në gjendje të shëndetshme frymore. Kushdo që tregon mungesë respekti ose madje përbuzje për flijimin e Jezuit rrezikon ‘të shfaroset nga populli i Perëndisë’, ashtu si një izraelit që merrte pjesë në një darkë të përbashkët kur ishte i papastër.—Levitiku 7:20; Hebrenjve 10:28-31.
5 Pavli e krahasoi Përkujtimin me një darkë të përbashkët në Izraelin e lashtë. Ai foli për pjesëmarrësit që marrin pjesë bashkë me Krishtin dhe tha: «Ju nuk pini dot edhe kupën e Jehovait, edhe kupën e demonëve; ju nuk merrni dot pjesë edhe në ‘tryezën e Jehovait’, edhe në tryezën e demonëve.» (1 Korintasve 10:16-21) Nëse dikush që zakonisht merr emblemat e Përkujtimit kryen një mëkat serioz, ai duhet t’ia rrëfejë Jehovait dhe të kërkojë gjithashtu ndihmën frymore të pleqve të kongregacionit. (Fjalët e urta [Proverbat] 28:13; Jakovit 5:13-16) Nëse pendohet vërtet dhe jep fryte për pendim, nuk do të jetë duke marrë pjesë padenjësisht.—Luka 3:8.
Të marrim pjesë si vëzhgues të respektueshëm
6. Për cilët e ka ruajtur Perëndia privilegjin që të marrin emblemat e Darkës së Zotërisë?
6 A duhet t’i marrin emblemat e Darkës së Zotërisë ata që po i bëjnë të mirën mbetjes së 144.000 vëllezërve të Krishtit? (Mateu 25:31-40; Zbulesa 14:1) Jo. Perëndia e ka ruajtur këtë privilegj për individët që i ka mirosur me frymën e shenjtë për të qenë «bashkëtrashëgimtarë me Krishtin». (Romakëve 8:14-18; 1 Gjonit 2:20) Çfarë pozite kanë atëherë ata që shpresojnë të jetojnë përgjithmonë në një parajsë mbarëbotërore nën sundimin e Mbretërisë? (Luka 23:43; Zbulesa 21:3, 4) Meqenëse nuk janë bashkëtrashëgimtarë të Jezuit me shpresë qiellore, ata marrin pjesë në Përkujtim si vëzhgues.—Romakëve 6:3-5.
7. Pse të krishterët në shekullin e parë e dinin se duhej të merrnin emblemat e Përkujtimit?
7 Të krishterët e vërtetë në shekullin e parë ishin të mirosur nga fryma e shenjtë. Shumë prej tyre ishin në gjendje të përdornin një ose më shumë dhurata të mrekullueshme të frymës, si të folurit në gjuhë të huaja. Prandaj nuk duhet të ketë qenë e vështirë për këta individë të dinin se ishin të mirosur nga fryma dhe duhej të merrnin emblemat e Përkujtimit. Megjithatë, në kohën tonë, kjo gjë mund të përcaktohet në bazë të këtyre fjalëve të frymëzuara: «Të gjithë ata që drejtohen nga fryma e Perëndisë, këta janë bij të Perëndisë. Sepse ju nuk morët një frymë skllavërie, që shkakton përsëri frikë, por morët një frymë birësimi, me anë të së cilës ne thërrasim: ‘Abba, o Atë!’»—Romakëve 8:14, 15.
