«Vazhdo ta mundësh të keqen me të mirën»
«Mos e lejo të keqen të të mundë, por vazhdo ta mundësh të keqen me të mirën.»—ROMAKËVE 12:21.
1. Pse jemi të sigurt se mund ta mposhtim të keqen?
A ËSHTË e mundur të qëndrosh i patundur kundër atyre që i kundërvihen me egërsi adhurimit të vërtetë? A është e mundur të mposhtësh ndikimet që duan të të kthejnë prapë në botën e paperëndishme? Përgjigjja për të dyja këto pyetje është: po! Pse themi kështu? Sepse në letrën e tij drejtuar romakëve, apostulli Pavël shkroi: «Mos e lejo të keqen të të mundë, por vazhdo ta mundësh të keqen me të mirën.» (Romakëve 12:21) Nëse kemi besim te Jehovai dhe jemi të vendosur të mos e lëmë botën të na mundë, atëherë nuk do të na mposhtë e keqja që mbizotëron në të. Gjithashtu, shprehja «vazhdo ta mundësh të keqen» tregon se mund ta mposhtim atë, nëse e vazhdojmë luftën tonë frymore kundër saj. Vetëm ata që e ulin vigjilencën dhe pushojnë së luftuari, do të mposhten nga kjo botë ku mbizotëron e keqja dhe nga sundimtari i saj i lig, Satana Djalli.—1 Gjonit 5:19.
2. Pse do të shqyrtojmë disa ngjarje nga jeta e Nehemisë?
2 Rreth 500 vjet para kohës së Pavlit, një shërbëtor i Perëndisë që jetonte në Jerusalem tregoi sa të vërteta janë fjalët e Pavlit lidhur me luftën kundër së keqes. Ky njeri i Perëndisë, Nehemia, jo vetëm që i bëri ballë kundërshtimit të njerëzve të paperëndishëm, por edhe e mundi të keqen me të mirën. Çfarë vështirësish hasi ai? Çfarë e ndihmoi që të fitonte? Si ta imitojmë shembullin e tij? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, le të shohim disa ngjarje nga jeta e Nehemisë.a
3. Në ç’mjedis jetonte Nehemia dhe ç’gjë të jashtëzakonshme arriti?
3 Nehemia shërbente në oborrin e Artakserksit, mbretit të Persisë. Edhe pse jetonte mes jobesimtarëve, Nehemia ‘nuk u brumos sipas botës’ së atyre ditëve. (Romakëve 12:2) Kur lindi një nevojë në Judë, ai sakrifikoi jetën e tij të rehatshme, bëri udhëtimin e vështirë deri në Jerusalem dhe mori përsipër të rindërtonte murin e qytetit, një punë jashtëzakonisht e madhe. (Romakëve 12:1) Edhe pse ishte guvernator i Jerusalemit, Nehemia derdhte djersë çdo ditë duke punuar bashkë me izraelitët e tjerë «që kur gdhinte e derisa dilnin yjet». Rrjedhimisht, muri përfundoi brenda dy muajsh! (Nehemia 4:21; 6:15) Kjo ishte një arritje e jashtëzakonshme, sepse, gjatë ndërtimit, izraelitët hasën kundërshtime të formave të ndryshme. Cilët ishin kundërshtarët e Nehemisë e çfarë qëllimi kishin?
4. Cilin synim kishin kundërshtarët e Nehemisë?
4 Kundërshtarët kryesorë ishin Sanballati, Tobia dhe Geshemi, njerëz me pushtet që jetonin afër Judës. Meqë ishin armiq të popullit të Perëndisë, atyre «nuk u pëlqeu aspak që [Nehemia] kishte ardhur të kërkonte diçka të mirë për bijtë e Izraelit». (Nehemia 2:10, 19) Armiqtë e Nehemisë ishin të vendosur që t’i ndalnin planet e tij për ndërtimin, duke përdorur madje intriga dashakeqe. A do të lejonte Nehemia që ‘ta mundte e keqja’?
‘Të zemëruar dhe të acaruar së tepërmi’
5, 6. (a) Si reaguan armiqtë e Nehemisë ndaj ndërtimit të murit? (b) Pse Neheminë nuk e frikësonin kundërshtarët?
