Administrimi teokratik në epokën e krishterë
«Kjo është sipas pëlqimit të tij . . . që të mbledhë çdo gjë përsëri së bashku në Krishtin, gjërat në qiej dhe gjërat mbi tokë.»—EFESIANËVE 1:9, 10, BR.
1, 2. (a) Si ka vazhduar mbledhja e «gjërave në qiej», duke filluar me vitin 33 të e.s.? (b) Si kanë treguar të krishterët e mirosur që nga viti 1914, frymën e Moisiut dhe të Elijës?
KJO mbledhje e ‘gjërave në qiej’ filloi në vitin 33 të e.s., kur lindi «Izraeli i Perëndisë». (Galatasve 6:16; Isaia 43:10; 1. Pjetrit 2:9, 10) Pas shekullit të parë të e.s., mbledhja u ngadalësua ndërsa të krishterët e vërtetë (të quajtur nga Jezui «grurë») u mbuluan nga «egjrat» apostate, të mbjella nga Satanai. Por, kur «koha e fundit» u afrua, Izraeli i vërtetë i Perëndisë u rishfaq dhe në vitin 1919 u emërua mbi të gjitha zotërimet e Jezuit.a—Mateu 13:24-30, 36-43; 24:45-47; Danieli 12:4.
2 Gjatë Luftës I Botërore, të krishterët e mirosur kryen vepra të fuqishme, sikurse kishin bërë edhe Moisiu dhe Elija.b (Zbulesa 11:5, 6) Që nga viti 1919 ata kishin predikuar lajmin e mirë në një botë armiqësore, duke vepruar kështu me guximin e Elijës. (Mateu 24:9-14) Ndërsa që nga viti 1922, ata i kishin shpallur gjykimet e Jehovait mbi njerëzimin, ashtu si Moisiu dërgoi plagët e Perëndisë mbi Egjiptin e lashtë. (Zbulesa 15:1; 16:2-17) Sot, mbetja e këtyre të krishterëve të mirosur, përbën bërthamën e shoqërisë së botës së re të Dëshmitarëve të Jehovait.
Një trup udhëheqës në veprim
3. Cilat ngjarje tregojnë se kongregacioni i hershëm i krishterë ishte i organizuar mirë?
3 Që nga fillimet e kongregacionit të krishterë, ithtarët e mirosur të Jezuit ishin të organizuar. Ndërkohë që numri i dishepujve shtohej, themeloheshin kongregacione lokale dhe emëroheshin pleq. (Titit 1:5) Pas vitit 33 të e.s., 12 apostujt vepronin si një trup udhëheqës qendror autoritar. Si të tillë, ata morën sypatrembur drejtimin në veprën e dëshmisë. (Veprat 4:33, 35, 37; 5:18, 29) Organizuan shpërndarjen e ushqimeve për nevojtarët dhe dërguan Pjetrin e Gjonin në Samari, për të ndjekur interesin që ishte raportuar atje. (Veprat 6:1-6; 8:6-8, 14-17) Barnaba çoi përpara tyre Pavlin, për të vërtetuar se ky ish-persekutor ishte tashmë një ithtar i Jezuit. (Veprat 9:27; Galatasve 1:18, 19) Pasi i kishte predikuar Kornelit dhe atyre të shtëpisë së tij, Pjetri u kthye në Jerusalem dhe u shpjegoi apostujve dhe vëllezërve të tjerë judenj, si e kishte treguar fryma e shenjtë në këtë rast vullnetin e Perëndisë.—Veprat 11:1-18.
4. Cilat përpjekje u bënë për të vrarë Pjetrin, por si shpëtoi jeta e tij?
4 Më pas, trupi udhëheqës ra nën një sulm brutal. Pjetri u burgos dhe jeta e tij shpëtoi vetëm falë një ndërhyrjeje engjëllore. (Veprat 12:3-11) Tani, për herë të parë, dikush tjetër që s’ishte një nga 12 apostujt, u shfaq në një pozitë drejtuese në Jerusalem. Kur u lirua nga burgu, Pjetri i tha një grupi të mbledhur në shtëpinë e nënës së Gjon Markut: «Raportojua këto gjëra Jakovit [gjysmëvëllai i Jezuit] dhe vëllezërve.»—Veprat 12:17.
