MALTA
Ishull i Mesdheut afro 100 km në jug të Sicilisë dhe gati 246 km katrorë. Këtu u fundos anija ku po udhëtonte Pavli dhe ku ndenji tre muaj. Gjatë kësaj kohe, shëroi babanë e Publit dhe të sëmurë të tjerë.—Ve 28:1, 7-9, 11.
Në të kaluarën, disa e lidhnin fjalën greke të përkthyer «Maltë» (Melíte) me Mljetin (në Italisht Meleda), pranë bregut perëndimor të Gadishullit Ballkanik, ngaqë në lashtësi Mljeti quhej Melitë. Por, tradita dhe dëshmitë nga Shkrimet tregojnë se vendi ku Pavlit iu shkallmua anija ishte Malta. ‘Deti i Adrias’, ku thuhet se ndodhej anija kur iu afrua Maltës, përfshinte ujërat e Mesdheut në lindje të Sicilisë dhe në perëndim të Kretës, prandaj mund të thuhej se Malta lagej nga ky det.—Ve 27:27.
Pavli pëson anijethyerje. Ca kohë pas Ditës së Shlyerjes (në shtator ose tetor), anija ku po udhëtonte Pavli si i burgosur u nis nga Limanet e Mira, port i Kretës, dhe e rrëmbeu një erë e stuhishme (Euroakuilo), që me sa duket vinte nga lindja-verilindja. Kjo e devijoi anijen nga bregu i Kretës në Kaudë, dhe marinarët kishin frikë se mos ngecnin në cekëtinë në «Sirtë», në rërat thithëse përgjatë brigjeve të Afrikës Veriore. (Ve 27:8, 9, 13-17) Një erë që frynte nga lindja-verilindja nuk mund ta ketë çuar anijen drejt Mljetit, rreth 1.000 km në veri-veriperëndim të Kaudës. Siç duket, pasi lundroi andej-këtej për nja dy javë, anija mbërriti në Maltë, gati 870 km në perëndim-veriperëndim të Kaudës.—Ve 27:33; shih EUROAKUILOJA.
Te gjiri i Shën-Pavlit, siç quhet sot, në anën verilindore të Maltës, mund të shkohej duke lundruar në drejtim të perëndimit-veriperëndimit pa prekur pjesët e tjera të ishullit. Ndoshta kur veshët e tyre të stërvitur dëgjuan tallazet që përplaseshin pas kepit Kura, i cili zgjatet në Mesdhe nga ana lindore e gjirit të Shën-Pavlit, detarët kujtuan se po i afroheshin tokës. Thellësia «njëzet pashë detarë» dhe «pesëmbëdhjetë pashë detarë» (një pashë detar është 1,8 m) që konstatuan detarët, kryesisht korrespondon me matjet e bëra në mesin e shekullit të 19-të në zonën e gjirit të Shën-Pavlit.—Ve 27:27, 28.
Ndoshta ngaqë njihnin një tjetër liman të Maltës, marinarët nuk e dalluan që ndodheshin këtu edhe kur ishte ditë. Porti më i madh dhe më i njohur i ishullit është në Valetë, 13 km në juglindje të gjirit të Shën-Pavlit.—Ve 27:39.
Përgjatë pjesës perëndimore të gjirit të Shën-Pavlit gjenden dy mëngë deti. Ka shumë mundësi që detarët të kenë shpresuar «ta nxirrnin anijen» në një nga këto gjire, por më kot. Arsyeja pse nuk ia dolën mbanë (fjalë për fjalë sipas tekstit në greqisht) ishte sepse ‘kishin ngecur në një vend me dy dete’. Ndoshta kjo do të thotë që anija ngeci «në një vend ku takoheshin dy dete» (AS ), a në një «cekëtinë, që kishte det nga të dyja anët» (BR ), ose e kishin kapur kundërrymat dhe ngeci në rërë. (Krahaso JB, NE.) Bashi i anijes nuk luajti më vendit, mbase ngaqë ngeci në baltën dhe argjilën që ndodhen tri pashë detarë në disa pjesë të gjirit të Shën-Pavlit, ndërsa kiçi nisi të shkallmohej me forcë nga dallgët.—Ve 27:39-41.
Përvoja e Pavlit në Maltë. Kur panë se anija po shkallmohej, ushtarët vendosën të vritnin Pavlin dhe të burgosurit e tjerë, mbase për shkak të disiplinës së rreptë të ushtrisë romake që i quante përgjegjës rojat për arratisjen e të burgosurve që kishin nën mbikëqyrje. (Krahaso Ve 12:19; 16:27.) Meqë oficeri i ushtrisë (centurioni) donte të shpëtonte Pavlin, i pengoi ushtarët dhe, si rrjedhojë, të gjithë ata që ishin në anije, gjithsej 276 veta, mbijetuan ose duke notuar deri në breg, ose duke hipur mbi dërrasa a ndonjë send tjetër pluskues të anijes së shkallmuar.—Ve 27:37, 42-44.
Banorët e Maltës, që nuk flitnin greqisht, u treguan tejet të njerëzishëm me ta, madje u ndezën një zjarr që të ngroheshin. Kur apostulli Pavël vuri një krah shkarpa mbi zjarr, doli një nepërkë helmuese që iu kap pas dorës. Të çuditur që Pavli nuk u ënjt ose nuk vdiq, maltezët filluan ta shihnin si një perëndi.—Ve 28:1-6.
Sot nuk ka nepërka në Maltë, sepse që nga shekulli i parë i e.s., kanë ndodhur ndryshime të mëdha. Ndonëse tani është një nga ishujt më të populluar në botë, me afro 1.280 banorë për kilometër katrorë, ka mundësi që në kohën e Pavlit të kenë ekzistuar zona të paana pyjore. Rritja e popullsisë mund të ketë ndikuar ndjeshëm te flora dhe te fauna, e kjo mund të shpjegojë pse sot nuk ka nepërka (ashtu si ka ndodhur në Aran, ishull pranë bregut jugperëndimor të Skocisë). Gjithsesi, më 1853 thuhet se është parë një nepërkë afër gjirit të Shën-Pavlit.