Libri biblik numër 42—Luka
Shkrimtari: Luka
Vendi ku u shkrua: Cezare
Shkrimi përfundoi: rr. 56 të e.s.–58 të e.s.
Periudha përkatëse: 3 p.e.s.–33 të e.s.
1. Si është Ungjilli që shkroi Luka?
UNGJILLI i Lukës u shkrua nga një burrë me mendje të mprehtë dhe zemër të mirë. Këto dy cilësi të shkëlqyera bashkë me drejtimin e frymës së Perëndisë, kanë sjellë një tregim jo vetëm të saktë, por edhe plot ngrohtësi dhe ndjenjë. Në vargjet e para, ai thotë: «Meqë i gjurmova me saktësi të gjitha gjërat që nga fillimi, edhe mua m’u duk e udhës të t’i shkruaja sipas një radhe logjike.» Paraqitja e materialit me hollësi dhe shumë përpikëri e mbështet plotësisht këtë pohim.—Luka 1:3.
2, 3. Cilat dëshmi të gjithanshme tregojnë se këtë Ungjill e shkroi mjeku Luka?
2 Megjithëse emri i Lukës nuk përmendet fare gjatë tregimit, autoritetet e lashta pajtohen me mendimin se ai ishte shkrimtari i tij. Ky Ungjill i atribuohet Lukës në Fragmentin Muratorian (rr. 170 të e.s.) dhe është pranuar nga shkrimtarë të shekullit të dytë, si Ireneu dhe Klementi i Aleksandrisë. Edhe vetë tregimi dëshmon qartë se këtë Ungjill e ka shkruar Luka. Pavli e përmend atë te Kolosianëve 4:14 si «Luka, mjeku i dashur», dhe vepra e tij zbulon atë nivel dijesh që pritet nga një njeri mjaft i arsimuar, si për shembull një mjek. Zgjedhja mjaft e mirë e fjalëve dhe fjalori i gjerë—shumë më i gjerë se i tre shkrimtarëve të tjerë të Ungjijve të marrë së bashku—i bëjnë të mundur ta trajtojë argumentin e tij tejet të rëndësishëm në mënyrë shumë të kujdesshme dhe të plotë. Disa e konsiderojnë shëmbëlltyrën e birit plëngprishës tregimin më të bukur që është shkruar ndonjëherë.
3 Luka përdor më shumë se 300 terma mjekësorë, ose fjalë të cilave u jep një kuptim mjekësor, që shkrimtarët e tjerë të Shkrimeve të Krishtere Greke nuk i kanë përdorur në të njëjtën mënyrë (nëse i kanë përdorur).a Për shembull, kur flet për lebrën, Luka nuk përdor gjithnjë të njëjtin term si bëjnë të tjerët. Për ta lebra është lebër dhe kaq. Kurse për mjekun ka faza të ndryshme lebre, si në rastin kur Luka flet për «një burrë plot lebër». Gjithashtu, ai thotë se Lazari ishte «plot ulcera». Asnjëri nga shkrimtarët e tjerë të Ungjijve nuk thotë se vjehrra e Pjetrit kishte «ethe të forta». (5:12; 16:20; 4:38) Megjithëse tre të tjerët tregojnë se Pjetri i preu veshin skllavit të kryepriftit, vetëm Luka përmend se Jezui e shëroi. (22:51) Vetëm një mjek mund të thotë për një grua se ishte «e sëmurë nga ndikimi i një demoni prej tetëmbëdhjetë vjetësh» dhe «krejt e kërrusur e nuk mund të drejtohej fare». Kush tjetër, veç ‘Lukës, mjekut të dashur’, do ta kishte dokumentuar me kaq hollësi ndihmën e shpejtë që i dha samaritani një burri të cilit «ia lidhi plagët dhe derdhi mbi to vaj dhe verë»?—13:11; 10:34.
4. Kur ka mundësi të jetë shkruar Luka dhe cilat fakte e mbështetin këtë pohim?
4 Kur e shkroi Luka Ungjillin e tij? Veprat 1:1 tregon se shkrimtari i Veprave, (gjithnjë Luka), kishte përpiluar më herët «tregimin e parë», Ungjillin. Ka shumë të ngjarë që libri i Veprave të ketë përfunduar rreth vitit 61 të e.s., kur Luka ishte në Romë me Pavlin, që po priste të dilte para Cezarit, të cilit i ishte apeluar. Kështu, ka mundësi që Luka ta ketë shkruar Ungjillin në Cezare rreth vitit 56-58 të e.s., pasi u kthye me Pavlin nga Filipia, në fund të udhëtimit të tretë misionar të Pavlit dhe gjatë dy vjetëve që Pavli priste në burgun e Cezaresë, para se ta çonin në Romë për apelimin. Duke qenë në Palestinë gjatë kësaj periudhe, Luka ishte në pozicionin ideal ‘për t’i gjurmuar me saktësi që nga fillimi të gjitha gjërat’ që kishin të bënin me jetën dhe shërbimin e Jezuit. Pra, duket se tregimi i Lukës është më i hershëm se Ungjilli i Markut.
