Barnaba: «Biri i ngushëllimit»
KUR ka qenë hera e fundit që ke marrë ngushëllim nga një mik? A të kujtohet se kur ishte hera e fundit që ti ia dhe atë dikujt tjetër? Kohë pas kohe, të gjithë ne kemi nevojë për inkurajim dhe sa i vlerësojmë ata që na e ofrojnë atë me dashuri! Ngushëllimi nënkupton gjetjen e kohës për të dëgjuar, për të kuptuar dhe për të ndihmuar. A je gati për ta bërë këtë?
Një person që shfaqi gatishmëri të tillë në një mënyrë shembullore qe Barnaba, i cili «ishte njeri i mirë, plot me frymë të shenjtë dhe besim». (Veprat 11:24) Pse mundi të thuhej kjo për Barnabën? Çfarë kishte bërë ai, për ta merituar këtë përshkrim?
Një ndihmues bujar
Emri i tij i vërtetë ishte Jozef, por apostujt i ngjitën një emër tjetër përshkrues, që përputhej shumë me karakterin e tij: Barnaba, domethënë «biri i ngushëllimit».a (Veprat 4:36) Kongregacioni i krishterë s’ishte formuar veçse kohët e fundit. Disa janë të mendimit se Barnaba kishte qenë më parë një prej dishepujve të Jezuit. (Luka 10:1, 2) Ishte apo jo kështu, ky burrë kishte dhënë prova si njeri i mirë.
Pak pas Rrëshajëve të vitit 33 të e.s., Barnaba, që ishte një levit nga Qiproja, shiti vullnetarisht një pjesë tokë dhe ua dha paratë apostujve. Pse e bëri këtë? Tregimi në Veprat na thotë se në atë kohë mes të krishterëve në Jerusalem, «secilit i jepej sipas nevojës së tij». Duket se Barnaba pa që kishte nevojë dhe me ngrohtësi zemre bëri diçka në lidhje me të. (Veprat 4:34-37) Ai mund të ketë qenë disi i pasur, por nuk ngurroi të ofronte si zotërimet e tij materiale, ashtu edhe veten, për çuarjen përpara të interesave të Mbretërisë.b «Kudo që Barnaba gjente njerëz ose situata që kërkonin inkurajim, jepte gjithë inkurajimin që ishte i aftë të jepte»,—vëren studiuesi F. F. Brus. Kjo është e dukshme nga episodi i dytë në të cilin shfaqet ai.
Rreth vitit 36 të e.s., Sauli nga Tarsa (apostulli i ardhshëm Pavël), tashmë një i krishterë, por përpiqej të vihej në kontakt me kongregacionin e Jerusalemit, «por të gjithë kishin frikë nga ai, sepse nuk mund të besonin që ai ishte dishepull». Si mund ta bindte ai kongregacionin se kthimi i tij në besim ishte i sinqertë dhe jo thjesht një strategji për ta shkretuar atë më tej? «Barnaba i erdhi në ndihmë dhe e çoi tek apostujt.»—Veprat 9:26, 27; Galatasve 1:13, 18, 19.
Se përse Barnaba i besoi Saulit nuk thuhet. Sidoqoftë, «biri i ngushëllimit» jetoi në lartësinë e emrit të ngjitur, duke e dëgjuar Saulin dhe duke e ndihmuar për të dalë nga një gjendje e vështirë, në dukje e pashpresë. Megjithëse më pas Pavli u kthye në vendlindjen e tij, në Tars, midis këtyre dy burrave ishte formuar një miqësi. Në vitet që do të vinin, kjo do të kishte pasoja të rëndësishme.—Veprat 9:30.
Në Antioki
Rreth vitit 45 të e.s., në Jerusalem mbërritën lajmet mbi zhvillime të pazakonta në Antioki të Sirisë: banorë të shumtë të atij qyteti, që flitnin gjuhën greke, po bëheshin besimtarë. Kongregacioni dërgoi atje Barnabën, për të parë nga afër dhe për të organizuar veprën. Nuk mund të kishin bërë zgjedhje më të mençur. Luka pohon: «Kur ai mbërriti dhe pa dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë, u gëzua dhe filloi t’i inkurajonte të gjithë që të vazhdonin në Zotërinë me vendosmëri zemre, sepse ai ishte njeri i mirë, plot me frymë të shenjtë dhe besim. Dhe një turmë e konsiderueshme iu shtua Zotërisë.»—Veprat 11:22-24, BR.
Kjo nuk ishte e gjitha ajo që bëri ai. Sipas studiuesit Xhuzepe Riçoti, «Barnaba ishte një njeri praktik dhe e kuptoi menjëherë nevojën për t’iu futur punës, për t’u siguruar që një lulëzim i tillë premtues të pasohej nga një korrje e bollshme. Prandaj, nevoja parësore ishte për punëtorë në të korrat». Duke qenë se vinte nga Qiproja, ka mundësi që Barnaba të ishte mësuar të kishte të bënte me johebrenjtë. Ndoshta është ndier veçanërisht i kualifikuar për t’u predikuar paganëve. Por në këtë aktivitet emocionues dhe inkurajues, ai ishte gati t’i përfshinte edhe të tjerët.