5. Si ndryshoi përbërja e trupit udhëheqës pas martirizimit të Jakovit?
5 Më parë, pasi apostulli tradhtar, Juda Iskarioti, bëri vetëvrasje, kishte dalë nevoja për t’i dhënë «pozitën e tij të mbikëqyrjes» si një apostull dikujt tjetër, që kishte qenë me Jezuin gjatë shërbimit të tij dhe që kishte qenë dëshmitar i vdekjes dhe i ringjalljes së tij. Megjithatë, kur Jakovi, vëllai i Gjonit, u ekzekutua, askush nuk e zëvendësoi atë si një nga të 12-ët. (Veprat 1:20-26; 12:1, 2) E megjithatë, referimi i mëtejshëm që Shkrimet i bëjnë trupit udhëheqës tregon se ai ishte zgjeruar. Kur lindi një mosmarrëveshje, nëse johebrenjtë që ndiqnin Jezuin duhej t’i nënshtroheshin Ligjit të Moisiut apo jo, çështja u shtrua për vendim para «apostujve dhe pleqve që ishin në Jerusalem». (Veprat 15:2, 6, 20, 22, 23; 16:4) Përse tani u shfaqën «pleqtë» në trupin udhëheqës? Bibla nuk e thotë, por kjo ishte me një dobi të dukshme. Vdekja e Jakovit dhe burgosja e Pjetrit kishin treguar se apostujt një ditë mund të burgoseshin apo të vriteshin. Me një mundësi të tillë, prania e pleqve të tjerë të kualifikuar, me përvojë në procedurat e trupit udhëheqës, do të siguronte vazhdimësinë e rregullt të mbikëqyrjes.
6. Si vazhdoi të funksiononte trupi udhëheqës në Jerusalem, madje edhe kur anëtarët e tij fillestarë nuk gjendeshin më në atë qytet?
6 Kur Pavli erdhi në Jerusalem, aty nga viti 56 i e.s., ai i raportoi Jakovit dhe siç thotë Bibla, «të gjithë pleqve që ishin të pranishëm». (Veprat 21:18, BR) Përse në këtë mbledhje nuk zihen fare në gojë apostujt? Përsëri, Bibla nuk e thotë. Por historiani Eusebio raportoi më vonë se disa kohë përpara vitit 66 të e.s., «apostujt që kishin mbetur, nën rrezikun e vazhdueshëm të komploteve për vrasje, ishin përzënë nga Judea. Por, për të mësuar mesazhin e tyre, ata udhëtuan në çdo vend, me fuqinë e Krishtit». (Eusebius, Libri III, V, v. 2) Vërtet, fjalët e Eusebios nuk janë pjesë e tregimit të frymëzuar, por ato përputhen me atë që thotë tregimi. Për shembull, nga viti 62 i e.s., Pjetri gjendej në Babiloni, shumë larg nga Jerusalemi. (1. Pjetrit 5:13) Megjithatë, në vitin 56 të e.s., madje ka të ngjarë që edhe deri në vitin 66 të e.s., është e qartë se një trup udhëheqës ka qenë aktiv në Jerusalem.
Administrimi në kohët moderne
7. Në krahasim me trupin udhëheqës të shekullit të parë, çfarë ndryshimi i madh ekziston në përbërjen e Trupit Udhëheqës sot?
7 Që nga viti 33 i e.s. e deri në mjerimin që ra mbi Jerusalem, trupi udhëheqës me sa duket përbëhej nga të krishterë judenj. Gjatë vizitës së tij në vitin 56 të e.s., Pavli mori vesh se shumë të krishterë judenj në Jerusalem, edhe pse ‘mbanin besimin e Zotërisë tonë, Jezu Krisht’, ishin ende «të zellshëm për Ligjin [e Moisiut]».c (Jakovit 2:1; Veprat 21:20-25, BR) Ata judenj mund ta kenë pasur të vështirë të përfytyronin një johebre në trupin udhëheqës. Megjithatë, në kohët moderne ka ndodhur edhe një ndryshim tjetër në përbërjen e këtij trupi. Sot, ai përbëhet plotësisht nga të krishterë të mirosur johebrenj dhe Jehovai e ka bekuar shumë mbikëqyrjen e tyre.—Efesianëve 2:11-15.