5. Cilat burime mund të ketë përdorur Luka ‘për të gjurmuar me saktësi’ ngjarjet e jetës së Jezuit?
5 Duke mos qenë një nga 12 apostujt dhe ndoshta as besimtar deri pas vdekjes së Jezuit, natyrisht Luka nuk ka qenë dëshmitar okular i të gjitha ngjarjeve që dokumenton në Ungjillin e tij. Megjithatë, ai shoqëroi nga afër Pavlin në fushën misionare. (2 Tim. 4:11; Fil. 24) Kështu, siç mund të pritet, vepra e tij zbulon ndikimin e Pavlit, siç vërehet kur krahasohen dy tregimet për Darkën e Zotërisë te Luka 22:19, 20 dhe 1 Korintasve 11:23-25. Luka mund t’i jetë referuar Ungjillit të Mateut si burim i mëtejshëm informacioni. ‘Për të gjurmuar të gjitha gjërat me saktësi’ ai mund të ketë pyetur vetë shumë nga ata që i kishin parë me sytë e tyre ngjarjet e jetës së Jezuit, si për shembull dishepujt që ishin ende gjallë, e ndoshta edhe Marinë, nënën e Jezuit. Mund të jemi të sigurt se ai nuk la gur pa luajtur për të mbledhur hollësi të besueshme.
6. Sa për qind e Ungjillit të Lukës nuk përmendet tjetërkund dhe për cilët shkroi ai? Pse përgjigjesh kështu?
6 Duke shqyrtuar katër Ungjijtë kuptohet qartë se shkrimtarët nuk përsëritin thjesht njëri-tjetrin, dhe as shkruajnë vetëm për të siguruar sa më shumë dëshmi për këtë ngjarje biblike tejet të rëndësishme. Stili origjinal i Lukës e bën Ungjillin e tij të dallojë nga të tjerët. Në tërësi, 59 për qind e përmbajtjes së Ungjillit të tij nuk përmendet tjetërkund. Ai dokumenton të paktën gjashtë mrekulli të mbushura me hollësi dhe më shumë se dyfishin e ilustrimeve që nuk përmenden në Ungjijtë e tjerë. Në Ungjillin e tij një të tretën e përbën tregimi dhe dy të tretat dialogu. Nga të katër, ky është Ungjilli më i gjatë. Mateu shkroi kryesisht për hebrenjtë, kurse Marku për johebrenjtë, sidomos për romakët. Ungjilli i Lukës iu drejtua ‘fort të shkëlqyerit Teofil’, e nëpërmjet tij edhe të tjerëve, si hebrenjve, edhe johebrenjve. (Luka 1:3, 4) Duke e bërë tregimin e tij me interes për të gjithë, Luka përcakton gjenealogjinë e Jezuit që nga ‘Adami, bir i Perëndisë’, dhe jo thjesht nga Abrahami, siç bën Mateu që shkroi në mënyrë të veçantë për hebrenjtë. Ai nxjerr në pah fjalët profetike të Simeonit, se Jezui do të ishte mjeti me anë të të cilit ‘do t’u hiqej veli kombeve’, dhe thotë se «çdo mish do të shohë mjetin me anë të të cilit Perëndia do të sjellë shpëtimin».—3:38; 2:29-32; 3:6.
7. Ç’dëshmi bindëse ka për autenticitetin e Ungjillit të Lukës?
7 Gjatë gjithë librit të tij, Luka jep prova se e ka dhunti tregimin, pasi i paraqit faktet me rregull dhe saktësi. Saktësia dhe besueshmëria janë një provë bindëse se shkrimet e Lukës janë autentike. Një autor në fushën ligjore një herë vërejti: «Ndërsa romanet, legjendat dhe dëshmitë e rreme i vendosin me kujdes ngjarjet për të cilat flasin në ndonjë vend të largët dhe në një kohë të pacaktuar—duke shkelur kështu rregullat e para që ne avokatët i mësojmë si mbrojtje të mirë, sipas të cilave ‘deklarata duhet të japë kohën dhe vendin’—historitë e Biblës na japin datën dhe vendin e gjërave që përmendin me përpikërinë më të madhe.»b Për ta provuar ai citoi Lukën 3:1, 2: «Vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Tiberit Cezar, kur Ponc Pilati ishte guvernator i Judesë dhe Herodi ishte qeveritar i krahinës së Galilesë, ndërsa Filipi, vëllai i tij, ishte qeveritar i krahinës së vendit të Ituresë dhe Trakonitidës, dhe Lisania ishte qeveritar i krahinës së Abilenës, në ditët e Hanait, kreut të priftërinjve, dhe të Kajafës, fjala e Perëndisë iu drejtua Gjonit, birit të Zakarisë, në shkretëtirë.» Ky varg nuk ka asgjë të papërcaktuar për sa i përket kohës ose vendit. Luka përmend me emër jo më pak se shtatë funksionarë të lartë, që na bëjnë të mundur të përcaktojmë kohën kur e nisi shërbimin Gjoni dhe kur Jezui.
8. Si e tregon Luka «me saktësi» kohën e lindjes së Jezuit?
8 Veç kësaj, Luka na jep dy tregues për të përcaktuar kohën e lindjes së Jezuit, kur thotë te Luka 2:1, 2: «Ato ditë, Cezar Augusti nxori një dekret që të regjistrohej popullsia në gjithë tokën e banuar, (regjistrimi i parë u bë kur Kuirini ishte guvernator i Sirisë).» Kjo ndodhi kur Jozefi dhe Maria u ngjitën në Betlehem për t’u regjistruar dhe Jezui lindi gjatë kohës që ishin atje.c S’mund të mos pajtohemi me atë që bëri këtë koment: «Një nga provat më të sakta që vërtetojnë sensin historik të Lukës është se ai ia del gjithmonë të ketë një saktësi të përkryer.»d Duhet të pranojmë se Luka nuk gënjeu kur tha se ‘kishte gjurmuar me saktësi të gjitha gjërat’.