5 Me guxim, Nehemia i bëri thirrje popullit të tij: «Le ta rindërtojmë murin e Jerusalemit.» Populli u përgjigj: «Ta ndërtojmë murin!» Nehemia thotë: «Ata i dhanë zemër njëri-tjetrit që t’ia nisnin kësaj pune të mirë», por kundërshtarët «nisën të na përqeshnin dhe të na shikonin me përbuzje e na thanë: ‘Ç’po bëni kështu? Po ngrini krye kundër mbretit?’» Por Neheminë nuk e frikësuan talljet dhe akuzat e tyre të rreme. Ai u tha kundërshtarëve: «Perëndia i qiejve do të bëjë të kemi sukses dhe ne, shërbëtorët e tij, do të ngrihemi e do ta ndërtojmë murin.» (Nehemia 2:17-20) Nehemia ishte i vendosur të ecte përpara me ‘këtë punë të mirë’.
6 Njëri nga kundërshtarët, Sanballati, «u zemërua, u acarua së tepërmi» dhe i shtoi sulmet e tij me fjalë. Ai tallej: «Ç’po bëjnë këta judenj ngordhalaqë? . . . Do të gjallërojnë gurët e djegur të rrënojave?» Edhe Tobia u bashkua me të dhe tha me tallje: «Edhe një dhelpër po t’i sulej murit prej guri që po ndërtojnë, me siguri do t’ua shembte.» (Nehemia 4:1-3) Si reagoi Nehemia?
7. Si reagoi Nehemia ndaj akuzave të kundërshtarëve të tij?
7 Nehemia thjesht i shpërfilli talljet e përqeshjet. Ai ndoqi urdhrin e Perëndisë dhe nuk u orvat të merrte hak. (Levitiku 19:18) E la çështjen në dorë të Jehovait dhe u lut: «Dëgjoji, o Perëndia ynë, se po na përçmojnë. Bëj që poshtërimi i tyre t’iu bjerë mbi kokë.» (Nehemia 4:4) Nehemia kishte besim te siguria që kishte dhënë Jehovai: «Hakmarrja më përket mua, edhe shpagimi.» (Ligji i përtërirë 32:35) Më pas, Nehemia dhe populli ‘vazhduan me ndërtimin e murit’. Nuk lejuan që t’i shpërqendronin nga puna. Në fakt, «i tërë muri u bashkua deri në gjysmë të lartësisë së tij dhe populli punonte me gjithë zemër». (Nehemia 4:6) Armiqtë e adhurimit të vërtetë s’ia kishin dalë mbanë të ndalnin ndërtimin! Si mund ta imitojmë Neheminë?
8. (a) Si ta imitojmë Neheminë kur kundërshtarët na bëjnë akuza të rreme? (b) Tregoni një përvojë që keni pasur ose që keni dëgjuar, që tregon sa e mençur është të mos marrim hak.
8 Sot, në shkollë, në punë ose edhe në familje mund të kemi kundërshtarë që na tallin e na akuzojnë. Por shpesh, këto akuza të rreme përballohen më mirë duke zbatuar parimin e Biblës: «Ka . . . një kohë për të heshtur.» (Eklisiastiu 3:1, 7) Kështu, edhe ne frenohemi si Nehemia e nuk ua kthejmë me fjalë therëse. (Romakëve 12:17) I drejtohemi Perëndisë në lutje, duke pasur besim tek ai që na siguron: «Unë do të shpaguaj.» (Romakëve 12:19; 1 Pjetrit 2:19, 20) Në këtë mënyrë, nuk i lejojmë kundërshtarët të na shpërqendrojnë nga vepra që duhet të kryejmë sot: predikimi i lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë dhe bërja e dishepujve. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Sa herë që marrim pjesë në veprën e predikimit dhe nuk lejojmë të na stepë kundërshtimi, po tregojmë të njëjtën frymë besnike si Nehemia.
‘Do t’ju vrasim’
9. Ç’formë kundërshtimi përdorën më tej armiqtë e Nehemisë dhe si reagoi ai?
