GJONI
[ekuivalenti në shqip i emrit hebraik Jehohanan që do të thotë «Jehovai ka treguar miratim; Jehovai ka qenë hirmadh»].
1. Gjon Pagëzori, biri i Zakarisë dhe i Elizabetës; pararendësi i Jezuit. Të dy prindërit e Gjonit vinin nga familja priftërore e Aaronit. Zakaria ishte prift i ndarjes së Abijahut.—Lu 1:5, 6.
Lind me anë të një mrekullie. Në vitin 3 p.e.s., ndërkohë që në tempull shërbente ndarja e Abijahut, i erdhi radha Zakarisë të paraqiste temjan në shenjtërore, një privilegj i rrallë. Teksa qëndronte para altarit të temjanit, atij iu shfaq engjëlli Gabriel që i tha se do t’i lindte një djalë, të cilin duhej ta quante Gjon. Gjithë jetën ai do të ishte nazire, njësoj si Samsoni. Do të ishte i madh në sytë e Jehovait e do të shkonte para Tij ‘që të bënte gati për Jehovain një popull të përgatitur’. Meqë Zakaria dhe Elizabeta ishin të shkuar në moshë, Gjoni do të lindte me anë të një mrekullie hyjnore.—Lu 1:7-17.
Muajin e gjashtë të shtatzënisë, Elizabetën e vizitoi Maria, një e afërme e saj që ishte shtatzënë me frymën e shenjtë. Sapo dëgjoi përshëndetjen e Marisë, foshnja në barkun e Elizabetës hovi. E mbushur me frymë të shenjtë, ajo e pranoi se fëmija që do të lindte Maria do të ishte ‘Zotëria’ i saj.—Lu 1:26, 36, 39-45.
Kur Elizabeta lindi, fqinjët e farefisi donin t’i vinin foshnjës emrin e të atit, por Elizabeta tha: «Në asnjë mënyrë! Ai do të quhet Gjon.» Pastaj pyetën Zakarinë si donte ta quante të birin. Që nga koha që kishte folur me engjëllin Gabriel, Zakaria nuk mund të fliste, prandaj shkroi në një pllakë: «Emri i tij është Gjon.» Në çast Zakarisë iu zgjidh gjuha dhe filloi të fliste. Atëherë të gjithë e pranuan se dora e Jehovait ishte me fëmijën.—Lu 1:18-20, 57-66.
Fillon shërbimin. Vitet e para të jetës Gjoni i kaloi në zonën kodrinore të Judesë, ku jetonin prindërit e tij. Fëmija «rritej e forcohej në frymë. Ai qëndroi në shkretëtirë deri ditën kur iu shfaq hapur Izraelit». (Lu 1:39, 80) Sipas Lukës, Gjoni e filloi shërbimin në vitin e 15-të të mbretërimit të Tiber Cezarit. Në atë kohë Gjoni duhet të ketë qenë rreth 30 vjeç. Megjithëse nuk thuhet askund se ai kreu shërbime priftërore në tempull, kjo ishte mosha kur priftërinjtë nisnin shërbimin. (Nu 4:2, 3) Augusti vdiq më 17 gusht të vitit 14 të e.s. dhe Tiberi u emërua perandor nga Senati i Romës më 15 shtator. Kështu, viti i 15-të i mbretërimit të tij i bie të ketë qenë nga fundi i vitit 28 të e.s. deri në gusht ose shtator të vitit 29 të e.s. Meqenëse Jezui (gjithashtu rreth 30 vjeç) shkoi të pagëzohej në vjeshtë, Gjoni që ishte 6 muaj më i madh, duhet ta ketë nisur shërbimin në pranverë të vitit 29 të e.s.—Lu 3:1-3, 23.
Gjoni e nisi predikimin në shkretëtirën e Judesë dhe thoshte: «Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afruar.» (Mt 3:1, 2) Njësoj si profeti Elija, ai vishte një rrobë me lesh deveje dhe mbante një brez lëkure rreth ijëve. Ushqehej me karkaleca dhe mjaltë. (2Mb 1:8; Mt 3:4; Mr 1:6) Ai ishte mësues, prandaj dishepujt e quanin «rabi».—Gjo 3:26.