9. Cila profeci e Jezuit, e dokumentuar nga Luka, pati një përmbushje domethënëse në vitin 70 të e.s.?
9 Luka tregon, gjithashtu, si u përmbushën me saktësi te Jezu Krishti profecitë e Shkrimeve Hebraike. Për këtë ai citon dëshminë e frymëzuar të Jezuit. (24:27, 44) Madje, ai dokumenton me saktësi profecitë e vetë Jezuit për ngjarjet e ardhme, shumë prej të cilave kanë pasur tashmë një përmbushje domethënëse në të gjitha hollësitë e parathëna. Për shembull, Jerusalemin e rrethuan me fortifikata të bëra me hunj të mprehtë dhe në vitin 70 të e.s. e masakruan në mënyrë të tmerrshme, siç paratha Jezui. (Luka 19:43, 44; 21:20-24; Mat. 24:2) Historiani i njohur Jozef Flavi, që e pa këtë me sytë e vet gjatë kohës që ishte me trupat romake, dëshmon se për të siguruar hunjtë, fshatra të tëra ishin zhveshur nga pemët deri në një rreze prej 16 km, se muri rrethues ishte 7,2 km i gjatë, se shumë gra dhe fëmijë vdiqën nga uria dhe se më shumë se 1.000.000 hebrenj humbën jetën dhe 97.000 u morën rob. Edhe sot e kësaj dite, Harku i Titit në Romë paraqit varganin triumfues të romakëve me plaçkën e luftës që kishin marrë nga tempulli i Jerusalemit.e Mund të jemi të sigurt se edhe profeci të tjera të dokumentuara nga Luka do të përmbushen me po aq saktësi.
PËRMBAJTJA E LUKËS
10. Çfarë u nis të bënte Luka?
10 Hyrja e Lukës (1:1-4). Luka thotë se i ka gjurmuar të gjitha gjërat që nga fillimi me saktësi dhe se i është dukur e udhës t’i shkruajë sipas një radhe logjike, që ‘fort i shkëlqyeri Teofil të njohë plotësisht se sa të sigurta’ janë këto gjëra.—1:3, 4.
11. Ç’ngjarje të gëzueshme tregohen në kapitullin e parë të Lukës?
11 Vitet e para të jetës së Jezuit (1:5–2:52). Një engjëll i shfaqet Zakarisë, priftit të moshuar, dhe i jep lajmin e gëzueshëm se do të bëhet me djalë, të cilin duhet ta quajë Gjon. Por derisa të lindë djali, Zakaria nuk do të mund të flasë. Siç i premtohet, gruaja e tij, Elizabeta mbetet shtatzënë, ndonëse ‘mjaft e shkuar në moshë’. Rreth gjashtë muaj më vonë, engjëlli Gabriel i shfaqet Marisë dhe i thotë se do të ngjizet me ‘fuqinë e Më të Lartit’ dhe do të lindë një djalë që do të quhet Jezu. Maria i bën një vizitë Elizabetës dhe pasi përshëndeten tërë gëzim, thotë: «Shpirti im madhëron Jehovain dhe fryma ime nuk mund të mos ngazëllohet për Perëndinë, Shpëtimtarin tim.» Ajo flet për emrin e shenjtë të Jehovait dhe për mëshirën e tij të madhe ndaj atyre që i frikësohen. Kur lind Gjoni, Zakarisë i zgjidhet gjuha që të shpallë mëshirën e Perëndisë dhe të thotë se Gjoni do të jetë profeti që do të përgatitë udhën e Jehovait.—1:7, 35, 46, 47.
12. Çfarë është thënë për lindjen dhe fëmijërinë e Jezuit?
12 Kur vjen koha, Jezui lind në Betlehem dhe një engjëll ua jep këtë ‘lajm të mirë për një gëzim të madh’ barinjve që ruajnë kopetë natën. Bëhet rrethprerja siç e do Ligji dhe, kur prindërit ‘ia paraqitin fëmijën Jehovait’ në tempull, Simeoni i moshuar dhe profetesha Ana flasin për fëmijën. Si kthehet në Nazaret, ai ‘vazhdon të rritet, të forcohet e të mbushet me mençuri, dhe ka pëlqimin e Perëndisë’. (2:10, 22, 40) Një herë, në moshën 12-vjeçare, kur shkon nga Nazareti në Jerusalem, Jezui i mahnit mësuesit me kuptueshmërinë dhe përgjigjet e tij.
13. Çfarë predikon Gjoni? Çfarë ndodh kur pagëzohet Jezui dhe menjëherë pas pagëzimit të tij?
13 Përgatitja për shërbimin (3:1–4:13). Vitin e 15-të të mbretërimit të Tiberit Cezar, fjala e Perëndisë i drejtohet Gjonit, birit të Zakarisë, dhe ai nis ‘të predikojë pagëzimin si simbol të pendimit për faljen e mëkateve’, që çdo mish «të shohë mjetin me anë të të cilit Perëndia do të sjellë shpëtimin». (3:3, 6) Kur tërë populli pagëzohet në Jordan, pagëzohet edhe Jezui. Ndërsa lutet, fryma e shenjtë zbret mbi të dhe Ati i tij shpreh miratimin nga qielli. Në këtë kohë, Jezu Krishti është rreth 30 vjeç. (Luka jep gjenealogjinë e tij.) Pas pagëzimit, fryma e çon Jezuin për 40 ditë tutje-tëhu nëpër shkretëtirë. Atje Djalli e tundon, por s’ia del mbanë, e kështu largohet nga ai «duke pritur një kohë tjetër të volitshme».—4:13.