8, 9. Çfarë zhvillimesh kanë ndodhur në Trupin Udhëheqës në kohët moderne?
8 Që nga bashkimi i Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania në vitin 1884 deri në vitin 1972, presidenti i Shoqatës ushtronte autoritet të madh në organizatën e Jehovait, ndërsa Trupi Udhëheqës shoqërohej ngushtë me bordin drejtues të Shoqatës. Bekimet e atyre viteve provuan se Jehovai e pranonte atë rregullim. Ndërmjet viteve 1972 dhe 1975, Trupi Udhëheqës u zgjerua në 18 anëtarë. Rregullimet u bënë edhe më shumë të ngjashme me modelin e shekullit të parë, kur një autoritet edhe më i madh iu dha këtij trupi të zgjeruar, disa prej anëtarëve të të cilit janë drejtues të Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania.
9 Që prej vitit 1975, disa prej këtyre 18 individëve e kanë mbaruar rrugën e tyre tokësore. Ata e kanë mundur botën dhe janë ‘ulur me Jezuin në fronin e tij qiellor’. (Zbulesa 3:21, BR) Për këtë dhe për arsye të tjera, Trupi Udhëheqës tani ka dhjetë anëtarë, duke përfshirë edhe një që është shtuar në vitin 1994. Shumica e tyre janë të shtyrë në moshë. Megjithatë, këtyre vëllezërve të mirosur u jepet një mbështetje e shkëlqyer në përmbushje të detyrave të tyre të rënda. Ku gjendet kjo mbështetje? Një vështrim mbi zhvillimet moderne mes popullit të Perëndisë do t’i përgjigjet kësaj pyetjeje.
Mbështetje për Izraelin e Perëndisë
10. Cilët janë bashkuar me të mirosurit në shërbim të Jehovait në këto ditë të fundit dhe si ka qenë profetizuar kjo?
10 Në vitin e largët 1884, pothuajse të gjithë ata që shoqëroheshin me Izraelin e Perëndisë ishin të krishterë të mirosur. Megjithatë, dalëngadalë, filloi të shfaqej një grup tjetër dhe në vitin 1935 ky grup u identifikua si «shumica e madhe» e kreut 7 të Zbulesës. Duke pasur një shpresë tokësore, këta përfaqësojnë «gjërat mbi tokë», të cilat Jehovai ka si qëllim t’i mbledhë së bashku në Krishtin. (Efesianëve 1:10) Ata përfaqësojnë «delet e tjera» të parabolës së Jezuit mbi vathën. (Gjoni 10:16) Që nga viti 1935, delet e tjera janë grumbulluar në organizatën e Jehovait. Ata kanë ‘ardhur duke fluturuar si një re dhe si pëllumba drejt foleve të tyre’. (Isaia 60:8, BR) Për shkak të rritjes së shumicës së madhe dhe të pakësimit në klasën e të mirosurve, pasi shumë prej tyre duke vdekur mbarojnë rrugën e tyre tokësore, dele të tjera të kualifikuara kanë nisur të luajnë një rol gjithnjë në rritje në aktivitetet e krishtere. Në cilat mënyra?
11. Çfarë privilegjesh, që fillimisht ishin të kufizuara vetëm për të krishterët e mirosur, u janë dhënë deleve të tjera?