Barnaba mendoi për Saulin. Ka shumë mundësi që Barnaba të ishte në dijeni të zbulesës profetike që iu bë Ananias në kohën e kthimit në besim të Saulit, sipas së cilës ish-persekutuesi ishte ‘vegla e zgjedhur për ta sjellë emrin e Jezuit para kombeve’. (Veprat 9:15) Kështu, Barnaba iu vu rrugës për në Tars, një udhëtim prej rreth 200 kilometrash vajtje, që të kërkonte Saulin. Të dy, punuan së bashku si partnerë për një vit të tërë dhe «ndodhi së pari në Antioki», në këtë periudhë, «që dishepujt, me anë të drejtimit hyjnor, u quajtën të krishterë».—Veprat 11:25, 26, BR.
Gjatë mbretërimit të Klaudit, në vende të ndryshme të Perandorisë Romake ra një zi e rëndë buke. Sipas historianit hebre, Jozefit, në Jerusalem «shumë njerëz vdiqën ngaqë mungonte ajo që ishte e domosdoshme për të siguruar ushqim». Kështu, dishepujt në Antioki «secili sipas mundësive të tij, vendosën t’u çojnë një ndihmë vëllezërve që banonin në Jude. Dhe këtë ata e bënë, duke ua dërguar pleqve me anë të Barnabës dhe të Saulit». Pasi e kryen plotësisht këtë detyrë të ngarkuar, ata të dy u kthyen në Antioki me Gjon Markun, ku u llogaritën mes profetëve dhe mësuesve të kongregacionit.—Veprat 11:29, 30; 12:25; 13:1.
Një caktim i veçantë misionar
Më pas, ndodhi një ngjarje e jashtëzakonshme. «Ndërsa po kryenin shërbesën e Zotit dhe po agjëronin, fryma e shenjtë tha: ‘M’i ndani veç Barnabën dhe Saulin për veprën për të cilën i kam thirrur.’» Vetëm mendo! Fryma e Jehovait urdhëroi që atyre të dyve t’u jepej një caktim i veçantë. «Ata, pra, të dërguar nga fryma e shenjtë, zbritën në Seleuki dhe që andej lundruan për në Qipro.» Barnaba mundi të quhej me të drejtë edhe apostull ose i dërguar.—Veprat 13:2, 4; 14:14.
Pasi udhëtoi përmes Qipros dhe ktheu në besim Sergj Palin, prokonsullin romak të ishullit, ata vazhduan për në Pergë, në bregdetin jugor të Azisë së Vogël, ku Gjon Marku u tërhoq dhe u kthye në Jerusalem. (Veprat 13:13) Duket se deri në atë moment Barnaba pati një rol drejtues, ndoshta si partneri me më shumë përvojë. Nga ky moment e tutje, është Sauli (tani i përmendur si Pavli) që merr drejtimin. (Krahaso Veprat 13:7, 13, 16; 15:2.) A u lëndua Barnaba nga ky zhvillim i situatës? Jo, ai ishte një i krishterë i pjekur, që pranoi me përulësi se Jehovai po përdorte në mënyrë të fuqishme edhe partnerin e tij. Me anë të tyre, Jehovai dëshironte që lajmin e mirë ta dëgjonin edhe territore të tjera.
Në fakt, përpara se ata të dy t’i nxirrnin nga Antiokia, në Pisidi, e gjithë zona e dëgjoi fjalën e Perëndisë nga Pavli dhe Barnaba dhe shumë e pranuan mesazhin. (Veprat 13:43, 48-52) Në Ikoni, «një turmë e madhe judenjsh dhe grekësh besuan». Kjo gjë e nxiti Pavlin dhe Barnabën që të kalonin atje një kohë të konsiderueshme, ‘duke folur lirisht [me guxim, BR] në Zotin, . . . duke lejuar që me anë të duarve të tyre të bëheshin shenja dhe mrekulli’. Kur dëgjuan se po kurdisej një komplot për t’i vrarë me gurë, me mençuri ata ikën dhe e vazhduan veprën e tyre në Likaoni, në Listër dhe në Derbë. Me gjithë përvojat që u kërcënuan jetën në Listër, si Barnaba, ashtu edhe Pavli vazhduan «duke fuqizuar shpirtrat e dishepujve dhe duke i këshilluar [inkurajuar, BR] që të ngulmojnë në besim dhe duke thënë se me shumë pikëllime duhet të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë».—Veprat 14:1-7, 19-22.
Këta dy predikues dinamikë nuk do të lejonin të frikësoheshin. Përkundrazi, ata u kthyen për të ndërtuar të krishterët e rinj në ato vende ku kishin hasur tashmë kundërshtim të egër, ka të ngjarë duke ndihmuar burrat e kualifikuar që të merrnin drejtimin në kongregacionet e reja.