Qëllimi i veprës së tij. Gjoni predikonte pagëzimin për faljen e mëkateve të atyre që pendoheshin, duke pagëzuar vetëm judenj e prozelitë. (Mr 1:1-5; Ve 13:24) Duke dërguar Gjonin, Perëndia tregoi dashamirësinë e tij të pamerituar për judenjtë. Ata si popull kishin bërë një besëlidhje me Jehovain, por ishin fajtorë për mëkatet që kishin kryer kundër besëlidhjes së Ligjit. Gjoni u kujtoi se kishin shkelur besëlidhjen dhe i nxiti njerëzit me zemër të sinqertë të pendoheshin. Pagëzimi i tyre në ujë simbolizonte pikërisht pendimin. Në këtë mënyrë ishin gati të pranonin Mesinë. (Ve 19:4) Te Gjoni vajtën të pagëzoheshin lloj-lloj njerëzish, madje edhe prostituta e taksambledhës. (Mt 21:32) Në pagëzim vajtën edhe farisenj e saducenj të cilëve Gjoni u shpalli një mesazh dënimi dhe u foli për gjykimin që po vinte. Ai nuk pati mëshirë për ta, përkundrazi i quajti «pjellë nepërkash» dhe u tha se prejardhja nga Abrahami në vetvete nuk do t’u shërbente për asgjë.—Mt 3:7-12.
Ata që shkonin tek ai, Gjoni i mësonte të ishin zemërgjerë e të mos i zhvatnin të tjerët, të kënaqeshin me ç’kishin dhe të mos i binin në qafë askujt. (Lu 3:10-14) Gjithashtu, ai i mësoi ithtarët e tij të pagëzuar si t’i luteshin Perëndisë. (Lu 11:1) Në këtë kohë «populli ishte në pritje të Krishtit dhe arsyetonin në zemër për Gjonin: ‘A thua është ai Krishti?’ » Gjoni tha se nuk ishte Krishti dhe shpalli se Ai që po vinte pas tij do të ishte shumë më i madh. (Lu 3:15-17) Priftërinjtë dhe levitët që shkuan tek ai në Betani matanë Jordanit, e pyetën nëse ishte Elija ose «Profeti», por Gjoni tha se nuk ishte.—Gjo 1:19-28.
Megjithëse nuk kreu mrekulli si Elija (Gjo 10:40-42), Gjoni veproi me frymën dhe fuqinë e Elijas. Ai bëri një vepër të fuqishme ‘duke i kthyer zemrat e etërve si ato të fëmijëve dhe të pabindurit te mençuria e të drejtëve’. Ai e përmbushi qëllimin për të cilin ishte dërguar, ‘të bënte gati për Jehovain një popull të përgatitur’. Faktikisht, ‘ai ktheu shumë nga bijtë e Izraelit te Jehovai, Perëndia i tyre’. (Lu 1:16, 17, NW) Ai i hapi rrugën përfaqësuesit të Jehovait, Jezu Krishtit.
Paraqet ‘Qengjin e Perëndisë’. Në vjeshtë të vitit 29 të e.s., Jezui shkoi te Gjoni për t’u pagëzuar. I vetëdijshëm për gjendjen e vet mëkatare dhe për drejtësinë e Jezuit, në fillim Gjoni kundërshtoi. Por Jezui këmbënguli. Perëndia i kishte premtuar Gjonit se do t’i jepte një shenjë për të njohur Birin e Tij. (Mt 3:13; Mr 1:9; Lu 3:21; Gjo 1:33) Kur u pagëzua Jezui, shenja u përmbush: Gjoni pa frymën e Perëndisë të zbriste mbi Jezuin dhe dëgjoi vetë zërin e Perëndisë që tha se Jezui ishte Biri i Tij. Me sa duket në pagëzimin e Jezuit nuk pati të pranishëm të tjerë.—Mt 3:16, 17; Mr 1:9-11; Gjo 1:32-34; 5:31, 37.
