TEMA KRYESORE | VEGIME QË NA ZBULOJNË QIELLIN
Vegime për ata që janë në qiejt e padukshëm
Në Bibël gjejmë shumë vegime mbresëlënëse që, si të thuash, na japin mundësi të hedhim një vështrim në sferën qiellore të padukshme. Të ftojmë edhe ty t’i vështrosh me kujdes. Ndonëse jo çdo gjë e përshkruar në këto vegime është e mirëfilltë, ato të ndihmojnë të imagjinosh ata që banojnë në qiell dhe të kuptosh si ndikojnë te ti.
JEHOVAI ËSHTË SUPREMI
«Një fron është në qiell dhe dikush rri i ulur në të. Ai që rri ulur, i ngjan një guri diaspri dhe një guri të çmuar të kuq, ndërsa rreth e përqark fronit ka një ylber, që ngjan si smerald.»—Zbulesa 4:2, 3.
«Ai shndriste rreth e qark. Shndritja e tij ngjante me pamjen e ylberit, që del në re në një ditë rrebeshi. Ajo ngjante si lavdia e Jehovait.»—Ezekieli 1:27, 28.
Këto vegime që iu dhanë apostullit Gjon dhe profetit Ezekiel, e paraqesin madhështinë e Perëndisë Më të Lartë, Jehovait, me gjëra që mund t’i përfytyrojmë me lehtësi, si gurët e çmuar verbues, ylberin dhe madhështinë e një froni. Ato na tregojnë se prania e Jehovait pasqyron një bukuri, hijeshi e paqe që të lënë pa fjalë.
Këto përshkrime të Zotit përputhen me fjalët e psalmistit: «Jehovai është i madh dhe i denjë të lëvdohet shumë. Ai ngjall frikë më shumë se tërë perënditë. Sepse tërë perënditë e popujve janë të kota; kurse Jehovai, ka bërë vetë qiejt. Lavdia dhe shkëlqimi janë para tij, forca dhe bukuria janë në shenjtëroren e tij.»—Psalmi 96:4-6.
Megjithëse është Supremi, Jehovai na fton t’i lutemi dhe na siguron se na dëgjon. (Psalmi 65:2) Perëndia na do dhe kujdeset për ne aq shumë, sa apostulli Gjon me të drejtë shkroi: «Perëndia është dashuri.»—1 Gjonit 4:8.
JEZUI ËSHTË ME PERËNDINË
«[Dishepulli i krishterë Stefan] plot me frymë të shenjtë, ia nguli sytë qiellit, pa lavdinë e Perëndisë e të Jezuit që qëndronte në të djathtën e Perëndisë dhe tha: ‘Ja, shoh qiejt të hapur dhe Birin e njeriut duke qëndruar në të djathtën e Perëndisë.’»—Veprat 7:55, 56.
Pak para se Stefani të shihte këtë vegim, udhëheqësit judenj kishin nxitur vrasjen e Jezuit. Pikërisht këtyre po u drejtohej Stefani. Vegimi vërtetoi se Jezui ishte gjallë, se ishte ringjallur e nderuar. Apostulli Pavël shkroi për këtë: «[Jehovai] e ngriti [Jezuin] nga të vdekurit dhe e uli në të djathtën e vet në vendet qiellore, shumë më lart se çdo qeveri, autoritet, fuqi, pushtet sundues dhe çdo emër që përmendet, jo vetëm në këtë sistem, por edhe në atë që do të vijë.»—Efesianëve 1:20, 21.
Përveçse përshkruajnë pozitën e tij të lartë, Shkrimet tregojnë se Jezui, ashtu si Jehovai, i do fort njerëzit. Gjatë shërbimit në tokë, Jezui shëroi të sëmurët dhe ata me kufizime shëndetësore, si dhe ringjalli të vdekurit. Me vdekjen e tij flijuese, shfaqi dashurinë e thellë për Zotin dhe për njerëzit. (Efesianëve 2:4, 5) Ulur në të djathtë të Perëndisë, Jezui shumë shpejt do të ushtrojë autoritetin e tij dhe do të sjellë bekime të mëdha për njerëzit e bindur kudo që ndodhen.
ENGJËJT I SHËRBEJNË PERËNDISË
«[Unë, profeti Daniel] pashë deri kur u vunë frone dhe i Lashti i Ditëve [Jehovai] u ul. . . . Një mijë mijëra i shërbenin dhe dhjetë mijë herë dhjetë mijë qëndronin pikërisht përpara tij.»—Danieli 7:9, 10.
Në këtë vegim për qiellin, Danieli nuk pa vetëm një engjëll, por një mori. Ç’vegim i mahnitshëm duhet të ketë qenë! Engjëjt janë krijesa qiellore të lavdishme, inteligjente e të fuqishme. Ndër ta ka serafinë dhe kerubinë. Bibla i përmend engjëjt më tepër se 250 herë.
Engjëjt nuk janë njerëz që më parë kanë jetuar në tokë. Zoti i krijoi shumë kohë para njeriut. Kur u themelua toka, engjëjt ishin të pranishëm duke parë e duke brohoritur me ngazëllim.—Jobi 38:4-7.
