KAPITULLI 17
«Arsyetoi me ta nga Shkrimet»
Baza për mësimdhënien e efektshme; shembulli i shkëlqyer i bereasve
Bazuar te Veprat 17:1-15
1, 2. Cilët po udhëtonin nga Filipia për në Selanik dhe ç’mund të kishin bluar në mendje?
AJO rrugë mjaft e rrahur, e ndërtuar nga inxhinierë romakë mjeshtra, kalonte përmes malesh të thepisura. Hera-herës në të dëgjohej pëllitja e gomarëve, kuisja e rrotave të qerreve që fërkoheshin me rrasat e trasha dhe zhurma e udhëtarëve të ndryshëm, që mund të ishin ushtarë, tregtarë ose zejtarë. Tre shokë, Pavli, Sila dhe Timoteu, po udhëtonin nëpër këtë rrugë, nga Filipia për në Selanik, mbi 130 kilometra larg. Udhëtimi s’ishte i lehtë, sidomos për Pavlin dhe Silën. Ende s’u ishin mbyllur plagët që kishin marrë në Filipi, ku ishin rrahur me thupër.—Vep. 16:22, 23.
2 Si ia dolën të mos e mbanin mendjen te rruga e gjatë që duhej të bënin? Me siguri, i ndihmuan bisedat. E kishin ende të freskët në mendje përvojën e gëzueshme në Filipi kur roja i burgut, bashkë me familjen, u bënë besimtarë. Kjo përvojë i kishte bërë edhe më të vendosur që të vazhdonin të shpallnin fjalën e Perëndisë. Por, ndërsa i afroheshin qytetit bregdetar të Selanikut, ndoshta pyesnin veten si do t’i trajtonin judenjtë e atij qyteti. A do t’i sulmonin apo edhe t’i rrihnin, siç ndodhi në Filipi?
3. Si mund të marrim guxim për të predikuar kur imitojmë Pavlin?
3 Më vonë Pavli i shprehu ndjenjat e tij në një letër që u shkroi të krishterëve në Selanik: «Edhe pse në fillim vuajtëm, na fyen dhe na keqtrajtuan në Filipi, siç edhe ju e dini, morëm guxim nga Perëndia t’jua thoshim lajmin e mirë të Perëndisë përballë shumë kundërshtimesh.» (1 Sel. 2:2) Me sa duket, ai po thoshte se kishte ngurruar të hynte në qytetin e Selanikut, sidomos pas ngjarjeve në Filipi. A je ndier edhe ti si Pavli? A të duket ndonjëherë e vështirë të shpallësh lajmin e mirë? Pavli u mbështet te Jehovai që ta forconte e ta ndihmonte të merrte guximin e nevojshëm. Analizimi i shembullit të tij mund të të ndihmojë edhe ty të bësh po njësoj.—1 Kor. 4:16.
«Arsyetoi . . . nga Shkrimet» (Veprat 17:1-3)
4. Nga e kuptojmë që Pavli mund të ketë ndenjur në Selanik më tepër se tri javë?
4 Sipas tregimit, në Selanik, Pavli predikoi në sinagogë për tri Sabate rresht. A do të thotë kjo se vizita e tij në qytet zgjati vetëm tri javë? Jo medoemos. Nuk e dimë sa kohë pas mbërritjes, Pavli shkoi për herë të parë në sinagogë. Veç kësaj, nga letrat e tij kuptojmë se, kur ishte në Selanik, ai bashkë me shokët e udhëtimit punuan për të mbajtur veten financiarisht. (1 Sel. 2:9; 2 Sel. 3:7, 8) Gjithashtu, gjatë qëndrimit atje, Pavli mori dy herë ndihma nga vëllezërit në Filipi. (Filip. 4:16) Pra, duket se ka ndenjur në Selanik pak më tepër se tri javë.