9 Kur morën vesh që «meremetimi i mureve të Jerusalemit kishte ecur», kundërshtarët e adhurimit të vërtetë në kohën e Nehemisë morën shpatat që «të luftonin kundër Jerusalemit». Situata dukej e zymtë për judenjtë. Në veri ishin samaritanët, në lindje amonitët, në jug arabët dhe në perëndim ashdoditët. Jerusalemi ishte i rrethuar dhe ndërtuesit dukej sikur ishin zënë në kurth! Ç’do të bënin? «Iu lutëm Perëndisë tonë»,—thotë Nehemia. Armiqtë kërcënuan: «Do t’i vrasim e do të ndalojmë punën.» Nehemia u përgjigj duke u caktuar si detyrë ndërtuesve që të mbronin qytetin «me shpata, me heshta dhe me harqe». Është e vërtetë se, nga pikëpamja njerëzore, grupi i vogël i judenjve s’kishte asnjë mundësi fitoreje kundër forcave të stërmëdha armike, por Nehemia i nxiti: «Mos kini frikë. . . . Mbani ndër mend Jehovain, atë që është i madh e ngjall frikë.»—Nehemia 4:7-9, 11, 13, 14.
10. (a) Ç’bënë armiqtë e Nehemisë që shënoi një pikë kthese? (b) Ç’masa paraprake mori Nehemia?
10 Pastaj ngjarjet morën një kthesë të papritur. Armiqtë u tërhoqën nga sulmi. Përse? «Perëndia i vërtetë e kishte bërë të dështonte planin e tyre»,—thotë Nehemia. Gjithsesi, ai e kuptoi se armiqtë do të vazhdonin të ishin një kërcënim. Prandaj me mençuri e ndryshoi metodën e punës së ndërtuesve. Që nga ajo kohë, ndërtuesit «me një dorë punonin, ndërsa me tjetrën mbanin heshtën». Gjithashtu, Nehemia caktoi një njeri që, në rast sulmi nga armiku, ‘t’i binte bririt’ për të paralajmëruar ndërtuesit. Mbi të gjitha, Nehemia e siguroi popullin: «Perëndia ynë do të luftojë për ne.» (Nehemia 4:15-20) Pasi morën zemër dhe u përgatitën si të vepronin në rast sulmi, ndërtuesit vazhduan punën. Ç’mund të mësojmë nga ky tregim?
11. Si ia dalin mbanë të krishterët e vërtetë t’i bëjnë ballë së keqes në vendet ku vepra e Mbretërisë është e ndaluar, e si e mundin të keqen me të mirën?
11 Nganjëherë të krishterët e vërtetë hasin kundërshtim të ashpër. Madje, në disa vende, ata që kundërshtojnë me egërsi adhurimin e vërtetë përbëjnë një forcë armike shumë të madhe. Nga këndvështrimi njerëzor, bashkëbesimtarët tanë në ato vende s’kanë asnjë mundësi për t’ia dalë mbanë. Gjithsesi, ata Dëshmitarë janë të bindur se ‘Perëndia do të luftojë për ta’. Po, ata që janë përndjekur për shkak të bindjeve të tyre, e kanë provuar herë pas here se Jehovai u përgjigjet lutjeve të tyre dhe ‘bën që të dështojë plani’ i armiqve të fuqishëm. Edhe në ato vende ku vepra e Mbretërisë është e ndaluar, të krishterët gjejnë mënyra që të vazhdojnë të predikojnë lajmin e mirë. Ashtu siç e përshtatën metodën e punës ndërtuesit në Jerusalem, edhe Dëshmitarët e Jehovait sot me mençuri i përshtatin metodat e predikimit kur hasin sulme. Natyrisht, nuk përdorin armë fizike. (2 Korintasve 10:4) Por as kërcënimi i dhunës fizike nuk i bën ta ndalin veprën e predikimit. (1 Pjetrit 4:16) Përkundrazi, me guxim ata vëllezër e motra ‘vazhdojnë ta mundin të keqen me të mirën’.
«Të lëmë një takim»
12, 13. (a) Cilën taktikë përdorën kundërshtarët e Nehemisë? (b) Pse nuk e pranoi Nehemia ftesën për t’u takuar me kundërshtarët?
12 Kur e kuptuan se sulmet e tyre të drejtpërdrejta kishin dështuar, armiqtë e Nehemisë iu kthyen formave më tinëzare të kundërshtimit. Faktikisht provuan tri taktika. Cilat ishin këto?
