Udhëheqje e sigurt drejt lumturisë
ÇDO njeri ka të drejtën «të synojë lumturinë». Kjo ishte pikëpamja e themeluesve të Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por ndryshe është të synosh diçka dhe ndryshe ta arrish. Megjithëse shumë të rinj synojnë të bëjnë karrierë në fushën e artit dhe të sportit, sa njeh nga ata që e kanë arritur vërtet atë që dëshironin? «Ka mundësi të mos ia dalësh mbanë»,—thotë një këngëtar i famshëm që e di mirë se ç’do të thotë të bëhesh një muzikant i suksesshëm.
Nëse je ndier kështu në përpjekje për të arritur lumturinë, të mos të lëshojë zemra. Nëse e synon lumturinë në drejtimin e duhur, do ta arrish. Pse themi kështu? Në artikullin e mëparshëm u përmend ‘Perëndia i lumtur’, Jehovai. (1 Timoteut 1:11) Në Bibël, Perëndia siguron udhëheqje në mënyrë që përpjekjet për të gjetur lumturinë të mos çojnë në zhgënjim. Jehovai mund të të ndihmojë që të kapërcesh shkaqet që zakonisht bëhen pengesë për lumturinë. Për shembull, shiko çfarë ngushëllimi jep ai kur të vdes një njeri i dashur.
Kur të vdes një njeri i dashur
E ç’të mirë mund të sjellë vdekja?! Ajo ndan prindërit nga fëmijët dhe fëmijët nga prindërit. Ndan miqtë e ngushtë dhe sjell pasiguri ndërmjet njerëzve të lidhur ngushtë. Në një familje të lumtur mund të pllakosë dhembja kur vdes dikush.
Dihet që vdekja është një tragjedi. Megjithatë, disa e mohojnë këtë dhe flasin për vdekjen si të ishte një bekim. Ja çfarë ndodhi pas Uraganit Katrina në Gjirin e Meksikës, në gusht të vitit 2005. Në funeralin e një viktime, kleriku tha: «Nuk e vrau Katrina. Perëndia e mori në qiell.» Në një rast tjetër, me qëllimin e mirë për ta ngushëlluar, një nëpunëse e spitalit i tha një vajze të mos hidhërohej, sepse Perëndia e kishte marrë nënën e saj në qiell. Vajza thirri: «Pse, pse duhej të ma merrte?»
Është e qartë se ide të tilla të gabuara për të vdekurit shpesh nuk i ngushëllojnë të afërmit e pikëlluar. Pse? Sepse këto ide nuk thonë të vërtetën në lidhje me vdekjen. Madje më keq akoma, ato e paraqesin Perëndinë si dikush që i rrëmben njerëzit e dashur nga familja dhe miqtë në mënyra të tmerrshme dhe të dhembshme. Në vend që të jetë burim ngushëllimi, Perëndia paraqitet si person i lig në tragjedinë e vdekjes. Por Fjala e Perëndisë tregon të vërtetën për vdekjen.
Bibla e quan vdekjen një armike. E krahason me një mbret që ka sunduar mbi njerëzimin. (Romakëve 5:17; 1 Korintasve 15:26) Ajo është një kundërshtare me një fuqi të atillë që asnjë qenie njerëzore nuk mund t’i bëjë ballë, dhe çdo njeri që vdes është veçse një nga viktimat e panumërta të vdekjes. Kjo e vërtetë biblike tregon qartë arsyen përse vuajmë dhe ndihemi të pasigurt kur na vdes një i afërm. Aty thuhet se është më se normale të ndihesh kështu. Por, a e përdor Perëndia këtë armike, vdekjen, për të marrë njerëzit tanë të dashur në qiell? Le t’i përgjigjet Bibla kësaj pyetjeje.
Te Eklisiastiu 9:5, 10 thuhet: «Të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë . . . Nuk ka asnjë punë, as plan, as njohuri, as mençuri në Sheol, në vendin ku po shkon.» Çfarë është Sheoli? Është varri i përbashkët i njerëzimit ku shkojnë njerëzit kur vdesin. Në varr njerëzit janë plotësisht joaktivë, nuk lëvizin, nuk kanë kurrfarë ndjesie ose mendimi. Gjendja në të cilën ndodhen është e ngjashme me një gjumë të thellë.a Pra Bibla e bën të qartë që Perëndia nuk i merr njerëzit tanë të dashur në qiell. Kur vdesin, ata gjenden të pajetë në varr.
