KAPITULLI 18
‘Kërkojeni Perëndinë dhe gjejeni vërtet’
Pavli vendosi një bazë të përbashkët dhe u përshtat me auditorin
Bazuar te Veprat 17:16-34
1-3. (a) Pse u trazua Pavli në Athinë? (b) Ç’mësojmë duke studiuar shembullin e Pavlit?
PAVLI ishte shumë i trazuar. Ndodhej në Athinë të Greqisë, në djepin e kulturës, ku dikur kishin dhënë mësim filozofë si Sokrati, Platoni dhe Aristoteli. Athina ishte qytet mjaft fetar. Ngado që Pavli hidhte sytë, në tempuj, sheshe e rrugë, shihte tërë ata idhuj, pasi athinasit adhuronin një sërë perëndish. Pavli e dinte ç’mendonte për idhujtarinë Jehovai, Perëndia i vërtetë. (Eks. 20:4, 5) Edhe apostulli besnik kishte të njëjtën pikëpamje, i urrente idhujt.
2 Pavli u trondit sidomos nga ajo që pa në agorë, në sheshin e pazarit. Në skajin veriperëndimor, pranë hyrjes kryesore, ishin rreshtuar një numër i madh statujash falike të perëndisë Hermes.a Sheshi i pazarit ishte plot e përplot me faltore. Si do të predikonte apostulli i zellshëm në atë atmosferë kaq idhujtare? A do ta përmbante dot veten e të vendoste një bazë të përbashkët me dëgjuesit? A do të arrinte të ndihmonte ndonjë që të kërkonte dhe ta gjente vërtet Perëndinë?
3 Fjalimi i Pavlit para burrave të ditur të Athinës, i dokumentuar te Veprat 17:22-31, është model oratorie, takti dhe aftësie dalluese. Duke studiuar shembullin e tij, mësojmë shumë se si të vendosim një bazë të përbashkët me dëgjuesit tanë dhe t’i ndihmojmë të arsyetojnë.
Mësoi «në sheshin e pazarit» (Veprat 17:16-21)
4, 5. Në ç’zonë të Athinës predikoi Pavli, dhe ç’auditor të vështirë gjeti?
4 Pavli shkoi në Athinë gjatë udhëtimit të dytë misionar, rreth vitit 50 të e.s.b Ndërsa priste të vinin Sila dhe Timoteu nga Berea, «nisi të arsyetonte në sinagogë me judenjtë», siç e kishte zakon. Gjithashtu, gjeti një territor ku mund t’u predikonte athinasve që s’ishin judenj: «sheshin e pazarit» ose agorën. (Vep. 17:17) Agora e Athinës, në veriperëndim të Akropolit, zinte pak a shumë 5 hektarë tokë. Nuk ishte vetëm një vend ku shitej e blihej, por ishte sheshi publik i qytetit. Në një vepër referimi thuhet se ishte «vatra ekonomike, politike e kulturore e qytetit». Athinasit kishin shumë qejf të mblidheshin atje e të merreshin me diskutime intelektualësh.
5 Në sheshin e pazarit Pavli gjeti një auditor të vështirë. Mes dëgjuesve kishte epikurianë dhe stoikë, pjesëtarë të dy shkollave filozofike rivale.c Epikurianët besonin se jeta kishte ardhur rastësisht. Pikëpamja e tyre për jetën përmblidhej me këto fjalë: «S’ka pse ta kesh frikë Perëndinë; s’ndien asgjë kur vdes; e mira mund të arrihet; e keqja mund të durohet.» Stoikët e vinin theksin tek arsyeja dhe logjika e nuk besonin se Perëndia është një person. As epikurianët, as stoikët nuk besonin te ringjallja që mësonin dishepujt e Krishtit. Ishte e qartë se pikëpamjet filozofike të këtyre dy grupeve nuk përputheshin me të vërtetat e larta të krishterimit të vërtetë që predikonte Pavli.
6, 7. Si reaguan disa intelektualë grekë ndaj mësimeve të Pavlit, dhe ç’reagim të ngjashëm shohim sot?
