KAPITULLI 20
‘Fjala e Jehovait përhapej e triumfonte’, pavarësisht nga kundërshtimi
Kontributi që dhanë Apoli dhe Pavli për përparimin e lajmit të mirë
Bazuar te Veprat 18:23–19:41
1, 2. (a) Ç’rrezik hasën në Efes Pavli dhe shokët e tij të udhëtimit? (b) Ç’do të shqyrtojmë në këtë kapitull?
RRUGËT e Efesit oshtinin nga britmat, thirrjet dhe zhurmat e njerëzve që vraponin. Një turmë u mblodh dhe filloi të shkaktonte një trazirë të vërtetë. Njerëz nga turma kapën dhe morën me forcë dy shokë udhëtimi të apostullit Pavël. Rruga e gjerë me kolonada ku ndodheshin dyqanet, u boshatis sa hap e mbyll sytë, ndërkohë që turma e tërbuar vërshoi në amfiteatrin gjigant të qytetit, që nxinte 25.000 spektatorë. Shumica e njerëzve as që e dinin pse po shkaktohej trazira, por dyshonin se po u kërcënohej tempulli dhe perëndesha e tyre e shtrenjtë Artemisë. Prandaj, nisën të bërtitnin pareshtur: «E madhe është Artemisa e efesianëve!»—Vep. 19:34.
2 Edhe një herë, shohim se si Satanai përpiqet të përdorë turmat e dhunshme që të ndalë përhapjen e lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Natyrisht, kërcënimi me dhunë nuk është e vetmja taktikë e Satanait. Në këtë kapitull do të shqyrtojmë disa nga intrigat e tij për të minuar veprën dhe unitetin e të krishterëve të shekullit të parë. Ç’është më e rëndësishmja, do të shohim se të gjitha këto taktika dështuan dhe se ‘fjala e Jehovait u përhap e triumfoi’. (Vep. 19:20) Pse dolën fitimtarë ata të krishterë? Për të njëjtat arsye pse dalim fitimtarë edhe ne sot. Fitorja nuk është meritë e jona, por e Jehovait. Gjithsesi, ashtu si të krishterët e shekullit të parë, duhet të bëjmë pjesën tonë. Me ndihmën e frymës së Jehovait mund të zhvillojmë cilësi që do të na ndihmojnë të kemi sukses në shërbim. Le të shqyrtojmë fillimisht shembullin e Apolit.
«Njohës i mirë i Shkrimeve» (Veprat 18:24-28)
3, 4. Ç’mangësi vunë re Akuila dhe Prishila tek Apoli, dhe çfarë bënë?
3 Ndërsa Pavli ishte rrugës për në Efes gjatë udhëtimit të tretë misionar, në qytet mbërriti një jude me emrin Apol. Ishte nga qyteti i famshëm i Aleksandrisë, në Egjipt. Apoli kishte disa cilësi të rralla. Fliste bukur e rrjedhshëm. Veç gojëtarisë, ishte edhe «njohës i mirë i Shkrimeve». Për më tepër, «vlonte nga zelli falë frymës». Gjithashtu, tregonte guxim kur fliste me judenjtë në sinagogë.—Vep. 18:24, 25.
4 Akuila dhe Prishila e dëgjuan Apolin tek fliste. Pa dyshim u kënaqën që «mësonte me saktësi gjërat për Jezuin». Por, edhe pse gjërat që thoshte për Jezuin ishin të sakta, shpejt vunë re se Apoli kishte mangësi në njohuri. Ai «njihte vetëm pagëzimin e Gjonit». Ndonëse Akuila dhe Prishila ishin njerëz të thjeshtë që bënin tenda, nuk u stepën nga gojëtaria ose arsimimi i Apolit. Ata «e morën me vete dhe i shtjelluan më saktë udhën e Perëndisë». (Vep. 18:25, 26) Si reagoi ai njeri i ditur e gojëtar? Siç duket, shfaqi një nga cilësitë më të rëndësishme që mund të kultivojë një i krishterë: përulësinë.
5, 6. Si u bë më i dobishëm Apoli për Jehovain dhe ç’mësojmë nga shembulli i tij?
5 Ngaqë pranoi ndihmën e Akuilës dhe të Prishilës, Apoli u bë shërbëtor më i efektshëm i Jehovait. Vazhdoi udhëtimin në Akai, ku «i ndihmoi shumë ata që ishin bërë besimtarë». Gjithashtu u dha dëshmi të efektshme edhe judenjve të atij rajoni që ngulnin këmbë se Jezui nuk ishte Mesia i parathënë. Luka raporton: «Tërë entuziazëm, provonte plotësisht para të gjithëve se judenjtë e kishin gabim, ndërsa u tregonte me anë të Shkrimeve se Jezui ishte Krishti.» (Vep. 18:27, 28) Ç’ndihmë e vyer që ishte Apoli për kongregacionet! Madje, pati një rol që ‘fjala e Jehovait’ të triumfonte. Ç’mund të mësojmë nga shembulli i Apolit?