13 Në fillim armiqtë u përpoqën ta mashtronin Neheminë. I thanë: «Të lëmë një takim te fshatrat në luginën e Onos.» Onoja ndodhej mes Jerusalemit dhe Samarisë. Pra, armiqtë i propozuan Nehemisë që të takoheshin në gjysmë të rrugës, për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Nehemia mund të kishte menduar: ‘Kjo duket e arsyeshme. Më mirë të flasim se të luftojmë.’ Por, faktikisht ai nuk pranoi të takohej me ta. Ja si e shpjegoi arsyen: «Ata po thurnin plane që të më bënin keq.» Nehemia e dalloi taktikën e tyre dhe nuk u mashtrua. Katër herë u tha kundërshtarëve të tij: «Nuk mund të vij. Pse ta ndërpres punën, që të largohem e të vij te ju?» Përpjekjet e armiqve për ta shtyrë Neheminë të bënte kompromis, dështuan. Ai e mbajti mendjen të përqendruar te puna e ndërtimit.—Nehemia 6:1-4.
14. Si iu përgjigj Nehemia akuzuesve të tij të rremë?
14 Së dyti, armiqtë e Nehemisë nisën të përhapnin fjalë të pavërteta, duke e akuzuar Neheminë se ‘po thurte plane për t’u rebeluar’ ndaj mbretit Artakserks. Edhe një herë, ata i thanë Nehemisë: «Le të këshillohemi së bashku.» Por përsëri Nehemia nuk pranoi, pasi e dalloi ç’kishin ndër mend armiqtë. Ai shpjegoi: «Të gjithë ata po përpiqeshin të na frikësonin dhe thoshin: ‘Ata ka për t’i lëshuar zemra, dhe puna nuk do të përfundojë.’» Mirëpo kësaj here Nehemia iu kundërpërgjigj akuzës së armikut me fjalët: «Asgjë nga ato që po thua nuk ka ndodhur, por ti i sajon nga mendja.» Gjithashtu, Nehemia iu drejtua Jehovait për ndihmë, duke u lutur: «O Perëndi, më forco!» Kishte besim se, me ndihmën e Jehovait, do të arrinte ta prishte këtë plan të lig e të vazhdonte me punën e ndërtimit.—Nehemia 6:5-9.
15. Ç’sugjerim i bëri Nehemisë një profet i rremë dhe përse nuk e pranoi Nehemia?
15 Së treti, armiqtë përdorën një tradhtar, izraelitin Shemajah, për ta bërë Neheminë të shkelte Ligjin e Perëndisë. Shemajahu i tha Nehemisë: «Takohemi te shtëpia e Perëndisë së vërtetë, brenda tempullit, dhe mbyllim dyert e tempullit, sepse ata do të vijnë të të vrasin natën.» Shemajahu i tha Nehemisë se rrezikonte jetën, por mund të shpëtonte duke u fshehur në tempull. Por Nehemia nuk ishte prift, prandaj po të fshihej në shtëpinë e Perëndisë do të kryente mëkat. A do ta shkelte ai Ligjin e Perëndisë për të shpëtuar jetën? Nehemia u përgjigj: «A mund të hyjë në tempull një njeri si unë dhe të vazhdojë të jetojë? Nuk do të hyj!» Pse nuk ra Nehemia në kurthin që i kishin ngritur? Sepse e dinte që Shemajahun, ndonëse ishte izraelit, «nuk e kishte dërguar Perëndia». Në fakt, një profet i vërtetë nuk do ta kishte këshilluar kurrë që të shkelte Ligjin e Perëndisë. Përsëri, Nehemia nuk lejoi ta mundnin kundërshtarët e ligj. Pak kohë më pas, raportoi: «Më në fund muri përfundoi ditën e njëzetepestë të muajit elul, për pesëdhjetë e dy ditë.»—Nehemia 6:10-15; Numrat 1:51; 18:7.
16. (a) Si duhet të veprojmë me njerëzit që na hiqen si miq, që ngrenë akuza të rreme dhe që na paraqiten si vëllezër? (b) Si e tregoni se nuk pranoni t’i shkelni bindjet tuaja në shtëpi, në shkollë ose në punë?
