Vetëtima drite në kohët apostolike
«Drita ka dalë për të drejtin dhe gëzimi për ata që janë të drejtë nga zemra.»—PSALMI 97:11.
1. Në ç’mënyrë Dëshmitarët e sotëm të Jehovait ngjajnë me të krishterët e parë?
SA SHUMË i vlerësojmë ne si të krishterë fjalët e Psalmit 97:11! ‘Drita ka dalë’ për ne vazhdimisht. Në fakt, disa prej nesh e kanë parë ndriçimin e shkëlqyeshëm të Jehovait për dekada. E gjithë kjo na sjell ndër mend Proverbat 4:18, ku lexojmë: «Shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë deri sa të bëhet ditë e plotë.» Në vlerësimin tonë për Shkrimet e jo për traditën, ne Dëshmitarët e Jehovait u ngjajmë të krishterëve të parë. Qëndrimi i tyre mund të shihet qartësisht në librat historikë të Shkrimeve të Krishtere Greke dhe në letrat e tyre, të shkruara nën frymëzimin hyjnor.
2. Cilat ishin midis vetëtimave të para të dritës që morën ithtarët e Jezuit?
2 Ndërmjet vetëtimave të para të dritës që patën ithtarët e parë të Jezu Krishtit, ishin ato që kishin të bënin me Mesinë. Andrea i tha vëllait të vet, Simon Pjetrit: «E gjetëm Mesian.» (Gjoni 1:41) Disa kohë më vonë, Ati qiellor i dha mundësi apostullit Pjetër që të dëshmonte për këtë, kur ky i tha Jezu Krishtit: «Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë.»—Mateu 16:16, 17; Gjoni 6:68, 69.
Dritë mbi detyrën e tyre të predikimit
3, 4. Pas ringjalljes, çfarë ndriçimi u dha Jezui ithtarëve të tij, në lidhje me aktivitetin e tyre të ardhshëm?
3 Pas ringjalljes, Jezu Krishti lëshoi vetëtima drite në lidhje me një detyrim që binte mbi të gjithë ithtarët e tij. Ka shumë të ngjarë që ai t’u jetë drejtuar të 500 dishepujve të mbledhur në Galile, kur tha: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës.» (Mateu 28:19, 20; 1. Korintasve 15:6) Që prej asaj kohe, të gjithë ithtarët e Krishtit duhej të ishin predikues dhe detyra e tyre e predikimit nuk kufizohej me «delet e humbura të shtëpisë së Izraelit». (Mateu 10:6) Ata nuk duhej as të bënin pagëzimin e Gjonit, në simbol të pendimit për të marrë faljen mëkateve. Përkundrazi, ata duhej të pagëzonin njerëzit «në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë».
4 Para se Jezui të ngjitej në qiell, 11 apostujt e tij besnikë e pyetën: «Zot, a do ta rivendosësh në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?» Në vend se t’i përgjigjej pyetjes, Jezui dha udhëzime të mëtejshme në lidhje me detyrën e tyre të predikimit, duke thënë: «Ju do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi në Jeruzalem dhe në gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut.» Deri në atë kohë, ata kishin qenë dëshmitarë vetëm të Jehovait, por tani do të ishin edhe dëshmitarë të Krishtit.—Veprat 1:6-8.
5, 6. Çfarë drite morën dishepujt e Jezuit në Rrëshajët?
5 Çfarë vetëtima të shkëlqyeshme drite morën ithtarët e Jezuit, vetëm dhjetë ditë më vonë! Ditën e Rrëshajëve të vitit 33 të e.s., ata e kuptuan plotësisht domethënien e Joelit 2:28, 29: «Unë [Jehovai] do të përhap Frymën time mbi çdo mish; bijtë tuaj dhe bijat tuaja do të profetizojnë, pleqtë tuaj do të shohin ëndrra, të rinjtë tuaj do të kenë vegime. Në ato ditë do të përhap Frymën time edhe mbi shërbëtorët dhe shërbëtoret.» Dishepujt e Jezuit panë frymën e shenjtë, në formën e gjuhëve të flakës, duke qëndruar mbi kokat e të gjithëve, rreth 120 burra e gra, të mbledhur në Jeruzalem.—Veprat 1:12-15; 2:1-4.