5. Si u përpoq t’i bindte Pavli dëgjuesit e tij?
5 Pasi mori guxim, Pavli u predikoi atyre që ishin mbledhur në sinagogë. Siç e kishte zakon, ai «arsyetoi me ta nga Shkrimet, duke shpjeguar e provuar me pjesë nga shkrimet se Krishti duhej të vuante e të ngrihej nga të vdekurit. Ai u thoshte: ‘Ky është Krishti, Jezui që unë po ju shpall.’» (Vep. 17:2, 3) Vër re se Pavli nuk u përpoq t’u ngjallte emocione dëgjuesve, por i bëri thirrje arsyes së tyre. E dinte se ata që shkonin në sinagogë, i njihnin mirë Shkrimet dhe i respektonin. Por nuk i kuptonin plotësisht. Prandaj arsyetoi me ta, u shpjegoi dhe u provoi me anë të Shkrimeve se Jezui i Nazaretit ishte Mesia i premtuar ose Krishti.
6. Si i ndihmoi Jezui të tjerët të nxirrnin përfundimin e duhur nga Shkrimet dhe me ç’rezultat?
6 Pavli ndoqi modelin që la Jezui, i cili gjithnjë i bazonte mësimet në Shkrime. Për shembull, gjatë shërbimit, Jezui u tha dishepujve se, sipas Shkrimeve, Biri i njeriut duhej të vuante, të vdiste e të ngrihej nga të vdekurit. (Mat. 16:21) Pas ringjalljes, ai iu shfaq dishepujve. Patjetër, vetëm kaq mjaftonte për të kuptuar se kishte thënë të vërtetën. Po gjithsesi, Jezui u shpjegoi edhe më shumë. Ja çfarë lexojmë për ato që u tha disa dishepujve: «Duke nisur që nga Moisiu deri te gjithë profetët, u shpjegoi gjithçka që thuhej në Shkrime për të.» Me ç’rezultat? Dishepujt thanë: «A nuk na digjej zemra kur po na fliste rrugës dhe po na i zbërthente plotësisht Shkrimet?!»—Luka 24:13, 27, 32.
7. Pse është e rëndësishme ta bazojmë në Shkrime mësimdhënien tonë?
7 Mesazhi i Fjalës së Perëndisë ka fuqi. (Hebr. 4:12) Prandaj, sot të krishterët i bazojnë mësimet e tyre në këtë Fjalë, siç bënë Jezui, Pavli dhe apostujt e tjerë. Edhe ne arsyetojmë me njerëzit, u shpjegojmë domethënien e Shkrimeve dhe u japim prova të asaj që mësojmë duke ua lexuar drejtpërdrejt nga Bibla. Në fund të fundit, mesazhi që u çojmë nuk është yni. Duke e përdorur shpesh Biblën, i ndihmojmë njerëzit të kuptojnë se nuk përhapim idetë tona, por mësimet e Perëndisë. Gjithashtu, s’duhet të harrojmë se mesazhi që predikojmë, bazohet fortësisht në Fjalën e Perëndisë. Është krejtësisht i besueshëm. A nuk të jep siguri kjo që ta shpallësh me guxim mesazhin, siç bëri Pavli?
«Disa . . . u bënë besimtarë» (Veprat 17:4-9)
8-10. (a) Si reaguan ndaj lajmit të mirë banorët e Selanikut? (b) Pse disa judenj ishin xhelozë për Pavlin? (c) Si vepruan kundërshtarët judenj?
8 Pavli e kishte provuar tashmë vërtetësinë e fjalëve të Jezuit: «Skllavi nuk është më i madh se zotëria. Nëse më kanë përndjekur mua, do t’ju përndjekin edhe ju. Nëse kanë zbatuar fjalën time, do të zbatojnë edhe tuajën.» (Gjoni 15:20) Në Selanik, ai i hasi këto dy reagime. Disa ishin të gatshëm ta zbatonin fjalët e tij, të tjerë iu kundërvunë. Për ata që reaguan mirë, Luka shkruan: «Disa prej tyre [judenjve] u bënë besimtarë [të krishterë] dhe shoqëroheshin me Pavlin e me Silën. Kështu bënë edhe një numër i madh grekësh që adhuronin Perëndinë, si dhe mjaft gra të shquara.» (Vep. 17:4) Patjetër, këta dishepuj të rinj u gëzuan që misionarët i ndihmuan t’i kuptonin drejt Shkrimet.