Pas pagëzimit, Jezui kaloi rreth 40 ditë në shkretëtirë. Kur u kthye, Gjoni ua paraqiti Jezuin dishepujve të vet duke thënë se ai ishte ‘Qengji i Perëndisë që do të hiqte mëkatin e botës’. (Gjo 1:29) Të nesërmen, ia paraqiti Birin e Perëndisë Andreas dhe një dishepulli tjetër, ndoshta Gjonit, birit të Zebedeut. (Gjo 1:35-40) Kështu, Gjon Pagëzori, si «portieri» besnik i vathës izraelite, filloi t’i drejtonte dishepujt e vet te «bariu i shkëlqyer».—Gjo 10:1-3, 11.
Ndërkohë që dishepujt e Jezuit pagëzonin në Jude, Gjoni pagëzonte në Enon, afër Salimit. (Gjo 3:22-24) Kur dëgjoi se Jezui po bënte shumë dishepuj, Gjoni nuk u bë xheloz, por tha: «Gëzimi im është bërë i plotë. Ai do të vazhdojë të shtohet, kurse unë do të vazhdoj të pakësohem.»—Gjo 3:26-30.
Ditët e fundit të shërbimit të tij. Fjalët e Gjonit dolën të vërteta. Pasi shërbeu plot zell për një vit ose ca më shumë se një vit, Gjonit ia mbyllën gojën me forcë. Herod Antipa e futi në burg, sepse Gjoni e kishte qortuar për martesën kurorëshkelëse me Herodiadën, të cilën ia kishte rrëmbyer të vëllait, Filipit. Antipa, gjoja prozelit që respektonte Ligjin, kishte frikë nga Gjoni, pasi e dinte se ishte i drejtë.—Mr 6:17-20; Lu 3:19, 20.
Gjatë kohës që ishte në burg, Gjoni dëgjoi se Jezui po kryente vepra të fuqishme, madje kishte ringjallur të birin e një vejushe në Nain. Duke dashur t’i dëgjonte këto nga vetë Jezui, ai dërgoi dy nga dishepujt e tij që ta pyesnin: «A je ti Ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?» Jezui nuk u përgjigj drejtpërdrejt, por para dishepujve të Gjonit shëroi shumë të sëmurë, e madje dëboi demonë. Pastaj u tha t’i tregonin Gjonit se të verbër, të shurdhër e të çalë po shëroheshin dhe se lajmi i mirë po predikohej. Kështu, jo thjesht me fjalë, por me dëshminë e veprave të Jezuit, Gjoni u ngushëllua dhe u sigurua se Jezui ishte vërtet Mesia (Krishti). (Mt 11:2-6; Lu 7:18-23) Pasi ikën të dërguarit e Gjonit, Jezui u tha turmave se Gjoni ishte më shumë se një profet, se faktikisht ishte ai për të cilin kishte shkruar profeti i Jehovait, Malakia. Gjithashtu tregoi se për Gjonin zbatohej profecia e Isaisë 40:3, siç kishte bërë më parë Zakaria, i ati i Gjonit.—Ma 3:1; Mt 11:7-10; Lu 1:67, 76; 7:24-27.
Veç kësaj, Jezu Krishti u shpjegoi dishepujve të tij se ardhja e Gjonit kishte përmbushur profecinë e Malakisë 4:5, 6 që thoshte se Perëndia do të dërgonte profetin Elija para se të vinte dita e madhe dhe e frikshme e Jehovait. Megjithatë, sado i madh të ishte Gjoni («ndër ata që kanë lindur nga gratë, s’ka dalë asnjë më i madh se Gjon Pagëzori»), ai nuk do të bënte pjesë në klasën e ‘nuses’ që do të ishte në qiell me Krishtin (Zb 21:9-11; 22:3-5), sepse Jezui tha: «Më i vogli në mbretërinë e qiejve është më i madh se ai.» (Mt 11:11-15; 17:10-13; Lu 7:28-30) Gjithashtu, tërthorazi, Jezui e mbrojti Gjonin nga akuza se kishte një demon.—Mt 11:16-19; Lu 7:31-35.