14. Ku e tregon qartë Jezui detyrën që i është ngarkuar, cila është ajo dhe si reagojnë ata që e dëgjojnë?
14 Fillimi i shërbimit të Jezuit, kryesisht në Galile (4:14–9:62). Në sinagogën e Nazaretit, që është edhe qyteti i tij, Jezui tregon qartë detyrën që i është ngarkuar, duke lexuar dhe duke i zbatuar vetes profecinë e Isaisë 61:1, 2: «Fryma e Jehovait është mbi mua, sepse ai më mirosi që t’u shpall lajmin e mirë të varfërve, më dërgoi që t’u predikoj çlirimin robërve dhe kthimin e shikimit të verbërve, që të çliroj të dërrmuarit dhe të predikoj vitin e pranimit nga Jehovai.» (4:18, 19) Kënaqësia që i dhanë fillimisht popullit fjalët e tij, kthehet në zemërim ndërsa ai vazhdon fjalimin, kështu ata orvaten ta zhdukin. Atëherë, zbret në Kapernaum, ku shëron shumë njerëz. Turma njerëzish e ndjekin dhe mundohen ta mbajnë, por ai u thotë: «Duhet t’ua shpall lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë edhe qyteteve të tjera, sepse për këtë u dërgova.» (4:43) Ai vazhdon të predikojë në sinagogat e Judesë.
15. Përshkruaj si i thërret Jezui Pjetrin, Jakovin dhe Gjonin, si edhe Mateun?
15 Në Galile, Jezui bën një mrekulli për Simonin (që quhet edhe Pjetër), Jakovin dhe Gjonin, kur shkojnë të zënë peshk. Ai i thotë Simonit: «Që tani e tutje do të zësh njerëz të gjallë.» Kështu, ata braktisin gjithçka dhe e ndjekin. Jezui vazhdon të lutet e të mësojë dhe ‘fuqia e Jehovait është mbi të, që të bëjë shërime’. (5:10, 17) Thërret Levin (Mateun), një taksambledhës të përbuzur, i cili e nderon Jezuin me një gosti të madhe, ku janë të pranishëm edhe «shumë taksambledhës e të tjerë». (5:29) Kjo çon në përplasjen e parë nga disa që pati ai me farisenjtë, dhe ata ikin të inatosur e komplotojnë për t’i bërë keq.
16. (a) Çfarë bën Jezui para se të zgjedhë 12 apostujt? (b) Ç’pika nxjerr në pah Luka, duke dhënë një version paralel të Predikimit në Mal?
16 Pasi i lutet një natë të tërë Perëndisë, Jezui zgjedh mes dishepujve të tij 12 apostujt. Më pas, vijnë vepra të tjera shëruese. Më vonë, ai mban predikimin e dokumentuar te Luka 6:20-49, që ndonëse në formë më të shkurtër, është versioni paralel i Predikimit në Mal të kapitujve 5 deri në 7 të Mateut. Jezui bën këtë antitezë: «Lum ju të varfrit, sepse juaja është mbretëria e Perëndisë! Por mjerë ju, o të pasur, sepse e keni marrë tashmë të plotë ngushëllimin tuaj!» (6:20, 24) Ai i këshillon dëgjuesit të duan armiqtë, të jenë të mëshirshëm, ta bëjnë zakon të japin dhe të nxjerrin atë që është e mirë nga thesari i mirë i zemrës.
17. (a) Cilat janë mrekullitë që bën Jezui më pas? (b) Si u përgjigjet Jezui lajmëtarëve të Gjon Pagëzorit që e pyesin nëse është Ai Mesia?
17 Kur kthehet në Kapernaum, një centurion i kërkon Jezuit t’i shërojë një skllav të sëmurë. Ai mendon se nuk është i denjë ta ketë Jezuin nën çatinë e tij dhe i kërkon ‘të thotë veç një fjalë’ nga aty ku është. Skllavi shërohet vërtet dhe Jezui nxitet të thotë: «Unë po ju them se as në Izrael nuk kam gjetur një besim kaq të madh.» (7:7, 9) Për herë të parë Jezui ringjall një të vdekur, djalin e vetëm të një vejushe nga Naini, për të cilën ai ndien ‘keqardhje’. (7:13) Ndërsa lajmi për Jezuin përhapet në Jude, Gjon Pagëzori që është në burg, dërgon dishepujt e tij ta pyesin: «A je ti Ai që duhet të vijë?» Jezui i çon përgjigje me anë të lajmëtarëve: «Shkoni, tregojini Gjonit ç’patë dhe dëgjuat: të verbrit po fitojnë shikimin, të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen dhe të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngrihen dhe të varfërve po u thuhet lajmi i mirë. Lum ai që nuk ka pse të dyshojë për mua!»—7:19, 22, 23.
18. Me cilat ilustrime, vepra dhe këshilla e vazhdon Jezui predikimin e Mbretërisë?
18 I shoqëruar nga 12 apostujt, Jezui shkon «nga qyteti në qytet dhe nga fshati në fshat, duke predikuar dhe duke shpallur lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë». Ai bën ilustrimin e mbjellësit dhe e përfundon bisedën me fjalët: «Prandaj, kushtojini vëmendje mënyrës se si dëgjoni, sepse atij që ka, do t’i jepet edhe më shumë, por atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që kujton se ka.» (8:1, 18) Jezui vazhdon të kryejë mrekulli dhe vepra të tjera të fuqishme. Gjithashtu, u jep 12 apostujve autoritet mbi demonët dhe fuqi për të shëruar sëmundje, e i nis ‘të predikojnë mbretërinë e Perëndisë e të shërojnë’. Ushqen pesë mijë veta duke bërë një mrekulli. Shpërfytyrohet në mal dhe të nesërmen shëron një djalë të pushtuar nga një demon, të cilin dishepujt nuk mundën ta shëronin. I paralajmëron ata që duan ta ndjekin: «Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit kanë fole, kurse Biri i njeriut s’ka ku të mbështetë kokën.» Për të qenë i përshtatshëm për Mbretërinë e Perëndisë, një njeri duhet ta vërë dorën në parmendë dhe të mos shohë pas.—9:2, 58.