Çështja e rrethprerjes
Pothuajse 16 vjet pas Rrëshajëve të vitit 33 të e.s., Barnaba u përfshi në një episod që hyri në histori në lidhje me çështjen e rrethprerjes. «Disa që zbritën [në Antioki të Sirisë] nga Judeja, mësonin vëllezërit: ‘Nëse nuk jeni rrethprerë sipas ritit të Moisiut, nuk mund të shpëtoheni.’» Barnaba dhe Pavli e dinin nga përvoja që nuk ishte kështu dhe diskutuan në lidhje me këtë çështje. Në vend që të këmbëngulnin në autoritetin e tyre, ata pranuan se kjo ishte një çështje që duhej zgjidhur në të mirën e të gjithë shoqërisë së vëllezërve. Kështu që, ata ia referuan çështjen trupit udhëheqës në Jerusalem, ku raportet e tyre ndihmuan për ta zgjidhur çështjen. Pas kësaj, Pavli dhe Barnaba, të përshkruar si «të dashurit . . . që kanë përkushtuar jetën e tyre për emrin e Zotit tonë Jezu Krisht», ishin mes atyre që u caktuan për t’ua komunikuar vendimin vëllezërve në Antioki. Kur letra nga trupi udhëheqës u lexua dhe u mbajtën fjalime, kongregacioni «u gëzua për inkurajimin» dhe u «forcua».—Veprat 15:1, 2, 4, 25-32, BR.
«Një shpërthim i fortë zemërimi»
Pas kaq shumë tregimesh pozitive për të, mund të mendojmë se ndoshta kurrë nuk do të jetojmë në lartësinë e shembullit të Barnabës. Por megjithatë, «biri i ngushëllimit» ishte i papërsosur, ashtu siç jemi edhe ne. Ndërsa ai dhe Pavli planifikonin një udhëtim të dytë misionar për të vizituar kongregacionet, ndodhi një mosmarrëveshje. Barnaba ishte i vendosur të merrte me vete kushëririn e tij, Gjon Markun, por Pavli nuk e konsideronte këtë diçka të përshtatshme, përderisa Gjon Marku ishte larguar prej tyre gjatë udhëtimit të parë misionar. Atëherë ndodhi «një shpërthim i fortë zemërimi, kështu që ata u ndanë nga njëri-tjetri; Barnaba mori me vete Markun dhe lundroi larg Qipros», ndërsa «Pavli zgjodhi Silën dhe u nis» në një drejtim tjetër.—Veprat 15:36-40.
Sa keq! Megjithatë, ky incident na tregon diçka tjetër rreth personalitetit të Barnabës. «Mbetet një meritë e Barnabës fakti që ishte i përgatitur të rrezikonte dhe t’i zinte besë edhe një herë tjetër Markut»,—thotë një studiues. Siç sugjeron ky shkrimtar, mund të ketë qenë fare mirë që «besimi që Barnaba pati te Marku e ndihmoi të përtërinte sigurinë te vetja dhe të shërbente si shtytje për një angazhim të rinovuar». Siç doli, ky besim u justifikua plotësisht, sepse erdhi dita kur edhe Pavli e pranoi dobishmërinë e Markut në shërbimin e krishterë.—2. Timoteut 4:11; krahaso Kolosianëve 4:10.
Shembulli i Barnabës mund të na stimulojë të marrim kohë për të dëgjuar, për të kuptuar dhe për të inkurajuar ata që i ka lëshuar zemra, si dhe për të siguruar ndihmë praktike kurdo që shohim nevojën për të. Dokumentimi i gatishmërisë së tij për t’u shërbyer vëllezërve me butësi dhe kurajë, si dhe rezultatet e shkëlqyera që dha kjo, përbëjnë në vetvete një inkurajim. Ç’bekim është të kemi sot në kongregacionet tona njerëz si Barnaba!
[Shënimet]
a Duke e quajtur dikë «bir të» një cilësie të caktuar, nënvizohej një karakteristikë e spikatur. (Shiko Ligjin e përtërirë 3:18, shënimi BR.) Në shekullin e parë, ishte e zakonshme të përdoreshin emra të ngjitur, për ta tërhequr vëmendjen te cilësitë e një personi. (Krahaso Markun 3:17.) Kjo ishte një lloj njohjeje prej publikut.
b Duke marrë në konsideratë atë që ishte vendosur nga Ligji i Moisiut, disa kanë pyetur se si Barnaba, një levit, arriti të pronësonte tokë. (Numrat 18:20) Por, duhet vërejtur se nuk është e qartë nëse prona ishte në Palestinë apo në Qipro. Për më tepër, ka mundësi që ajo të ishte thjesht një truall varri që Barnaba e kishte marrë në zonën e Jerusalemit. Sidoqoftë, Barnaba e dha pronën e tij për të ndihmuar të tjerët.
[Figura në faqen 23]
Barnaba «ishte njeri i mirë, plot me frymë të shenjtë dhe besim»