Pak kohë më vonë, Herodiada shfreu mërinë e saj kundër Gjonit. Gjatë festës për ditëlindjen e Herodit, e bija e Herodiadës e magjepsi Herodin me kërcimin e saj, aq sa ky iu betua se do t’i jepte çfarë të kërkonte. E mësuar nga e ëma, ajo kërkoi kokën e Gjonit. Për të mos e shkelur betimin dhe për sy të të pranishmëve, ai ia plotësoi kërkesën. Gjonit i prenë kokën në burg dhe ia çuan në një tabaka vajzës, e cila ia çoi së ëmës. Më vonë, dishepujt e Gjonit shkuan e morën trupin e Gjonit dhe e varrosën; gjithashtu i treguan Jezuit ç’kish ndodhur.—Mt 14:1-12; Mr 6:21-29.
Pas vdekjes së Gjonit, Herodi dëgjoi se Jezui predikonte, shëronte dhe dëbonte demonë. Kjo e frikësoi se mendoi se mos Jezui në të vërtetë ishte Gjoni i ringjallur. Që nga ky moment, ai donte shumë ta shihte Jezuin, jo për të dëgjuar predikimin e tij, por për t’u siguruar për atë që mendonte.—Mt 14:1, 2; Mr 6:14-16; Lu 9:7-9.
Pagëzimi i Gjonit mbaron. Pagëzimi i Gjonit vazhdoi deri në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., kur u derdh fryma e shenjtë. Që nga ajo kohë, filloi të predikohej pagëzimi «në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë». (Mt 28:19; Ve 2:21, 38) Ata që më pas u pagëzuan me pagëzimin e Gjonit u desh të pagëzoheshin sërish në emër të Zotërisë Jezu që të merrnin frymën e shenjtë.—Ve 19:1-7.
2. I ati i apostullit Simon Pjetër. Sipas Dorëshkrimit Sinaitik dhe versioneve të latinishtes së vjetër, te Gjoni 1:42 dhe 21:15-17 ai quhet Gjon. Në disa dorëshkrime dhe versione të tjera ai quhet Jonë. Jezui e quajti Joná te Mateu 16:17.
3. Apostulli Gjon, biri i Zebedeut dhe, me sa duket, i Salomës (krahaso Mt 27:55, 56; Mr 15:40); vëlla i apostullit Jakov. Meqenëse kur përmenden bashkë, Jakovi përmendet i pari, ka të ngjarë që Gjoni të ketë qenë më i vogël se ai. (Mt 10:2; Mr 1:19, 29; 3:17; 10:35, 41; Lu 6:14; 8:51; 9:28; Ve 1:13) Zebedeu ishte martuar me Salomën nga shtëpia e Davidit. Ajo mund të ketë qenë motra e Marisë, nënës së Jezuit.
Prejardhja. Duket se familja e Gjonit ishte në gjendje të mirë. Ata zotëronin një aktivitetet të madh peshkimi, sa mund të kishin ortakë e mëditës. (Mr 1:19, 20; Lu 5:9, 10) Gruaja e Zebedeut, Saloma, ishte një nga ato që e shoqëruan Jezuin dhe i shërbyen kur ishte në Galile. (Krahaso Mt 27:55, 56; Mr 15:40, 41.) Gjithashtu, ajo ishte një ndër gratë që çuan erëza për ta përgatitur trupin e Jezuit për varrim. (Mr 16:1) Gjoni mund të ketë pasur një shtëpi të vetën.—Gjo 19:26, 27.
Zebedeu dhe Saloma ishin hebrenj besnikë dhe gjithçka tregon se e kishin rritur Gjonin siç mësonin Shkrimet. Mendohet se ai ishte dishepulli i Gjon Pagëzorit që ishte me Andrean kur Gjoni tha: «Shihni, Qengji i Perëndisë!» Gatishmëria e tij për ta pranuar Jezuin si Krishti tregon se i njihte Shkrimet Hebraike. (Gjo 1:35, 36, 40-42) Ndonëse askund nuk thuhet se Zebedeu u bë dishepull i Gjon Pagëzorit ose i Krishtit, duket se ai nuk i kundërshtoi dy bijtë e tij të bëheshin predikues të plotkohorë me Krishtin.