16 Ashtu si Nehemia, edhe ne mund të përballemi me kundërshtarë që na hiqen si miq, që ngrenë akuza të rreme dhe që na paraqiten si vëllezër. Disa individë mund të na ftojnë që të takohemi në gjysmë të rrugës, domethënë të bëjmë kompromise. Ndoshta provojnë të na bindin se po ta ulim pak zellin në shërbim të Jehovait, mund të arrijmë të ndjekim në të njëjtën kohë edhe synimet e botës. Por, ngaqë në jetën tonë Mbretëria e Perëndisë vjen në radhë të parë, ne nuk pranojmë të bëjmë kompromis. (Mateu 6:33; Luka 9:57-62) Kundërshtarët përhapin edhe akuza të rreme kundër nesh. Në disa vende, na akuzojnë se përbëjmë një kërcënim për shtetin, ashtu siç e akuzuan Neheminë se donte të rebelohej kundër mbretit. Disa akuza kemi arritur t’i rrëzojmë me sukses nëpër gjyqe. Por cilido qoftë përfundimi në ndonjë situatë, ne lutemi me besim se Jehovai do t’i drejtojë gjërat sipas vullnetit të tij. (Filipianëve 1:7) Kundërshtimi mund të na vijë edhe nga ata që pretendojnë se i shërbejnë Jehovait. Ashtu si një izraelit u përpoq ta bindte Neheminë që të shkelte Ligjin e Perëndisë për të shpëtuar jetën, po ashtu apostatët që dikur kanë qenë Dëshmitarë, mund të përpiqen të ndikojnë te ne që të bëjmë kompromis në ndonjë mënyrë. Por ne nuk ua vëmë veshin atyre që thonë apostatët, sepse e dimë që jetën mund ta shpëtojmë jo duke shkelur ligjet e Perëndisë, por duke i zbatuar ato! (1 Gjonit 4:1) Po, me ndihmën e Jehovait mund të mundim çdo formë të së keqes.
Përhapim lajmin e mirë, edhe pse ndeshemi me të keqen
17, 18. (a) Çfarë duan të arrijnë Satanai dhe ata që e ndjekin? (b) Çfarë jeni të vendosur të bëni dhe përse?
17 Fjala e Perëndisë thotë për vëllezërit e mirosur të Krishtit: «Ata e mundën [Satanain] me anë të . . . fjalës së dëshmisë së tyre.» (Zbulesa 12:11) Pra, ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes predikimit të mesazhit të Mbretërisë dhe mundjes së Satanait, burimit të ligësisë. Ja pse Satanai e sulmon pa mëshirë mbetjen e mirosur, si dhe ‘shumicën e madhe’, duke nxitur kundërshtimin ndaj tyre!—Zbulesa 7:9; 12:17.
18 Siç e kemi parë, kundërshtimi mund të jetë në formën e sulmeve gojore, të kërcënimeve për dhunë fizike ose në forma më tinëzare. Sidoqoftë, synimi i Satanait mbetet i njëjtë: të ndalë veprën e predikimit. Por ai do të dështojë keqas, sepse populli i Perëndisë, duke imituar Neheminë, është i vendosur që ‘të vazhdojë ta mundë të keqen me të mirën’. Këtë do ta bëjë duke vazhduar të predikojë lajmin e mirë derisa Jehovai të thotë se vepra ka mbaruar!—Marku 13:10; Romakëve 8:31; Filipianëve 1:27, 28.
[Shënimi]
A ju kujtohet?
• Ç’kundërshtim hasën shërbëtorët e Perëndisë në të kaluarën, që e hasin edhe të krishterët sot?
• Cili ishte synimi kryesor i armiqve të Nehemisë dhe cili është synimi i armiqve të Perëndisë sot?
• Si vazhdojmë ta mundim të keqen me të mirën sot?
[Kutia dhe figura në faqen 29]
Mësime nga libri i Nehemisë
Shërbëtorët e Perëndisë përballen me
• tallje
• kërcënime
• mashtrim
Mashtrimi vjen nga ata që
• hiqen si miq
• ngrenë akuza të rreme
• paraqiten si vëllezër
Shërbëtorët e Perëndisë e mundin të keqen duke
• vazhduar me besnikëri veprën që u ka caktuar Perëndia
[Figura në faqen 27]
Nehemia dhe punëtorët e tjerë e rindërtuan murin e Jerusalemit, pavarësisht nga kundërshtimi i egër
[Figura në faqen 31]
Të krishterët e vërtetë e predikojnë pa frikë lajmin e mirë