ARTIKULLI I STUDIMIT 42
A je ‘i gatshëm të bindesh’?
«Mençuria nga lart është . . . e gatshme të bindet.»—JAK. 3:17.
KËNGA 101 Shërbejmë në unitet
PËRMBLEDHJEa
1. Pse mund ta kemi të vështirë të bindemi?
A E KE të vështirë ndonjëherë të bindesh? Mbreti David e kishte të vështirë hera-herës, prandaj iu lut Perëndisë: «Ngjall brenda meje dëshirën që të të bindem!» (Psal. 51:12) Davidi e donte Jehovain. Prapëseprapë nuk e kishte gjithnjë të lehtë të bindej, e po njësoj ndodh edhe me ne. Pse? Së pari, sepse kemi trashëguar prirjen për të qenë të pabindur. Së dyti, sepse Satanai na nxit pareshtur të rebelohemi, siç u rebelua vetë. (2 Kor. 11:3) Së treti, sepse mbizotëron kudo qëndrimi rebel i kësaj bote, ‘fryma që tani vepron në bijtë e mosbindjes’. (Efes. 2:2) Na duhet të luftojmë me të gjitha forcat që t’i rezistojmë prirjes sonë për të mëkatuar dhe presionit nga Djalli e nga bota për të mos iu bindur Jehovait. Pra duhet të përpiqemi fort që t’i bindemi Jehovait dhe atyre që u ka dhënë autoritet.
2. Ç’do të thotë të jesh ‘i gatshëm të bindesh’? (Jakovi 3:17)
2 Lexo Jakovin 3:17. Nën frymëzim, Jakovi shkroi se të mençurit janë ‘të gatshëm të binden’. Ç’do të thotë kjo? Do të thotë se duhet t’u bindemi me dëshirë e gatishmëri atyre që Jehovai u ka besuar njëfarë autoriteti. Patjetër, Jehovai nuk pret t’i bindemi dikujt që na kërkon të shpërfillim urdhërimet e Tij.—Vep. 4:18-20.
3. Pse ka rëndësi për Jehovain t’u bindemi atyre që kanë autoritet mbi ne?
3 Mbase e kemi më të lehtë t’i bindemi Jehovait sesa një njeriu. Fundja, drejtimi që jep Jehovai është gjithmonë i përsosur. (Psal. 19:7) Kurse drejtimi që japin njerëzit me autoritet nuk është. Gjithsesi, Ati ynë qiellor u ka besuar njëfarë autoriteti prindërve, nëpunësve qeveritarë dhe pleqve. (Prov. 6:20; 1 Sel. 5:12; 1 Pjet. 2:13, 14) Kur u bindemi atyre, po i bindemi Jehovait. Le të shohim si mund t’u bindemi njerëzve që Jehovai u ka dhënë autoritet, edhe pse ndonjëherë mund ta kemi të vështirë ta pranojmë e ta ndjekim drejtimin e tyre.
BINDJU PRINDËRVE
4. Pse shumë fëmijë nuk u binden prindërve?
4 Fëmijët dhe të rinjtë janë të rrethuar nga bashkëmoshatarë që janë «të pabindur ndaj prindërve». (2 Tim. 3:1, 2) Pse nuk u binden? Disa mendojnë se prindërit e tyre janë hipokritë. Ata kërkojnë nga fëmijët gjëra që vetë nuk i bëjnë. Të tjerë i shohin këshillat e prindërve si të prapambetura, aspak praktike ose tepër strikte. Nëse je i ri, a je ndier ndonjëherë kështu? Shumë fëmijë e të rinj mund ta kenë të vështirë ta zbatojnë urdhrin e Jehovait: «Bindjuni prindërve në unitet me Zotërinë, sepse kjo është e drejtë.» (Efes. 6:1) Po ty, çfarë mund të të ndihmojë të jesh i bindur?