6 Gjithashtu, në ditën e Rrëshajëve, dishepujt kuptuan së pari se fjalët e Psalmit 16:10 zbatoheshin për Jezu Krishtin e ringjallur. Psalmisti kishte thënë: «Ti [Perëndi Jehova] nuk do ta lësh shpirtin tim në Sheol dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë korruptimin.» Dishepujt e kuptuan se këto fjalë nuk mund të ishin zbatuar për mbretin David, pasi varri i tij gjendej midis tyre deri në atë kohë. Nuk habitemi që 3.000 nga ata që dëgjuan shpjegimin e kësaj drite të re, ishin aq të bindur sa u pagëzuan po atë ditë!—Veprat 2:14-41.
7. Çfarë drite të shkëlqyeshme mori apostulli Pjetër gjatë vizitës që i bëri oficerit të ushtrisë romake, Kornelit?
7 Për shumë shekuj, izraelitët kishin vlerësuar atë që kishte thënë Perëndia për ta: «Vetëm ju kam njohur midis tërë familjeve të dheut.» (Amosi 3:2) Prandaj, ishte me të vërtetë një vetëtimë e shkëlqyeshme drite ajo që morën apostulli Pjetër dhe ata që e shoqëronin në shtëpinë e oficerit të ushtrisë romake, Kornelit, kur për herë parë fryma e shenjtë zbriti mbi besimtarët paganë të parrethprerë. Duhet vërejtur se kjo ishte hera e vetme që fryma e shenjtë u dha para pagëzimit. Por kjo ishte e nevojshme. Përndryshe, Pjetri nuk do ta kishte ditur që ata paganë të parrethprerë ishin të kualifikuar për pagëzim. Duke e vlerësuar plotësisht domethënien e këtij fenomeni, Pjetri pyeti: «A mund ta ndalojë dikush ujin, që të mos pagëzohen këta [paganë] që kanë marrë Frymën e Shenjtë pikërisht si ne?» Natyrisht, asnjë nga të pranishmit nuk mund të kundërshtonte me të drejtë dhe ata paganë u pagëzuan.—Veprat 10:44-48; krahaso Veprat 8:14-17.
Fundi i rrethprerjes
8. Përse disa të krishterë të parë e kishin të vështirë të braktisnin mësimin e rrethprerjes?
8 Një tjetër vetëtimë drite e së vërtetës u shfaq në lidhje me çështjen e rrethprerjes. Praktika e rrethprerjes i pati fillimet e saj në vitin 1919 p.e.s., me besëlidhjen e Jehovait me Abrahamin. Në atë kohë, Perëndia e urdhëroi Abrahamin se ai dhe të gjithë meshkujt e shtëpisë së tij duhej të rrethpriteshin. (Zanafilla 17:9-14, 23-27) Prandaj, rrethprerja u bë një shenjë dalluese e pasardhësve të Abrahamit. Dhe sa krenarë ishin ata për këtë praktikë! Si rezultat, «i parrethprerë» u bë një shprehje përçmuese. (Isaia 52:1; 1. Samuelit 17:26, 27) Është e lehtë për t’u kuptuar se përse disa nga të krishterët e parë hebrenj donin ta ruanin këtë simbol. Disa prej tyre patën një diskutim të fortë me Pavlin e Barnabën për këtë çështje. Për ta zgjidhur atë, Pavli e të tjerë shkuan në Jeruzalem, për t’u këshilluar me trupin udhëheqës të krishterë.—Veprat 15:1, 2.
9. Çfarë drite iu zbulua trupit të parë udhëheqës, siç tregohet në Veprat, kreu 15?
9 Kësaj here, nuk ndodhi ndonjë mrekulli e dukshme që ata të krishterë të hershëm të ndriçoheshin mbi faktin se rrethprerja nuk ishte më një kërkesë për shërbëtorët e Jehovait. Përkundrazi, ata e morën këtë dritë në rritje, duke kërkuar në Shkrime, duke besuar për drejtim në frymën e shenjtë e duke dëgjuar përvojat e Pjetrit e të Pavlit në lidhje me kthimin e paganëve të parrethprerë. (Veprat 15:6-21) Vendimi u bë i njohur në një letër, në të cilën pjesërisht lexojmë: «Na u duk mirë Frymës së Shenjtë dhe neve që të mos ju ngarkojmë asnjë barrë tjetër përveç këtyre gjërave të nevojshme: që ju të hiqni dorë nga gjërat e flijuara idhujve, nga gjaku, nga gjërat e mbytura dhe nga kurvëria.» (Veprat 15:28, 29) Të krishterët e parë, pra, ishin të lirë nga urdhri për praktikimin e rrethprerjes dhe nga kërkesat e tjera të Ligjit të Moisiut. Prandaj, Pavli mundi t’u fliste të krishterëve galatas për «lirinë, me të cilën Krishti na liroi».—Galatasve 5:1.