19. Si e ilustron Jezui dashurinë e vërtetë të të afërmit?
19 Shërbimi i mëvonshëm i Jezuit në Jude (10:1–13:21). Jezui dërgon 70 të tjerë te «të korrat» dhe suksesi që kanë në shërbim i mbush me gëzim. Ndërsa predikon, një burrë, duke dashur të tregohej i drejtë, e pyet Jezuin: «Kush është në të vërtetë i afërmi im?» Jezui i përgjigjet me ilustrimin e samaritanit të mirë. Një burrë, i shtrirë gjysmë i vdekur buzë rrugës, pasi kish rënë në duart e kusarëve, shpërfillet nga një prift dhe një levit që kalojnë atypari. Kurse një samaritan i përbuzur ndalon, i mjekon me dashuri plagët, e hipën në kafshën e vet, e çon në një han dhe paguan që të kujdesen për të. Pra, «ai që veproi me mëshirë me të», u bë i afërm për të.—10:2, 29, 37.
20. (a) Çfarë i bën të qartë Jezui Martës dhe Marisë? (b) Si e thekson rëndësinë e lutjes?
20 Jezui e qorton me butësi Martën në shtëpinë e saj se shqetësohet tepër për punët e shtëpisë dhe lavdëron Marinë që zgjodhi pjesën më të mirë, duke u ulur e duke dëgjuar fjalët e tij. U mëson dishepujve lutjen model dhe nevojën për të ngulmuar në lutje, me fjalët: «Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet, vazhdoni të kërkoni dhe do të gjeni.» Më vonë, ai dëbon demonë dhe thotë «lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë». Gjatë një dreke, ai përplaset me farisenjtë për Ligjin dhe shpall mjerime për ta, sepse kanë hequr «çelësin e njohurisë».—11:9, 28, 52.
21. Ç’paralajmërim jep Jezui kundër lakmisë dhe çfarë i nxit dishepujt të bëjnë?
21 Gjatë kohës që Jezui është përsëri me turmat, dikush i thotë: «Thuaji vëllait tim ta ndajë trashëgiminë me mua.» Jezui ia kthen duke shkuar në rrënjë të problemit: «Rrini syhapur dhe ruhuni nga çdo lloj lakmie, sepse edhe kur dikush ka me bollëk, jeta e tij nuk varet nga gjërat që zotëron.» Pastaj bën ilustrimin e të pasurit që shembi depot për t’i ndërtuar më të mëdha, por po atë natë vdiq dhe ia la pasurinë të tjerëve. Jezui e bën të qartë mësimin me pak fjalë: «Kështu i ndodh njeriut që grumbullon thesare për vete, por nuk është i pasur në sytë e Perëndisë.» Pasi i nxit dishepujt të kërkojnë në radhë të parë Mbretërinë e Perëndisë, Jezui u thotë: «Mos ki frikë, o kope e vogël, sepse Atit tuaj i ka pëlqyer t’ju japë mbretërinë.» Shërimi në sabat i një gruaje që kishte qenë e sëmurë për 18 vjet, çon në një përplasje tjetër me kundërshtarët e tij, të cilët largohen të turpëruar.—12:13, 15, 21, 32.
22. Ç’ilustrime të goditura bën Jezui për të mësuar rreth Mbretërisë?
22 Shërbimi i mëvonshëm i Jezuit, kryesisht në Pere (13:22–19:27). Jezui përdor ilustrime të gjalla për ta drejtuar vëmendjen e dëgjuesve te Mbretëria e Perëndisë. Ai tregon se ata që duan të duken e të nderohen, do të poshtërohen. Kush shtron gosti, të ftojë të varfrit që s’ia shpërblejnë dot; ai do të jetë i lumtur dhe ti «do të shpërblehesh në ringjalljen e të drejtëve». Më pas, vjen ilustrimi i një njeriu që shtron një darkë të madhe. Të ftuarit justifikohen njëri pas tjetrit: njëri ka blerë një arë, tjetri ka blerë disa qe dhe një tjetër sapo është martuar. I zemëruar, i zoti i shtëpisë çon të thërrasin «të varfrit, sakatët, të verbrit e të çalët» dhe thotë se asnjëri nga ata që u ftuan në fillim nuk «do ta shijojë» darkën e tij. (14:14, 21, 24) Ai bën ilustrimin e deles së humbur që gjendet dhe thotë: «Unë ju them se po kështu në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtë që s’kanë nevojë të pendohen.» (15:7) Një mësim të ngjashëm jep edhe ilustrimi i gruas që fshin shtëpinë për të gjetur një drahmë që i ka humbur.f
23. Çfarë ilustron tregimi i birit plëngprishës?
23 Më pas, Jezui flet për birin plëngprishës, që i kërkoi të atit pjesën e pronës së tij dhe e harxhoi kot «duke bërë një jetë të shfrenuar». Kur e pa veten keq, ai erdhi në vete dhe u kthye në shtëpi për ta lënë veten në mëshirë të të atit. I ati, i shtyrë nga keqardhja, «vrapoi, iu hodh në qafë dhe e puthi me butësi». I veshën një petk shumë të mirë, shtruan një gosti të madhe për të, dhe «nisën të gëzoheshin». Por vëllai i madh kundërshtoi. I ati e ndreqi me dashamirësi: «O bir, ti ke qenë gjithnjë me mua dhe gjithçka imja është edhe jotja, por ne duhej të gëzoheshim e të ngazëllonim medoemos, sepse ky yt vëlla ishte i vdekur dhe u kthye në jetë, ishte i humbur dhe u gjet.»—15:13, 20, 24, 31, 32.
