KAPITULLI 121
«Merrni zemër! Unë e munda botën»
PAS PAK APOSTUJT NUK DO TA SHOHIN MË JEZUIN
DHEMBJA E APOSTUJVE DO TË KTHEHET NË GËZIM
Jezui dhe apostujt janë gati të largohen nga dhoma e sipërme ku kremtuan Festën e Kalimit. U ka dhënë shumë këshilla dhe tani shton: «Jua kam thënë këto gjëra që të mos e humbni besimin.» Pse është me vend ky paralajmërim? Jezui u thotë: «Do t’ju përjashtojnë nga sinagogat. Madje, po vjen ora kur ata që do t’ju vrasin, do të mendojnë se i kanë bërë shërbim të shenjtë Perëndisë.»—Gjoni 16:1, 2.
Ky lajm mbase i trazon apostujt. Jezui ua kishte përmendur edhe më parë që bota do t’i urrente, por nuk ua kishte thënë hapur se do t’i vritnin. Pse? «Nuk jua tregova këto gjëra në fillim meqë isha me ju»,—shpjegon ai. (Gjoni 16:4) Pra, ngaqë do të largohet prej tyre, Jezui i përgatit për atë që do të ndodhë. Kjo mund t’i ndihmojë që më vonë të mos e humbin besimin.
Jezui vazhdon: «Unë po shkoj tek Ai që më dërgoi. E prapëseprapë asnjë nga ju nuk më pyet ‘ku po shkon’.» Pak më parë, këtë mbrëmje, e kishin pyetur ku do të shkonte. (Gjoni 13:36; 14:5; 16:5) Por tani, të tronditur nga ajo që u tha për përndjekjen, janë të zhytur në hidhërimin e tyre. Ja pse nuk e pyesin për lavdinë që e pret ose si do të ndikojë kjo tek adhuruesit e vërtetë. Jezui vëren: «Zemrat tuaja janë mbushur me hidhërim nga gjërat që ju kam treguar.»—Gjoni 16:6.
Pastaj u shpjegon: «Është në dobinë tuaj që unë të iki, sepse po të mos iki, ndihmësi nuk do të vijë te ju. Por po të iki, do t’jua dërgoj atë.» (Gjoni 16:7) Jezui duhet të vdesë dhe të shkojë në qiell, sepse vetëm atëherë mund t’u dërgojë frymën e shenjtë dishepujve. Ajo do të veprojë si ndihmës për shërbëtorët e tij kudo që të ndodhen.
Fryma e shenjtë «do t’i tregojë qartë botës ç’është mëkati, drejtësia dhe gjykimi». (Gjoni 16:8) Po, do të dalë sheshit fakti që bota nuk tregoi besim te Biri i Perëndisë. Jezui do të ngjitet në qiell, dhe kjo do të jetë provë bindëse se ai është i drejtë dhe do të dëshmojë pse Satanai, «sundimtari i kësaj bote», meriton gjykim të ashpër.—Gjoni 16:11.
«Kam ende shumë gjëra për t’ju thënë,—shton Jezui,—por tani për tani nuk mund t’i kuptoni.» Kur ai të derdhë mbi ta frymën e shenjtë, ajo do t’i drejtojë që të kuptojnë «gjithë të vërtetën» dhe do t’ia dalin të jetojnë në përputhje me këtë të vërtetë.—Gjoni 16:12, 13.
Pohimi që bën tani Jezui i huton apostujt. Ai thotë: «Edhe pak e nuk do të më shihni më, edhe pak e do të më shihni përsëri.» Ata pyesin njëri-tjetrin se ç’kuptim kanë këto fjalë. Jezui e kupton që ata duan ta pyesin, ndaj u shpjegon: «Me të vërtetë po ju them: ju do të qani e do të vajtoni, por bota do të gëzojë. Ju do të keni dhembje, por dhembja juaj do të kthehet në gëzim.» (Gjoni 16:16, 20) Kur Jezuin e vrasin të nesërmen pasdite, krerët fetarë gëzojnë, kurse dishepujt hidhërohen. Pastaj, kur Jezui ringjallet, dhembja e tyre kthehet në gëzim. Dhe ky gëzim do të shtohet kur ai të derdhë mbi ta frymën e shenjtë të Perëndisë.
Duke krahasuar situatën e apostujve me atë të një gruaje gjatë dhembjeve të lindjes, Jezui thotë: «Kur është duke lindur, gruaja ka dhembje, sepse i ka ardhur ora. Mirëpo, pasi e ka sjellë në jetë fëmijën, ajo nuk e kujton më sa vuajti, nga gëzimi që në botë lindi një njeri.» Jezui u jep zemër apostujve me këto fjalë: «Tani edhe ju keni dhembje, por unë do t’ju shoh sërish dhe zemra juaj do të gëzojë, e askush s’do t’jua heqë dot gëzimin.»—Gjoni 16:21, 22.
Deri në këtë moment, apostujt nuk kanë bërë asnjë kërkesë në emër të Jezuit. Por tani ai u thotë: «Atë ditë ju do t’i luteni Atit në emrin tim.» A do të thotë kjo që Ati ngurron t’u përgjigjet? Aspak. Në fakt, Jezui thotë: «Vetë Ati ju ka për zemër, ngaqë më keni pasur për zemër mua dhe keni besuar se unë erdha si përfaqësues i Atit.»—Gjoni 16:26, 27.
Fjalët inkurajuese të Jezuit mund t’u kenë dhënë zemër apostujve të thonë plot bindje: «Nga kjo e besojmë se erdhe nga Perëndia.» Mirëpo, pas pak, kjo bindje do të vihet në provë. Në fakt, Jezui u tregon çfarë do të ndodhë së shpejti: «Ja, po vjen ora, madje ka ardhur, kur do t’ia mbathni secili në shtëpinë e vet dhe do të më lini vetëm.» Megjithatë i siguron: «Jua kam thënë këto gjëra që falë meje të keni paqe. Në botë do të keni vështirësi, por merrni zemër! Unë e munda botën.» (Gjoni 16:30-33) Jo, Jezui nuk po i braktis. Gjithashtu s’ka fije dyshimi se, ashtu si ai, edhe ata mund ta mundin botën duke kryer me besnikëri vullnetin e Perëndisë, pavarësisht nga orvatjet e Satanait dhe të botës së tij për t’ua thyer integritetin.