Dritë në ungjijtë
10. Cilat ishin disa vetëtima drite që u zbuluan në ungjillin e Mateut?
10 Nuk ka dyshim që ungjilli i Mateut, i shkruar rreth vitit 41 të e.s., përmban shumë vetëtima drite në dobi të lexuesve të tij. Të krishterët e shekullit të parë që kishin dëgjuar personalisht Jezuin tek paraqiste mësimet e tij, ishin relativisht pak. Në veçanti, ungjilli i Mateut thekson se tema e predikimit të Jezuit ishte Mbretëria. Sa fort e kishte theksuar Jezui rëndësinë e nxitjes nga motive të drejta! Sa dritë hodhi ai në Predikimin e tij në Mal, në shëmbëlltyrat e tij (si ato që gjenden në kreun 13) dhe në profecinë e tij të madhe në kreun 24 dhe 25! E gjithë kjo u soll në vëmendjen e të krishterëve të parë falë tregimit të ungjillit të Mateut, i shkruar afërsisht vetëm tetë vjet pas Rrëshajëve të vitit 33 të e.s.
11. Çfarë mund të thuhet mbi përmbajtjen e ungjijve të Lukës e të Markut?
11 Gati 15 vjet më vonë, Luka shkroi ungjillin e tij. Edhe pse shumë prej tij ngjan me tregimin e Mateut, 59 për qind janë informata shtesë. Luka regjistron gjashtë nga mrekullitë e Jezuit e më shumë se dyfishin e shumë ilustrimeve të Tij që nuk përmenden nga shkrimtarët e ungjijve të tjerë. Me sa duket, Marku e shkroi ungjillin e tij vetëm pak vjet më vonë, duke e vënë theksin mbi Jezu Krishtin si një njeri i veprimit, si një bërës i mrekullive. Edhe pse Marku në përgjithësi kujtoi ngjarje të shkruara më parë nga Mateu e Luka, ai regjistroi një shëmbëlltyrë që ata nuk e përmendën. Në atë shëmbëlltyrë, Jezui e krahasoi Mbretërinë e Perëndisë me farën që mbin, rritet e sjell fryt gradualisht.a—Marku 4:26-29.
12. Deri në ç’masë siguroi ndriçim të mëtejshëm ungjilli i Gjonit?
12 Më pas erdhi ungjilli i Gjonit, i shkruar më shumë se 30 vjet pasi Marku kishte shkruar tregimin e tij. Sa dritë hodhi Gjoni mbi shërbimin e Jezuit, veçanërisht me anë të referimeve të shumta në lidhje me ekzistencën e Tij paranjerëzore! Vetëm Gjoni përmban tregimin e ringjalljes së Lazrit dhe vetëm ai na jep shumë informata të shkëlqyeshme që Jezui u dha apostujve të tij besnikë, si edhe lutjen e tij prekëse natën në të cilën u tradhëtua, siç gjendet në kapitujt 13 deri 17. Në fakt, është thënë se 92 për qind e ungjillit të Gjonit është e veçantë.
Vetëtima drite në letrat e Pavlit
13. Përse disa e shohin letrën e Pavlit drejtuar romakëve, si të ishte një ungjill?
13 Apostulli Pavël u përdor veçanërisht për të sjellë dritat e së vërtetës për të krishterët që jetuan në kohët apostolike. Për shembull, le të marrim letrën që Pavli u drejtoi romakëve, e shkruar rreth vitit 56 të e.s., afërsisht në të njëjtën kohë kur Luka shkroi ungjillin e tij. Në këtë letër Pavli nënvizon faktin se drejtësia jepet falë dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë dhe nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin. Theksi që i ka dhënë Pavli këtij aspekti të lajmit të mirë, ka bërë që disa ta shohin letrën e Romakëve si të ishte një ungjill i pestë.
