Ngushëllohu dhe ngushëllo të tjerët
Si të papërsosur të gjithë sëmuremi, disa madje edhe rëndë. Si i përballojmë këto vështirësi?
Një ndihmë e vlefshme për këtë është ngushëllimi që marrim nga familja, miqtë dhe bashkëbesimtarët.
Fjalët mirëdashëse e të ngrohta të një miku mund të jenë si një balsam qetësues që na shëron dhe na freskon. (Prov. 16:24; 18:24; 25:11) Mirëpo, të krishterëve të vërtetë nuk u intereson vetëm të marrin ngushëllim. Kërkojnë mundësi ‘të ngushëllojnë ata që janë në ndonjë lloj shtrëngimi, me anë të ngushëllimit me të cilin ata vetë po ngushëllohen nga Perëndia’. (2 Kor. 1:4; Luka 6:31) Antonioja, një mbikëqyrës krahinor në Meksikë, e mësoi vetë këtë.
Kur u diagnostikua me limfomë, një lloj kanceri në gjak, Antonion e pushtoi angështia. Megjithatë, bëri çmos të kontrollonte ndjenjat negative. Si? Përpiqej të kujtonte këngët e Mbretërisë dhe t’i këndonte me zë, që t’i dëgjonte dhe të meditonte rreth fjalëve. U ngushëllua mjaft edhe duke u lutur me zë, si dhe duke lexuar Biblën.
Por tani Antonioja e kupton se një nga gjërat që e ndihmoi më shumë ishte mbështetja e bashkëbesimtarëve. Ai thotë: «Kur unë dhe gruaja ndiheshim përtokë, i kërkonim një të afërmi që është plak kongregacioni të vinte e të lutej me ne. Kjo na ngushëllonte dhe na qetësonte.» Më pas shton: «Në fakt, falë mbështetjes së familjes dhe të vëllezërve frymorë, mundëm t’i mposhtnim ndjenjat negative në një kohë relativisht të shkurtër.» Sa mirënjohës ndihej që kishte miq të tillë të dashur e të dhembshur!
Një ndihmë tjetër në kohë ankthi është fryma e shenjtë e premtuar. Apostulli Pjetër tha se fryma e shenjtë e Perëndisë është ‘dhuratë falas’. (Vep. 2:38) Pa dyshim, kjo doli e vërtetë në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. kur u mirosën shumë veta. Në një kuptim më të gjerë, fryma e shenjtë është një dhuratë nga e cila mund të përfitojmë të gjithë ne. Ajo është e pashtershme, prandaj pse të mos kërkosh që ta kesh me bollëk?—Isa. 40:28-31.
INTERESOHU THELLËSISHT PËR ATA QË VUAJNË
Apostulli Pavël hasi mjaft vështirësi, madje në disa raste u përball edhe me vdekjen. (2 Kor. 1:8-10) Gjithsesi, nuk kishte frikë të sëmurë prej saj. U ngushëllua duke e ditur se Perëndia e mbështeste. Ai shkroi: «I bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotërisë tonë Jezu Krisht, Ati i mëshirave të buta dhe Perëndia i çdo ngushëllimi, i cili na ngushëllon në të gjitha shtrëngimet tona.» (2 Kor. 1:3, 4) Pavli nuk u zhyt në vetëmëshirim. Përkundrazi, sprovat që hasi e ndihmuan të kultivonte empati dhe kështu ishte më në gjendje t’i ngushëllonte të tjerët në kohë nevoje.
Pasi e mori veten, Antonioja mundi të rikthehej në veprën si mbikëqyrës udhëtues. Më parë interesohej rregullisht për bashkëbesimtarët, por pastaj bashkë me gruan bëri përpjekje të veçanta për të vizituar dhe për të inkurajuar të sëmurët. Për shembull, pasi vizitoi një të krishterë që po luftonte me një sëmundje të rëndë, Antonioja mori vesh se ky vëlla nuk donte të shkonte më në mbledhje. Ai shpjegon: «Nuk ishte se vëllai s’e donte Jehovain ose vëllezërit, por sëmundja kishte ndikuar aq shumë te ndjenjat e tij, sa ndihej i pavlerë.»
Për t’i dhënë zemër vëllait të sëmurë, Antonioja i kërkoi të bënte një lutje në një rast shoqëror kohët e fundit. Ndonëse ndihej i paaftë, vëllai e pranoi ftesën. Antonioja tregon: «Bëri një lutje shumë të bukur dhe më pas dukej tjetër njeri. Ndihej i dobishëm përsëri.»
Po, kush më pak e kush më shumë, të gjithë kemi hasur ndonjë lloj vuajtjeje. Por, siç tha Pavli, kjo mund të na aftësojë të ngushëllojmë të tjerët në kohë nevoje. Prandaj, le të jemi të ndjeshëm ndaj vuajtjeve të bashkëbesimtarëve dhe të imitojmë Perëndinë tonë, Jehovain, duke qenë burim ngushëllimi për të tjerët.