5. Pse është mbresëlënëse bindja e Jezuit ndaj prindërve të tij, siç tregohet te Luka 2:46-52?
5 Mund të mësosh të jesh i bindur nga shembulli më i shkëlqyer—Jezui. (1 Pjet. 2:21-24) Ai ishte njeri i përsosur me prindër të papërsosur. Megjithatë, Jezui i nderonte prindërit e tij edhe kur ndodhte të bënin gabime ose ta keqkuptonin. (Eks. 20:12) Të shohim çfarë ndodhi kur Jezui ishte 12 vjeç. (Lexo Lukën 2:46-52.) Prindërit e tij, Jozefi dhe Maria, nuk e vunë re që Jezui kishte mbetur prapa në Jerusalem. Fundja ishte përgjegjësia e tyre të siguroheshin se të gjithë fëmijët ishin me grupin që po kthehej në shtëpi pas festës. Kur më në fund e gjetën, Maria ia vuri fajin Jezuit për atë telash. Jezui mund t’u kishte shpjeguar sa e padrejtë ishte kjo. Por në vend të kësaj, u dha një përgjigje të thjeshtë e plot respekt prindërve të tij. Prapëseprapë, Jozefi dhe Maria «nuk e kuptuan çfarë po u thoshte». Megjithatë, Jezui «vazhdoi t’u nënshtrohej».
6-7. Çfarë mund t’i ndihmojë fëmijët t’u binden prindërve?
6 A e keni të vështirë ndonjëherë t’u bindeni prindërve kur bëjnë gabime ose kur ju keqkuptojnë? Çfarë mund t’ju ndihmojë? Së pari, mendo si ndihet Jehovai. Bibla thotë se t’u bindesh prindërve «është e pëlqyeshme për Zotërinë». (Kolos. 3:20) Jehovai e vëren kur prindërit nuk të kuptojnë plotësisht ose vënë rregulla që nuk është e lehtë t’u bindesh. Por kur zgjedh t’u bindesh pavarësisht nga këto, e bën të lumtur Jehovain.
7 Së dyti, mendo si ndihen prindërit. Kur u bindesh, i bën të lumtur dhe fiton besimin e tyre. (Prov. 23:22-25) E ka shumë të ngjarë që do të ndihesh më i afërt me ta. «Pasi fillova t’u bindesha më shpesh kërkesave të prindërve,—thotë Aleksandri, një vëlla nga Belgjika,—marrëdhënia mes nesh u bë më e ngrohtë dhe më e gëzuar.»b Së treti, mendo si do të të ndihmojë në të ardhmen kjo bindje. Paulo, që jeton në Brazil, thotë: «Ngaqë mësova t’u bindesha prindërve, e kisha më të lehtë t’i bindesha Jehovait dhe të tjerëve me autoritet.» Fjala e Perëndisë thekson një arsye të fortë për t’iu bindur prindërve: «Që të kesh sukses dhe të jetosh gjatë në tokë.»—Efes. 6:2, 3.
8. Pse shumë të rinj zgjedhin t’u binden prindërve?
8 Shumë të rinj kanë parë sa mirë shkojnë gjërat kur binden. Luiza, edhe ajo nga Brazili, në fillim e kishte të vështirë të kuptonte pse nuk e lejonin të kishte celular për njëfarë kohe. Ajo arsyetonte se shumica e moshatarëve të saj kishin celular. Por më pas kuptoi se prindërit në fakt po e mbronin. Tani ajo thotë: «Nuk e shoh bindjen ndaj prindërve si një kafaz, por si një rrip sigurimi që mund të më shpëtojë jetën.» Elizabeta, një motër e re nga Shtetet e Bashkuara, akoma e ka të vështirë ndonjëherë t’u bindet prindërve. Ajo thotë: «Kur nuk e kuptoj plotësisht pse prindërit vendosin një rregull, kujtoj rastet kur rregullat e tyre më kanë mbrojtur.» Monika, që jeton në Armeni, thotë se i ka dalë gjithmonë më mirë kur u është bindur prindërve sesa kur nuk u është bindur.
