Kur mëkati të mos ekzistojë më
«A JEMI lindur në mëkat?» Kjo pyetje kishte vënë në mëdyshje një student të diplomuar në Shtetet e Bashkuara, menjëherë sapo nisi të studionte Biblën. Duke qenë se ishte nga një mjedis hindus, ideja e mëkatit të trashëguar ishte e huaj për të. Por, nëse mëkati është vërtet i trashëguar, arsyetoi ai, do të ishte i kotë mohimi apo mospërfillja e tij. Si mund të gjendet përgjigjja e kësaj pyetjeje?
Nëse është i trashëguar, mëkati duhet të ketë pasur një pikënisje. Mos vallë njeriu i parë u krijua i lig, e kështu ai ua transmetoi tiparet e liga fëmijëve të tij? Apo e meta u zhvillua më vonë? Kur nisi saktësisht mëkati? Nga ana tjetër, nëse mëkati është vetëm një ekzistencë apo parim i lig i jashtëm, a mund të shpresojmë që të çlirohemi ndonjëherë prej tij?
Sipas bindjes hinduse, vuajtja dhe e liga janë shoqëruese të krijimit. «Vuajtja [ose e liga],—vëren një studiues hindus,—ashtu si reumatizma kronike, vetëm lëviz nga një vend në tjetrin, por nuk mund të çrrënjoset krejtësisht.» Pa dyshim që e liga ka qenë një pjesë e botës së njerëzimit përgjatë gjithë historisë së dokumentuar. Nëse ajo shënon një datë më të hershme në të dhënat historike të njeriut, përgjigjet e besueshme mbi origjinën e saj duhet që medoemos të vijnë nga një burim më i lartë se njeriu. Përgjigjet duhet të vijnë nga Perëndia.—Psalmi 36:9.
Njeriu: I krijuar pa mëkat
Siç pranon filozofi hindus Nikilananda, përshkrimet e krijimit të njeriut që jepen në Vedas, janë figurative. Po ashtu, pjesa më e madhe e feve të Lindjes japin vetëm shpjegime mitologjike mbi krijimin. Megjithatë, ekzistojnë arsye qoftë logjike e qoftë shkencore për ta besuar tregimin biblik të krijimit të njeriut të parë.a Pikërisht kapitulli i parë i tij thotë: «Perëndia krijonte njeriun sipas shëmbëlltyrës së tij, e krijoi sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë; mashkull dhe femër ai i krijoi ata.»—Zanafilla 1:27, BR.
Çfarë do të thotë të jesh i krijuar «sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë»? Thjesht këtë: Njeriu ishte krijuar në ngjashmëri me Perëndinë, me atribute hyjnore të tilla, si drejtësia, mençuria dhe dashuria, gjëra këto që e dallonin atë nga kafshët. (Krahaso Kolosianëve 3:9, 10.) Këto cilësi i dhanë atij aftësinë që të zgjidhte për të bërë të mirën ose të keqen, duke e bërë atë një përfaqësues me vullnet të lirë moral. Kur u krijua, në njeriun e parë nuk ekzistonte mëkati, as e liga apo vuajtja në jetën e tij.
Perëndia Jehova e vuri njeriun Adam përpara urdhrit: «Ha gjithashtu lirisht nga çdo pemë e kopshtit; por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri.» (Zanafilla 2:16, 17) Duke zgjedhur bindjen, Adami dhe Eva, gruaja e tij, mund të lavdëronin e të nderonin Krijuesin e tyre dhe të mbeteshin pa mëkat. Nga ana tjetër, një akt mosbindjeje do të tregonte dështimin e tyre në përputhjen me normat e përsosura të Perëndisë dhe do t’i bënte ata të papërsosur, mëkatarë.
Adami dhe Eva nuk ishin krijuar me një natyrë hyjnore. Megjithëkëtë, ata ishin pajisur me një sërë atributesh hyjnore dhe me aftësinë për të marrë vendime morale. Duke qenë krijimi i Perëndisë, ata ishin pa mëkat ose të përsosur. (Zanafilla 1:31; Ligji i përtërirë 32:4) Ardhja e tyre në ekzistencë nuk krijoi përçarje në harmoninë që kishte mbizotëruar mes Perëndisë dhe universit për epoka të tëra deri atëherë. Si filloi, atëherë, mëkati?
Origjina e mëkatit
Mëkati u shfaq për herë të parë në mbretërinë frymore. Para se të krijonte tokën dhe njeriun, Perëndia kishte krijuar engjëjt, krijesa inteligjente frymore. (Jobi 1:6; 2:1; 38:4-7; Kolosianëve 1:15-17) Njëri prej këtyre engjëjve e mbante veten me të madh për bukurinë dhe inteligjencën e tij. (Krahaso Ezekielin 28:13-15.) Në udhëzimin e Perëndisë dhënë Adamit dhe Evës për të lindur fëmijë, ky engjëll mund të shihte se pa kaluar shumë kohë, e tërë toka do të mbushej me njerëz të drejtë, të cilët do të adhuronin të gjithë Perëndinë. (Zanafilla 1:27, 28) Kjo krijesë frymore e dëshironte për vete adhurimin e tyre. (Mateu 4:9, 10) Fiksimi në këtë dëshirë bëri që ai të merrte një drejtim të gabuar.—Jakovit 1:14, 15.