6 Si reaguan intelektualët grekë ndaj mësimeve të Pavlit? Disa përdorën një fjalë që do të thotë «llafazan» ose «mbledhës farërash». (Vep. 17:18) Për këtë term grek, një studiues thotë: «Fillimisht fjala përdorej për një zog të vogël që vinte vërdallë e mblidhte kokrra gruri, dhe më vonë u përdor për njerëzit që mblidhnin mbeturinat e ushqimeve dhe sende të tjera të hedhura në sheshin e pazarit. Më tej u përdor në kuptimin e figurshëm për njerëzit që mblidhnin aty-këtu copëza informacionesh, e sidomos për ata që nuk arrinin t’i lidhnin siç duhej.» Me fjalë të tjera, ata burra të ditur po thoshin se Pavli ishte një injorant që thjesht përsëriste çka kishte dëgjuar. Por, siç do ta shohim, Pavlin nuk e stepën këto epitete fyese.
7 Njësoj është edhe sot. Si Dëshmitarë të Jehovait, shpesh na vënë epitete fyese për shkak të bindjeve tona të bazuara në Bibël. Për shembull, disa mësues shpjegojnë se evolucioni është një fakt dhe ngulin këmbë se po të jesh inteligjent, duhet ta pranosh. Me pak fjalë, i etiketojnë si injorantë ata që nuk pranojnë ta besojnë evolucionin. Këta njerëz të ditur duan që të tjerët të mendojnë se ne jemi «mbledhës farërash» kur u paraqitim atë që thotë Bibla dhe u tregojmë prova se gjërat në natyrë janë të projektuara. Por kjo nuk na step. Përkundrazi, e mbrojmë me bindje besimin tonë se jeta në tokë ka ardhur nga një Projektues inteligjent, nga Perëndia Jehova.—Zbul. 4:11.
8. (a) Si reaguan disa që dëgjuan Pavlin? (b) Çfarë mund të ketë qenë Areopagu ku e çuan Pavlin? (Shih shënimin në faqen 142.)
8 Disa të tjerë që dëgjuan predikimin e Pavlit në sheshin e pazarit, reaguan ndryshe. «Duket se është lajmëtar perëndish të huaja»,—nxorën si përfundim. (Vep. 17:18) A po u prezantonte Pavli vërtet perëndi të reja athinasve? Kjo ishte çështje serioze, pasi ngjante me një akuzë për të cilën, shekuj më parë, filozofi Sokrat ishte gjykuar e dënuar me vdekje. Nuk habitemi që Pavlin e çuan në Areopag dhe i kërkuan t’ua shpjegonte ato mësime që athinasve u dukeshin të çuditshme.d Si do ta mbronte mesazhin para njerëzve që s’i njihnin fare Shkrimet?
«Burra të Athinës, unë shoh se . . . » (Veprat 17:22, 23)
9-11. (a) Si u përpoq Pavli të vendoste një bazë të përbashkët me auditorin? (b) Si ta imitojmë në shërbim shembullin e Pavlit?
9 Nëse të kujtohet, Pavli u trazua jashtë mase nga gjithë ajo idhujtari që pa. Por, në vend që të sulmonte gjithë vrull adhurimin e idhujve, ruajti qetësinë. Me shumë takt u përpoq ta fitonte auditorin duke vendosur një bazë të përbashkët. Nisi me këto fjalë: «Burra të Athinës, unë shoh se në gjithçka ju i nderoni thellësisht perënditë më shumë se të tjerët.» (Vep. 17:22) Në njëfarë kuptimi, Pavli po thoshte: «E shoh se jeni shumë fetarë.» Me mençuri, ai i lavdëroi që kishin prirje fetare. Disa që janë të verbuar nga bindjet e rreme, mund ta kenë zemrën të butë, dhe Pavli e kishte kuptuar këtë. Në fund të fundit, edhe ai vetë dikur ‘vepronte nga padija dhe nga mungesa e besimit’.—1 Tim. 1:13.