9 Ndonëse disa i vlerësuan fjalët e Pavlit, të tjerë u acaruan keq me të. Disa judenj në Selanik ishin xhelozë për suksesin e tij, pasi bëri të krishterë ‘një numër të madh grekësh’. Të vendosur të bënin prozelitë judenj, ata u kishin mësuar jojudenjve grekë Shkrimet Hebraike dhe i konsideronin dishepujt e tyre. Por krejt papritur Pavli shkoi në sinagogën e tyre dhe i bindi ata grekë të bëheshin të krishterë e të mos e ndiqnin më besimin judaik. Judenjtë u tërbuan.
10 Luka na tregon ç’ndodhi më tej: «Judenjtë, nga zemërimi, mblodhën disa burra të poshtër që bridhnin pazarit, formuan një turmë dhe nxitën një trazirë në qytet. Sulmuan shtëpinë e Jasonit dhe kërkuan që Pavlin e Silën t’i nxirrnin para turmës. Meqë nuk i gjetën, Jasonin dhe disa vëllezër i çuan zvarrë te krerët e qytetit, duke thërritur: ‘Këta njerëz që e kanë kthyer përmbys botën, kanë ardhur edhe këtu, e Jasoni i priti si mysafirë. Të gjithë këta veprojnë kundër dekreteve të Cezarit duke thënë se ka një mbret tjetër, Jezui.’» (Vep. 17:5-7) Si do të ndikonte te Pavli dhe shokët e tij sulmi i turmës?
11. (a) Ç’akuza ngritën judenjtë kundër Pavlit dhe lajmëtarëve të tjerë të Mbretërisë? (b) Cilin dekret mund të kenë pasur në mendje akuzuesit? (Shih shënimin.)
11 Një turmë shkakton katrahurë. Ajo vërshon me vrullin e një lumi të rrëmbyer—e dhunshme dhe e pafre. Këtë armë përdorën judenjtë që t’i hiqnin qafe Pavlin dhe Silën. Pastaj, pasi kishin shkaktuar «trazirë» në qytet, u përpoqën t’i bindnin krerët e qytetit se akuzat ishin të rënda. Akuza e parë ishte se Pavli dhe lajmëtarët e tjerë të Mbretërisë ‘kishin kthyer përmbys botën’, edhe pse trazirën në Selanik nuk e shkaktuan ata. Akuza e dytë ishte ku e ku më e rëndë. Judenjtë pohuan se misionarët shpallnin një mbret tjetër, Jezuin, duke shkelur kështu dekretet e perandorit.a
12. Nga e kuptojmë se akuzat kundër të krishterëve në Selanik mund të kishin sjellë pasoja të rënda?
12 Nëse të kujtohet, udhëheqësit fetarë ngritën një akuzë të ngjashme kundër Jezuit. I thanë Pilatit: «Këtë njeri e gjetëm duke kthyer përmbys kombin tonë . . . dhe duke u vetëquajtur mbret, Krishti.» (Luka 23:2) Pilati me sa duket pati frikë se mos perandori mendonte se ai toleronte tradhtinë e lartë, prandaj e dënoi me vdekje Jezuin. Po kështu, akuzat kundër të krishterëve në Selanik mund të kishin sjellë pasoja të rënda. Një vepër referimi thotë: «Nuk e teprojmë aspak po të themi se kjo i vuri para një rreziku të madh, sepse ‘edhe thjesht ideja e tradhtisë kundër perandorëve shpesh ishte fatale për të akuzuarit’.» A do të kishte sukses ky sulm i urryer?