11 Shpallja e gjithanshme e shkëlqesive të Jehovait ka qenë gjithmonë një detyrim i veçantë i «kombit të shenjtë» të Perëndisë. Pavli foli për të, si për një sakrificë në tempull, ndërsa atyre që do të bëheshin «një priftëri mbretërore» Jezui u dha urdhrin për të predikuar dhe për të mësuar. (Dalja 19:5, 6; 1. Pjetrit 2:4, 9; Mateu 24:14; 28:19, 20; Hebrenjve 13:15, 16) Gjithsesi, numri i 1 gushtit 1932 i Kullës së Rojës, i inkurajonte veçanërisht ata që përfaqësoheshin nga Jonadabi që të merrnin pjesë në këtë aktivitet. Në fakt, shumë prej këtyre deleve të tjera tashmë po bënin kështu. Sot, pothuajse e gjithë vepra e predikimit kryhet prej deleve të tjera, si një pjesë kryesore në ‘bërjen e shërbimit të shenjtë [të Perëndisë] ditë e natë në tempullin e tij’. (Zbulesa 7:15, BR) Në mënyrë të ngjashme, në fillimet e historisë moderne të popullit të Jehovait, pleqtë e kongregacioneve ishin të krishterë të mirosur, «yje» në dorën e djathtë të Jezu Krishtit. (Zbulesa 1:16, 20) Por Kulla e Rojës e 1 majit 1937 lajmëroi se dele të tjera të kualifikuara mund të ishin shërbëtorë të kompanisë (mbikëqyrës drejtues). Edhe pse kishte burra të mirosur, dele të tjera mund të përdoreshin, nëse burrat e mirosur nuk ishin në gjendje të mbanin përgjegjësinë e tyre. Sot, pothuajse të gjithë pleqtë e kongregacioneve janë nga delet e tjera.
12. Çfarë precedentësh biblikë ekzistojnë, në lidhje me dhënien e përgjegjësive të rënda organizative deleve të tjera?
12 A është e gabuar t’u japësh një përgjegjësi të tillë të rëndë deleve të tjera? Jo, kjo është në vazhdën e precedentëve historikë. Disa prozelitë të huaj (banorë të huaj) mbanin poste të larta në Izraelin e lashtë. (2. Samuelit 23:37, 39; Jeremia 38:7-9) Pas mërgimit në Babiloni, nethinimëve të kualifikuar (shërbëtorë joizraelitë të tempullit) iu dhanë privilegje në shërbimin në tempull, të cilat më parë u përkisnin vetëm levitëve. (Ezdra 8:15-20; Nehemia 7:60) Veç kësaj, Moisiu, i cili u pa në vizionin e shpërfytyrimit me Jezuin, e pranoi këshillën e shkëlqyer që i ofroi Jethroi medianit. Më vonë, ai kërkoi që djali i Jethroit, Hobabi, t’i udhëhiqte ata nëpër shkretëtirë.—Dalja 18:5, 17-24; Numrat 10:29.
13. Frymën e shkëlqyer të kujt kanë imituar të mirosurit, duke u deleguar me përulësi përgjegjësi deleve të tjera të kualifikuara?
13 Aty nga fundi i 40 vjetëve në shkretëtirë, Moisiu, duke e ditur se ai nuk do të shkonte në Tokën e Premtuar, u lut që Jehovai të siguronte një pasardhës. (Numrat 27:15-17) Jehovai i tha të ngarkonte Josiun para gjithë popullit dhe Moisiu veproi kështu, edhe pse ishte ende i fortë fizikisht dhe nuk e la menjëherë shërbimin ndaj Izraelit. (Ligji i përtërirë 3:28; 34:5-7, 9) Me një frymë të ngjashme të përulur, të mirosurit u kanë shtrirë tashmë privilegje në rritje burrave të kualifikuar mes deleve të tjera.
14. Cilat profeci theksojnë rolin organizativ në rritje të deleve të tjera?
14 Roli organizativ në rritje i deleve të tjera, ishte po ashtu subjekt i profecisë. Zaharia paratha se filistejtë joizraelitë do të ishin «si një sheik në Judë». (Zaharia 9:6, 7, BR) Sheikët ishin kryetarë fisesh, prandaj Zaharia po thoshte se një ish-armik i Izraelit do të pranonte adhurimin e vërtetë dhe do të bëhej si një kryetar fisi në Tokën e Premtuar. Për më tepër, duke iu drejtuar Izraelit të Perëndisë, Jehovai tha: «Të huajt në të vërtetë do të qëndrojnë e do të kullotin kopetë tuaja, o njerëz dhe të huajt do të jenë bujqit tuaj dhe vreshtarët tuaj. Ndërsa sa për ju, do të quheni priftërinj të Jehovait; do të thuhet se jeni shërbëtorët e Perëndisë tonë.» (Isaia 61:5, 6, BR) «Të huajt» janë delet e tjera. Këtyre u janë deleguar përgjegjësitë, në mënyrë që të marrin përsipër gjithnjë e më shumë punë, ndërkohë që të moshuarit e mbetjes së mirosur përfundojnë rrugën e tyre tokësore dhe shkojnë për të shërbyer në një kuptim të plotë si «priftërinj [qiellorë] të Jehovait», duke rrethuar fronin e madhërisë së Jehovait, si «shërbëtorë të Perëndisë tonë».—1. Korintasve 15:50-57; Zbulesa 4:4, 9-11; 5:9, 10.