24. Ç’të vërteta nxjerr në pah Jezui me ilustrimin e të pasurit dhe Lazarit e me të fariseut dhe taksambledhësit?
24 Kur dëgjojnë ilustrimin e kujdestarit të padrejtë, farisenjtë e dashuruar pas parave e shpotitin Jezuin për këtë mësim, por ai u thotë: «Ju e shpallni veten të drejtë para njerëzve, por Perëndia i njeh zemrat tuaja. Ajo që është e lartë për njerëzit, është e neveritshme në sytë e Perëndisë.» (16:15) Me ilustrimin e të pasurit dhe Lazarit, ai tregon sa i madh është hendeku mes atyre që kanë miratimin e Perëndisë dhe atyre që s’e kanë. Jezui i paralajmëron dishepujt se shkaqe për pengesë do të ketë, por «mjerë ai që i sjell»! Ai flet për vështirësitë që do të kenë «kur të zbulohet Biri i njeriut». «Kujtoni gruan e Lotit»,—u thotë ai. (17:1, 30, 32) Pastaj, u jep siguri me anë të një ilustrimi se Perëndia do të veprojë patjetër në favor të atyre që «i thërrasin ditë e natë». (18:7) Më pas, me anë të një ilustrimi tjetër, qorton ata që kanë besim te vetja se janë të drejtë: një farise që po lutet në tempull, e falënderon Perëndinë që nuk është si njerëzit e tjerë. Një taksambledhës që qëndron larg dhe as guxon të ngrejë sytë drejt qiellit, lutet: «O Perëndi, ki mëshirë për mua mëkatarin.» Si e gjykon Jezui këtë? Ai thotë se taksambledhësi është më i drejtë se fariseu, «sepse kushdo që e lartëson veten, do të përulet, por ai që e përul veten, do të lartësohet». (18:13, 14) Jezui qëndron si mysafir në Jeriko, në shtëpinë e një taksambledhësi të quajtur Zake. Atje bën ilustrimin e dhjetë minave, për të treguar dallimin mes rezultatit që sjell përdorimi me besnikëri i të mirave që na besohen dhe atij që sjell fshehja e tyre.
25. Si e nis Jezui pjesën e fundit të shërbimit të tij dhe ç’paralajmërim profetik jep?
25 Fundi i shërbimit publik në Jerusalem dhe në rrethinat e tij (19:28–23:25). Jezui hyn në Jerusalem i hipur në një kërriç dhe gjithë grupi i dishepujve e nderon si «ai që vjen si Mbreti në emër të Jehovait». Farisenjtë, nga ana tjetër, i kërkojnë të qortojë dishepujt. Jezui u përgjigjet: «Nëse këta do të heshtnin, gurët do të thërritnin.» (19:38, 40) Më pas, ai thotë profecinë e tij të paharrueshme për shkatërrimin e Jerusalemit, duke thënë se do të rrethohet me hunj të mprehtë, se do të ketë vuajtje e do të shembet përtokë bashkë me fëmijët e saj dhe se s’do të lihet gur mbi gur. Jezui mëson popullin në tempull, duke shpallur lajmin e mirë dhe duke iu përgjigjur me argumente dhe ilustrime të zhdërvjellëta pyetjeve dinake të krerëve të priftërinjve, skribëve dhe saducenjve. Jezui bën një përshkrim të fuqishëm të shenjës së madhe të fundit, duke thënë sërish se Jerusalemi do të rrethohet nga ushtritë e fushuara. Njerëzit do të mpaken nga frika dhe nga pritja e gjërave që do të ndodhin, por kur të ndodhin, ithtarët e tij ‘do ta drejtojnë trupin dhe do ta ngrenë kokën lart, sepse çlirimi i tyre po afrohet’. Duhet të rrinë zgjuar që t’ia dalin mbanë të shpëtojnë nga ato që kanë për të ndodhur.—21:28.
26. (a) Cilat besëlidhje paraqit Jezui dhe me çfarë i shoqëron ato? (b) Si merr forcë Jezui kur është në sprovë dhe ç’qortim jep kur arrestohet?
26 Është 14 nisani i vitit 33 të e.s. Jezui mban Pashkën dhe më pas u paraqit apostujve të tij besnikë «besëlidhjen e re», të cilën e shoqëron me darkën simbolike, dhe i urdhëron të vazhdojnë ta bëjnë në kujtim të tij. Gjithashtu, u thotë: «Unë po bëj me ju një besëlidhje për një mbretëri, ashtu si Ati im ka bërë një besëlidhje me mua.» (22:20, 29) Po atë natë, ndërsa Jezui lutet në Malin e Ullinjve, ‘një engjëll i shfaqet nga qielli dhe e forcon. I pushtuar nga ankthi, ai vazhdon të lutet më me ngulm, dhe djersa i bëhet si pika gjaku që bien përtokë’. Atmosfera bëhet e nderë, kur tradhtari Juda çon turmën për të arrestuar Jezuin. Dishepujt thërrasin: «Zotëri, a t’u biem me shpatë?» Dhe në fakt, njëri nga ata i pret veshin skllavit të kryepriftit, por Jezui i qorton dhe shëron të plagosurin.—22:43, 44, 49.
27. (a) Ç’gjë mohon Pjetri? (b) Për çfarë akuzohet Jezui dhe në ç’rrethana gjykohet e dënohet?
