«Bjeri tokës për së gjati e për së gjeri»
«Bjeri tokës për së gjati e për së gjeri.»—Zanafilla 13:17, BR.
1. Cilin udhëzim të veçantë i dha Perëndia Abrahamit?
A TË pëlqen të bësh shëtitje në natyrë, ndoshta në fundjavë? Disa dalin me biçikletë, kështu mund të bëjnë edhe ca ushtrime, edhe të kënaqen duke parë përreth. Të tjerë bëjnë shëtitje në këmbë për ta njohur më mirë vendin dhe për ta parë më me nge. Zakonisht këto ekskursione nuk zgjatin shumë. Por, mendo si duhet të jetë ndier Abrahami pasi Perëndia i tha: «Ngrihu, bjeri tokës për së gjati e për së gjeri, sepse ty do të ta jap.»—Zanafilla 13:17, BR.
2. Ku shkoi Abrahami pasi u largua nga Egjipti?
2 Mendo pak për kontekstin e këtyre fjalëve. Së bashku me gruan dhe me të afërm të tjerë, Abrahami kishte udhëtuar për në Egjipt. Në kapitullin e 13-të të Zanafillës, sipas Përkthimit Bota e Re, na thuhet se ata u larguan nga Egjipti dhe i çuan kopetë në «Negeb». Më tej, Abrahami «mori rrugën nga njëri fushim në tjetrin, nga Negebi në Bethel». Kur lindi një problem midis barinjve të tij dhe barinjve të Lotit, nipit të tij, dhe u bë e dukshme se duhej të gjenin kullota larg njëri-tjetrit, me bujari Abrahami i dha Lotit të drejtën të zgjidhte i pari. Loti zgjodhi «krahinën e Jordanit», një luginë të gjelbër që ishte «si kopshti i Jehovait», e pas njëfarë kohe u vendos me banim në Sodomë. Perëndia i tha Abrahamit: «Ngriji sytë, të lutem, dhe shiko nga vendi ku je, drejt veriut, drejt jugut, drejt lindjes dhe drejt perëndimit.» Që nga vendi i lartë pranë Bethelit, Abrahami mund të shihte pjesët e tjera të vendit. Mirëpo nuk mbaroi me kaq. Perëndia e ftoi ‘t’i binte tokës për së gjati e për së gjeri’ dhe të njihej me mjediset e me rajonet e tij.
3. Pse mund të jetë e vështirë t’i përfytyrojmë udhëtimet e Abrahamit?
3 Pavarësisht se sa udhëtoi Abrahami para se të mbërrinte në Hebron, me siguri që ai e njihte Tokën e Premtuar më mirë se shumica prej nesh. Mendo për vendet që janë përmendur në këtë tregim: Negebi, Betheli, krahina e Jordanit, Sodoma dhe Hebroni. A e ke të vështirë të krijosh një përfytyrim se ku gjendeshin këto zona? Ky është një problem për shumë veta, sepse sot në popullin e Jehovait vetëm disa i kanë vizituar vendet për të cilat lexojnë në Bibël dhe i kanë përshkuar gjerë e gjatë. Megjithatë, jemi shumë të interesuar për t’i njohur vendet biblike dhe kemi arsye për këtë. Pse?
4, 5. (a) Si lidhet Proverbat 18:15 me njohurinë dhe kuptueshmërinë për vendet biblike? (b) Çfarë ilustron kapitulli i dytë i Sofonisë?