BINDJU «AUTORITETEVE MË TË LARTA»
9. Si ndihen shumë veta kur bëhet fjalë për t’iu bindur ligjeve të shtetit?
9 Shumë njerëz e pranojnë se kemi nevojë për qeveritë dhe se duhet t’u bindemi të paktën disa ligjeve që vënë këto ‘autoritete më të larta’. (Rom. 13:1) Ama, kur një ligj u duket i padrejtë ose tepër i rëndë, mund të mos i binden. Të marrim, për shembull, pagimin e taksave. Një e katërta e të anketuarve në një vend evropian mendonin se «është e drejtë të mos i paguash taksat nëse të duken të padrejta». S’është çudi që nënshtetasit e këtij vendi paguajnë vetëm dy të tretat e taksave që i detyrohen qeverisë.
10. Pse bindemi edhe kur s’na pëlqen një ligj?
10 Bibla e pranon se qeveritë njerëzore shkaktojnë vuajtje, janë nën pushtetin e Satanait dhe do të shkatërrohen së shpejti. (Psal. 110:5, 6; Ekl. 8:9; Luka 4:5, 6) Gjithashtu na thotë se «ata që u kundërvihen autoriteteve, i kundërvihen rregullit të Perëndisë». Nënshtrimi ynë relativ ndaj autoriteteve më të larta është pjesë e masave të përkohshme që ka marrë Jehovai për të ruajtur rregullin. Prandaj duhet ‘t’u japim të gjithëve atë që u takon’, e këtu përfshihen taksat, respekti dhe bindja. (Rom. 13:1-7) Mbase ndonjë ligj na duket i pavolitshëm, i padrejtë ose që kërkon mjaft shpenzime. Megjithatë, ne i bindemi Jehovait, dhe ai na thotë t’u bindemi këtyre autoriteteve për sa kohë që nuk na kërkojnë të shkelim urdhërimet e tij.—Vep. 5:29.
11-12. Sipas Lukës 2:1-6, çfarë bënë Jozefi dhe Maria që t’i bindeshin një ligji të pavolitshëm, dhe cilat ishin rezultatet? (Shihni edhe figurat.)
11 Mund të mësojmë nga shembulli i Jozefit dhe Marisë, që ishin gati t’u bindeshin autoriteteve më të larta edhe kur ishte e pavolitshme për ta. (Lexo Lukën 2:1-6.) Kur Maria ishte gati nëntë muajshe shtatzënë, bindja e saj dhe e Jozefit u vu në provë. Augusti, që qeveriste Perandorinë Romake, nxori një dekret që të regjistrohej popullsia. Jozefi dhe Maria duhej të shkonin në Betlehem, pra duhej të udhëtonin deri në 150 kilometra përmes një rajoni malor. Çfarë udhëtimi i parehatshëm, sidomos për Marinë! Si çift, ata mund të ishin në merak për sigurinë e saj dhe të foshnjës së palindur. Po sikur t’i fillonin dhimbjet e lindjes gjatë rrugës? Ajo mbante në bark Mesinë, të premtuarin e Jehovait. A mund të ishte ky një justifikim për të mos iu bindur qeverisë?
12 Jozefi dhe Maria nuk lejuan ndonjë nga ato shqetësime të kthehej në justifikim për të mos iu bindur ligjit. E Jehovai e bekoi bindjen e tyre. Maria mbërriti shëndoshë e mirë në Betlehem, lindi një fëmijë të shëndetshëm, e madje ndihmoi të plotësohej një profeci e Biblës.—Mik. 5:2.