8. Kë përfaqësojnë ‘gruri’ dhe «egjrat» e përmendura në Mt kapitullin 13 të Mateut?
8 Gjatë shekujve, të mirosurit e vërtetë u shfaqën si ‘gruri’ në një arë me ‘egjra’ ose në mes të të krishterëve të rremë. (Mateu 13:24-30, 36-43) Që në vitet 70 të shekullit të 19-të, ‘gruri’ u bë gjithnjë e më i dukshëm. Shumë vite më vonë mbikëqyrësve të krishterë të mirosur iu tha: «Pleqtë . . . duhet t’u paraqesin këto kushte atyre që mblidhen [për Përkujtimin]: (1) besim në gjakun [e Krishtit]; dhe (2) kushtim ndaj Zotërisë dhe ndaj shërbimit të tij, madje deri në vdekje. Pastaj duhet t’i ftojnë të gjithë ata që kanë këtë besim dhe që janë të kushtuar, të marrin pjesë në kremtimin e vdekjes së Zotërisë.»—Studime mbi Shkrimet, Vëllimi VI, Krijimi i ri, faqja 473, anglisht.a
Kërkohen ‘delet e tjera’
9. Si u bë i qartë identiteti i ‘shumicës së madhe’ në vitin 1935 dhe si ndikoi kjo te disa që merrnin emblemat e Përkujtimit?
9 Me kalimin e kohës, organizata e Jehovait filloi ta përqendronte vëmendjen te personat e tjerë, përveç ithtarëve të mirosur të Krishtit. Në lidhje me këtë çështje, ndodhi një zhvillim i dukshëm në mes të viteve 30 të shekullit të 20-të. Populli i Perëndisë më parë e shihte ‘shumicën e madhe’ të Zbulesës 7:9 si një klasë frymore dytësore, e cila do të shoqëronte në qiell 144.000 të mirosurit e ringjallur, ashtu si virgjëreshat ose shoqet e nuses së Krishtit. (Psalmi 45:14, 15; Zbulesa 7:4; 21:2, 9) Por, më 31 maj të vitit 1935, në një fjalim të mbajtur në një kongres të Dëshmitarëve të Jehovait në Uashington, D.C., SHBA, me anë të Shkrimeve, u shpjegua se ‘shumica e madhe’ bën fjalë për ‘delet e tjera’ të cilët jetojnë gjatë kohës së fundit. (Gjoni 10:16) Pas atij kongresi disa që më parë i merrnin emblemat e Përkujtimit nuk i morën më, sepse e kuptuan që kishin shpresë tokësore dhe jo qiellore.
10. Si do t’i përshkruanit shpresën dhe përgjegjësitë e ‘deleve të tjera’ të ditëve të sotme?
10 Sidomos që prej vitit 1935, janë kërkuar ata që bëjnë pjesë te ‘delet e tjera’, të cilët kanë besim te shpërblesa, i kushtohen Perëndisë dhe e mbështetin ‘kopenë e vogël’ të të mirosurve në veprën e predikimit të Mbretërisë. (Luka 12:32) Këto dele të tjera shpresojnë të jetojnë përgjithmonë në tokë, por, në të gjitha anët e tjera, ngjajnë me mbetjen e sotme të trashëgimtarëve të Mbretërisë. Ashtu si banorët e huaj të Izraelit që adhuronin Jehovain dhe i nënshtroheshin Ligjit, sot delet e tjera pranojnë përgjegjësi të krishtere, si predikimi i lajmit të mirë bashkë me pjesëtarët e Izraelit frymor. (Galatasve 6:16) Ashtu si asnjë banor i huaj nuk mund të bëhej mbret ose prift në Izrael, edhe prej këtyre deleve të tjera asnjë nuk mund të sundojë në Mbretërinë qiellore dhe as nuk mund të shërbejë si prift.—Ligji i përtërirë 17:15.
11. Pse data e kushtimit të dikujt mund të ketë lidhje me shpresën e tij?
11 Pra, në vitet 30, po bëhej e qartë se në përgjithësi klasa qiellore ishte zgjedhur. Por kohët e fundit, prej disa dhjetëvjeçarësh, po kërkohen delet e tjera, të cilat kanë shpresë tokësore. Nëse një i mirosur nuk qëndron besnik, ka shumë mundësi që dikush nga delet e tjera që i ka shërbyer me besnikëri për një kohë të gjatë Perëndisë të thirret për të plotësuar vendin bosh në mes të 144.000-ve.
Pse disa kanë shpresën e gabuar?