6 Si të krishterë duhet ta zhvillojmë me çdo kusht përulësinë. Secili nga ne është bekuar me dhurata të ndryshme, qofshin këto aftësi të lindura, përvojë ose njohuri që mund të kemi fituar. Por, përulësia duhet të spikatë më tepër se çdo dhuratë që kemi. Përndryshe, pikat tona të forta mund të na kthehen në pengesë e të bëhemi tokë pjellore ku mund të lulëzojë fodullëku. (1 Kor. 4:7; Jak. 4:6) Po të jemi vërtet të përulur, do të përpiqemi t’i shohim të tjerët si më të lartë se veten. (Filip. 2:3) Nuk do të mërzitemi kur të na ndreqin dhe as do ta kemi problem të na mësojnë të tjerët. Pa diskutim s’do të ngulim këmbë me krenari në idetë tona kur mësojmë se ato nuk përputhen me drejtimin e frymës së shenjtë. Për sa kohë të mbetemi të përulur, Jehovai dhe Biri i tij do të na përdorin me kënaqësi.—Luka 1:51, 52.
7. Si lanë një shembull përulësie Pavli dhe Apoli?
7 Përulësia nuk lejon as të lindin rivalitete. E përfytyron dot sa shumë dëshironte Satanai të krijonte të çara mes të krishterëve të hershëm? Sa do të kënaqej sikur dy njerëz me personalitete kaq dinamike sa ç’ishin Apoli dhe apostulli Pavël të bëheshin rivalë, ndoshta duke konkurruar kush e kush të ndikonte më tepër te kongregacionet. Kjo s’duhet të kishte qenë e vështirë për ta. Në Korint, disa të krishterë nisën të thoshin «unë i përkas Pavlit», kurse të tjerë thoshin «unë Apolit». A nxitën ndjenja të tilla përçarëse Pavli dhe Apoli? Jo. Pavli e vlerësoi kontributin e Apolit për veprën dhe i dha privilegje shërbimi të mëtejshme. Apoli, nga ana e vet, ndoqi drejtimin që i dha Pavli. (1 Kor. 1:10-12; 3:6, 9; Titit 3:12, 13) Sa shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit me përulësi!
«Arsyetonte në mënyrë bindëse rreth Mbretërisë» (Veprat 18:23; 19:1-10)
8. Ç’rrugë ndoqi Pavli për t’u kthyer në Efes dhe përse?
8 Pavli kishte premtuar se do të kthehej në Efes dhe e mbajti fjalën.a (Vep. 18:20, 21) Por vër re se si u kthye. Herën e fundit që folëm për të, e lamë në Antiokinë e Sirisë. Që atje mund t’i kishte rënë shkurt për në Seleuki dhe pastaj të merrte një anije që të shkonte në Efes me rrugë detare. Por, në vend të kësaj, përshkoi «rajonet në brendësi». Sipas një përllogaritjeje, rruga që bëri Pavli, siç përshkruhet te Veprat 18:23 dhe 19:1, ishte rreth 1.600 kilometra. Pse zgjodhi një rrugë të tillë të vështirë e të lodhshme? Sepse kishte si synim ‘të forconte të gjithë dishepujt’. (Vep. 18:23) Udhëtimi i tretë misionar do t’i merrte shumë energji, siç kishte ndodhur me të dytin, por ai mendonte se e gjithë kjo ia vlente. Mbikëqyrësit qarkorë dhe gratë e tyre tregojnë një frymë të ngjashme. Sa e vlerësojmë dashurinë e tyre vetëmohuese!
9. Pse një grup dishepujsh duhej të pagëzohej përsëri, dhe ç’mund të mësojmë nga ata?
9 Në Efes, Pavli gjeti një grup prej 12 dishepujsh të Gjon Pagëzorit, të cilët ishin pagëzuar prej tij, por ky pagëzim nuk ishte më i vlefshëm. Për më tepër, dukej se dinin fare pak ose asgjë për frymën e shenjtë. Pavli u shpjegoi rëndësinë e pagëzimit në emër të Jezuit dhe, ashtu si Apoli, ata u treguan të përulur e të etur për të mësuar. Pasi u pagëzuan në emër të Jezuit, morën frymën e shenjtë dhe disa dhurata të mrekullueshme. Pra, duket qartë se ndjekja e drejtimit të ri që jep organizata e Jehovait, sjell bekime.—Vep. 19:1-7.
