Pyetje nga lexuesit
«Broshura me artikujt e studimit të Kullës së Rojës 1995» përqendrohej mbi atë që tha Jezui në Mateun 24:34 lidhur me «këtë brez». A do të thotë kjo se ekziston ndonjë pasiguri lidhur me atë se Mbretëria e Perëndisë ishte vendosur në qiell në 1914-n?
Ai trajtim në Kullën e Rojës nuk ofronte as edhe një ndryshim në mësimin tonë themelor për 1914-n. Jezui bëri të njohur shenjën që do të shënonte praninë e tij në fuqinë Mbretërore. Kemi dëshmi të bollshme se kjo shenjë ka qenë në përmbushje e sipër që nga 1914-a. Faktet lidhur me luftërat, zitë e bukës, murtajat, tërmetet dhe dëshmi të tjera vërtetojnë se qysh nga viti 1914, Jezui ka qenë aktiv si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë. Kjo tregon se qysh atëherë, ne kemi qenë në përfundim të sistemit të gjërave.
Çfarë po sqaronte, atëherë, Kulla e Rojës? Pika ishte kuptimi, në të cilin e përdori Jezui fjalën «brez» në Mateun 24:34. Në atë fragment lexojmë: «Vërtet po ju them se ky brez nuk do të kalojë në asnjë mënyrë, derisa të ndodhin të gjitha këto gjëra.» Çfarë nënkuptonte Jezui me fjalën «brez», si në ditët e tij edhe në tonat?
Shumë shkrime vërtetojnë se Jezui nuk e përdori fjalën «brez» në lidhje me disa grupe të vogla apo të dallueshme, duke nënkuptuar vetëm krerët judenj apo vetëm dishepujt e tij besnikë. Në vend të kësaj, ai e përdori fjalën «brez» për të dënuar masat e judenjve, të cilët e hodhën poshtë atë. Megjithatë, lumturisht individët mund të bënin atë që nxiti apostulli Pjetër në ditën e Rrëshajëve, të pendoheshin dhe «të shpëtonin nga ky brez i mbrapshtë».—Veprat 2:40, BR.
Në atë pohim, Pjetri në mënyrë të qartë nuk po u referohej saktësisht njerëzve të njëfarë grupmoshe apo një kohëgjatësie dhe as po e lidhte fjalën «brez» me ndonjë datë. Ai nuk tha se njerëzit duhet të shpëtojnë nga brezi që kishte lindur në të njëjtin vit me Jezuin, apo nga brezi që kishte lindur në vitin 29 të e.s. Pjetri po fliste për judenjtë jobesimtarë të asaj periudhe, ku disa ndoshta ishin mjaft të rinj e të tjerë më të vjetër, të cilët kishin qenë të ekspozuar ndaj Mësimit të Jezuit, kishin parë apo dëgjuar për mrekullitë e tij dhe nuk e kishin pranuar atë si Mesia.
Me sa duket, kjo është mënyra se si e kuptoi Pjetri përdorimin e fjalës «brez» nga Jezui, kur ai dhe tre apostuj të tjerë ishin bashkë me të në Malin e Ullinjve. Sipas pohimit profetik të Jezuit, judenjtë e asaj periudhe, në themel, bashkëkohësit e Jezuit, do të përjetonin apo do të dëgjonin për luftëra, tërmete, zi buke, dhe dëshmi të tjera se fundi i sistemit judaik ishte pranë. Në fakt, ai brez nuk kaloi para se të vinte fundi në vitin 70 të e.s.—Mateu 24:3-14, 34.
Duhet pranuar se jo gjithmonë i kemi marrë fjalët e Jezuit në këtë kuptim. Prirje e njerëzve të papërsosur është dëshira për të qenë specifikë lidhur me datën kur do të vijë fundi. Mos harro se edhe apostujt kërkuan më shumë gjëra specifike, duke pyetur: «Zotëri, a do ta rivendosësh në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?»—Veprat 1:6, BR.
Me qëllime të ngjashme të sinqerta, shërbëtorët e Perëndisë në kohët tona janë përpjekur të përftojnë nga ajo që tha Jezui për «brezin», disa elemente specifike kohore të llogaritura që nga 1914-a. Për shembull, një linjë arsyetimi ka qenë se një brez mund të jetë 70 apo 80 vjet, i përbërë nga njerëz mjaft të mëdhenj për të kapur domethënien e Luftës së Parë Botërore dhe të zhvillimeve të tjera; kështu ne mund të llogarisim pak a shumë se sa afër është fundi.
Megjithatë, sado që ky arsyetim ishte me qëllim të mirë, a përputhej ai me paralajmërimin që Jezui vazhdoi të japë? Jezui tha: «Lidhur me atë ditë dhe atë orë askush nuk e di, as engjëjt në qiej, as Biri, por vetëm Ati. . . . Jini vigjilentë, pra, sepse nuk e dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj.»—Mateu 24:36-42, BR.
Kështu, pra, informacioni i fundit në Kullën e Rojës për «këtë brez» nuk e ndryshoi kuptueshmërinë tonë lidhur me atë që ndodhi në 1914-n. Por na dha një kuptueshmëri më të qartë të përdorimit që i bëri Jezui termit «brez», duke na ndihmuar të shohim se përdorimi i tij nuk ishte një bazë për llogaritje, duke numëruar që nga 1914-a, se sa afër fundit jemi.