27 Jezuin e çojnë me ngut te shtëpia e kryepriftit për ta marrë në pyetje dhe, në të ftohtin e natës, Pjetri bashkohet me turmën rreth një zjarri. Atë e akuzojnë tri herë me radhë se është ithtar i Jezuit dhe tri herë me radhë ai e mohon. Pastaj, këndon gjeli. Zotëria kthehet dhe e vështron, e Pjetri, të cilit i kujtohet se Jezui ia kishte thënë që më përpara këtë gjë, del jashtë dhe qan me hidhërim. Në fillim Jezuin e detyrojnë të shkojë në sallën e Sinedrit, e pastaj e nxjerrin para Pilatit dhe e akuzojnë se kthen përmbys kombin, duke i ndaluar njerëzit të paguajnë taksat dhe «duke thënë për vete se është Krishti, mbreti». Kur mëson se Jezui është galileas, Pilati e dërgon te Herodi, që në atë kohë qëllon në Jerusalem. Herodi dhe rojet e tij tallen me Jezuin dhe e nisin prapë mbrapsht që të gjykohet para një turme të tërbuar. Pilati ‘e çon Jezuin të ekzekutohet sipas vullnetit të tyre’.—23:2, 25.
28. (a) Çfarë i premton Jezui hajdutit që tregon besim tek ai? (b) Ç’dokumenton Luka për vdekjen, varrosjen dhe ringjalljen e Jezuit?
28 Vdekja, ringjallja dhe ngritja në qiell e Jezuit (23:26–24:53). Jezui varet në shtyllë mes dy keqbërësve. Njëri e tall, kurse tjetri tregon besim dhe i kërkon ta kujtojë në Mbretërinë e tij. Jezui premton: «Vërtet po të them sot: ti do të jesh me mua në Parajsë.» (23:43) Pastaj, bie një errësirë e pazakontë, perdja e shenjtërores çahet mes për mes dhe Jezui thërret: «O Atë, në dorën tënde po e lë frymën time.» Si thotë këto fjalë, ai jep frymë. Trupin e tij e zbresin nga shtylla dhe e vënë në një varr të gdhendur në shkëmb. Ditën e parë të javës, gratë që kanë ardhur me të nga Galilea, shkojnë te varri, por nuk e gjejnë trupin e Jezuit. Ka ndodhur ajo që kish parathënë ai vetë: është ngritur nga të vdekurit ditën e tretë!—23:46.
29. Me cilin përshkrim të gëzuar e përfundon Luka Ungjillin e tij?
29 Pasi u shfaqet pa treguar se cili është dy dishepujve të vet rrugës për në Emaus, Jezui flet për vuajtjet e tij dhe u interpreton Shkrimet. Befas ata e njohin, por ai zhduket. Atëherë ata të dy thonë: «A nuk na digjej zemra kur ai na fliste rrugës dhe na i zbërthente plotësisht Shkrimet?!» Kështu, nxitojnë për në Jerusalem për t’ua treguar dishepujve të tjerë. Kur janë duke folur për këto gjëra, Jezui shfaqet mes tyre. Nga gëzimi i papërshkrueshëm dhe nga çudia, ata nuk besojnë akoma. Atëherë ai ‘ua hap plotësisht mendjet, që të kapin’ nga Shkrimet domethënien e gjithë asaj që ka ndodhur. Luka e përfundon Ungjillin e tij duke përshkruar ngritjen e Jezuit në qiell.—24:32, 45.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
30, 31. (a) Në ç’mënyrë ngjall Luka sigurinë se Shkrimet Hebraike janë të frymëzuara nga Perëndia? (b) Cilat fjalë të Jezuit citon Luka për ta mbështetur këtë?
30 Lajmi i mirë «sipas Lukës» ngjall siguri te Fjala e Perëndisë dhe na forcon besimin, që të qëndrojmë para shuplakave të botës armiqësore ku jetojmë. Luka jep shumë shembuj që tregojnë si janë përmbushur me saktësi Shkrimet Hebraike. Në Ungjillin e tij ai tregon se Jezui përdori librin e Isaisë për të bërë të njohur në mënyrë specifike detyrën që i ishte ngarkuar, dhe duket se e bën atë temë të gjithë librit. (Luka 4:17-19; Isa. 61:1, 2) Ky ishte një nga rastet kur Jezui citoi nga Profetët. Ai citoi edhe nga Ligji, si në rastin kur hodhi poshtë tri tundimet e Djallit, dhe nga Psalmet kur pyeti kundërshtarët: «Si vallë thonë se Krishti është bir i Davidit?» Në tregimin e Lukës gjejmë edhe shumë citime të tjera nga Shkrimet Hebraike.—Luka 4:4, 8, 12; 20:41-44; Ligj. 8:3; 6:13, 16; Psal. 110:1.
31 Kur Jezui hyri në Jerusalem i hipur në një kërriç, siç ishte parathënë te Zakaria 9:9, turmat e përshëndetën me gëzim, duke i zbatuar shkrimin e Psalmit 118:26. (Luka 19:35-38) Në një fragment, vetëm dy vargje të Lukës mbulojnë gjashtë profeci të Shkrimeve Hebraike për vdekjen poshtëruese të Jezuit dhe për ringjalljen e tij. (Luka 18:32, 33; Psal. 22:7; Isa. 50:6; 53:5-7; Jon. 1:17) Në fund, pas ringjalljes së tij, Jezui bëri çmos që dishepujt të kuptonin rëndësinë e tërë Shkrimeve Hebraike. «Pastaj u tha: ‘Kur isha ende me ju, ju thashë se të gjitha gjërat e shkruara për mua te ligji i Moisiut, te Profetët dhe te Psalmet do të përmbusheshin.’ Atëherë ua hapi plotësisht mendjet, që të kapnin domethënien e Shkrimeve.» (Luka 24:44, 45) Njësoj si dishepujt e parë të Jezu Krishtit, edhe ne mund të fitojmë kuptueshmëri e të kemi besim të fortë, duke u kushtuar vëmendje përmbushjeve të Shkrimeve Hebraike të shpjeguara kaq saktë nga Luka dhe shkrimtarët e tjerë të Shkrimeve të Krishtere Greke.