Duke i folur Evës me anë të një gjarpri, engjëlli rebel tha se duke ndaluar ngrënien e frytit nga pema e njohjes së të mirës dhe të së keqes, Perëndia po i mbante të fshehtë njohurinë që ajo duhej ta kishte. (Zanafilla 3:1-5) Këto fjalë ishin një gënjeshtër e urryer, një akt mëkatar. Duke thënë këtë gënjeshtër, engjëlli e bëri veten mëkatar. Si rezultat, ai u quajt Djall, shpifës, dhe Satana, kundërshtar i Perëndisë.—Zbulesa 12:9.
Argumenti bindës i Satanait, pati një ndikim të keq mbi Evën. Duke e vënë besimin mbi fjalët e Ngasësit, ajo i lejoi vetes të joshej e të hante pak nga fryti i pemës së ndaluar. I shoqi, Adami, u bashkua me të në ngrënien e frutit dhe që të dy me anën e kësaj u bënë mëkatarë. (Zanafilla 3:6; 1. Timoteut 2:14) Është e qartë se duke zgjedhur mosbindjen ndaj Perëndisë, prindërve tanë të parë u iku nga duart shenja e përsosmërisë dhe u bënë mëkatarë.
Po për pasardhësit e Adamit dhe të Evës, ç’mund të thuhet? Ja, shpjegimi i Biblës: «Ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan.» (Romakëve 5:12) Ligji i trashëgimisë ishte tashmë në veprim. Adami nuk mund t’u transmetonte fëmijëve të tij, atë që nuk e kishte. (Jobi 14:4) Meqenëse e kishte humbur përsosmërinë, çifti i parë ishte mëkatar, kur u ngjizën fëmijët e tyre. Si rezultat, të gjithë ne pa përjashtim kemi trashëguar mëkatin. (Psalmi 51:5; Romakëve 3:23) Nga ana e tij, mëkati s’kishte sjellë gjë tjetër veç të ligës dhe vuajtjes. Për më tepër, për shkak të tij, ne të gjithë plakemi dhe vdesim, «sepse paga e mëkatit është vdekja».—Romakëve 6:23.
Ndërgjegjja ‘akuzon’ ose ‘shfajëson’
Le të shqyrtojmë, gjithashtu, efektin që pati mëkati mbi sjelljen e çiftit të parë njerëzor. Ata mbuluan pjesë të trupave të tyre dhe u orvatën të fshiheshin nga Perëndia. (Zanafilla 3:7, 8) Në këtë mënyrë, mëkati i bëri të ndiheshin fajtorë, gjithë ankth dhe të turpëruar. Njerëzimi sot i njeh mjaft mirë këto ndjenja.
Kush nuk ka vuajtur ndjenja parehatie, për shkak të mosshfaqjes së dashamirësisë ndaj dikujt në nevojë? Kë nuk e ka brejtur ndërgjegjja për fjalë që nuk do t’ia kishte nxënë goja kurrë? (Jakovit 4:17) Përse kemi ndjenja të tilla kaq të mundimshme? Apostulli Pavël shpjegon se ‘ligji është shkruar në zemrat tona’. Po të mos jetë e ngurtësuar ndërgjegjja jonë, çdo dhunim i atij ligji sjell një trazim të brendshëm. Kjo ndodh për faktin se zëri i ndërgjegjes na ‘akuzon’ ose na ‘shfajëson’. (Romakëve 2:15; 1. Timoteut 4:2; Titit 1:15) Arrijmë apo jo ta kuptojmë, ne kemi një ndjesi të brendshme gabimi, mëkati!
Pavli ishte fare mirë i vetëdijshëm për prirjet e tij mëkatare. «Duke dashur të bëj të mirën, e keqja gjindet në mua,—pranoi ai.—Në fakt, unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm, por shoh një ligj tjetër në gjymtyrët e mia, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe që më bën skllav të ligjit të mëkatit që është në gjymtyrët e mia.» Prandaj, Pavli pyeti: «Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes?»—Romakëve 7:21-24.
Çlirimi nga mëkati: Në ç’mënyrë?
«Në traditën hinduse, çlirim,—thotë një studiues,—është çlirimi nga lindjet dhe vdekjet e përsëritura.» Si zgjidhje, budizmi po ashtu tregon Nirvanën, një gjendje harrese e realitetit të jashtëm. Duke mos e kapur konceptin e mëkatit të trashëguar, hinduizmi premton vetëm një shpëtim nga ekzistenca.