10 Duke ndërtuar mbi një bazë të përbashkët, Pavli u tha se kishte parë një provë që tregonte se ishin fetarë: një altar kushtuar «Një Perëndie të Panjohur». Sipas një burimi, «grekët dhe të tjerët e kishin zakon t’u kushtonin altarë ‘perëndive të panjohura’, nga frika se mos në adhurimin e tyre kishin lënë jashtë ndonjë perëndi që mund të fyhej nga kjo». Me këtë altar, athinasit pranonin ekzistencën e një Perëndie që s’e njihnin. Pikërisht këtë element përdori Pavli për të kaluar te lajmi i mirë që po predikonte. U shpjegoi: «Po ju shpall atë që ju e adhuroni pa e njohur.» (Vep. 17:23) Arsyetimi i Pavlit ishte indirekt, por i fuqishëm. Ai s’po predikonte për një perëndi të ri ose të huaj, siç e kishin akuzuar disa. Po u fliste për Perëndinë që s’e njihnin, Perëndinë e vërtetë.
11 Si ta imitojmë në shërbim shembullin e Pavlit? Po të jemi vëzhgues të mirë, mund të shohim prova se një njeri është fetar, për shembull ndonjë send që mban në trup ose në shtëpi a në oborr. Mund t’i themi: «E shoh se jeni besimtar(e). Po shpresoja të flisja me dikë që është fetar.» Duke pranuar me takt që tjetri ka bindjet e veta fetare, mund të vëmë një bazë të përbashkët mbi të cilën të ndërtojmë. Mos harro se nuk kemi si synim t’i paragjykojmë të tjerët nisur nga bindjet fetare. Mes bashkadhuruesve tanë, kemi shumë që, një herë e një kohë, i besonin me sinqeritet disa bindje të rreme fetare.
Perëndia «nuk është larg nga secili prej nesh» (Veprat 17:24-28)
12. Si iu përshtat Pavli dëgjuesve kur predikoi?
12 Pavli kishte vendosur një bazë të përbashkët, por a do ta mbante deri në fund? E dinte se dëgjuesit e tij kishin mësuar filozofinë greke dhe nuk i njihnin Shkrimet, prandaj e përshtati predikimin në disa mënyra. Së pari, foli për mësimet e Biblës pa cituar drejtpërdrejt nga Shkrimet. Së dyti, përfshiu edhe veten mes dëgjuesve, duke përdorur nganjëherë vetën e parë shumës. Së treti, citoi nga literatura greke, për të treguar se disa gjëra që po mësonte, ishin shprehur edhe në veprat e tyre. Tani le ta shqyrtojmë më hollësisht fjalimin e fuqishëm të Pavlit. Ç’të vërteta të rëndësishme përcolli për Perëndinë të cilin athinasit nuk e njihnin?
13. Çfarë shpjegoi Pavli për origjinën e universit dhe ç’nënkuptonin fjalët e tij?
13 Perëndia krijoi universin. Pavli tha: «Perëndia që bëri botën dhe gjithçka në të, duke qenë Zotëri i qiellit dhe i tokës, nuk banon në tempuj të bërë me duar.»e (Vep. 17:24) Universi nuk erdhi rastësisht. Perëndia i vërtetë është Krijuesi i gjithçkaje. (Psal. 146:6) Ndryshe nga perëndesha Athina ose nga hyjnitë e tjera, lavdia e të cilave varej nga tempujt, faltoret e altarët, Zotërinë Sovran të qiellit e të tokës nuk e mbajnë dot tempujt e ndërtuar nga duart e njeriut. (1 Mbret. 8:27) Ishte e qartë ku donte të dilte Pavli: Perëndia i vërtetë është më i madh se çdo idhull e tempull i bërë nga njerëzit.—Isa. 40:18-26.