32. Si e nxjerr në pah tregimi i Lukës Mbretërinë dhe qëndrimin që duhet të kemi kundrejt kësaj Mbretërie?
32 Gjatë gjithë Ungjillit Luka e drejton vazhdimisht lexuesin e tij te Mbretëria e Perëndisë. Që në fillim të librit, kur engjëlli i premton Marisë se fëmija që do të lindë «do të mbretërojë përgjithmonë në shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë fund», deri në kapitujt e fundit, ku Jezui thotë se do të bëjë një besëlidhje me apostujt për Mbretërinë, Luka nxjerr në pah shpresën e Mbretërisë. (1:33; 22:28, 29) Ai tregon se Jezui mori drejtimin për të predikuar Mbretërinë dhe nisi në fillim 12 apostujt e më pas 70 të tjerë për të bërë pikërisht këtë vepër. (4:43; 9:1, 2; 10:1, 8, 9) Përkushtimi i palëkundur që kërkohet për të hyrë në Mbretëri theksohet nga këto fjalë të qarta të Jezuit: «Lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit, ndërsa ti shko dhe shpall kudo mbretërinë e Perëndisë», dhe «kush e ka vënë dorën në parmendë dhe shikon gjërat që ka lënë prapa, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë».—9:60, 62.
33. Jep shembuj që tregojnë se si Luka nxjerr në pah lutjen. Ç’mësim mund të nxjerrim?
33 Gjithashtu, Luka thekson lutjen. Ajo spikat shumë në Ungjillin e tij. Ai tregon se gjithë populli lutej ndërsa Zakaria ishte në tempull, se Gjon Pagëzori lindi në përgjigje të lutjeve për të pasur një fëmijë dhe se profetesha Ana lutej natë e ditë. Thotë se Jezui po lutej kur u pagëzua, se e kaloi gjithë natën duke u lutur para se të zgjidhte 12 apostujt dhe se po lutej gjatë shpërfytyrimit. Jezui i këshillon dishepujt ‘të luten gjithnjë e të mos dorëzohen’ dhe e bën më të qartë pikën me anë të ilustrimit të vejushës që i kërkonte vazhdimisht të drejtën një gjykatësi, derisa ai ia dha. Vetëm Luka flet për kërkesën e dishepujve që Jezui t’i mësonte të luteshin dhe për forcën që i dha engjëlli Jezuit ndërsa lutej në Malin e Ullinjve. Vetëm Luka dokumenton fjalët e lutjes së fundit të Jezuit: «O Atë, në dorën tënde po e lë frymën time.» (1:10, 13; 2:37; 3:21; 6:12; 9:28, 29; 18:1-8; 11:1; 22:39-46; 23:46) Njësoj si në kohën kur Luka shkroi Ungjillin e tij, lutja është një mjet i rëndësishëm për të forcuar të gjithë ata që kryejnë vullnetin e Perëndisë.
34. Cilat cilësi të Jezuit nxjerr në pah Luka si shembull të shkëlqyer për të krishterët?
34 Me mendjen e tij prej vëzhguesi të mprehtë, me stilin e tij të rrjedhshëm e të larmishëm, Luka i jep mësimit të Jezuit ngrohtësi dhe jetë. Dashuria, dashamirësia, mëshira dhe dhembshuria e Jezuit për të dobëtit, të shtypurit dhe të keqtrajtuarit bën shumë kontrast me fenë e ftohtë, formale, mendjengushtë dhe hipokrite të skribëve dhe farisenjve. (4:18; 18:9) Jezui vazhdimisht u jep zemër dhe i ndihmon të varfrit, robërit, të verbrit dhe të dërrmuarit, duke lënë një shembull të shkëlqyer për ata që përpiqen ‘të ndjekin me kujdes gjurmët e tij’.—1 Pjet. 2:21.
35. Pse mund t’i jemi vërtet mirënjohës Jehovait që na ka siguruar Ungjillin e Lukës?
35 Jezui, Biri i përsosur i Perëndisë që bënte mrekulli, u interesua me dashuri për dishepujt e tij dhe për të gjithë njerëzit me zemër të ndershme. Njësoj edhe ne duhet të përpiqemi ta kryejmë shërbimin tonë me dashuri, po, «në saje të dhembshurisë së butë të Perëndisë tonë». (Luka 1:78) Për këtë qëllim, lajmi i mirë «sipas Lukës» është vërtet i dobishëm dhe praktik. Mund t’i jemi vërtet mirënjohës Jehovait që frymëzoi Lukën, ‘mjekun e dashur’, të shkruante këtë tregim të saktë, ndërtues dhe inkurajues, që tregon se si vjen shpëtimi nëpërmjet Mbretërisë së drejtuar nga Jezu Krishti, ‘mjeti me anë të të cilit Perëndia do ta sjellë shpëtimin’.—Kolos. 4:14; Luka 3:6.
[Shënimet]
a The Medical Language of Luke, 1954, U. K. Hobart, faqet xi-xxvii.
b A Lawyer Examines the Bible, 1943, I. H. Linton, faqja 38.
c Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 2, faqet 766, 767, anglisht.
d Modern Discovery and the Bible, 1955, A. Rendëll Short, faqja 211.
e Lufta judaike, (vëll. V, kap. xii, par. 1-4; vëll. VI, kap. ix, par. 3); shih edhe Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 2, faqet 751, 752, anglisht.
f Drahma ishte një monedhë argjendi greke me peshë rreth 3,4 g.