Nga ana tjetër, mënyra e Biblës për çlirimin rezulton në heqjen aktuale të gjendjes mëkatare. Pasi pyeti se si mund të shpëtonte nga mëkati, apostulli Pavël vazhdon të përgjigjet: «I falem nderit Perëndisë me anë të Jezu Krishtit, Zotit tonë!» (Romakëve 7:25) Po, shpëtimi vjen nga Perëndia me anë të Jezu Krishtit.
Sipas Ungjillit të Mateut, «Biri i njeriut», Jezu Krishti, erdhi «për të dhënë shpirtin e tij si shpërblerje në shkëmbim për shumë». (Mateu 20:28, BR) Siç dokumentohet në 1. Timoteut 2:6, Pavli shkroi se Jezui «dha veten si shpërblerje përkatëse për të gjithë». (BR) Fjala «shpërblerje» do të thotë pagimi i çmimit për shpengimin e robërve. Fakti që është shpërblerje përkatëse thekson efektshmërinë e çmimit në nivelimin e peshores ligjore të drejtësisë. Por, si mund të quhet «shpërblerje përkatëse për të gjithë» vdekja e një njeriu?
Adami e shiti gjithë njerëzimin, përfshirë edhe ne, në mëkat dhe në vdekje. Çmimi apo dënimi që ai pagoi, ishte jeta e tij e përsosur njerëzore. Për ta mbuluar këtë, duhej paguar një tjetër jetë e përsosur njerëzore, një shpërblerje përkatëse. (Eksodi 21:23; Ligji i përtërirë 19:21; Romakëve 5:18, 19) Përderisa asnjë njeri i papërsosur nuk mund ta siguronte këtë shpërblerje, Perëndia, me mençurinë e tij të pafund, hapi rrugën për të dalë nga kjo ngushticë. (Psalmi 49:6, 7) Ai transferoi jetën e përsosur të Birit të tij të vetëmlindur nga qiejt, në barkun e një virgjëreshe në tokë, duke lënë që ai të lindte si njeri i përsosur.—Luka 1:30-38; Gjoni 3:16-18.
Për të çuar në vend veprën e shpengimit të njerëzimit, Jezui duhej të mbante integritetin e tij gjatë gjithë kohës që ishte në tokë dhe e bëri. Më pas, vdiq si sakrificë. Në këtë mënyrë, Jezui siguroi se vlera e një jete të përsosur njerëzore, ajo e tija, do të ishte në dispozicion për t’u paguar si shpërblerje për çlirimin e njerëzimit.—2. Korintasve 5:14; 1. Pjetrit 1:18, 19.
Çfarë mund të bëjë për ne shpërblerja e Krishtit?
Sakrifica shpërblerëse e Jezuit mund të na sjellë dobi që tani. Duke ushtruar besim në të, ne mund të kemi një qëndrim të pastër para Perëndisë dhe mund të jemi nën kujdesin e dashur dhe të butë të Jehovait. (Veprat 10:43; Romakëve 3:21-24) Në vend se të na pushtojë faji për mëkatet që mund të kemi kryer, ne mund të kërkojmë lirisht falje nga Perëndia në bazë të shpërblerjes.—Isaia 1:18; Efesianëve 1:7; 1. Gjonit 2:1, 2.
Në ditët që do të vijnë, shpërblerja do të bëjë të mundur shërimin e plotë të gjendjes së sëmurë të njerëzimit, të shkaktuar nga mëkati. Libri i fundit i Biblës përshkruan «një lumë me ujin e jetës», i cili buron nga froni i Perëndisë. Përgjatë anëve të lumit ka pemë me fruta të bollshme, që kanë gjethe «për shërimin e kombeve». (Zbulesa 22:1, 2, BR) Bibla flet këtu në mënyrë simbolike për masën e mrekullueshme të marrë nga Krijuesi për të çliruar njëherë e përgjithmonë njerëzimin nga mëkati dhe vdekja në bazë të sakrificës shpërblerëse të Jezuit.
Vizioni profetik i librit të Zbulesës së shpejti do të përmbushet. (Zbulesa 22:6, 7) Në atë kohë, të gjithë personat me zemër të drejtë do të bëhen të përsosur, duke qenë ‘të liruar nga skllavëria e prishjes’. (Romakëve 8:20, 21) A nuk duhet të na nxisë kjo për të mësuar më shumë për Perëndinë Jehova dhe Birin e tij besnik, Jezu Krishtin, i cili u bë shpërblerja?—Gjoni 17:3.
[Shënimi]
a Shiko librin Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim?, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
[Figura në faqen 6]
Adami solli mbi njerëzimin mëkatin dhe vdekjen
[Figura në faqen 7]
Sakrifica shpërblerëse e Jezuit sjell lirinë nga mëkati dhe vdekja