12. Në cilat rrethana një individ nuk duhet t’i marrë më emblemat e Përkujtimit dhe pse?
12 Të krishterët e mirosur janë absolutisht të sigurt se kanë thirrjen qiellore. Por, po sikur disa individë që nuk e kanë këtë thirrje të kenë marrë emblemat e Përkujtimit? Tani që janë të vetëdijshëm se nuk e kanë pasur kurrë shpresën qiellore, patjetër që ndërgjegjja do t’i shtyjë që të mos i marrin më. Perëndia nuk do ta shihte me pëlqim këdo që hiqet sikur është thirrur për të qenë mbret dhe prift në qiell kur në të vërtetë e di se nuk është thirrur. (Romakëve 9:16; Zbulesa 20:6) Jehovai e ekzekutoi levitin Korah pasi me kryeneçësi kërkoi priftërinë që i përkiste Aaronit. (Eksodi [Dalja] 28:1; Numrat 16:4-11, 31-35) Në qoftë se një i krishterë kupton se ka marrë gabimisht emblemat e Përkujtimit, ai ose ajo, nuk duhet t’i marrë më dhe të lutet me përulësi për faljen e Jehovait.—Psalmi 19:13.
13, 14. Pse disa mund të mendojnë gabimisht se kanë thirrjen qiellore?
13 Pse disa mund të kujtojnë gabimisht se kanë thirrjen qiellore? Vdekja e bashkëshortit ose ndonjë tragjedi tjetër mund t’i bëjë që të humbin interesin për jetën në tokë. Ose mund të dëshirojnë të njëjtën shpresë që ka një mik i ngushtë, i cili pohon se është i krishterë i mirosur. Sigurisht që Perëndia nuk ka caktuar ndokënd që të thërrasë të tjerët për këtë privilegj. Po ashtu nuk i miros bashkëtrashëgimtarët e Mbretërisë duke i bërë që të dëgjojnë zëra që miratojnë mirosjen e tyre.
14 Ideja e gabuar fetare se të gjithë njerëzit e mirë shkojnë në qiell mund t’i bëjë disa të mendojnë se kanë thirrjen qiellore. Prandaj duhet të ruhemi që të mos ndikohemi nga pikëpamjet e gabuara të së kaluarës ose nga faktorë të tjerë. Për shembull, dikush mund të pyesë veten: ‘A përdor ilaçe që ndikojnë tek emocionet e mia? A jam i prirur të jem shumë i ndjeshëm emocionalisht sa të mendoj se jam i mirosur?’
15, 16. Pse disa mund të arrijnë gabimisht në përfundimin se janë të mirosur?
15 Dikush tjetër mund të thotë: ‘A dua të spikat mbi të tjerët? A kërkoj me ambicie autoritet tani ose si një bashkëtrashëgimtar i Krishtit në të ardhmen?’ Kur trashëgimtarët e Mbretërisë u thirrën në shekullin e parë, jo të gjithë kishin pozita me përgjegjësi në kongregacion. Individët me thirrje qiellore nuk kërkojnë të spikatin ose të mburren ngaqë janë të mirosur. Ata shfaqin përulësinë që pritet prej atyre që kanë «mendjen e Krishtit».—1 Korintasve 2:16.
16 Disa mund të kenë arritur në përfundimin se kanë thirrjen qiellore ngaqë kanë marrë njohuri mjaft të madhe për Biblën. Por mirosja nga fryma nuk sjell kuptueshmëri të jashtëzakonshme, sepse Pavlit iu desh të mësonte dhe të këshillonte disa të mirosur. (1 Korintasve 3:1-3; Hebrenjve 5:11-14) Perëndia ka rregullimin e tij për t’i shpërndarë ushqim frymor të gjithë popullit të tij. (Mateu 24:45-47) Prandaj askush s’duhet të mendojë se të qenët i krishterë i mirosur i jep më shumë mençuri se ata që kanë shpresë tokësore. Mirosja prej frymës nuk tregohet nga aftësia për t’iu përgjigjur pyetjeve biblike, nga dëshmia që japim ose nga fjalimet biblike që mbajmë. Edhe të krishterët me shpresë tokësore i bëjnë mirë këto gjëra.