13. Si mund të ndikojë te vëllezërit bindja jonë?
13 Kur u bindemi autoriteteve më të larta, nxjerrim dobi ne vetë dhe të tjerët. Si? Një dobi është që nuk kemi pasoja si ata që nuk i binden ligjit. (Rom. 13:4) Bindja jonë mund të ndikojë për mirë te pikëpamja që kanë autoritetet për Dëshmitarët e Jehovait. Për shembull, disa dekada më parë në Nigeri, ushtarët hynë në një Sallë Mbretërie gjatë mbledhjes sepse po kërkonin njerëz që protestonin për pagimin e taksave. Mirëpo, oficeri i urdhëroi ushtarët të largoheshin duke u thënë: «Dëshmitarët e Jehovait nuk hapin probleme për taksat.» Sa herë që i bindesh ligjit, mund të stolisësh reputacionin e popullit të Jehovait—e ky reputacion një ditë mund të jetë një mbrojte për vëllezërit e motrat.—Mat. 5:16.
14. Çfarë e ndihmoi një motër të ishte ‘e gatshme t’u bindej’ autoriteteve më të larta?
14 Prapëseprapë, mbase jo gjithmonë kemi dëshirë t’u bindemi autoriteteve më të larta. Xhoana, një motër në Shtetet e Bashkuara, pranon: «E kisha jashtëzakonisht të vështirë t’u bindesha autoriteteve, ngaqë disa nga familjarët e mi kishin pësuar padrejtësi prej tyre.» Por Xhoana vendosi të ndryshonte mënyrën si mendonte. Së pari, nuk lexonte më postime në mediat sociale që i ngjallnin ndjenja negative për autoritetet. (Prov. 20:3) Së dyti, i lutej Jehovait ta ndihmonte të kishte besim tek ai, jo te ndryshimi i qeverive njerëzore. (Psal. 9:9, 10) Së treti, lexonte artikuj në botimet tona për asnjanësinë. (Gjoni 17:16) Tani Xhoana thotë se respekti dhe bindja ndaj autoriteteve i ka sjellë «një paqe që nuk e përshkruan dot me fjalë».
BINDJU DREJTIMIT NGA ORGANIZATA E JEHOVAIT
15. Pse ndonjëherë mund ta kemi të vështirë t’i bindemi një drejtimi nga organizata e Jehovait?
15 Jehovai na kërkon ‘të jemi të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin’ në kongregacion. (Hebr. 13:17) Ndonëse Jezui, Kreu ynë, është i përsosur, ata që përdor për të marrë drejtimin në tokë nuk janë. Ndoshta e kemi të vështirë t’u bindemi, sidomos nëse na kërkojnë të bëjmë diçka që nuk duam ta bëjmë. Në një rast apostulli Pjetër ngurroi të bindej. Kur një engjëll e udhëzoi të hante kafshë të papastra sipas Ligjit të Moisiut, Pjetri refuzoi—e jo vetëm një herë, por tri herë! (Vep. 10:9-16) Pse? Sepse ai udhëzim i ri iu duk i pakuptimtë. Ishte mësuar t’i bënte gjërat ndryshe. Nëse Pjetri e kishte të vështirë t’i bindej udhëzimit nga një engjëll i përsosur, sa më të vështirë mund ta kemi ndonjëherë ne t’i bindemi një drejtimi nga njerëz të papërsosur!
16. Ndonëse udhëzimi që mori mund t’i ishte dukur i paarsyeshëm, çfarë bëri Pavli? (Vep. 21:23, 24, 26)
16 Apostulli Pavël ishte ‘i gatshëm të bindej’ edhe kur mori një drejtim që ndoshta iu duk i paarsyeshëm. Të krishterët judenj kishin dëgjuar lart e poshtë se Pavli po përhapte «apostazi kundër Moisiut» dhe nuk po respektonte Ligjin e Moisiut. (Vep. 21:21, shën.) Pleqtë e krishterë në Jerusalem e udhëzuan Pavlin të merrte me vete katër burra, të shkonin në tempull dhe të pastroheshin ceremonialisht, që të tregonte se po jetonte sipas Ligjit. Mirëpo Pavli e dinte se të krishterët nuk ishin më nën Ligj. Dhe ai s’kishte bërë asgjë të gabuar. Prapëseprapë u bind pa ngurruar. ‘Të nesërmen Pavli mori me vete burrat dhe u pastrua ceremonialisht me ta.’ (Lexo Veprat 21:23, 24, 26.) Bindja e Pavlit ndihmoi të ruhej uniteti mes vëllezërve.—Rom. 14:19, 21.
