KAPITULLI 120
Si të japin fryt dhe të jenë miq me Jezuin
HARDHIA E VËRTETË DHE DEGËT
SI TË QËNDROJNË NË DASHURINË E JEZUIT
Jezui po u jep zemër apostujve besnikë duke u folur në mënyrë të hapur e të sinqertë. Është vonë, ndoshta ka kaluar mesnata, dhe tani Jezui u tregon një ilustrim motivues.
E nis ilustrimin me këto fjalë: «Unë jam hardhia e vërtetë dhe Ati im është kultivuesi.» (Gjoni 15:1) Ky ilustrim ngjan me atë që është bërë shekuj më parë për kombin e Izraelit, që u quajt hardhia e Jehovait. (Jeremia 2:21; Hozea 10:1, 2) Gjithsesi, Jehovai po e hedh poshtë këtë komb. (Mateu 23:37, 38) Prandaj Jezui po flet për diçka të re. Ai vetë është hardhia që i Ati ka kultivuar që kur e mirosi me frymën e shenjtë në vitin 29 të e.s. Por, Jezui shpjegon se kjo hardhi nuk përfaqëson vetëm atë:
«[Ati im] e pret çdo degë timen që nuk jep fryt. Kurse atë që jep fryt, e pastron dhe e krasit, që të japë edhe më shumë fryt. . . . Ashtu si dega s’mund të japë fryt më vete po të mos qëndrojë te hardhia, as ju nuk mund të jepni fryt po të mos qëndroni në unitet me mua. Unë jam hardhia e ju jeni degët.»—Gjoni 15:2-5.
Jezui u ka premtuar dishepujve besnikë se pasi të largohet, do t’u dërgojë një ndihmës, frymën e shenjtë. Pesëdhjetë e një ditë më vonë, kur apostujt dhe të tjerë marrin frymën e shenjtë, bëhen degë të hardhisë. Të gjitha «degët» duhet të qëndrojnë në unitet me Jezuin. Për cilin qëllim?
Jezui shpjegon: «Ai që qëndron në unitet me mua—dhe unë në unitet me të—jep shumë fryt, sepse pa mua ju s’mund të bëni asgjë.» Këto «degë», dishepujt besnikë, do të jepnin shumë fryt duke imituar cilësitë e Jezuit, duke folur plot zell me të tjerët për Mbretërinë e Perëndisë dhe duke bërë dishepuj të tjerë. Po nëse dikush nuk qëndron në unitet me Jezuin dhe nuk jep fryt? Jezui vijon: «Ai që nuk qëndron në unitet me mua, . . . flaket tej.» Nga ana tjetër, i siguron: «Nëse qëndroni në unitet me mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në zemrat tuaja, kërkoni çfarë të doni e do t’ju plotësohet.»—Gjoni 15:5-7.
Tani Jezui i kthehet një çështjeje që e ka përmendur dy herë të tjera: zbatimit të urdhërimeve të tij. (Gjoni 14:15, 21) Së pari, përmend mënyrën thelbësore si mund ta tregojnë dishepujt se po veprojnë kështu: «Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, ashtu si unë i zbatoj urdhërimet e Atit dhe qëndroj në dashurinë e tij.» Mirëpo nuk mjafton vetëm të duan Perëndinë Jehova dhe Birin e tij, sepse Jezui vazhdon: «Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin ashtu si ju kam dashur unë. Askush nuk ka dashuri më të madhe se ai që jep jetën për miqtë e vet. Ju jeni miqtë e mi nëse bëni atë që po ju urdhëroj.»—Gjoni 15:10-14
Pas pak orësh, Jezui do të japë prova të dashurisë së tij duke dhënë jetën për të gjithë ata që tregojnë besim tek ai. Shembulli i tij duhet t’i nxitë edhe dishepujt të kenë të njëjtën dashuri vetëmohuese për njëri-tjetrin. Kjo dashuri do t’i identifikojë, tamam siç tha Jezui pak më parë: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi: nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»—Gjoni 13:35.
Apostujve duhet t’u bëjë përshtypje fakti që Jezui i quan «miq». Ai tregon pse i konsideron kështu: «Ju kam quajtur miq, sepse ju kam bërë të njohur gjithë gjërat që kam dëgjuar nga Ati im.» Sa e çmuar është kjo lidhje: i lejon të jenë miq të ngushtë me Jezuin dhe të dinë gjërat që i ka thënë Ati. Ama, që ta ruajnë këtë miqësi, duhet ‘të japin vazhdimisht fryt’. Nëse bëjnë kështu, Jezui premton: «Çfarëdo t’i kërkoni Atit në emrin tim, ai [do] t’jua japë.»—Gjoni 15:15, 16.
Dashuria mes këtyre ‘degëve’, pra dishepujve të tij, do t’i ndihmojë të qëndrojnë të palëkundur përballë vështirësive që i presin. Jezui i paralajmëron se bota do t’i urrejë. Por edhe u jep zemër me këto fjalë: «Nëse bota ju urren, ju e dini se para se t’ju urrente ju, më urreu mua. Po të ishit pjesë e botës, bota do t’i kishte për zemër të vetët. Mirëpo ju nuk jeni pjesë e botës, . . . prandaj bota ju urren.»—Gjoni 15:18, 19.
Jezui u shpjegon edhe më shumë pse bota do t’i urrejë, duke u thënë: «Të gjitha këto do t’i bëjnë kundër jush për shkak të emrit tim, sepse nuk e njohin Atë që më dërgoi.» Jezui thotë se në fakt mrekullitë e tij dënojnë ata që e urrejnë: «Po të mos kisha kryer mrekullitë që bëra në sytë e tyre, të cilat askush tjetër s’i ka bërë, nuk do të kishin asnjë mëkat. Por tani, ata jo vetëm që më kanë parë, por më kanë urryer si mua, edhe Atin tim.» Në të vërtetë, urrejtja e tyre plotëson profecitë.—Gjoni 15:21, 24, 25; Psalmi 35:19; 69:4.
Jezui u premton përsëri se do t’u dërgojë ndihmësin, frymën e shenjtë. Kjo forcë e fuqishme është në dispozicion të të gjithë dishepujve të tij dhe i ndihmon të japin fryt, ‘të japin dëshmi’.—Gjoni 15:27.