Kur Gjonin dhe Pjetrin i çuan para krerëve judenj, i quajtën «njerëz të pashkolluar e të thjeshtë». Megjithatë, kjo nuk do të thoshte se ata nuk kishin asnjë lloj arsimimi apo se ishin analfabetë, por që nuk kishin frekuentuar shkollat rabinike. Madje, vargu thotë se «filluan të kuptonin se ata kishin qenë me Jezuin».—Ve 4:13.
Bëhet dishepull i Krishtit. Pasi ia prezantuan Jezuin si Krishti në vjeshtë të vitit 29 të e.s., Gjoni shkoi me të në Galile dhe pa me sytë e tij mrekullinë e parë të Jezuit në Kanë. (Gjo 2:1-11) Ai mund ta ketë shoqëruar Jezuin nga Galilea në Jerusalem dhe pastaj përsëri në Galile duke kaluar nga Samaria, sepse tregimi i tij i gjallë të bën të mendosh se është shkruar nga pena e një dëshmitari okular, ndonëse tregimi nuk e thotë këtë. (Gjo 2-5) Sidoqoftë, edhe pasi u njoh me Jezuin, Gjoni nuk e la për ca kohë peshkimin. Një vit më vonë, teksa Jezui ecte përgjatë detit të Galilesë, Jakovi dhe Gjoni ishin në barkë me të atin, Zebedeun, duke ndrequr rrjetat. Ai i ftoi t’i kushtoheshin plotësisht veprës si «peshkatarë njerëzish» dhe tregimi i Lukës shton: «Atëherë ata i nxorën barkat në tokë, braktisën çdo gjë dhe e ndoqën.» (Mt 4:18-22; Lu 5:10, 11; Mr 1:19, 20) Më vonë, u zgjodhën si apostuj të Zotërisë Jezu Krisht.—Mt 10:2-4.
Gjoni ishte një nga tre shokët më të afërt të Jezuit. Pikërisht atë, Pjetrin dhe Jakovin Jezui i mori në mal për të parë shpërfytyrimin. (Mt 17:1, 2; Mr 9:2; Lu 9:28, 29) Nga të gjithë apostujt vetëm ata u lejuan të hynin në shtëpinë e Jairit me Jezuin. (Mr 5:37; Lu 8:51) Natën që Jezuin e tradhtuan, ata patën privilegjin të shkonin bashkë me të më thellë se të tjerët në kopshtin e Getsemanisë. Në atë kohë ata nuk e kuptonin plotësisht rëndësinë e rastit dhe tri herë rresht i zuri gjumi e Jezui i zgjoi. (Mt 26:37, 40-45; Mr 14:33, 37-41) Gjoni zuri vend pranë Jezuit gjatë Pashkës së fundit dhe themelimit të Darkës së Zotërisë. (Gjo 13:23) Ai ishte dishepulli të cilit, para se të vdiste, Jezui i besoi nderin e madh që të kujdesej për të ëmën.—Gjo 21:7, 20; 19:26, 27.
Identifikohet në Ungjillin e tij. Në Ungjillin e tij, Gjoni nuk e përmend asnjëherë emrin e vet, por paraqitet si një nga bijtë e Zebedeut ose si dishepulli që Jezui e donte. Ndryshe nga shkrimtarët e tjerë të Ungjijve, Gjon Pagëzorin ai e quan vetëm «Gjon». Kjo ishte më se normale për dikë që kishte të njëjtin emër, pasi askush s’do të ngatërrohej se për kë fliste. Të tjerë do të kishin shtuar një emër tjetër a titull ose ndonjë term përshkrues për ta dalluar për kë e kishin fjalën, siç bën vetë Gjoni kur flet për një nga Maritë.—Gjo 11:1, 2; 19:25; 20:1.
Nëse e shohim tregimin e tij në këtë dritë, duket qartë se Gjoni ishte shoku i Andreas që nuk i përmendet emri dhe që Gjon Pagëzori ia prezantoi Jezu Krishtit. (Gjo 1:35-40) Pas ringjalljes së Jezuit, Gjoni e la prapa Pjetrin teksa vraponin drejt varrit për të këqyrur nëse Jezui ishte ringjallur vërtet. (Gjo 20:2-8) Ai pati privilegjin ta shihte Jezuin të ringjallur po atë mbrëmje (Gjo 20:19; Lu 24:36) dhe përsëri javën pasuese. (Gjo 20:26) Ishte një nga ata të shtatë që iu kthyen peshkimit dhe të cilëve iu shfaq Jezui. (Gjo 21:1-14) Gjithashtu, Gjoni ishte në malin në Galile pasi Jezui u ringjall dhe dëgjoi me veshët e tij urdhrin: «Bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet.»—Mt 28:16-20.