14. Si tregoi Pavli se Perëndia nuk varet nga njerëzit?
14 Perëndia nuk varet nga njerëzit. Idhujtarët ishin mësuar t’i vishnin me rroba luksoze idhujt e tyre, t’i mbulonin me dhurata të kushtueshme ose t’u çonin ushqim e pije, sikur të kishin nevojë për gjëra të tilla. Mirëpo, ka të ngjarë që disa filozofë grekë në auditor të besonin se një perëndi s’duhet të ketë nevojë për asgjë nga njerëzit. Nëse është kështu, sigurisht që ata ishin dakord me pohimin e Pavlit se Perëndia nuk kërkon «t’i shërbejnë duart e njeriut, sikur të ketë nevojë për ndonjë gjë». Në fakt, Krijuesi s’ka nevojë që njerëzit t’i japin diçka. Përkundrazi, ai u jep njerëzve ç’u nevojitet, «jetë, frymë dhe gjithçka», duke përfshirë diellin, shiun dhe tokën pjellore. (Vep. 17:25; Zan. 2:7) Pra, Perëndia, Ai që jep, nuk varet nga njerëzit, domethënë nga ata që marrin.
15. Si arsyetoi Pavli për të hedhur poshtë bindjen e athinasve se qëndronin më lart se popujt e tjerë? Ç’mësim të rëndësishëm nxjerrim nga shembulli i tij?
15 Perëndia bëri njeriun. Athinasit besonin se qëndronin më lart se popujt e tjerë që nuk ishin grekë. Por, krenaria për kombin ose racën është në kundërshtim me të vërtetën e Biblës. (Ligj. 10:17) Pavli e trajtoi me takt e mjeshtëri këtë çështje delikate. Fjalët e tij, «nga një njeri i vetëm, [Perëndia] bëri të gjitha kombet», me siguri i vunë në mendime dëgjuesit. (Vep. 17:26) Ai po i referohej tregimit të Zanafillës për Adamin, paraardhësin e racës njerëzore. (Zan. 1:26-28) Meqë të gjithë njerëzit kanë të njëjtin paraardhës, asnjë racë ose komb nuk qëndron më lart se një tjetër. Dëgjuesit e Pavlit s’kishin si të mos e kuptonin këtë pikë. Nga shembulli i tij nxjerrim një mësim të rëndësishëm. Edhe pse përpiqemi të tregojmë takt e arsyetueshmëri në predikim, nuk duam ta zbutim të vërtetën e Biblës që t’ua bëjmë më të pranueshme njerëzve.
16. Cili është qëllimi i Krijuesit për njerëzit?
16 Perëndia ka si qëllim që njerëzit t’i afrohen. Edhe sikur filozofët në atë auditor të kishin debatuar gjatë rreth qëllimit të ekzistencës njerëzore, kurrë s’do ta kishin shpjeguar në mënyrë të logjikshme. Kurse Pavli e tregoi qartë qëllimin e Krijuesit për njerëzit, domethënë që të kërkojnë Perëndinë. «Nëse ata e kërkojnë me ngulm, mund ta gjejnë vërtet, edhe pse, në fakt, ai nuk është larg nga secili prej nesh». (Vep. 17:27) Perëndia që ishte i panjohur për athinasit, s’është aspak i panjohshëm. S’është larg nga ata që vërtet duan ta gjejnë e të mësojnë për të. (Psal. 145:18) Vër re se Pavli përdori përemrin ‘ne’, duke përfshirë edhe veten ndër ata që duhej ‘ta kërkonin me ngulm’ Perëndinë.
17, 18. Pse njerëzit duhet të kenë dëshirën për ta njohur Perëndinë, dhe ç’mësojmë nga mënyra si iu përshtat Pavli auditorit?
17 Njerëzit duhet të kenë dëshirën për ta njohur Perëndinë. Pavli tha se falë Tij «ne kemi jetë, lëvizim dhe ekzistojmë». Disa studiues thonë se ai po u referohej fjalëve të Epimenidit, një poeti kretas të shekullit të gjashtë p.e.s., «një figure të rëndësishme të traditës fetare athinase». Pavli dha edhe një arsye tjetër pse duhet të dëshirojmë që ta njohim Perëndinë: «Siç kanë thënë edhe disa nga poetët tuaj: ‘Sepse edhe ne jemi fëmijë të tij.’» (Vep. 17:28) Njerëzit duhet të kenë ndjenja të tilla për Perëndinë, pasi ai krijoi njeriun e parë nga i cili erdhën gjithë të tjerët. Për t’iu përshtatur auditorit, me mençuri Pavli citoi drejtpërdrejt nga literatura greke që pa dyshim dëgjuesit e tij e respektonin.f Ashtu siç bëri Pavli, nganjëherë edhe ne mund të përdorim ndonjë citim nga librat e historisë, enciklopeditë ose vepra të tjera referimi të njohura. Për shembull, një citim i përshtatshëm nga një burim i respektuar mund ta ndihmojë dikë që s’është Dëshmitar të bindet për origjinën e disa praktikave ose zakoneve të rreme fetare.
