KAPITULLI 122
Lutja e fundit e Jezuit në dhomën e sipërme
DOBITË QË VIJNË KUR NJOHIM PERËNDINË DHE BIRIN E TIJ
JEHOVAI, JEZUI DHE DISHEPUJT JANË NË UNITET
Nga dashuria e thellë që ka për apostujt, Jezui i ka përgatitur për ikjen e tij që po afron me të shpejtë. Ai ngre sytë nga qielli dhe i lutet Atit: «Jepi lavdi birit tënd, që edhe biri të të japë lavdi. Më ke dhënë autoritet mbi gjithë njerëzimin, që t’u jap jetë të përhershme të gjithë atyre që më ke dhënë.»—Gjoni 17:1, 2.
Patjetër, Jezui e di që s’ka gjë më të rëndësishme se t’i japë lavdi Jehovait. Nga ana tjetër, sa na e ngroh zemrën shpresa që përmend Jezui: jeta e përhershme. Meqë Jezui ka marrë «autoritet mbi gjithë njerëzimin», mund t’ua ofrojë dobitë e shpërblesës gjithë njerëzve. E megjithatë, vetëm disa do ta gëzojnë këtë bekim. Pse? Sepse Jezui do t’i zbatojë dobitë e shpërblesës vetëm për ata që veprojnë në përputhje me fjalët që thotë më tej: «Që të gëzojnë jetën e përhershme, duhet të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe atë që dërgove, Jezu Krishtin.»—Gjoni 17:3.
Pra duhet ta njohim mirë Atin e Birin dhe të krijojmë një lidhje të ngushtë me ta. Duhet edhe të përvetësojmë pikëpamjen e tyre për çdo gjë. Veç kësaj, duhet të bëjmë çmos të imitojmë cilësitë e tyre të pashoqe në marrëdhëniet me të tjerët. Duhet të kuptojmë se t’i japim lavdi Perëndisë, është më e rëndësishme se të marrim jetën e përhershme. Tani Jezui përqendrohet te kjo pikë:
«Unë të kam dhënë lavdi në tokë, ngaqë e mbarova veprën që më dhe për të bërë. Prandaj, tani, o Atë, më jep lavdi, që të jem përkrah teje e të kem atë lavdi që kisha përkrah teje përpara se të ekzistonte bota.» (Gjoni 17:4, 5) Po, Jezui i kërkon Perëndisë ta kthejë në pozitën e lavdishme që kishte në qiell, me anë të ringjalljes.
Gjithsesi, Jezui nuk harron çfarë ka arritur me shërbimin e tij. Ai lutet: «Unë ua kam bërë të njohur emrin tënd njerëzve që më dhe nga bota. Ata ishin të tutë e ti m’i dhe mua, dhe ata e kanë zbatuar fjalën tënde.» (Gjoni 17:6) Kuptohet, Jezui jo vetëm e shpalli emrin e Perëndisë Jehova në shërbim, por edhe i ndihmoi apostujt të kuptonin çfarë përfaqëson ky emër: cilësitë e Perëndisë dhe mënyrën si vepron ai me njerëzit.
Apostujt tani e njohin Jehovain, rolin që ka Biri i tij dhe kuptojnë gjërat që u ka mësuar Jezui. Me përulësi, Jezui thotë: «Unë ua dhashë atyre fjalët që më dhe mua. Ata i kanë pranuar dhe pa dyshim e kanë kuptuar se erdha si përfaqësuesi yt dhe kanë besuar se më dërgove ti.»—Gjoni 17:8.
Pastaj Jezui bën dallimin mes dishepujve të tij dhe botës në përgjithësi: «Nuk po të lutem për botën, por për ata që ti më ke dhënë sepse janë të tutë. . . . Atë i Shenjtë, mbroji për hir të emrit tënd, po, të emrit që më ke dhënë, që të bëhen një ashtu siç ne jemi një. . . . I kam mbrojtur dhe asnjë nga ata nuk është shkatërruar, përveç birit të shkatërrimit», domethënë Judë Iskariotit, që i ka hyrë misionit për të tradhtuar Jezuin.—Gjoni 17:9-12.
«Bota i ka urryer»,—vazhdon Jezui në lutjen e tij.—«Nuk po të lutem që t’i heqësh nga bota, por që t’i mbrosh nga i Ligu. Ata nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës.» (Gjoni 17:14-16) Edhe pse apostujt dhe dishepujt e tjerë jetojnë në botë, mes shoqërisë njerëzore që sundohet nga Satanai, ata duhet të qëndrojnë të ndarë nga bota dhe nga ligësia e saj. Si?
Duhet të vazhdojnë të jenë të shenjtë, të veçuar për t’i shërbyer Perëndisë, duke zbatuar të vërtetat që gjenden në Shkrimet Hebraike dhe ato që u ka mësuar vetë Jezui. Ai lutet: «Shenjtëroji me anë të së vërtetës. Fjala jote është e vërteta.» (Gjoni 17:17) Me kohë, disa nga apostujt do të shkruajnë nën frymëzim libra që do të bëhen pjesë e «së vërtetës», e cila mund ta ndihmojë dikë të jetë i shenjtë.
Me kalimin e kohës, këtë ‘të vërtetë’ do ta pranojnë edhe të tjerë. Prandaj Jezui ‘nuk lutet vetëm për [11 apostujt], por edhe për të gjithë ata që do të tregojnë besim tek ai nëpërmjet fjalës së këtyre’. Çfarë kërkon Jezui për të gjithë ata? «Që të gjithë të bëhen një, ashtu si ti, o Atë, je në unitet me mua dhe unë jam në unitet me ty, që edhe ata të jenë në unitet me ne.» (Gjoni 17:20, 21) Jezui dhe Ati nuk janë një person i vetëm në kuptimin e mirëfilltë, por në kuptimin që janë në një mendje për çdo gjë. Jezui lutet që dishepujt e tij të kenë të njëjtin unitet.
Pak më përpara, Jezui i kishte thënë Pjetrit dhe të tjerëve se po shkonte t’u përgatiste një vend, pra një vend në qiell. (Gjoni 14:2, 3) Tani Jezui e përmend prapë këtë në lutje: «O Atë, dëshiroj që ata që më ke dhënë, të jenë me mua aty ku jam unë, që të shohin lavdinë që më ke dhënë: në fakt ti më ke dashur që përpara se të themelohej bota.» (Gjoni 17:24) Me këto fjalë Jezui konfirmon se, shumë kohë më parë, madje para se Adami dhe Eva të bëheshin me fëmijë, Perëndia e ka dashur Birin e tij të vetëmlindur, që më vonë do të bëhej Jezu Krishti.
Në fund të lutjes, Jezui i referohet sërish emrit të Atit të tij dhe dashurisë që ka Perëndia për apostujt dhe për ata që do të pranojnë ‘të vërtetën’ më vonë, kur thotë: «Unë ua kam bërë të njohur emrin tënd dhe do ta bëj të njohur, që ata të tregojnë po atë dashuri që ti ke treguar për mua dhe që unë të jem në unitet me ta.»—Gjoni 17:26.