17. Nga çfarë dhe nga kush varet mirosja nga fryma?
17 Po qe se një bashkëbesimtar bën pyetje rreth thirrjes qiellore mund të flasë për këtë me një plak ose me një të krishterë tjetër të pjekur. Megjithatë një person nuk mund të vendosë për një tjetër. Dikush që ka vërtet këtë thirrje nuk ka nevojë të pyesë të tjerët nëse ka apo jo këtë shpresë. Të mirosurve u «është dhënë një lindje e re, jo prej fare të prishshme, por prej fare riprodhuese të paprishshme, me anë të fjalës së Perëndisë të gjallë dhe që qëndron përjetë». (1 Pjetrit 1:23) Me anë të frymës dhe Fjalës së tij, Perëndia mbjell ‘farën’, e cila e bën individin ‘një krijesë të re’ me shpresë qiellore. (2 Korintasve 5:17) Jehovai bën zgjedhjen. Mirosja «nuk varet as nga ai që dëshiron, as nga ai që vrapon, por nga Perëndia». (Romakëve 9:16) Prandaj, si mund të jetë i sigurt një person se ka thirrjen qiellore?
Pse janë të sigurt?
18. Si jep dëshmi fryma e Perëndisë me frymën e të mirosurve?
18 Dëshmia e frymës së Perëndisë i bind të krishterët e mirosur se kanë shpresën qiellore. Pavli shkroi: «Ju . . . morët një frymë birësimi, me anë të së cilës ne thërrasim: ‘Abba, o Atë!’ Vetë fryma jep dëshmi me frymën tonë se jemi fëmijë të Perëndisë. Nëse, pra, jemi fëmijë, jemi edhe trashëgimtarë: vërtet trashëgimtarë të Perëndisë, por bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, me kusht që të vuajmë bashkë me të, që edhe të na jepet lavdi bashkë me të.» (Romakëve 8:15-17) Nën ndikimin e frymës së shenjtë, fryma ose qëndrimi mbizotërues i të mirosurve i shtyn ata t’ia zbatojnë vetes atë që thonë Shkrimet për fëmijët frymorë të Jehovait. (1 Gjonit 3:2) Fryma e Perëndisë u jep ndjenjën e të qenët bij të tij dhe prodhon brenda tyre një shpresë të pashoqe. (Galatasve 4:6, 7) Vërtet që jeta e përhershme tokësore si njerëz të përsosur bashkë me pjesëtarët e familjes dhe miqtë do të ishte e shkëlqyer, por kjo nuk është shpresa që u ka dhënë Perëndia. Nëpërmjet frymës ai ka prodhuar brenda tyre një shpresë qiellore kaq të fortë, sa janë gati të sakrifikojnë të gjitha marrëdhëniet me njerëzit e tyre dhe të ardhmen tokësore.—2 Korintasve 5:1-5, 8; 2 Pjetrit 1:13, 14.
19. Çfarë roli luan besëlidhja e re në jetën e një të krishteri të mirosur?
19 Të krishterët e mirosur janë të sigurt për shpresën qiellore, pra, që janë përfshirë në një besëlidhje të re. Jezui e përmendi këtë kur themeloi Përkujtimin dhe tha: «Kjo kupë përfaqëson besëlidhjen e re në bazë të gjakut tim, që ka për t’u derdhur për ju.» (Luka 22:20) Pjesëmarrësit në besëlidhjen e re janë Perëndia dhe të mirosurit. (Jeremia 31:31-34; Hebrenjve 12:22-24) Jezui është ndërmjetësi. Besëlidhja e re, e cila hyri në fuqi me anë të gjakut të derdhur të Krishtit, nxori jo vetëm nga judenjtë, por edhe nga kombet një popull për emrin e Jehovait dhe e bëri atë pjesë të ‘farës’ së Abrahamit. (Galatasve 3:26-29; Vep. 15:14) Kjo ‘besëlidhje e përhershme’ u jep të gjithë izraelitëve frymorë mundësinë për t’u ringjallur në jetën e pavdekshme në qiell.—Hebrenjve 13:20.