18 Deri në këtë pikë të fjalimit, Pavli kishte paraqitur të vërteta themelore për Perëndinë, duke ua përshtatur me mjeshtëri fjalët auditorit. Ç’priste nga dëgjuesit athinas pasi u kishte dhënë këto informacione jetike? Pa e zgjatur më tej, ua tha në vazhdim të fjalimit.
‘Njerëzit kudo qofshin, duhet të pendohen’ (Veprat 17:29-31)
19, 20. (a) Si e demaskoi me takt Pavli marrëzinë e adhurimit të idhujve të bërë nga njerëzit? (b) Ç’duhej të bënin dëgjuesit e Pavlit?
19 Pavli u bë gati t’i nxiste dëgjuesit të vepronin. Iu referua përsëri citimit nga literatura greke dhe tha: «Prandaj, meqë jemi fëmijët e Perëndisë, të mos mendojmë se Perëndia i ngjan arit, argjendit a gurit, diçkaje të gdhendur sipas artit dhe sajesës së njerëzve.» (Vep. 17:29) Vërtet, nëse njerëzit janë produkt i duarve të Perëndisë, si mund të marrë Ai formën e idhujve, që janë produkt i duarve të njerëzve? Arsyetimi me takt i Pavlit demaskoi marrëzinë e adhurimit të idhujve të bërë nga njerëzit. (Psal. 115:4-8; Isa. 44:9-20) Duke përfshirë edhe veten në shprehjen «të mos mendojmë», pa dyshim Pavli e zbuti lëndimin që mund të sillte ky qortim.
20 Apostulli e bëri të qartë se ata duhej të vepronin: «Perëndia i mbylli sytë para kohëve të një padijeje të tillë [mendimit se Ai mund të kënaqej me njerëz që adhurojnë idhujt], por tani po u bën thirrje të gjithë njerëzve kudo qofshin që të pendohen.» (Vep. 17:30) Disa nga dëgjuesit e Pavlit mund të jenë tronditur kur kanë dëgjuar këtë thirrje për pendim. Por fjalimi i tij i fuqishëm u tregoi hapur se ia detyronin jetën Perëndisë, prandaj do t’i jepnin llogari Atij. Duhej ta kërkonin Perëndinë, të mësonin të vërtetën për të dhe ta përputhnin jetën me këtë të vërtetë. Për athinasit, kjo do të thoshte të kuptonin se idhujtaria është mëkat dhe të hiqnin dorë prej saj.
21, 22. Me cilat fjalë të forta e mbylli fjalimin Pavli dhe ç’kuptim kanë ato për ne?
21 Pavli e mbylli fjalimin me fjalë të forta: «[Perëndia] ka caktuar një ditë, në të cilën do të gjykojë me drejtësi tokën e banuar nëpërmjet një njeriu që ka emëruar, dhe u ka dhënë garanci të gjithëve duke e ringjallur atë nga të vdekurit.» (Vep. 17:31) Do të vinte një Ditë Gjykimi, dhe kjo ishte arsye serioze që të kërkonin e të gjenin Perëndinë e vërtetë. Pavli nuk e tregoi emrin e Gjykatësit që kishte emëruar Perëndia. Por tha diçka befasuese për të: kishte jetuar si njeri, kishte vdekur, dhe Perëndia e kishte ringjallur.