4 Në Fjalën e Perëndisë thuhet: «Zemra e atij që ka kuptueshmëri fiton njohuri dhe veshi i të mençurve kërkon të gjejë njohuri.» (Proverbat [Fjalët e urta] 18:15, BR) Ka shumë gjëra për të cilat mund të marrësh njohuri, por njohuria e saktë që ka lidhje me Perëndinë Jehova dhe me mënyrën si ka vepruar ai, ka rëndësi shumë të madhe. Sigurisht, për të marrë këtë lloj njohurie, është thelbësore ajo që lexojmë në Bibël. (2 Timoteut 3:16) Por, vër re se përfshihet edhe kuptueshmëria. Kjo është aftësia për të shqyrtuar një çështje, për të dalluar ose për të kuptuar lidhjen mes pjesëve të saj dhe së tërës. Një gjë e tillë vlen edhe për faktet që lidhen me vendet e përmendura në Bibël. Për shembull, shumë nga ne e dinë ku ndodhet Egjipti, por sa e kuptojmë pohimin që Abrahami shkoi nga Egjipti «në Negeb», e më vonë në Bethel, pastaj në Hebron? A e kupton si lidhen këto vende?
5 Ose mund të kesh ndjekur një program të leximit të Biblës ku përfshihej edhe kapitulli i dytë i Sofonisë. Aty lexojmë emra qytetesh, popujsh dhe vendesh. Gaza, Ashkeloni, Ashdodi, Ekroni, Sodoma dhe Ninevia, si edhe Kanaani, Moabi, Amoni dhe Asiria, përmenden që të gjitha në atë kapitull. Sa ke arritur t’i fiksosh në mendje këto vende ku kanë jetuar njerëz realë, popuj që u përfshinë në përmbushjen e profecive hyjnore?
6. Pse shumë lexues të Biblës i vlerësojnë hartat? (Shih kutinë.)
6 Shumë studentë të Fjalës së Perëndisë kanë nxjerrë vërtet dobi duke i gjetur në harta këto vende biblike. Këtë e bëjnë jo vetëm sepse u pëlqejnë hartat, por sepse e kuptojnë që duke i përdorur ato, mund ta shtojnë njohurinë për Fjalën e Perëndisë. Gjithashtu, hartat mund t’i ndihmojnë që të shtojnë kuptueshmërinë, kur shohin si lidhen faktet që i dinin me informacione të reja. Ndërsa tani do të shqyrtojmë disa shembuj, me siguri edhe ty do të të thellohet çmueshmëria për Jehovain e do të fitosh kuptueshmëri më të madhe për ngjarjet që përmenden në Fjalën e tij.—Shih kutinë në faqen 14.
Largësia ndihmon për të kuptuar më shumë
7, 8. (a) Ç’gjë të jashtëzakonshme bëri Samsoni kur ishte në Gazë? (b) Cilat hollësi e bëjnë edhe më domethënëse bëmën e Samsonit? (c) Si mund të na ndihmojë njohuria dhe kuptueshmëria rreth këtij tregimi për Samsonin?
7 Te Gjyqtarët 16:2 lexojmë që gjykatësi Samson ndodhej në Gazë. Sot emri Gaza përmendet shpesh në lajme, prandaj mund të kesh një ide të përgjithshme se ku ishte Samsoni, në territorin filistin pranë bregut të Detit Mesdhe. [gl 11] Tani vër re se çfarë thuhet te Gjyqtarët 16:3: «Sansoni ndejti shtrirë deri në mesnatë; pastaj në mesnatë u ngrit, kapi kanatet e portës së qytetit dhe dy shtalkat e saj i shkuli nga vendi bashkë me shufrat prej hekuri, i ngarkoi mbi kurriz dhe i çoi në majë të malit që ndodhet përballë Hebronit.»