13, 14. (a) Pse turma nuk pati sukses? (b) Si tregoi Pavli maturi si Jezui, dhe si ta imitojmë shembullin e tij?
13 Turma nuk arriti ta ndalte veprën e predikimit në Selanik. Pse? Në radhë të parë, nuk i gjetën Pavlin dhe Silën. Për më tepër, me sa duket krerët e qytetit nuk ishin të bindur për vërtetësinë e akuzave. Pasi kërkuan «një garanci të mjaftueshme», ndoshta në pará, ata i liruan Jasonin dhe vëllezërit e tjerë që i kishin çuar para tyre. (Vep. 17:8, 9) Duke ndjekur këshillën e Jezuit për të qenë «të kujdesshëm si gjarpërinjtë, e megjithatë të pafaj si pëllumbat», Pavli me maturi iu largua rrezikut, që të vazhdonte të predikonte diku tjetër. (Mat. 10:16) Qartë, guximi i Pavlit nuk ishte guxim prej kokëkrisuri. Si mund ta ndjekin të krishterët shembullin e tij?
14 Në kohët e sotme, kleri i krishterimit shpesh ka nxitur turma kundër Dëshmitarëve të Jehovait. Me akuza për nxitje kryengritjeje dhe tradhti, i kanë manipuluar qeveritarët që të veprojnë kundër Dëshmitarëve. Njësoj si përndjekësit në shekullin e parë, kundërshtarët e sotëm i shtyn xhelozia. Sidoqoftë, të krishterët e vërtetë s’e kërkojnë sherrin me qiri. Sa herë që munden, i shmangin ballafaqimet me ata njerëz të zemëruar e të paarsyeshëm, duke u përpjekur ta vazhdojnë në paqe veprën e tyre, e ndoshta kthehen më vonë kur gjërat të jenë qetësuar.
«Ishin më të gatshëm për të mësuar» (Veprat 17:10-15)
15. Si reaguan bereasit ndaj lajmit të mirë?
15 Për siguri, vëllezërit i çuan Pavlin dhe Silën në Bere, rreth 65 kilometra larg. Me të mbërritur atje, Pavli shkoi në sinagogë dhe u foli atyre që ishin mbledhur. Ç’kënaqësi që gjeti një auditor të etur për të dëgjuar! Luka shkruan se judenjtë e Beresë ishin «më të gatshëm për të mësuar se ata në Selanik, pasi e pranuan fjalën me etje të madhe, dhe çdo ditë i shqyrtonin me kujdes Shkrimet, për të parë nëse gjërat që dëgjonin, ishin të vërteta». (Vep. 17:10, 11) A krijuan këto fjalë një përshtypje të keqe për judenjtë në Selanik që kishin pranuar të vërtetën? Aspak. Më vonë, Pavli u shkroi selanikasve: «E falënderojmë Perëndinë pa pushim, sepse kur e dëgjuat fjalën e Perëndisë nga ne, e pranuat jo si fjalë njerëzish, por siç është me të vërtetë, si fjalën e Perëndisë, e cila vepron te ju besimtarët.» (1 Sel. 2:13) Po pse atëherë judenjtë në Bere u përshkruan si më të gatshëm për të mësuar?
16. Pse bereasit përshkruhen me të drejtë «të gatshëm për të mësuar»?
16 Ndonëse po dëgjonin diçka të re, bereasit nuk ishin skeptikë ose tepër kritikë, dhe as naivë. Së pari, e dëgjuan me vëmendje Pavlin. Pastaj, e verifikuan atë që mësuan, duke hapur Shkrimet, të cilat Pavli ua kishte shpjeguar. Për më tepër, e studionin me zell Fjalën e Perëndisë, jo vetëm në Sabat, por çdo ditë. Këtë e bënin «me etje të madhe». Kalonin kohë që të kuptonin se si shpjegoheshin në Shkrime gjërat e reja që kishin mësuar. Më pas, u treguan mjaft të përulur sa të bënin ndryshime, sepse «shumë prej tyre u bënë besimtarë». (Vep. 17:12) Nuk habitemi që Luka i përshkruan «të gatshëm për të mësuar».