14-16. (a) Çfarë drite hodhi Pavli mbi nevojën për unitet, në letrën e tij të parë drejtuar korintasve? (b) Çfarë drite të mëtejshme në lidhje me sjelljen përmban Letra e Parë e Korintasve?
14 Pavli shkroi edhe në lidhje me disa çështje që shqetësonin të krishterët në Korint. Letra e tij drejtuar korintasve përfshin shumë këshilla të frymëzuara, të cilat u kanë sjellë dobi të krishterëve deri në ditët tona. Për të filluar, atij iu desh të ndriçonte korintasit se po gabonin, duke ngritur kultin e personit rreth disa individëve. Apostulli i korrigjoi, duke u thënë me guxim: «Tani vëllezër, ju bëj thirrje në emër të Zotit tonë Jezu Krishtit të flisni që të gjithë të njëjtën gjë dhe të mos keni ndasi midis jush, por të jeni plotësisht të bashkuar, duke pasur një mendje dhe një vullnet.»—1. Korintasve 1:10-15.
15 Në kongregacionin e krishterë të Korintit po tolerohej një imoralitet i rëndë. Një burrë kishte marrë gruan e të atit, duke praktikuar kështu «një kurvëri të tillë që as nuk zihet në gojë ndër paganë». Në mënyrë të hapur, Pavli shkroi: «Nxirreni të ligun nga vetja juaj.» (1. Korintasve 5:1, 11-13) Kjo ishte diçka e re për kongregacionin e krishterë, përjashtimi. Një çështje tjetër mbi të cilën kongregacioni i krishterë kishte nevojë të ndriçohej, lidhej me faktin se disa nga pjesëtarët e tij po i nxirrnin vëllezërit e tyre frymorë nëpër gjyqet e botës, për të zgjidhur padrejtësitë. Pavli i qortoi ata me forcë për këtë.—1. Korintasve 6:5-8.
16 Një çështje tjetër që kishte hapur plagë në kongregacionin e Korintit kishte të bënte me marrëdhëniet seksuale. Në 1. Korintasve, kreu 7, Pavli tregoi se për shkak të mbizotërimit të imoralitetit seksual, do të ishte mirë që çdo burrë të kishte gruan e tij dhe çdo grua burrin e saj. Pavli shpjegoi, gjithashtu, që edhe pse të pamartuarit janë në gjendje t’i shërbejnë Jehovait me më pak pengesa, jo të gjithë e kanë dhuratën e beqarisë. E nëse burri i ndonjë gruaje vdiste, ajo do të ishte e lirë për t’u martuar përsëri, por «vetëm në Zotërinë».—1. Korintasve 7:39, BR.
17. Çfarë drite hodhi Pavli mbi mësimin e ringjalljes?
17 Sa dritë hodhi Zotëria, me anë të Pavlit, mbi ringjalljen! Me çfarë trupi do të ngriheshin të krishterët e mirosur? «Mbillet trup natyror dhe ringjallet trup frymëror», shkroi Pavli. Asnjë trup mishor nuk do të merret në qiell, sepse «mishi dhe gjaku nuk mund të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë». Pavli shtoi se jo të gjithë të mirosurit do të bien në gjumin e vdekjes, por gjatë pranisë së Jezuit disa do të ngrihen në jetën e pavdekshme, menjëherë pas vdekjes.—1. Korintasve 15:43-53.
18. Çfarë drite në lidhje me të ardhmen përmban letra e parë e Pavlit drejtuar selanikasve?
18 Në letrën e tij drejtuar të krishterëve në Selanik, Pavli u përdor për të hedhur dritë mbi të ardhmen. Dita e Jehovait do të vinte si një hajdut natën. Pavli shpjegoi, gjithashtu: «Sepse, kur thonë: “Paqe dhe siguri”, atëherë një shkatërrim i papritur do të bjerë mbi ta, ashtu si dhembjet e lindjes të gruas shtatzënë dhe nuk do të shpëtojnë.»—1. Selanikasve 5:2, 3.
19, 20. Çfarë vetëtimash drite morën të krishterët në Jeruzalem e në Jude, nga letra e Pavlit për hebrenjtë?