10. Pse Pavli kaloi nga sinagoga në sallën e një shkolle dhe çfarë shembulli la për ne kur predikojmë?
10 Shpejt pati zhvillime të tjera. Pavli kishte 3 muaj që predikonte me guxim në sinagogë. Ndonëse «arsyetonte në mënyrë bindëse rreth Mbretërisë së Perëndisë», disa u ngurtësuan dhe u bënë kundërshtarë të fortë. Në vend që të humbte kohë me ata që «flitnin keq për Udhën», Pavli mori masa të mbante fjalime në sallën e një shkolle. (Vep. 19:8, 9) Ata që donin të mësonin më shumë për Mbretërinë e Perëndisë, duhej të iknin nga sinagoga e të shkonin në atë sallë. Ashtu si Pavli, edhe ne mund ta mbyllim një bisedë kur kuptojmë se i zoti i shtëpisë nuk ka dëshirë të dëgjojë ose do vetëm të debatojë. Ka ende plot njerëz të sinqertë që duhet të dëgjojnë mesazhin tonë shpresëdhënës.
11, 12. (a) Çfarë shembulli la Pavli duke qenë i palodhur dhe elastik? (b) Si janë përpjekur Dëshmitarët e Jehovait të jenë të palodhur dhe elastikë në shërbim?
11 Pavli mund të ketë folur përditë në atë sallë, nga ora 11 paradite deri në orën 4 pasdite. (Vep. 19:9) Ka mundësi që këto të kenë qenë orët më të qeta, por edhe më të nxehta të ditës, kur shumë veta e ndërpritnin punën që të hanin e të çlodheshin. Mendo: sikur Pavli ta ketë ndjekur këtë program për dy vjet, do të ketë kaluar mbi 3.000 orë duke mësuar të tjerët.b Këtu shohim edhe një arsye tjetër pse fjala e Jehovait vazhdoi të përhapej e të triumfonte. Pavli ishte i palodhur dhe elastik. E përshtaste programin që shërbimi i tij të plotësonte nevojat e njerëzve të atij territori. Me çfarë rezultati? «Të gjithë ata që banonin në provincën e Azisë, qoftë judenj, qoftë grekë, e dëgjuan fjalën e Zotërisë.» (Vep. 19:10) Dha vërtet dëshmi të plotë!
12 Edhe sot, si Dëshmitarë të Jehovait punojmë pa u lodhur dhe jemi elastikë. Përpiqemi t’i takojmë njerëzit kurdo dhe kudo që të jenë. Japim dëshmi në rrugë, në tregje dhe në vende ku ka njerëz. Mund t’i kontaktojmë njerëzit me telefon ose me letra. Edhe kur predikojmë shtëpi më shtëpi, përpiqemi t’i takojmë në oraret kur ka më tepër mundësi t’i gjejmë.
‘Fjala e Jehovait përhapej e triumfonte’, pavarësisht nga frymërat e liga (Veprat 19:11-22)
13, 14. (a) Ç’fuqi i dha Jehovai Pavlit? (b) Ç’gabim bënë djemtë e Skevit dhe cilin gabim të ngjashëm bëjnë mjaft njerëz që e quajnë veten «të krishterë»?
13 Luka na informon se shërbimi i Pavlit pati rezultate të mrekullueshme, sidomos ngaqë Jehovai i dha fuqi «të kryente vepra të jashtëzakonshme e të fuqishme». Të sëmurëve u çonin madje edhe shamitë e përparëset e Pavlit, dhe ata shëroheshin. Edhe frymërat e liga dilnin në këtë mënyrë.c (Vep. 19:11, 12) Fitore të tilla të jashtëzakonshme mbi Satanain tërhoqën vëmendjen e shumë vetave, por jo gjithnjë për mirë.