17. (a) Pse është kaq i lavdërueshëm shembulli i bereasve? (b) Si mund të vazhdojmë ta ndjekim këtë shembull edhe kur kemi shumë kohë në të vërtetën?
17 Bereasve as u shkonte ndër mend se reagimi i tyre ndaj lajmit të mirë do të dokumentohej e do të ruhej si një shembull i shkëlqyer për kohën tonë. Ata bënë pikërisht atë që kishte shpresuar Pavli dhe atë që dëshironte prej tyre Perëndia Jehova. Edhe ne për këtë i inkurajojmë njerëzit: ta shqyrtojnë me kujdes Biblën, që besimi i tyre të bazohet fortësisht në të. Pasi kemi marrë të vërtetën, a do të thotë se s’kemi më nevojë të jemi të gatshëm për të mësuar? Përkundrazi, është edhe më e rëndësishme të jemi të etur për t’u mësuar nga Jehovai dhe të shpejtë për të zbatuar mësimet e tij. Kështu e lejojmë Jehovain të na modelojë e të na stërvitë sipas vullnetit të tij. (Isa. 64:8) Në këtë mënyrë mbetemi të dobishëm për Atin tonë qiellor dhe e kënaqim plotësisht.
18, 19. (a) Pse u largua Pavli nga Berea, por si ngulmoi, duke na lënë një shembull? (b) Kujt do t’i predikonte më tej Pavli dhe ku?
18 Pavli nuk ndenji gjatë në Bere. Lexojmë: «Kur judenjtë e Selanikut morën vesh se Pavli po e shpallte fjalën e Perëndisë edhe në Bere, shkuan edhe atje që të nxitnin dhe të turbullonin turmat. Atëherë, vëllezërit e nisën menjëherë Pavlin në drejtim të detit, ndërsa Sila dhe Timoteu qëndruan atje. Megjithatë, ata që e përcollën Pavlin, e çuan deri në Athinë. Pastaj u kthyen me porosinë që Sila e Timoteu të shkonin sa më parë tek ai.» (Vep. 17:13-15) Sa këmbëngulës që ishin ata armiq të lajmit të mirë! Sikur të mos mjaftonte që e dëbuan Pavlin nga Selaniku, udhëtuan deri në Bere dhe u orvatën të shkaktonin të njëjtat trazira atje, por më kot. Pavli e dinte se territori i tij ishte i paanë, prandaj thjesht shkoi të predikonte diku tjetër. Le të jemi edhe ne sot po kaq të vendosur që përpjekjet e atyre që duan të ndalin veprën e predikimit të dalin huq!
19 Pasi u kishte dhënë dëshmi të plotë judenjve në Selanik e Bere, Pavli me siguri mësoi sa rëndësi ka të japësh dëshmi me guxim e të arsyetosh nga Shkrimet. Kemi mësuar shumë edhe ne. Por tani Pavli do të përballej me një auditor krejt ndryshe: jojudenjtë e Athinës. Ç’e priste në atë qytet? Do ta shohim në kapitullin vijues.
a Sipas një studiuesi, në atë kohë ekzistonte një dekret i Cezarit që ndalonte çfarëdo parashikimi «për ardhjen e një mbreti a mbretërie të re, sidomos ardhjen e dikujt që mendohej se do t’i uzurponte fronin perandorit ekzistues ose do ta gjykonte». Fare mirë armiqtë e Pavlit mund ta kenë shtrembëruar mesazhin e tij që të dilte si shkelje e këtij dekreti. Shih kutinë «Cezarët e përmendur në librin e Veprave».