17. Çfarë të mëson shembulli i Stefanisë?
17 Një motër që quhet Stefania e kishte të vështirë të pranonte një vendim të vëllezërve përgjegjës në vendin e saj. Ajo dhe i shoqi po shijonin shërbimin në një grup të gjuhës së huaj, kur zyra e degës dha drejtimin që grupi të shpërbëhej. Ata si çift u caktuan në një kongregacion të gjuhës amtare. «Nuk isha aspak e kënaqur,—pranon Stefania.—Nuk mendoja se kishte më shumë nevojë në gjuhën tonë.» Megjithatë vendosi ta mbështeste atë drejtim të ri. Ajo thotë: «Me kohë, kuptova sa i mençur ishte ai vendim. Jemi bërë, si të thuash, prindër për disa që nuk e kanë familjen në të vërtetën, duke i ndihmuar të lidhen më fort me Jehovain. Tani po studioj me një motër që është bërë aktive nga pak kohë. Veç kësaj, kam më shumë kohë për studimin personal.» Stefania shton: «E kam ndërgjegjen të qetë ngaqë e di se bëra më të mirën për t’iu bindur drejtimit.»
18. Si nxjerrim dobi kur bindemi?
18 Ne mund të mësojmë të bindemi. Jezui nuk e «mësoi bindjen» në kushte ideale, por «nga gjërat që vuajti». (Hebr. 5:8) Ashtu si Jezui, shpesh mësojmë të bindemi kur jemi në rrethana sfiduese. Për shembull, në fillim të pandemisë së COVID-19 kur na u kërkua të ndërpritnim mbledhjet në Sallat e Mbretërisë dhe shërbimin shtëpi më shtëpi, mos ndoshta e kishe të vështirë të bindeshe? Sido të ketë qenë, bindja të mbrojti, të ndihmoi të ishe në unitet me bashkëbesimtarët dhe e kënaqi Jehovain. Tani të gjithë jemi më të përgatitur t’i bindemi çdo udhëzimi që do të marrim gjatë shtrëngimit të madh. Bindja do të na shpëtojë jetën!—Jobi 36:11.
19. Pse ke dëshirë të bindesh?
19 Kemi mësuar se bindja sjell bekime të panumërta. Por arsyeja kryesore pse zgjedhim t’i bindemi Jehovait është se e duam dhe dëshirojmë ta kënaqim. (1 Gjon. 5:3) Është e pamundur t’ia kthejmë Jehovait gjithë sa ka bërë për ne. (Psal. 116:12) Ama është e mundur t’i bindemi Perëndisë tonë dhe atyre që kanë autoritet mbi ne. Kur bindemi, tregojmë se jemi të mençur. E kush është i mençur, ia gëzon zemrën Jehovait.—Prov. 27:11.
KËNGA 89 Bindju Jehovait dhe gjej lumturi
a Si të papërsosur, të gjithë e kemi të vështirë ndonjëherë të bindemi, edhe kur ai që na jep drejtimin ka plotësisht të drejtë ta bëjë këtë. Në këtë artikull do të shohim dobitë që sjell bindja ndaj prindërve, ndaj «autoriteteve më të larta» dhe ndaj vëllezërve që marrin drejtimin në kongregacion.
b Për sugjerime si të bisedosh me prindërit për ato rregulla që e ke të vështirë t’u bindesh, lexo në jw.org artikullin «Si të flas me prindërit për rregullat që më kanë vënë?»
c PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Jozefi dhe Maria iu bindën dekretit të Cezarit që të regjistroheshin në Betlehem. Ne sot u bindemi ligjeve të trafikut, paguajmë taksat dhe ndjekim udhëzimet shëndetësore që japin ‘autoritetet më të larta’.