8 Pa dyshim, portat dhe shtalkat e portave të një fortese si Gaza ishin të mëdha e të rënda. Mendo sa e vështirë do të ishte t’i mbaje mbi supe! Samsoni e bëri këtë, por ku i çoi dhe ç’lloj udhëtimi duhej të bënte? Atëherë, Gaza është në bregdet, pothuajse në nivelin e detit. [gl 15] Kurse Hebroni është në lindje, në lartësi 900 metra mbi nivelin e detit. Një ngjitje vërtet e mundimshme! Nuk e dimë se ku gjendet saktësisht ‘mali që ndodhet përballë Hebronit’, por vetë qyteti i Hebronit është rreth 60 kilometra larg Gazës dhe është rrugë e përpjetë. Tani që e dimë largësinë, bëma e Samsonit merr përmasa të reja për ne, apo jo? Veç kësaj, mos harro pse Samsoni arriti t’i bënte këto vepra të fuqishme. Arsyeja ishte se «fryma e Jehovait nisi të vepronte tek ai». (Gjyqtarët 14:6, 19; 15:14, BR) Sot, si të krishterë, nuk presim që fryma e Perëndisë të na japë forcë fizike të jashtëzakonshme. Megjithatë, po ajo frymë e fuqishme, mund të na shtojë kuptueshmërinë për gjërat e thella frymore dhe të na bëjë të fuqishëm sipas njeriut që jemi brenda. (1 Korintasve 2:10-16; 13:8; Efesianëve 3:16; Kolosianëve 1:9, 10) Vërtet, kur kuptojmë tregimin për Samsonin, bindemi se fryma e Perëndisë mund të na ndihmojë.
9, 10. (a) Ç’përfshinte fitorja e Gideonit mbi midianitët? (b) Si na ndihmon njohuria për vendet gjeografike që ky tregim të jetë më domethënës për ne?
9 Fitorja e Gideonit mbi midianitët është një tregim tjetër që thekson vlerën e njohjes së largësisë. Shumë lexues të Biblës e dinë se gjykatësi Gideon dhe 300 njerëzit e tij mundën një forcë ushtarake me 135.000 pushtues, që ishin midianitë, amalekitë dhe të tjerë. Këta kishin fushuar në ultësirën e Jezreelit, pranë kodrës së Morehut. [gl 18] Njerëzit që ishin me Gideonin u ranë brirëve, thyen qypat për të nxjerrë pishtarët dhe thirrën: «Shpata e Jehovait dhe e Gideonit!» Kjo i ngatërroi dhe i frikësoi armiqtë, të cilët filluan të vritnin njëri-tjetrin. (Gjykatësit 6:33; 7:1-22, BR) A mbaroi me kaq kjo ngjarje, vetëm me një veprim të shpejtë në errësirën e natës? Vazhdo leximin në Gjyq. kapitujt 7 dhe 8 të Gjyqtarëve. Do të shohësh se Gideoni e vazhdoi sulmin. Nga vendet e shumta që përmenden, disa nuk mund të identifikohen sot me ndonjë vend të njohur, prandaj mund të mos jenë në hartat biblike. Megjithatë, janë identifikuar mjaft vende, kështu që kemi mundësi të ndjekim veprimet e Gideonit.
10 Gideoni i ndoqi ata ushtarë që mbetën deri në Beth-Shitah, pastaj në drejtim të jugut për në Abel-Meholah, pranë Jordanit. (Gjyqtarët 7:22-25) Tregimi thotë: «Gedeoni arriti pastaj në Jordan dhe e kaloi atë me të treqind burrat që ishin me të; megjithëse të lodhur ata vazhdonin ta ndiqnin armikun.» Pasi e kaluan lumin, izraelitët i ndoqën armiqtë në drejtim të jugut deri në Sukot dhe Penuel, pranë Jabokut, pastaj lart në kodrat e Jogbeahut (pranë Amanit të sotëm në Jordani). E gjithë kjo rrugë, prej 80 kilometrash, ishte plot me ndjekje e me luftime. Gideoni kapi dhe vrau dy mbretërit midianitë, pastaj u kthye në qytetin e tij, në Ofrah, pranë vendit ku kishte filluar lufta. (Gjyqtarët 8:4-12, 21-27) Është e qartë se bëma e Gideonit përfshinte shumë më tepër sesa disa minuta kur u ranë brirëve, tundën pishtarët dhe bërtitën. Mendo sa ia shtojnë vlerën këto hollësi komentit të bërë për burrat me besim: «Nuk do të më dilte koha, po të vazhdoja të tregoja për Gideonin [dhe të tjerë që] nga të dobët u bënë të fuqishëm, u bënë trima në luftë.» (Hebrenjve 11:32-34) Edhe ne si të krishterë mund të lodhemi fizikisht, por, a nuk është jetësore që të vazhdojmë të bëjmë vullnetin e Perëndisë?—2 Korintasve 4:1, 16; Galatasve 6:9.