14 «Disa judenj që udhëtonin nga një vend në tjetrin për të dëbuar demonë», u orvatën të imitonin këto mrekulli duke përdorur emrin e Jezuit dhe të Pavlit. Luka përmend rastin e shtatë djemve të Skevit, pjesëtarë të një familjeje priftërore, që provuan të bënin këtë. Por demoni u tha: «Jezuin e di kush është dhe Pavlin e njoh. Po ju, kush jeni?» Atëherë njeriu që kishte frymën e ligë i sulmoi ata mashtrues, u hodh mbi ta si bishë e egër, dhe ata ia mbathën, të zhveshur e me plagë. (Vep. 19:13-16) Kjo ishte një fitore e madhe për ‘fjalën e Jehovait’, pasi u bë shumë i qartë kontrasti mes fuqisë që i ishte dhënë Pavlit dhe pafuqisë së atyre anëtarëve të fesë së rreme. Sot ka miliona njerëz që gabimisht mendojnë se, për të kënaqur Perëndinë, mjafton të thërrasin emrin e Jezuit ose ta quajnë veten «të krishterë». Por, siç tregoi Jezui, vetëm ata që bëjnë vullnetin e Atit të tij, kanë shpresë të vërtetë për të ardhmen.—Mat. 7:21-23.
15. Si mund të ndjekim shembullin e efesianëve për sa i përket spiritizmit dhe objekteve të lidhura me praktikat spiritiste?
15 Kur u bë e qartë se djemtë e Skevit ishin të pafuqishëm, shumë veta u bënë të krishterë dhe braktisën praktikat spiritiste. Shumë efesianë praktikonin magjinë. Ata përdornin gjerësisht hajmalitë, si dhe yshtjet, shpesh në formë të shkruar. Por tani, shumë efesianë u motivuan t’i sillnin librat e tyre të magjisë e t’i digjnin para të gjithëve, ndonëse dukej qartë se vlenin me dhjetëra mijë dollarë, sipas valutës së sotme.d Luka raporton: «Kështu, falë fuqisë së Jehovait, fjala e tij vazhdonte të përhapej e të triumfonte.» (Vep. 19:17-20) Ç’fitore madhështore e së vërtetës mbi fenë e rreme dhe demonizmin! Ata njerëz besnikë lanë një shembull të mirë për ne sot. Edhe ne jetojmë në një botë të zhytur thellë në spiritizëm. Nëse zbulojmë se kemi diçka që ka lidhje me spiritizmin, duhet të veprojmë si efesianët dhe ta flakim ose ta shkatërrojmë menjëherë. Le t’u qëndrojmë larg praktikave të tilla të pështira, cilado qoftë kostoja!
«Ndodhi një trazirë e madhe» (Veprat 19:23-41)
16, 17. (a) Përshkruaj si e nisi Dhimitri trazirën në Efes. (b) Si e treguan efesianët fanatizmin e tyre?
16 Tani le të shqyrtojmë taktikën e Satanait që përshkroi Luka, kur tha se «ndodhi një trazirë e madhe lidhur me Udhën». Ai nuk po e ekzagjeronte.e (Vep. 19:23) Trazirën e nisi një argjendar që quhej Dhimitër. U tërhoqi vëmendjen zejtarëve të tjerë duke u kujtuar fillimisht se pasuria e tyre varej nga shitja e idhujve. Pastaj u tha se mesazhi që predikonte Pavli i prishte punë biznesit të tyre, sepse të krishterët nuk adhuronin idhuj. Së fundi, i bëri thirrje krenarisë qytetare dhe nacionalizmit të dëgjuesve, duke i paralajmëruar se madhështia e perëndeshës së tyre Artemisë dhe e tempullit me famë botërore kushtuar asaj, rrezikonte ‘të humbiste’.—Vep. 19:24-27.
17 Fjalimi i Dhimitrit solli rezultatin e dëshiruar. Argjendarëtf nisën të thërritnin: «E madhe është Artemisa e efesianëve!» Qyteti u bë rrëmujë, teksa turma fanatike për të cilën folëm në fillim të kapitullit, filloi të mblidhej e të protestonte. Si vetëmohues që ishte, Pavli donte të shkonte në amfiteatër e t’i fliste turmës, por dishepujt ngulën këmbë të mos rrezikonte. Njëfarë Aleksandri doli para turmës dhe u përpoq t’u fliste. Meqë ishte jude, mund të ketë pasur ndër mend t’u shpjegonte dallimin mes judenjve dhe këtyre të krishterëve. Por turmës nuk i interesonin këto shpjegime. Kur morën vesh se ishte jude, ata i bërtitën të largohej dhe thirrën pa pushim, për rreth 2 orë: «E madhe është Artemisa e efesianëve!» Fanatizmi fetar s’ka ndryshuar fare që nga ajo kohë. Edhe sot e kësaj dite, i bën njerëzit krejt të paarsyeshëm.—Vep. 19:28-34.
18, 19. (a) Si e qetësoi turmën sekretari i qytetit? (b) Si i kanë mbrojtur disa herë autoritetet shërbëtorët e Jehovait dhe ç’mund të bëjmë që të gëzojmë këtë mbrojtje?