‘Brezi . . . që duhet të vijë’
15. Në këtë kohë të fundit, cili grup i krishterë ka mbërritur ‘moshën e plakur’ dhe cili grup përfaqëson ‘brezin . . . që duhet të vijë’?
15 Mbetja e mirosur ka qenë e zellshme për të stërvitur delet e tjera që të marrin përgjegjësi më të mëdha. Psalmi 71:18 thotë: «Madje deri në moshë të plakur dhe me flokë të zbardhur, o Perëndi, mos më lër, derisa të mund t’i tregoj brezit për krahun tënd, të gjithë atyre që duhet të vijnë, për fuqinë tënde.» (BR) Duke komentuar mbi këtë varg, Kulla e Rojës e 15 dhjetorit 1948 theksonte se kongregacioni i të krishterëve të mirosur sigurisht që kishte arritur moshën e plakur. Ajo vazhdonte të thoshte se me lumturi të mirosurit «shikojnë përpara në dritën e profecisë së Biblës dhe shohin një brez të ri». Për kë e ka veçanërisht fjalën? Kulla e Rojës thoshte: «Jezui foli për to, si për ‘delet e tjera’ të tij.» ‘Brezi që duhet të vijë’ u referohet njerëzve, të cilët do të jetojnë nën administrimin e ri tokësor, të qeverisur nga Mbretëria e qiejve.
16. Cilat bekime mezi presin ata të ‘brezit që duhet të vijë’?
16 Bibla nuk e thotë qartësisht se në ç’kohë të gjithë të krishterët e mirosur do t’i lënë vëllezërit e tyre të këtij ‘brezi që duhet të vijë’ dhe do të shkojnë që të lavdërohen bashkë me Jezu Krishtin. Por këta të mirosur janë të sigurt se koha për këtë po afrohet. Ngjarjet e parathëna në profecinë e madhe të Jezuit mbi «kohën e fundit», kanë nisur të kalojnë që nga viti 1914, duke treguar se shkatërrimi i kësaj bote është afër. (Danieli 12:4; Mateu 24:3-14; Marku 13:4-20; Luka 21:7-24) Së shpejti, Jehovai do t’i hapë rrugën një bote të re, në të cilën ‘brezi që do të vijë’ do të ‘trashëgojë mbretërinë [pjesën tokësore] e përgatitur për ta që nga themelimi i botës’. (Mateu 25:34, BR) Ata janë të drithëruar tek presin përtëritjen e Parajsës dhe ngritjen e miliona të vdekurve nga Hadesi. (Zbulesa 20:13) A do të jenë atje të mirosurit për t’u dhënë mirëseardhjen atyre të ringjallurve? Në vitin 1925, Kulla e Rojës e 1 majit thoshte: «Ne nuk duhet të themi në mënyrë arbitrare se çfarë do të bëjë apo çfarë nuk do të bëjë Perëndia. . . . [Por] ne kemi arritur në përfundimin se anëtarët e Kishës [të krishterët e mirosur] do të lavdërohen para ringjalljes së të denjëve të lashtësisë [dëshmitarëve besnikë para krishterimit].» Në mënyrë të ngjashme, duke folur nëse disa nga të mirosurit do të ishin apo jo të pranishëm për t’u dhënë mirëseardhjen të ringjallurve, Kulla e Rojës e 1 shtatorit 1989 thoshte: «Kjo nuk do të ishte e nevojshme.»d
17. Çfarë privilegjesh të mrekullueshme, të mirosurit, si një grup, ndajnë me Mbretin e kurorëzuar, Jezu Krishtin?