Si mendojnë e si reagojnë njerëzit?
11. Çfarë udhëtimesh u bënë para dhe pasi izraelitët mbërritën në Kadesh?
11 Disa ndoshta i përdorin hartat biblike për të gjetur ku ndodhen vendet, por, a mendon se hartat mund të na tregojnë ndonjë gjë për mënyrën e të menduarit të njerëzve? Të marrim për shembull izraelitët që u larguan nga mali Sinai drejt Tokës së Premtuar. Pasi bënë disa ndalesa rrugës, më në fund ata mbërritën në Kadesh (ose Kadesh-Barnea). [gl 9] Te Ligji i përtërirë 1:2 thuhet se për këtë u deshën 11 ditë rrugë, një largësi prej rreth 270 kilometrash. Që aty, Moisiu dërgoi 12 vëzhgues në Tokën e Premtuar. (Numrat 10:12, 33; 11:34, 35; 12:16; 13:1-3, 25, 26) Vëzhguesit shkuan drejt veriut përmes Negebit, duke kaluar ndoshta nga Beer-Sheba, pastaj në Hebron dhe mbërritën në kufijtë veriorë të Tokës së Premtuar. (Numrat 13:21-24) Ngaqë besuan raportin e keq të dhjetë vëzhguesve, izraelitëve iu desh të endeshin në shkretëtirë për 40 vjet. (Numrat 14:1-34) Çfarë na tregon kjo për besimin dhe për gatishmërinë e tyre për t’i besuar Jehovait?—Ligji i përtërirë 1:19-33; Psalmi 78:22, 32-43; Juda 5.
12. Ç’përfundim mund të nxjerrim për besimin e izraelitëve? Pse kjo është diçka për të cilën duhet të mendojmë?
12 Mendo për këtë, duke u nisur nga pikëpamja gjeografike. Sikur izraelitët të kishin treguar besim dhe të kishin ndjekur këshillën e Josiut e të Kalebit, sa rrugë do t’u ishte dashur për të mbërritur në Tokën e Premtuar? Kadeshi ishte rreth 16 kilometra larg Beer-Lahai-Roit, ku kishin banuar Isaku dhe Rebeka. [gl 7] Ishte më pak se 95 kilometra larg Beer-Shebës, që përmendet si kufiri jugor i Tokës së Premtuar. (Zanafilla 24:62; 25:11; 2 Samuelit 3:10) Po të mendosh që kishin udhëtuar nga Egjipti deri në malin Sinai, e pastaj 270 kilometra deri në Kadesh, izraelitët ishin, si të thuash, te pragu i Tokës së Premtuar. Në rastin tonë, ne jemi në pragun e parajsës tokësore që është premtuar. Çfarë mësimi nxjerrim? Apostulli Pavël e lidhi situatën e izraelitëve me këtë këshillë: «Prandaj, le të bëjmë çmos për të hyrë në atë pushim, nga frika se mos ndokush bie në të njëjtin model mosbindjeje.»—Hebrenjve 3:16–4:11.
13, 14. (a) Në cilën situatë gibeonitët ndërmorën një hap vendimtar? (b) Çfarë zbulon qëndrimi i gibeonitëve dhe ç’mësim duhet të nxjerrim prej kësaj?
13 Episodi biblik që ka të bëjë me gibeonitët tregon një qëndrim të ndryshëm nga ai i izraelitëve, pra besimin se Perëndia do ta kryejë vullnetin e tij. Pasi Josiu i udhëhoqi izraelitët në anën tjetër të lumit Jordan, në vendin që Perëndia i kishte premtuar familjes së Abrahamit, kishte ardhur koha për të dëbuar kananitët. (Ligji i përtërirë 7:1-3) Ndër këta përfshiheshin edhe gibeonitët. Pasi pushtuan Jerikonë dhe Ain, izraelitët kishin fushuar në Gilgal, që ndodhej aty pranë. Gibeonitët nuk donin të vdisnin si kananitë të mallkuar, prandaj dërguan përfaqësues te Josiu në Gilgal. Këta u hoqën sikur ishin jashtë territorit kananit, me qëllim që të lidhnin një marrëveshje paqeje me hebrenjtë.