19 Duke u shkruar hebrenjve, Pavli ndriçoi të krishterët e parë në Jeruzalem e në Jude. Me sa forcë e tregoi ai superioritetin e sistemit të krishterë të adhurimit, mbi sistemin e adhurimit të vendosur nga Moisiu! Në vend se të ndiqnin Ligjin e transmetuar nga engjëjt, të krishterët kishin besim në një shpëtim mbi të cilin foli për herë të parë Biri i Perëndisë, i cili është shumë më superior se ata lajmëtarë engjëllorë. (Hebrenjve 2:2-4) Moisiu ishte vetëm një shërbëtor në shtëpinë e Perëndisë. Përkundrazi, Jezu Krishti kryeson mbi të gjithë shtëpinë. Krishti është një kryeprift sipas rendit të Melkisedekut, duke pasur një pozitë shumë më të lartë se priftëria e Aaronit. Pavli, gjithashtu, theksoi se izraelitët nuk kishin mundur të hynin në prehjen e Perëndisë, për shkak të mungesës së besimit e të bindjes, por të krishterët hynë aty, për shkak të besnikërisë e bindjes së tyre.—Hebrenjve 3:1–4:11.
20 Përveç kësaj, besëlidhja e re është shumë më e lartë se besëlidhja e Ligjit. Siç u profetizua 600 vjet më parë në Jereminë 31:31-34, ata të besëlidhjes së re i kanë ligjet e Perëndisë të shkruara në zemrat e tyre dhe gëzojnë faljen e vërtetë të mëkateve. Në vend se të kenë një kryeprift që çdo vit duhet të ofrojë sakrifica për mëkatet e tij e për ato të popullit të tij, të krishterët kanë për kryeprift Jezu Krishtin, i cili është pa mëkate dhe që njëherë e përgjithmonë ofroi një flijim për mëkatet. Në vend se të hynte në vendin e shenjtë të bërë me dorë, për të paraqitur flijimin e tij, ai hyri në vetë qiellin, për t’u shfaqur përpara personit të Jehovait. Për më tepër, flijimet e kafshëve nën Ligjin e Moisiut nuk mund të hiqnin plotësisht mëkatet, përndryshe nuk do të flijoheshin çdo vit. Por sakrifica e Krishtit, e ofruar njëherë e përgjithmonë, i heq mëkatet. E gjithë kjo hedh dritë mbi tempullin e madh frymor, në oborret e të cilit mbetja e mirosur dhe «delet e tjera» shërbejnë sot.—Gjoni 10:16; Hebrenjve 9:24-28.
21. Çfarë ka treguar ky diskutim për sa i përket përmbushjes së Psalmit 97:11 dhe Proverbave 4:18 në kohët apostolike?
21 Hapësira nuk lejon të japim më shumë shembuj, si për shembull, drita që hidhet në letrat e apostullit Pjetër dhe në ato të dishepujve Jakov dhe Juda. Por sa kemi thënë më lart duhet të mjaftojë për të treguar se Psalmi 97:11 dhe Proverbat 4:18 kanë pasur një përmbushje të jashtëzakonshme në kohët apostolike. E vërteta filloi të përparonte nga tipet dhe hijet, drejt përmbushjeve dhe realitetit.—Galatasve 3:23-25; 4:21-26.
22. Çfarë ndodhi pas vdekjes së apostujve dhe ç’do të tregojë artikulli vijues?
22 Pas vdekjes së apostujve të Jezuit dhe depërtimit të apostazisë së parathënë, drita e së vërtetës u zbeh shumë. (2. Selanikasve 2:1-11) Megjithatë, në përputhje me premtimin e Jezuit, pas shumë shekujsh Zotëria u kthye dhe gjeti «skllavin besnik e të matur», duke u dhënë «shtëpiakëve» ushqimin e tyre në kohën e duhur. Si rrjedhojë, Jezu Krishti e caktoi atë skllav «mbi të gjitha pronat e tij». (Mateu 24:45-47, BR) Cilat ishin vetëtimat e dritës që e pasuan? Për këtë do të flitet në artikullin vijues.
[Shënimi]
a Toka këtu i referohet ambientit ku i krishteri zgjedh të kultivojë cilësitë e personalitetit.—Shiko Kulla e Rojës, 15 qershor 1980, faqe 18-19, angl.
A të kujtohet?
◻ Cilat tekste biblike tregojnë se kuptimi i së vërtetës është progresiv?
◻ Cilat janë disa nga vetëtimat e dritës që gjejmë në librin e Veprave?
◻ Çfarë drite gjendet në ungjijtë?
◻ Çfarë vetëtimash drite përmbajnë letrat e Pavlit?