Ngjarje të mëvonshme. Pas ngjitjes së Jezuit në qiell, Gjoni ishte në Jerusalem kur u mblodhën rreth 120 dishepuj dhe Matia u zgjodh me short për të qenë një nga 12 apostujt. (Ve 1:12-26) Ai ishte i pranishëm kur u derdh fryma e Perëndisë në festën e Ditës së Pesëdhjetë dhe atë ditë pa t’i shtoheshin kongregacionit 3.000 të pagëzuar. (Ve 2:1-13, 41) Ai bashkë me Pjetrin pohuan para autoriteteve judeje parimin që ndiqte kongregacioni i shërbëtorëve të Perëndisë: «Gjykojeni vetë në është e drejtë në sytë e Perëndisë t’ju dëgjojmë ju dhe jo Perëndinë. Sepse ne nuk pushojmë dot së foluri për ato që kemi parë e dëgjuar.» (Ve 4:19, 20) Më vonë, ai dhe apostujt e tjerë thanë para Sinedrit: «Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve.»—Ve 5:27-32.
Pasi judenjtë e tërbuar ekzekutuan Stefanin, nisi një përndjekje e egër kundër kongregacionit të Jerusalemit dhe dishepujt u shpërndanë. Mirëpo Gjoni me apostujt e tjerë qëndruan në Jerusalem. Predikimi i ungjillëzuesit Filip kishte nxitur shumë veta në Samari të pranonin fjalën e Perëndisë, ndaj trupi udhëheqës dërgoi Pjetrin dhe Gjonin t’i ndihmonin këta dishepuj të rinj të merrnin frymën e shenjtë. (Ve 8:1-5, 14-17) Më vonë, Pavli tha se Gjoni ishte një nga ata «që ishin të pranuar si shtylla» në kongregacionin e Jerusalemit. Gjoni, si anëtar i trupit udhëheqës, i dha Pavlit dhe Barnabës «dorën e djathtë, për të treguar se ishin dakord», kur i dërguan t’u predikonin kombeve (jojudenjve). (Ga 2:9) Rreth vitit 49 të e.s., Gjoni mori pjesë në mbledhjen e trupit udhëheqës për çështjen e rrethprerjes së jojudenjve që kishin përqafuar besimin e ri.—Ve 15:5, 6, 28, 29.
Kur ishte ende në tokë, Jezu Krishti kishte thënë se Gjoni do të jetonte më gjatë se apostujt e tjerë. (Gjo 21:20-22) Në fakt, Gjoni i shërbeu me besnikëri Jehovait për rreth 70 vjet. Nga fundi i jetës së tij, e syrgjynosën në ishullin e Patmosit, ‘ngaqë kishte folur për Perëndinë dhe kishte dhënë dëshmi për Jezuin’. (Zb 1:9) Kjo tregon se edhe në moshë shumë të shkuar (rreth vitit 96 të e.s.), ai predikonte me shumë zell lajmin e mirë.
Gjatë kohës që ishte në Patmos, Gjonit iu dha vegimi i mrekullueshëm i Zbulesës, të cilin ai e dokumentoi me besnikëri. (Zb 1:1, 2) Mendohet se e çoi në mërgim perandori Domician dhe e liroi pasuesi i tij, perandori Nerva (96-98 të e.s.). Sipas traditës, ai shkoi në Efes ku shkroi Ungjillin e tij dhe tri letrat e quajtura Letra e Parë, Letra e Dytë dhe Letra e Tretë e Gjonit, rreth vitit 98 të e.s. Në përgjithësi mendohet se vdiq në Efes rreth vitit 100 të e.s., në kohën e perandorit Trajan.