Jezui e vërtetoi këtë kur vdiq miku i tij Lazari. Jezui e krahasoi vdekjen me gjumin. Nëse Lazari do të kishte qenë në qiell me Perëndinë e Plotfuqishëm, do të ishte mizore nga ana e Jezuit ta sillte në tokë për të vdekur përsëri. Tregimi i frymëzuar tregon se në vendin ku ai ishte varrosur, Jezui thërriti me zë të lartë: «Lazar, dil jashtë!» Bibla vazhdon: «Ai që kishte qenë i vdekur, doli.» Lazari filloi sërish të jetonte. Jezui e dinte se Lazari nuk ishte larguar kurrë nga toka. Ai kishte qenë shtrirë në varr, i pajetë.—Gjoni 11:11-14, 34, 38-44.
Ky tregim që është dokumentuar në Bibël na ndihmon të kuptojmë që vdekja nuk është mënyra që përdor Perëndia për t’i çuar njerëzit nga toka në qiell. Prandaj, mund t’i afrohemi Perëndisë duke ditur se nuk është ai shkaktari i pikëllimit tonë. Madje mund të kemi besim që ai e kupton plotësisht dhembjen dhe humbjen që na shkakton armikja vdekje. Dhe në lidhje me gjendjen e të vdekurve, e vërteta biblike zbulon se të vdekurit nuk vuajnë në ferrin e zjarrtë apo në purgator, por gjenden të pajetë në varr. Prandaj, kujtimi i të vdekurve nuk duhet të përdhoset nga përbuzja ndaj Perëndisë ose nga frika e së panjohurës. Për më tepër, në Bibël Jehovai na ngushëllon edhe më shumë.
Shpresa na bën të lumtur
Shkrimet që kemi shqyrtuar na e drejtojnë vëmendjen te shpresa, një element themelor për lumturinë e vërtetë. Fjala «shpresë», siç përdoret në Bibël, nënkupton pritjen e sigurt për mirë. Për të kuptuar se si shpresa mund të na çojë që tani drejt lumturisë, le t’i kthehemi edhe njëherë tregimit të Jezuit për ringjalljen e Lazarit.
Jezui e kreu atë mrekulli të paktën për dy arsye. Njëra ishte për t’i larguar dhembjen Martës, Marisë dhe miqve të pikëlluar. Kështu ata mund të gëzonin sërish shoqërinë e njeriut të tyre të dashur. Dhe përveç kësaj, Jezui i dha Martës një arsye tjetër më të rëndësishme: «A nuk të thashë se po të besoje, do të shikoje lavdinë e Perëndisë?» (Gjoni 11:40) Pjesa e fundit e këtij shkrimi në një përkthim tjetër të Biblës përkthehet «mrekullinë e asaj që mund të bëjë Perëndia». (New Testament in Modern English, nga Xh. B. Filipsi) Me anë të ringjalljes së Lazarit, Jezui i parapriu asaj që mund të bëjë dhe do të bëjë Perëndia Jehova në të ardhmen. Më poshtë jepen më shumë hollësi për «mrekullinë e asaj që mund të bëjë Perëndia».
Te Gjoni 5:28, 29, Jezui tha: «Mos u mrekulloni për këtë, sepse po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin.» Kjo do të thotë se gjithë të vdekurit në Sheol, përfshirë edhe njerëzit tanë të dashur, do të kthehen në jetë. Veprat 24:15 tregojnë edhe më shumë për këtë ngjarje të shënuar: «Do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët.» Pra, edhe «të padrejtët», domethënë shumë njerëz që nuk e njohën dhe nuk i shërbyen Jehovait, do të kenë mundësinë në të ardhmen të fitojnë miratimin e Perëndisë.
Ku do të bëhet kjo ringjallje? Psalmi 37:29 thotë: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.» Mendo pak se ç’do të thotë kjo! Familjet dhe miqtë që janë ndarë nga vdekja do të takohen përsëri këtu në tokë. Ndërsa mendon për kohët e bukura që do të kalosh me ata që dikur kishit një shoqëri të bukur, është më se normale që zemra të të gufojë nga gëzimi.
