Një njëqindvjeçare me një qëllim në jetë
ELINA është një nga 60 njerëzit në Suedi që kohët e fundit u renditën ndër ata që ishin 105 vjeç e lart. Elina është 105 vjeçe. Edhe pse është e kufizuar në një shtëpi për të moshuarit, falë shëndetit që gëzon, vazhdon të shërbejë si Dëshmitare aktive e Jehovait, dhe këtë mënyrë jetese e zgjodhi më tepër se 60 vjet më parë.
Ndërsa u predikon të tjerëve, Elina ndjek shembullin e apostullit Pavël kur ishte i kufizuar në arrest shtëpie. Pavli u predikonte të gjithë atyre që e vizitonin. (Veprat 28:16, 30, 31) Po kështu edhe Elina shfrytëzon çdo rast për t’u folur pastruesve, dentistëve, mjekëve, parukiereve, infermierëve dhe të tjerëve që takon në shtëpi, dhe u tregon atyre lajmin e mirë që gjendet në Bibël. Herë pas here bashkëbesimtarët e kongregacionit të Elinës i ftojnë studentët e tyre të Biblës që ta vizitojnë atë, me qëllim që të përfitojnë nga njohuria dhe përvoja e saj.
Pjesëtarët e kongregacionit të Elinës e admirojnë atë për frymën e gëzimit dhe kureshtjen. Një Dëshmitar thotë: «Ajo ka aftësinë e mahnitshme që të qëndrojë në një hap me aktivitetet e kongregacionit. Kujton emrat e gjithë fëmijëve dhe të atyre që kanë ardhur kohët e fundit në kongregacion.» Elina është shumë e njohur edhe për mikpritjen, ndjenjën e humorit dhe për këndvështrimin pozitiv për jetën.
Çfarë e ndihmon Elinën që të ruajë gëzimin dhe të jetë e përqendruar në qëllimin e saj të jetës? Ajo lexon çdo ditë një varg biblik nga broshura Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait dhe me ndihmën e një lenteje zmadhimi lexon edhe një pjesë nga Bibla. Elina përgatitet për mbledhjet javore të Dëshmitarëve të Jehovait dhe, ndonëse fizikisht nuk është në gjendje t’i ndjekë ato, dëgjon me vëmendje regjistrimet e këtyre mbledhjeve. Nëse lexojmë rregullisht Biblën dhe botimet e bazuara në të e nëse nuk i braktisim mbledhjet, kjo do të na ndihmojë të bëjmë një jetë të këndshme dhe të qëllimshme, pavarësisht nga mosha që kemi.—Psalmi 1:2; Hebrenjve 10:24, 25.