Një mënyrë si i shërbejnë Perëndisë engjëjt besnikë është duke u përfshirë në veprën më të rëndësishme që po bëhet sot në tokë: shpallja e lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë. (Mateu 24:14) Pjesëmarrja e tyre në këtë vepër iu zbulua apostullit Gjon në një vegim: «Pashë një engjëll tjetër që fluturonte në mes të qiellit dhe kishte një lajm të mirë të përhershëm, që t’ua shpallte si sihariq atyre që banojnë në tokë, çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli.» (Zbulesa 14:6) Edhe pse sot engjëjt nuk flasin me njerëzit, siç bënin ndonjëherë në të kaluarën, në të vërtetë ndihmojnë duke drejtuar ata që u predikojnë lajmin e mirë njerëzve të sinqertë.
SATANAI MASHTRON MILIONA
«Në qiell shpërtheu lufta: Mikaeli [Jezu Krishti] dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit. Edhe dragoi bashkë me engjëjt e tij luftoi, por nuk fitoi, dhe për ta nuk pati më vend në qiell. Kështu, u hodh poshtë dragoi i madh, gjarpri i hershëm, që quhet Djall dhe Satana, i cili mashtron gjithë tokën e banuar. U hodh poshtë në tokë ai bashkë me engjëjt e tij.»—Zbulesa 12:7-9.
Qielli nuk ka qenë gjithmonë në paqe. Në fillimet e historisë njerëzore, një nga engjëjt, nga dëshira e zjarrtë që të tjerët ta adhuronin, u rebelua kundër Jehovait dhe u bë Satana, që do të thotë «Kundërshtar». Më vonë bashkë me të u rebeluan engjëj të tjerë dhe morën emrin demonë. Nga ligësia e madhe, e kundërshtuan keq Jehovain dhe e kanë futur shumicën e njerëzve në një udhë që bie në kundërshtim me drejtimin e dashur të Jehovait.
Satanai dhe demonët e tij janë të zvetënuar dhe mizorë. Ata janë armiq të njerëzimit dhe ndër shkaktarët e shumë vuajtjeve në tokë. Për shembull, Satanai vrau bagëtitë dhe shërbëtorët e besnikut Job. Pastaj ia vrau të dhjetë fëmijët Jobit duke shkaktuar ‘një erë të fortë’ që shembi shtëpinë ku ishin. Pas kësaj, Satanai e goditi Jobin «me çibanë të këqij nga maja e kokës deri në fund të këmbëve».—Jobi 1:7-19; 2:7.
Por shumë shpejt Satanait do t’i vijë fundi. Që kur është hedhur në afërsi të tokës, ai e di se i ka mbetur ‘një periudhë kohe e shkurtër’. (Zbulesa 12:12) Fundi i Satanait është i sigurt dhe ky është pa diskutim një lajm i mirë.
ATA QË MERREN NGA TOKA
«Ti [Jezui] . . . bleve për Perëndinë njerëz nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb, i bëre një mbretëri dhe priftërinj për Perëndinë tonë, dhe ata do të mbretërojnë mbi tokën.»—Zbulesa 5:9, 10.
Ashtu si Jezui, edhe të tjerë nga toka do të ringjallen dhe do të jetojnë në qiell. Jezui u tha apostujve besnikë: «Unë po shkoj t’ju përgatit një vend. . . . Do të vij prapë e do t’ju marr në shtëpi tek unë, që ku të jem unë, të jeni edhe ju.»—Gjoni 14:2, 3.
Ata që shkojnë në qiell, shkojnë për një qëllim. Bashkë me Jezuin do të formojnë një Mbretëri që do të qeverisë mbi gjithë banorët në tokë dhe do t’u sjellë bekime. Kjo është Mbretëria për të cilën Jezui u tha dishepujve të luteshin kur u dha lutjen model: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.»—Mateu 6:9, 10.
ÇFARË DO TË BËJNË ATA NË QIELL?
«[Unë, apostulli Gjon] dëgjova një zë të fortë nga froni që tha: ‘Ja, tenda e Perëndisë është me njerëzit. . . . Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.’»—Zbulesa 21:3, 4.
Ky vegim profetik flet për kohën kur Mbretëria e Perëndisë, e formuar nga Jezui dhe nga të ringjallurit nga toka, do t’i japë fund sundimit të Satanait dhe do ta kthejë tokën në parajsë. Gjërat që i kanë shkaktuar aq shumë dhembje njerëzimit, nuk do të ekzistojnë më. As vdekja nuk do të ekzistojë.
Po ç’mund të themi për miliarda njerëzit që kanë vdekur e nuk do të shkojnë në qiell pas ringjalljes? Në të ardhmen do të kthehen në jetë me perspektivën për të jetuar përgjithmonë në Parajsë në tokë.—Luka 23:43.
Këto vegime na sigurojnë se Perëndia Jehova dhe Biri i tij, Jezu Krishti, si edhe engjëjt besnikë dhe ata që janë blerë nga toka, interesohen vërtet për ne e na duan të mirën. Për të mësuar më shumë se çfarë do të bëjnë, të ftojmë të kontaktosh me Dëshmitarët e Jehovait ose të vizitosh sitin tonë www.jw.org dhe të shkarkosh librin Çfarë mëson vërtet Bibla?