14 Këta përfaqësues thanë: «Shërbëtorët e tu kanë ardhur nga një vend shumë i largët, për shkak të emrit të Zotit, Perëndisë tënd.» (Jozueu 9:3-9) Rrobat dhe ushqimet e tyre dukej sikur vërtetonin se vinin nga shumë larg, por në të vërtetë Gibeoni ishte rreth 30 kilometra larg Gilgalit. [gl 19] Të bindur, Josiu dhe prijësit e tjerë bënë një besëlidhje paqeje me Gibeonin e me qytetet aty afër, që lidheshin me Gibeonin. Mos vallë ky plan i gibeonitëve ishte thjesht një mënyrë për të shmangur shfarosjen? Përkundrazi, pasqyronte dëshirën për të pasur miratimin e Perëndisë së Izraelit. Jehovai pranoi që gibeonitët të bëheshin «druvarë dhe bartës të ujit për asamblenë dhe për altarin e Zotit», duke sjellë dru për altarin e flijimeve. (Jozueu 9:11-27) Gibeonitët vazhduan të shfaqnin gatishmëri për të bërë punë të përulura në shërbim të Jehovait. Ka të ngjarë që disa prej tyre të kenë qenë mes nethinimëve që u kthyen nga Babilonia dhe shërbyen në tempullin e rindërtuar. (Ezdra 2:1,2, 43-54; 8:20) Mund ta imitojmë qëndrimin e tyre, duke u përpjekur të ruajmë paqen me Perëndinë dhe duke qenë të gatshëm të kryejmë edhe caktime të përulura në shërbim të tij.
Të jemi vetëmohues
15. Pse na intereson gjeografia në lidhje me Shkrimet e Krishtere Greke?
15 Gjeografia e vendeve biblike përfshihet edhe në tregimet që gjejmë në Shkrimet e Krishtere Greke, si për shembull udhëtimet dhe shërbimi i Jezuit dhe i apostullit Pavël. (Marku 1:38; 7:24, 31; 10:1; Luka 8:1; 13:22; 2 Korintasve 11:25, 26) Përpiqu të përfytyrosh në tregimet vijuese çfarë udhëtimesh përfshiheshin.
16. Si treguan të krishterët në Bere se e donin dhe e vlerësonin Pavlin?
16 Në udhëtimin e tij të dytë misionar (vija ngjyrë vjollcë në hartë), Pavli mbërriti në Filipi, pjesë e Greqisë së sotme. [gl 33] Atje dha dëshmi, e burgosën dhe pastaj e liruan, e më vonë shkoi në Selanik. (Veprat 16:6–17:1) Kur judenjtë nxitën një revoltë, vëllezërit selanikas e këshilluan Pavlin të shkonte në Bere, rreth 65 kilometra larg. Në Bere, Pavli pati një shërbim të suksesshëm, por judenjtë erdhën edhe aty, e bënë trazirë në popull. Prandaj, «vëllezërit e dërguan menjëherë Pavlin të shkonte deri në det» dhe «ata që e përcollën Pavlin e çuan deri në Athinë». (Veprat 17:5-15) Nga sa duket, disa besimtarë të rinj ishin gati të ecnin 40 kilometra deri në detin Egje, të paguanin anijen dhe të lundronin rreth 500 kilometra. Një udhëtim i tillë mund të ishte i rrezikshëm, e megjithatë vëllezërit i pranuan këto rreziqe, kështu kaluan më shumë kohë me këtë përfaqësues udhëtues të caktuar nga Perëndia.
17. Çfarë mund të kuptojmë më qartë, pasi kemi mësuar largësinë midis Miletit dhe Efesit?