18 Më në fund, turmën e qetësoi sekretari i qytetit. Ky zyrtar i aftë dhe mendjemprehtë i siguroi se as tempulli, as perëndesha e tyre nuk rrezikoheshin nga këta të krishterë; se Pavli dhe shokët e tij s’kishin kryer asnjë krim kundër tempullit të Artemisës dhe se kishte mënyra ligjore për t’i zgjidhur këto çështje. Ndoshta komenti i tij më i efektshëm ishte kur i kujtoi turmës se rrezikonin të shkaktonin zemërimin e Romës për këtë grumbullim të paligjshëm e të shfrenuar. Kaq mjaftoi dhe turma u shpërnda. Aq shpejt sa kishte shpërthyer zemërimi i tyre, po aq shpejt u shua falë këtyre fjalëve të arsyeshme dhe realiste.—Vep. 19:35-41.
19 S’ishte hera e parë që një njeri me autoritet, i qetë dhe i ekuilibruar vepronte në mbrojtje të dishepujve të Jezuit, dhe s’do të ishte as hera e fundit. Në fakt, apostulli Gjon kishte parë në një vegim se, gjatë ditëve të fundit, elementët e qëndrueshëm të kësaj bote, të paraqitur nga toka, do të përpinin një lumë të vërtetë përndjekjesh satanike kundër dishepujve të Jezuit. (Zbul. 12:15, 16) Ka ndodhur pikërisht kështu. Në shumë raste, gjykatës me mendje të hapur kanë mbrojtur të drejtat e Dëshmitarëve të Jehovait që të mblidhen për të adhuruar e të përhapin lajmin e mirë. Natyrisht, edhe sjellja jonë mund të luajë një rol në fitore të tilla. Me sa duket, falë sjelljes së tij, Pavli kishte fituar respektin dhe miqësinë e disa zyrtarëve në Efes, të cilët donin me çdo kusht që ai të shpëtonte. (Vep. 19:31) Urojmë që edhe sjellja jonë e ndershme dhe e respektueshme t’u lërë përshtypje të mirë atyre që takojmë. Kurrë s’mund ta dimë ç’rezultate mund të vijnë.
20. (a) Ç’mendon për mënyrën si triumfoi fjala e Jehovait në shekullin e parë dhe si po triumfon sot? (b) Ç’duhet të bësh që të kesh një rol në fitoret e Jehovait sot?
20 A nuk mahnitemi kur mendojmë se si ‘fjala e Jehovait vazhdonte të përhapej e të triumfonte’ në shekullin e parë?! Po njësoj mahnitemi kur shohim si na ka dhënë Jehovai fitore të ngjashme në kohën tonë. A do të doje të kishe privilegjin që të luaje një rol, sado të vogël, në këto fitore? Atëherë, mëso nga shembujt që kemi shqyrtuar. Vazhdo të jesh i përulur, ec në një hap me drejtimin e organizatës së Jehovait, ji i palodhur, flake tej spiritizmin dhe bëj çmos të japësh dëshmi të mirë me sjelljen tënde të ndershme e të respektueshme.
a Shih kutinë «Efesi, kryeqyteti i Azisë».
b Kur ishte në Efes, Pavli shkroi edhe 1 Korintasve.
c Shamitë, Pavli mund t’i ketë lidhur në ballë që të mos i binte djersa në sy. Fakti që mbante edhe përparëse, tregon se mund të ketë ushtruar zanatin e bërjes së tendave gjatë orëve të lira, ndoshta herët në mëngjes.—Vep. 20:34, 35.
d Luka përmend një vlerë prej 50.000 monedhash argjendi. Nëse e kishte fjalën për denarin, në atë kohë një punëtori do t’i ishin dashur 50.000 ditë punë, pra rreth 137 vjet, që të fitonte atë sasi parash duke punuar 7 ditë në javë.
e Disa thonë se Pavli iu referua këtij rasti kur u tha korintasve se ‘nuk ishin të sigurt as për vetë jetën’. (2 Kor. 1:8) Por mund të ketë pasur ndër mend një rast edhe më të rrezikshëm. Kur shkroi se ishte ‘kacafytur me bishat në Efes’, mund ta ketë pasur fjalën ose për ndonjë përleshje me bishat e egra në një arenë, ose për kundërshtimin e njerëzve. (1 Kor. 15:32) Që të dyja këto shpjegime mund të jenë të vërteta.
f Këto esnafe ose shoqata zejtarësh mund të ishin shumë të fuqishme. Për shembull, rreth një shekull më vonë esnafi i bukëpjekësve shkaktoi një trazirë të ngjashme në Efes.