Jehovai do që të jesh i lumtur
Kemi parë dy mënyra se si Jehovai mund të të bëjë edhe më të lumtur, pavarësisht nga problemet që ke. Së pari, duke siguruar njohuri dhe udhëheqje nëpërmjet Biblës, që të të ndihmojë t’i përballosh problemet me sukses. Përveçse të ndihmon të durosh dhembjen që shkakton vdekja, këshillat e Biblës të ndihmojnë edhe të përballosh problemet ekonomike e shëndetësore. Mund të të japë forcë të durosh padrejtësitë shoqërore dhe trazirat politike. Dhe, nëse pranon udhëheqjen e saj, kjo mund të të ndihmojë të përballosh edhe probleme të tjera personale.
Së dyti, duke studiuar Biblën, fiton një shpresë që tejkalon çdo gjë që mund të ofrojë shoqëria njerëzore. Ringjallja e miqve dhe e familjarëve është pjesë e shpresës që jep Bibla. Te Zbulesa 21:3, 4 tregohen disa hollësi të tjera: «Vetë Perëndia do të jetë me [njerëzimin]. Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.» Kjo do të thotë që çdo shkak pikëllimi në jetën tënde do të zhduket përgjithmonë. Ajo çka premton Bibla do të realizohet dhe mund të gëzosh përmbushjen e saj. Vetëm kur mendon që na pret një jetë më e mirë, lehtësohesh. Kur e di që pas vdekjes nuk ka vuajtje të përhershme, është një arsye për të qenë i lumtur.
Për ta ilustruar: para disa vitesh burri i Marias pati një vdekje graduale dhe të dhembshme nga kanceri. Lotët nuk i ishin tharë akoma kur problemet financiare e detyruan atë dhe tri vajzat e saj të linin shtëpinë. Pas dy vjetësh, Maria zbuloi që ishte me kancer. Ka bërë dy operacione të rënda dhe çdo ditë i duhet të durojë dhembje të tmerrshme. Me gjithë këto probleme, ajo është kaq pozitive, sa optimizmi i saj inkurajon edhe të tjerët. Po si arrin të jetë e lumtur?
Maria thotë: «Kur kam ndonjë problem, mundohem që të mos përqendrohem te vetja. Mundohem që të mos bëj pyetje të tilla, si: ‘Pse pikërisht mua? Pse duhet të vuaj kështu? Pse duhej të sëmuresha?’ Mendimet negative të djegin gjithë energjitë. Në vend të kësaj, energjitë e mia i përdor për t’i shërbyer Jehovait dhe për të ndihmuar të tjerët. Kjo më bën të lumtur.»
Çfarë roli luan shpresa në jetën e Marisë? Zemrën e ka te e ardhmja, kur Jehovai t’u japë fund sëmundjeve dhe problemeve të tjera të njerëzimit. Kur shkon në spital për t’u kuruar, ajo u flet për këtë shpresë edhe pacientëve të tjerë me kancer që janë të dëshpëruar. Sa e rëndësishme është shpresa për Marinë? Ajo shprehet: «Shpesh mendoj për atë që thotë Bibla te Hebrenjve 6:19, ku Pavli e përshkruan shpresën si një spirancë për shpirtin. Pa këtë spirancë, shkon sa andej-këtej si varka mes stuhisë. Por, nëse je lidhur me këtë spirancë, do të jesh i sigurt, edhe kur përballesh me një stuhi problemesh.» Kjo ‘shpresë e jetës së përhershme, të cilën, Perëndia që nuk mund të gënjejë, e premtoi’, e ndihmon Marinë të qëndrojë e lumtur. Të njëjtën gjë mund të bëjë edhe për ty.—Titit 1:2.
Me anë të studimit të Biblës, mund të gjesh lumturi të vërtetë pavarësisht nga problemet. Mund të të lindin pyetje se si mund të arrihet konkretisht kjo. Dëshmitarët e Jehovait me kënaqësi mund të të tregojnë nga Shkrimet përgjigjet që duhet të dish për të qenë vërtet i lumtur. Ndërsa pret përmbushjen e shpresës që na jep Jehovai, mund të jesh ndër ata për të cilët thuhet: «Do të kenë gëzim dhe lumturi dhe dhembja e rënkimi do të ikin.»—Isaia 35:10, Dio.
[Shënimi]
a Një enciklopedi e përshkruan Sheolin si «një vend ku nuk ka as dhembje, as kënaqësi, as dënim e as shpërblim». (Encyclopædia Britannica, 2003)
[Figura në faqen 5]
Vetëm e vërteta biblike mund ta lehtësojë dhembjen
[Figura në faqen 7]
Shpresa biblike e ringjalljes mund të çojë drejt lumturisë