Personaliteti. Studiuesit në përgjithësi janë të mendimit se Gjoni nuk shquhej si njeri i hedhur dhe ishte sentimental e i mbyllur. Një komentues thotë: «Gjoni jetoi si engjëll ngaqë kishte një mendje fisnike e idealiste dhe kridhej thellë në mendime.» (Commentary on the Holy Scriptures, nga Xh. P. Lengu, versioni i F. Shafit, 1976, vëll. 9, f. 6) Ata e bazojnë vlerësimin e tyre për personalitetin e Gjonit te fakti se ai foli shumë për dashurinë dhe sepse nga libri i Veprave të Apostujve nuk duket aq i rëndësishëm sa Pjetri dhe Pavli. Gjithashtu, nënvizojnë se, kur ishin bashkë, duket që Gjoni ka lënë Pjetrin të fliste i pari.
Është e vërtetë se kur Pjetri dhe Gjoni ishin bashkë, Pjetri fliste përherë i pari. Por në tregime nuk thuhet se Gjoni nuk e hapte gojën fare. Përkundrazi, para qeveritarëve dhe pleqve ata folën të dy pa frikë. (Ve 4:13, 19) Po ashtu, kur ishin para Sinedrit, Gjoni foli me guxim siç bënë edhe apostujt e tjerë, megjithëse me emër përmendet Pjetri. (Ve 5:29) Dhe sa për faktin që nuk ishte aktiv dhe energjik, a nuk ishte ai që nga padurimi e la pas Pjetrin kur po vraponin për te varri i Jezuit?—Gjo 20:2-8.
Që në fillim të shërbimit të tyre si apostuj, Gjonin dhe të vëllanë, Jakovin, Jezui i mbiquajti Boanerges (që do të thotë «bij të bubullimës»). (Mr 3:17) Ky titull tregon personalitetin e tyre dinamik dhe s’ka aspak lidhje me sentimentalizmin e dobët ose mungesën e forcës. Kur banorët e një fshati samaritan nuk deshën ta pranonin Jezuin, këta «bij të bubullimës» ishin gati të thërrisnin zjarr nga qielli që t’i shfaroste. Më parë, Gjoni ishte munduar ta pengonte një burrë të dëbonte demonë në emër të Jezuit. Në të dyja rastet, Jezui i qortoi dhe i ndreqi.—Lu 9:49-56.
Në këto raste, të dy vëllezërit e kishin gabim dhe nuk treguan aspak ekuilibrin, dashurinë e mëshirën që zhvilluan më vonë. Megjithatë, në të dyja herët ata treguan besnikëri dhe karakter të fortë e të vendosur. Këto cilësi të personalitetit të tyre, kur i shfaqën për qëllimin e duhur, i bënë dëshmitarë të fortë, energjikë e besnikë. Jakovi vdiq si martir me urdhër të Herod Agripës I (Ve 12:1, 2), kurse Gjoni, apostulli që vdiq i fundit, qëndroi i fortë porsi kolonë «në shtrëngime, në mbretëri dhe në qëndrueshmëri si ithtar i Jezuit».—Zb 1:9.
Kur Jakovi dhe Gjoni me sa duket e bindën të ëmën të kërkonte që ata të uleshin afër Krishtit në Mbretërinë e tij, shfaqën një ambicie që i indinjoi apostujt e tjerë. Por kjo i dha Jezuit mundësinë e shkëlqyer të shpjegonte se më i madhi mes tyre do të ishte ai që do t’u shërbente të tjerëve. Pastaj tregoi se edhe Ai kishte ardhur të shërbente dhe të jepte jetën si shpërblesë për shumë njerëz. (Mt 20:20-28; Mr 10:35-45) Sado që dëshira e tyre ishte egoiste, ky incident tregoi se sa reale ishte Mbretëria për ta.
Nëse Gjoni do të kish qenë siç e përshkruajnë komentuesit fetarë—i dobët, jo praktik, pa gjallëri dhe i mbyllur—sigurisht që Jezu Krishti nuk do t’i kishte besuar shkrimin e librit të fuqishëm e nxitës të Zbulesës, ku i nxit vazhdimisht të krishterët ta mundin botën, u thotë ta predikojnë lajmin e mirë anekënd dhe shpall gjykimet gjëmuese të Perëndisë.