17 Në udhëtimin e tij të tretë (vija ngjyrë jeshile në hartë), Pavli mbërriti në portin e Miletit. Aty u dërgoi fjalë pleqve të kongregacionit të Efesit, rreth 50 kilometra larg, që të shkonin ta takonin. Mendo pak këta pleq që lanë menjëherë çdo punë tjetër dhe shkuan të takonin Pavlin. Ndërsa ecnin, me siguri flitnin me entuziazëm për mbledhjen që do të kishin. Pasi u takuan me Pavlin dhe dëgjuan lutjen e tij, «shumë lot u derdhën mes tyre, iu hodhën Pavlit në qafë dhe e puthën me butësi». Pastaj, «e përcollën deri te anija» me të cilën do të shkonte në Jerusalem. (Veprat 20:14-38) Gjatë kthimit në Efes, do të kishin pasur shumë për të menduar e për të folur me njëri-tjetrin. A nuk të bën përshtypje çmueshmëria që treguan, duke bërë tërë atë udhëtim të gjatë për të takuar një shërbëtor udhëtues, që mund t’u jepte informacione të reja dhe t’i inkurajonte? A sheh në këtë shembull diçka që mund ta zbatosh në jetën tënde dhe në mënyrën se si mendon?
Mëso për Tokën e Premtuar dhe për atë që na pret
18. Cila duhet të jetë vendosmëria jonë për sa u përket vendeve biblike?
18 Shembujt e mësipërm na tregojnë se sa e vlefshme është të njihemi mirë me vendin që Perëndia u dha izraelitëve dhe që ka rëndësi parësore për shumë tregime biblike. (Gjithashtu, mund ta zgjerojmë horizontin duke mësuar për vendet përreth, të cilat përmenden po ashtu në tregimet biblike.) Ndërkohë që shtojmë njohurinë dhe kuptueshmërinë, sidomos për Tokën e Premtuar, mund të mbajmë në mendje një kërkesë themelore që izraelitët duhej të plotësonin për të hyrë në vendin ku rridhte «qumësht dhe mjaltë», e për ta gëzuar atë. Duhej të kishin frikë Jehovain dhe të zbatonin urdhërimet e tij.—Ligji i përtërirë 6:1, 2; 27:3.
19. Cilat janë dy parajsat që meritojnë vëmendjen tonë të vazhdueshme?
19 Po ashtu edhe sot, duhet të bëjmë pjesën tonë, duke iu frikësuar Jehovait dhe duke zbatuar urdhërimet e tij. Duke vepruar kështu, do të ndihmojmë për zhvillimin dhe për zbukurimin e parajsës frymore që ekziston në kongregacionin e krishterë mbarëbotëror. Do të vazhdojmë ta shtojmë njohurinë tonë për aspektet e kësaj parajse dhe për bekimet që na sjell. Veç kësaj, e dimë se na presin edhe shumë bekime të tjera. Josiu i udhëhoqi izraelitët përtej Jordanit në një vend pjellor e të bukur. Tani kemi arsye të vlefshme për të pasur një shpresë të sigurt në parajsën tokësore, në vendin e mirë që shtrihet para nesh.
A ju kujtohet?
• Pse duhet të dëshirojmë ta shtojmë njohurinë dhe kuptueshmërinë për vendet biblike?
• Cila hollësi gjeografike e shqyrtuar në këtë artikull të është dukur veçanërisht informative ty personalisht?
• Cili mësim t’u bë i qartë në mendje, ndërsa shqyrtove nga afër disa nga aspektet gjeografike të përmendura në ndonjë tregim?
[Kutia dhe figura në faqen 14]
‘Të shohim vendin e mirë’
Në kongreset e zhvilluara në vitin 2003 dhe 2004, Dëshmitarët e Jehovait u gëzuan shumë kur morën broshurën ‘Të shohim vendin e mirë’. Ky botim i ri, që tani e kemi në afro 80 gjuhë, është plot harta me ngjyra dhe me tabela, që ilustrojnë zona të ndryshme të botës biblike, e sidomos Tokën e Premtuar në periudha të ndryshme kohore.