17 Vërtet, nuk e dimë se ç’do të ndodhë me secilin nga të mirosurit. Por prania e Moisiut dhe e Elijës bashkë me Jezuin në vizionin e shpërfytyrimit tregon se të krishterët e mirosur të ringjallur pritet që të jenë me Jezuin, kur ai të vijë në lavdi për ‘të shpërblyer secilin sipas sjelljes së tij’, ndërsa bëhet dhe ekzekutohet gjykimi i dhënë prej tij. Për më tepër, ne na kujtohet premtimi i Jezuit se të krishterët e mirosur që ‘mundin’ botën, do të marrin pjesë me të në ‘kullotjen e kombeve me një shkop të hekurt’ në Armagedon. Kur Jezui të vijë në lavdi, ata do të ulen me të «duke gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit». Bashkë me Jezuin, ata do të ‘shtypin Satanain nën këmbët e tyre’.—Mateu 16:27–17:9; 19:28; Zbulesa 2:26, 27; 16:14, 16; Romakëve 16:20; Zanafilla 3:15; Psalmi 2:9; 2. Selanikasve 1:9, 10.
18. (a) Cila është situata, për sa i përket ‘mbledhjes së gjërave në qiej bashkë me Krishtin’? (b) Çfarë mund të themi në lidhje me ‘mbledhjen e gjërave në tokë bashkë me Krishtin’?
18 Në përputhje me administratën e tij të gjërave, Jehovai po lëviz në mënyrë progresive për «të mbledhur përsëri së bashku çdo gjë në Krishtin». Për sa u përket «gjërave në qiej», qëllimi i tij po i afrohet përfundimit. Bashkimi i Jezuit me të gjithë 144.000 personat në qiell për «martesën e Qengjit» është pranë. Prandaj, gjithnjë e më shumë vëllezërve nga delet e tjera, persona të pjekur e prej shumë kohësh në të vërtetën, të cilët përfaqësojnë «gjërat mbi tokë», u janë deleguar përgjegjësi edhe më të rënda në mbështetje të vëllezërve të tyre të mirosur. Në çfarë kohe emocionuese që po jetojmë! Sa drithëruese është të shohim qëllimin e Jehovait tek shkon përpara drejt plotësimit të tij! (Efesianëve 1:9, 10; 3:10-12; Zbulesa 14:1; 19:7, 9) Sa gëzojnë delet e tjera, duke mbështetur vëllezërit e tyre të mirosur, ndërkohë që të dyja grupet shërbejnë së bashku si «një kope» nën «një bari», të nënshtruara ndaj Mbretit, Jezu Krishtit dhe për lavdinë e Sovranit të madh Universal, Perëndisë Jehova!—Gjoni 10:16; Filipianëve 2:9-11.
[Shënimet]
a Shiko Kullën e Rojës, 1 gusht 1981, faqe 16-26, angl.
b Për shembull, duke filluar me vitin 1914, «Fotodrama e krijimit», një prezantim katërpjesësh me pamje dhe me zë, u shfaq përpara auditorëve nëpër teatro të stërmbushura anembanë botës perëndimore.
c Për disa arsye të mundshme se përse disa të krishterë judenj ishin të zellshëm për Ligjin, shiko Mendjehollësi mbi Shkrimet, botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., vëllimi 2, faqe 1163-1164.
d Shiko Kullën e Rojës 15 gusht 1990, faqe 30-31; 15 dhjetor 1990, faqe 30, angl.
A mund të shpjegosh?
◻ Si ka shkuar përpara organizata e Jehovait në shekullin e parë?
◻ Si është zhvilluar Trupi Udhëheqës në historinë moderne të Dëshmitarëve të Jehovait?
◻ Cilat shkrime autorizojnë dhënien e autoritetit deleve të tjera në organizatën e Jehovait?
◻ Në ç’mënyrë «gjërat në qiej» dhe «gjërat mbi tokë» janë mbledhur së bashku në Krishtin?
[Figura në faqen 16]
Edhe kur anëtarët e tij fillestarë nuk ishin më në Jerusalem, trupi udhëheqës vazhdoi të vepronte atje
[Figurat në faqen 18]
Të krishterët e mirosur të pjekur kanë qenë një bekim për popullin e Jehovait
C. T. Russell 1884-1916
J. F. Rutherford 1916-1942
N. H. Knorr 1942-1977
F. W. Franz 1977-1992
M. G. Henschel 1992-