Është e vërtetë që Gjoni flet për dashurinë më shumë se shkrimtarët e tjerë të Ungjijve. Por kjo nuk tregon sentimentalizëm të dobët. Përkundrazi, dashuria është një cilësi e fortë. I gjithë Ligji dhe Profetët bazoheshin te dashuria. (Mt 22:36-40) «Dashuria nuk shuhet kurrë.» (1Ko 13:8) Dashuria «është një lidhje e përsosur bashkimi». (Kl 3:14) Dashuria që nxiste Gjoni, u përmbahet parimeve dhe është në gjendje të qortojë, të ndreqë e të disiplinojë me forcë, ashtu siç është në gjendje të tregojë dashamirësi e mëshirë.
Sa herë që paraqitet në tri tregimet e Ungjijve paralelë, si edhe në të gjitha shkrimet e tij, Gjoni shfaq gjithmonë të njëjtën dashuri të fortë e besnikëri për Jezu Krishtin dhe për Atin e tij, Jehovain. Besnikëria dhe urrejtja për të keqen tregohen nga fakti që ai nxjerr në pah motivet e gabuara ose tiparet negative në veprimet e të tjerëve. Vetëm ai na thotë se Juda u ankua që Maria përdori një vaj të kushtueshëm për të lyer këmbët e Jezuit dhe se e bëri këtë ngaqë mbante arkën e parave e ngaqë ishte hajdut. (Gjo 12:4-6) Ai tregon se Nikodemi vajti te Jezui «natën». (Gjo 3:2) Ai nënvizon të metën serioze të Jozefit nga Arimatea që ishte «dishepull i fshehtë i Jezuit, nga frika e judenjve». (Gjo 19:38) Gjoni nuk mund ta pranonte që dikush të thoshte se ishte dishepull i Zotërisë së tij e t’i vinte turp për këtë.
Kur shkroi Ungjillin dhe letrat e tij, Gjoni e kishte kultivuar frytin e frymës shumë më tepër sesa kur ishte i ri dhe shoqërohej nga pak kohë me Jezuin. Patjetër që nuk ishte më ai që kishte kërkuar një vend të veçantë në Mbretëri. Në shkrimet e tij gjejmë prova të pjekurisë dhe këshilla të shkëlqyera që na ndihmojnë të imitojmë besimin, besnikërinë e zellin e tij.
4. Gjon Marku. Një nga dishepujt e Jezuit dhe shkrimtari i Lajmit të Mirë sipas Markut. Shpesh është quajtur ungjillëzuesi Mark. Mark ishte një emër tjetër i tij. Shtëpia e nënës së tij, Marisë, në Jerusalem, shërbente si vend mbledhjeje për dishepujt. (Ve 12:12) Ai shoqëroi Pavlin dhe Barnabën në udhëtimin e parë misionar të Pavlit (Ve 12:25; 13:5), por në Pergë të Pamfilisë i la dhe u kthye në Jerusalem. (Ve 13:13) Kjo ishte arsyeja pse më vonë Pavli nuk pranoi ta merrte Markun në udhëtimin tjetër misionar, ndaj Barnaba e mori me vete dhe shkoi në një drejtim tjetër. (Ve 15:36-41) Megjithatë, më vonë, Marku tregoi se ishte i besueshëm dhe i papërtuar, pasi Pavli i shkroi Timoteut nga Roma ku ishte i burgosur: «Merre me vete Markun dhe sille, sepse është i dobishëm për shërbimin tim.»—2Ti 4:11; shih MARKU.
5. Një nga krerët judenj (ndoshta i afërm i Hanait, njërit prej krerëve të priftërinjve) që bashkë me Hanain dhe Kajafën arrestuan Pjetrin e Gjonin dhe i morën në pyetje. Megjithëse kishin prova që Pjetri kishte bërë një mrekulli duke shëruar një të çalë, ata e urdhëruan Pjetrin dhe Gjonin ta ndalnin predikimin dhe i kërcënuan. Meqenëse nuk kishin arsye të ndërmerrnin ndonjë veprim kundër apostujve dhe i trembeshin popullit, u detyruan t’i lironin.—Ve 3:1-8; 4:5-22.