20. Në cilën besëlidhje me Krishtin janë përfshirë të mirosurit?
20 Të mirosurit janë të sigurt për shpresën e tyre. Ata janë përfshirë në një besëlidhje tjetër, në besëlidhjen e Mbretërisë. Në lidhje me pjesëmarrjen e tyre me Krishtin, Jezui tha: «Ju jeni ata që keni qëndruar bashkë me mua në sprovat e mia; dhe unë bëj me ju një besëlidhje, ashtu si Ati im ka bërë një besëlidhje me mua, për një mbretëri.» (Luka 22:28-30) Kjo besëlidhje midis Krishtit dhe mbretërve të tjerë qëndron në fuqi përgjithmonë.—Zbulesa 22:5.
Periudha e Përkujtimit—një kohë e bekuar
21. Si mund të nxjerrim shumë dobi nga periudha e Përkujtimit?
21 Bekimet e periudhës së Përkujtimit janë të shumta. Mund të nxjerrim dobi nga leximi i Biblës i cili është në program për këtë periudhë. Kjo është gjithashtu një kohë veçanërisht e shkëlqyer për t’u lutur, për të medituar rreth jetës tokësore të Jezuit e rreth vdekjes së tij dhe për të marrë pjesë në veprën e predikimit të Mbretërisë. (Psalmi 77:12; Filipianëve 4:6, 7) Vetë kremtimi i Përkujtimit na kujton dashurinë që tregoi Perëndia dhe Krishti në lidhje me flijimin shpërblerës të Jezuit. (Mateu 20:28; Gjoni 3:16) Kjo masë na jep shpresë dhe ngushëllim dhe duhet ta përforcojë vendosmërinë tonë për të ndjekur udhën e Krishtit. (Eksodi 34:6; Hebrenjve 12:3) Përkujtimi duhet të na forcojë gjithashtu për ta përmbushur kushtimin si shërbëtorë të Perëndisë dhe për të qenë ithtarë besnikë të Birit të tij të shtrenjtë.
22. Cila është dhurata më e madhe e Perëndisë për njerëzimin dhe cila është një mënyrë për të treguar mirënjohje për të?
22 Sa shumë dhurata të mira që na jep Jehovai! (Jakovit 1:17) Kemi udhëheqjen e Fjalës së tij, ndihmën e frymës së tij dhe shpresën e jetës së përhershme. Dhurata më e madhe e Perëndisë është flijimi i Jezuit për mëkatet e të mirosurve dhe të gjithë atyre që ushtrojnë besim. (1 Gjonit 2:1, 2) Atëherë, ç’domethënie ka për ju vdekja e Jezuit? A do të jeni midis atyre që do të tregojnë mirënjohje për të duke u mbledhur pas perëndimit të diellit më 16 prill 2003 për të kremtuar Darkën e Zotërisë?
[Shënimi]
a Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por tani nuk shtypet më.
Si do të përgjigjeshit?
• Cilët duhet t’i marrin emblemat e Përkujtimit?
• Pse ‘delet e tjera’ janë të pranishëm në Darkën e Zotërisë vetëm si vëzhgues që tregojnë respekt?
• Si e dinë të krishterët e mirosur se duhet të marrin bukën dhe verën në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit?
• Për çfarë është një periudhë e shkëlqyer Përkujtimi?
[Diagrami dhe figurat në faqen 18]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Të pranishëm në Përkujtim
NË MILIONË
15.597.746
15
14
13.147.201
13
12
11
10
9
8
7
6
5
4.925.643
4
3
2
1
878.303
63.146
1935 1955 1975 1995 2002
[Figura në faqen 18]
A do të jeni të pranishëm këtë vit në Darkën e Zotërisë?
[Figurat në faqen 21]
Periudha e Përkujtimit është një kohë e shkëlqyer për ta lexuar më shumë Biblën dhe për të marrë pjesë më shumë në veprën e predikimit të Mbretërisë