Artikulli shoqërues u referohet hartave specifike me anë të numrave të faqeve, që janë me ngjyrë të zezë, si për shembull [gl 15]. Në qoftë se e ke këtë broshurë, kalo kohë duke e shfletuar e duke u njohur me aspektet e veçanta të saj, të cilat mund të të ndihmojnë ta shtosh njohurinë dhe kuptueshmërinë për Fjalën e Perëndisë.
(1) Shumë harta përfshijnë një legjendë ose kuti, ku shpjegohen simbolet e veçanta ose shënimet në hartë [gl 18]. (2) Shumica e hartave përfshijnë një shkallë në milje e në kilometra, për të të ndihmuar të kuptosh përmasat ose largësinë që përfshihej [gl 26]. (3) Zakonisht ka një shigjetë që tregon veriun, me qëllim që të orientohesh [gl 19]. (4) Shpesh hartat janë me ngjyra që të tregojnë lartësitë e vendeve sipas nivelit të detit [gl 12]. (5) Përqark anëve, harta mund të ketë shkronja dhe numra, që të formosh në mendje një lidhje mes tyre, e që mund t’i përdorësh për të gjetur qytetet ose emrat e ndryshme [gl 23]. (6) Në treguesin që zë dy faqe me emrat e vendeve [gl 34, 35], mund të shohësh numrin e faqes me shkronja të zeza, shpesh të ndjekur nga vendi ku takohen koordinatat, si për shembull E2. Pasi t’i kesh përdorur disa herë këto aspekte, do të mahnitesh duke parë sa shumë do të të ndihmojnë ta shtosh njohurinë dhe ta thellosh kuptueshmërinë për Biblën.
[Tabela dhe harta në faqet 16-17]
TABELA E RAJONEVE NATYRORE
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
A. Bregu i Detit të Madh
B. Rrafshinat në perëndim të Jordanit
1. Rrafshina e Asherit
2. Rripi bregdetar i Dorit
3. Kullotat e Sharonit
4. Rrafshina e Filistisë
5. Pjesa qendrore e luginës Lindje-Perëndim
a. Rrafshina e Megidos
b. Ultësira e Jezreelit
C. Malet në perëndim të Jordanit
1. Kodrat e Galilesë
2. Kodrat e Karmelit
3. Kodrat e Samarisë
4. Shefelahu (bregore)
5. Zona kodrinore e Judës
6. Shkretëtira e Judës
7. Negebi
8. Shkretëtira e Paranit
Ç. Arabahu (Lugina Rift)
1. Baseni Hula
2. Zonë e Detit të Galilesë
3. Lugina e Jordanit
4. Deti i Kripur (Deti i Vdekur)
5. Arabahu (jugu i Detit të Kripur)
D. Male/rrafshnalta në lindje të Jordanit
1. Bashani
2. Galaadi
3. Amoni dhe Moabi
4. Pllaja malore e Edomit
DH. Malet e Libanit
[Harta]
M. Hermon
Moreh
Abel-Meholah
Sukot
Jogbeah
Bethel
Gilgal
Gibeon
Jerusalem
Hebron
Gazë
Beer-Shebë
Sodomë?
Kadesh
[Harta dhe figura në faqen 15]
(Për tekstin e formatuar, shih botimin)
KANAAN
Megido
GALAAD
Dotan
Sikem
Bethel (Luz)
Ai
Jerusalem (Salem)
Betlehem (Efrat)
Mamre
Hebron (Makpelah)
Gerar
Beer-Shebë
Sodomë?
NEGEB
Rehobot?
[Malet]
M. Moriah
[Masa ujore]
Deti i Kripur
[Lumenjtë]
Jordani
[Figura]
Abrahami i ra vendit për së gjati e për së gjeri
[Harta në faqen 18]
(Për tekstin e formatuar, shih botimin)
Troadë
SAMOTRAKË
Neapoli
Filipi
Amfipoli
Selanik
Bere
Athinë
Korint
Efes
Milet
RODOS