22 Kjo mbyllje nxitëse është plot kuptim për ne sot. E dimë se Gjykatësi i emëruar nga Perëndia është Jezu Krishti i ringjallur. (Gjoni 5:22) Dimë edhe se Dita e Gjykimit do të zgjatë 1.000 vjet dhe po afrohet me të shpejtë. (Zbul. 20:4, 6) S’duhet të kemi frikë nga Dita e Gjykimit, pasi e kuptojmë se do të sjellë bekime të panumërta për ata që do të quhen besnikë. Përmbushjen e shpresës sonë për një të ardhme të lavdishme e garanton mrekullia më e madhe, ringjallja e Jezu Krishtit.
«Disa . . . u bënë besimtarë» (Veprat 17:32-34)
23. Ç’reagime shkaktoi fjalimi i Pavlit?
23 Fjalimi i Pavlit shkaktoi reagime të ndryshme. Kur dëgjuan për ringjalljen, «disa filluan ta tallnin». Të tjerë ishin të sjellshëm, por s’donin të angazhoheshin, dhe thanë: «Do të të dëgjojmë prapë për këtë.» (Vep. 17:32) Pati edhe nga ata që reaguan mirë: «Disa burra u bashkuan me të e u bënë besimtarë. Ndër ta ishte edhe Dionisi, gjykatës i gjyqit të Areopagut, një grua që quhej Damaris, e bashkë me ta edhe disa të tjerë.» (Vep. 17:34) Edhe sot hasim të njëjtat reagime në shërbim. Disa mund të na tallin, kurse të tjerë përgjigjen me mirësjellje, por s’duan të angazhohen. Gjithsesi, kënaqemi shumë kur disa e pranojnë mesazhin e Mbretërisë dhe bëhen besimtarë.
24. Ç’mësojmë nga fjalimi që mbajti Pavli në Areopag?
24 Ndërsa mendojmë thellë për fjalimin e Pavlit, mund të mësojmë shumë për zhvillimin logjik, argumentet bindëse, si dhe për përshtatjen me auditorin. Gjithashtu, mësojmë se duhet të jemi të duruar dhe të kemi takt me ata që janë të verbuar nga bindjet e rreme fetare. Nxjerrim edhe këtë mësim të rëndësishëm: kurrë s’duhet të bëjmë kompromis me të vërtetën e Biblës vetëm që të mos lëndojmë dëgjuesit tanë. Sidoqoftë, duke imituar shembullin e apostullit Pavël, mund të bëhemi mësues më të efektshëm në shërbim. Edhe mbikëqyrësit mund të bëhen mësues më të kualifikuar në kongregacion. Kështu do të jemi më se të pajisur për t’i ndihmuar të tjerët «që të kërkojnë Perëndinë . . . [dhe] ta gjejnë vërtet».—Vep. 17:27.
a Sipas një burimi, këto statuja paraqitnin në mënyrë të qartë vetëm kokën dhe organin mashkullor, kurse pjesët e tjera të trupit i paraqitnin në mënyrë skematike.
b Shih kutinë «Athina, djepi i kulturës në botën e lashtë».
c Shih kutinë «Epikurianët dhe stoikët».
d Areopagu, në veriperëndim të Akropolit, ishte vendi tradicional ku mblidhej gjykata e lartë e Athinës. Termi «Areopag» mund t’i referohet ose gjykatës, ose vetë kodrës. Prandaj, mes studiuesve ka mendime të ndryshme nëse Pavlin e çuan te kodra ose pranë saj, apo te një mbledhje e gjykatës diku tjetër, ndoshta në agorë.
e Fjala greke e përkthyer ‘botë’ është kósmos. Në Bibël kósmos përdoret në përgjithësi për njerëzit, por grekët e përdornin këtë fjalë për universin fizik. Ka mundësi që Pavli, i cili po mundohej të mbante një bazë të përbashkët me auditorin grek, ta ketë përdorur termin në këtë kuptim.
f Pavli citoi nga poema Fenomenet, e poetit stoik, Aratit. Fjalë të ngjashme gjenden edhe në vepra të tjera greke, ndër të cilat Himn për Zeusin, e poetit stoik, Kleanthit.