Ajo nuk ishte shumë e vjetër për t’i shërbyer Jehovait
SHUMË persona të moshuar mendojnë që vitet e tyre të mbetura të jetës ofrojnë pak shpresë lumturie. Një aktore e njohur e moshuar tha: «Më ka shkuar jeta kot dhe është shumë vonë për ta ndryshuar atë . . . Kur eci vetëm, mendoj jetën time të shkuar dhe nuk jam e lumtur me mënyrën se si e kam jetuar atë . . . Jam e shqetësuar dhe nuk mund të rehatohem
Një grua e moshuar, që ka jetuar pothuaj 2.000 vjet më parë, nuk kishte probleme të këtij lloji. Ajo ishte një vejushë e moshuar 84-vjeçare, por ishte aktive, e lumtur dhe në mënyrë të mrekullueshme e favorizuar nga Perëndia. Emri i saj ishte Ana dhe kishte një arsye të veçantë për t’u gëzuar. Cila ishte ajo?
«Nuk largohej kurrë nga tempulli»
Shkrimtari i ungjillit, Luka, na njeh me Anën. «Aty,—tha ai,—ishte edhe Ana, një profeteshë, bija e Fanuelit, nga fisi i Aserit.» Si profeteshë, ajo kishte në një kuptim të veçantë dhuratën e frymës së shenjtë ose të forcës aktive të Perëndisë. Ajo kishte një mundësi të madhe për të profetizuar në një rast të veçantë.
Luka tregon: «Ajo ishte e kaluar në moshë, dhe kishte jetuar mbas virgjërisë së saj shtatë vjet me burrin. Ajo ishte e ve dhe ishte tetëdhjetë e katër vjeçe.» (Luka 2:36, 37) Ndoshta, Ana u bë vejushë kur ishte mjaft e re. Vejushat e krishtere të çdo moshe, e dinë se sa e vështirë është të të vdesë bashkëshorti i dashur. Por si shumë gra të devotshme të ditëve tona, Ana nuk lejoi që kjo përvojë e trishtuar ta ndalonte për t’i shërbyer Jehovait.
Luka na tregon se Ana «nuk largohej kurrë nga tempulli» i Jeruzalemit. (Luka 2:37) Ajo i kishte vlerësuar shumë bekimet që rezultonin nga shërbimi në shtëpinë e Perëndisë. Veprimet e saj zbuluan se ajo, ashtu si psalmisti, mbreti David i Izraelit, kërkonte vetëm një gjë nga Jehovai. Dhe çfarë ishte ajo? Davidi këndoi: «Një gjë i kërkova Zotit dhe atë kërkoj: të banoj në shtëpinë e Zotit tërë ditët e jetës sime, për të soditur bukurinë e Zotit dhe për të admiruar tempullin e tij.» (Psalmi 27:4) Edhe në këtë aspekt, Ana është si gratë e krishtere sot, të cilat gjejnë gëzim në praninë e rregullt në vendin e adhurimit të Jehovait.
Ana e kryente shërbimin e shenjtë të Jehovait ditë e natë. Ajo e bënte këtë «me agjërime dhe lutje», duke treguar pikëllim dhe dëshirë të zjarrtë. (Luka 2:37) Nënshtrimi gjatë shekujve i hebrenjve nga fuqitë pagane, bashkë me keqësimin e kushteve fetare, që kishin arritur edhe në tempull dhe tek priftërinjtë, mund të shpjegonin mirë qëndrueshmërinë e Anës dhe lutjet e saj drejtuar Perëndisë Jehova. Por ajo gjithashtu kishte arsye për t’u gëzuar, veçanërisht për shkak të një diçkaje të jashtëzakonshme që ndodhi në vitin 2 p.e.s, në një ditë me të vërtetë të mbushur me ngjarje.
Një bekim i papritur
Në këtë ditë tepër të rëndësishme, nëna e tij, Marija dhe babai që e adoptoi, Jozefi, sollën në tempull foshnjën Jezu. Në këtë rast, plaku Simeon e pa fëmijën dhe foli fjalë profetike (Luka 2:25-35) Ana ishte në tempull, si zakonisht. «Në atë moment,—raporton Luka,—ajo erdhi.» (Luka 2:38) Sa e emocionuar do të ketë qenë Ana, kur ka parë me sytë e saj të plakur, Mesinë e ardhshëm!
Dyzet ditë më parë, engjëlli i Perëndisë i ka trembur barinjtë afër Betlehemit me fjalët: «Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin; sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar që është Krishti, Zoti.» Një shumicë e ushtrisë qiellore, lëvdonte Perëndinë, duke thënë: «Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!» (Luka 2:8-14) Gjithashtu, Ana u nxit të dëshmonte mbi atë që do të bëhej Mesia!
Duke parë vogëlushin Jezu, Ana «lavdëroi Zotin dhe u fliste për këtë fëmijë të gjithë atyre që prisnin çlirimin në Jeruzalem». (Luka 2:38) Ashtu si plaku Simeon, gjithashtu i privilegjuar të shikonte foshnjën Jezu në tempull, pa dyshim ajo ishte duke u lutur dhe pritur Shpëtimtarin e premtuar. Lajmi i mirë se ai ishte Jezui, ishte tepër i bukur për t’u mbajtur për vete.
Meqenëse Ana nuk mund të ishte akoma në jetë kur të rritej Jezui, çfarë bëri ajo? Me gëzim u dëshmonte të tjerëve rreth çlirimit që do të vinte falë ardhjes së Mesisë.
Shembulli i shkëlqyer i Anës
Sa persona fetarë të botës do të jepnin një dëshmi të tillë ose do të bënin adhurimin natë e ditë në moshën 84-vjeçare? Ka të ngjarë, të kenë kërkuar ndonjë pension që vite më parë. Ana dhe Simeoni ishin ndryshe. Dhanë shembuj të shkëlqyer për të gjithë shërbëtorët e moshuar të Jehovait. Në të vërtetë, ata e donin shtëpinë e adhurimit të Jehovait dhe i jepnin lavdi atij me gjithë zemër.
Ana është një shembull i shkëlqyer i një vejushe të devotshme. Në fakt, përshkrimi i Lukës për këtë grua të moshuar e të përulur, e krahason me cilësitë e një vejushe të denjë të përmendur tek 1. Timoteut 5:3-16. Atje, apostulli Pavël thotë se një vejushë e tillë «qëndron në lutje dhe në të falura natë e ditë», ka qenë «bashkëshorte e një burri të vetëm» dhe «i është kushtuar çdo vepre të mirë». Ana ishte një grua e tillë.
Sot, në mijëra kongregacione në të gjithë tokën, gjejmë vejusha të moshuara besnike që e bëjnë shërbimin e shenjtë të Perëndisë ditë e natë. Sa i çmojmë këto «Ana» moderne që i kemi në mesin tonë!
Edhe në një moshë të shkuar, burra dhe gra mund t’i dedikohen Perëndisë dhe ta simbolizojnë këtë me pagëzimin në ujë. Askush nuk është kurrë i vjetër për t’i shërbyer Jehovait dhe për të dëshmuar për Mbretërinë mesianike të vendosur tani në qiej, e cila shpejt do të sjellë bekime të pasura tek njerëzit e bindur. Personat e moshuar që tani po kryejnë shërbimin e shenjtë të Perëndisë, mund të dëshmojnë për bekimet e Jehovait mbi ta, siç u bekua në mënyrë të veçantë Ana, shekuj më parë. Sikurse ajo nuk ishte tepër e vjetër për t’i shërbyer Jehovait dhe për të lavdëruar emrin e tij të shenjtë, nuk janë as ata.