Ç’mund të mësojmë nga Joana?
SHUMË veta e kanë të qartë se Jezui kishte 12 apostuj. Por mbase nuk e dinë se mes dishepujve të tij kishte edhe gra që u shoqëruan nga afër me Jezuin. Njëra prej tyre ishte Joana.—Mat. 27:55; Luka 8:3.
Ç’rol luajti ajo në shërbimin e Jezuit, dhe ç’mund të mësojmë nga shembulli i saj?
KUSH ISHTE JOANA?
Joana ishte «gruaja e Kuzait, kujdestarit të shtëpisë së Herodit». Ka të ngjarë që Kuzai të administronte shtëpinë e Herod Antipës. Joana ishte njëra nga gratë që Jezui i shëroi nga sëmundjet. Bashkë me gratë e tjera, ajo udhëtoi me Jezuin dhe apostujt e tij.—Luka 8:1-3.
Rabinët judenj mësonin se gratë s’duhej të shoqëroheshin me burra që nuk i kishin të afërm, e aq më pak të udhëtonin me ta. Në fakt, burrat judenj s’duhej të flisnin thuajse fare me gratë. Por Jezui i la Joanën dhe gratë e tjera besimtare të udhëtonin me grupin e tij, pa ua vënë veshin atyre traditave.
Duke u shoqëruar me Jezuin e apostujt, Joana rrezikonte që njerëzit ta shihnin me sy të shtrembër. Që të rrugëtonin me Jezuin, të gjithë duhej të bënin ndryshime në jetën e përditshme. Por ja si u shpreh Jezui për këta dishepuj: «Nëna ime dhe vëllezërit e mi janë këta që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë atë.» (Luka 8:19-21; 18:28-30) A nuk të ngrohet zemra që Jezui ndihet kaq i afërt me ata që bëjnë sakrifica për ta ndjekur?
SHËRBEU DUKE PËRDORUR PASURITË E SAJ
Joana dhe shumë gra të tjera i shërbyen Jezuit dhe të Dymbëdhjetëve «duke përdorur pasuritë e tyre». (Luka 8:3) Një shkrimtar vëren: «Luka nuk po u thotë lexuesve se gratë gatuanin, lanin enët dhe arnonin rrobat. Mbase edhe i bënin këto . . . , por Luka s’e ka fjalën këtu.» Duket se gratë i mbështetnin financiarisht shokët e udhëtimit, duke përdorur paratë, të mirat materiale ose pronat e tyre.
Gjatë udhëtimeve të predikimit as Jezui, as apostujt e tij nuk bënin ndonjë punë me rrogë. Prandaj ka shumë gjasa të mos kishin të ardhura për të paguar gjithë ushqimin dhe gjërat e tjera që i duheshin një grupi prej ndoshta 20 vetash. Ndonëse njerëzit i mikpritnin, fakti që Krishti dhe apostujt mbanin një ‘arkë parash’ nënkupton se nuk vareshin gjithnjë nga mikpritja e të tjerëve. (Gjoni 12:6; 13:28, 29) Ka mundësi që Joana dhe gratë e tjera të kenë kontribuar për të mbuluar shpenzimet.
Sipas disave, është e pamundur që një grua judeje të kishte burime financiare. Megjithatë, dokumente të asaj kohe tregojnë se mes judenjve, një grua mund të kishte të ardhura në këto rrugë: (1) si trashëgimi në rast se i ati vdiste pa lënë pas bij, (2) si pronë që i jepej asaj, (3) si para që i takonin sipas një kontrate martesore në rast divorci, (4) si pension nga pasuritë e burrit të vdekur ose (5) si fitime që i nxirrte vetë.
Pa dyshim, dishepujt e Jezuit kontribuonin me sa mundnin. Mes shpurës së tij ndoshta kishte gra të kamura. Meqë Joana ishte ose kishte qenë gruaja e kujdestarit të Herodit, disa mendojnë se qe goxha në gjendje. Një grua si ajo mund të kishte siguruar veshjen e shtrenjtë të endur njësh që mbante Jezui. Një shkrimtare thekson se «gratë e peshkatarëve s’mund t’i jepnin» atij një rrobë të tillë.—Gjoni 19:23, 24.
Shkrimet nuk e thonë shprehimisht se Joana dha kontribute në para. Ama bëri gjithë sa mundi, dhe nga kjo mund të nxjerrim një mësim. E kemi ne vetë në dorë se çfarë japim—ose nëse vendosim të japim diçka—për të mbështetur interesat e Mbretërisë. Ajo që ka rëndësi për Perëndinë është ta bëjmë me gëzim atë që mundemi.—Mat. 6:33; Mar. 14:8; 2 Kor. 9:7.
KUR VDIQ JEZUI E MË PAS
Me sa duket, kur u ekzekutua Jezui, Joana ishte aty tok me gra të tjera «të cilat e kishin shoqëruar e i kishin shërbyer kur ai ishte në Galile. Bashkë me to ishin dhe shumë gra të tjera, që ishin ngjitur bashkë me të në Jerusalem». (Mar. 15:41) Kur trupin e Jezuit e hoqën nga shtylla për ta varrosur, «gratë që kishin ardhur me të nga Galilea, e ndoqën, panë varrin dhe se si e kishin vënë trupin e tij. Pastaj u kthyen që të përgatitnin erëzat dhe vajrat aromatikë». Ato gra, që sipas Lukës ishin «Maria-Magdalena, Joana dhe Maria, nëna e Jakovit», u kthyen pas sabatit dhe panë engjëjt që u treguan për ringjalljen e Jezuit.—Luka 23:55–24:10.
Ka të ngjarë që, ashtu si nëna dhe vëllezërit e Jezuit, Joana të ishte mes dishepujve të mbledhur në Jerusalem për festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. (Vep. 1:12-14) Falë lidhjeve me oborrin, Joana mund të ketë qenë burimi i hollësive personale që jep Luka për Herod Antipën, sidomos meqë ai është i vetmi shkrimtar i Ungjijve që përmend Joanën.—Luka 8:3; 9:7-9; 23:8-12; 24:10.
Nga historia e Joanës nxjerrim mësime me peshë. Ajo i shërbeu Jezuit duke dhënë më të mirën. Sa e lumtur duhet të jetë ndier nëse të ardhurat e saj ndihmuan Jezuin, të Dymbëdhjetët dhe dishepuj të tjerë që të udhëtonin e të predikonin së bashku. Joana u kujdes për Jezuin dhe i qëndroi besnike mes sprovash. Motrat bëjnë mirë të imitojnë qëndrimin e saj të devotshëm.