SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS
Romakëve 15:13—«Perëndia i shpresës le t’ju mbushë me çfarëdo gëzimi dhe paqe»
«Perëndia që jep shpresë, ju mbushtë plot gëzim e paqe ngaqë besoni tek ai, që të jeni plot e përplot me shpresë falë fuqisë së frymës së shenjtë!»—Romakëve 15:13, Përkthimi Bota e Re.
«Perëndia i shpresës le t’ju mbushë me çfarëdo gëzimi dhe paqe me anë të besimit, që të keni mbushulli në shpresë, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë!»—Romakëve 15:13, Përkthimi Diodati i Ri i Rishikuar.
Kuptimi i Romakëve 15:13
Me këto fjalë, apostulli Pavël shprehu dëshirën që Perëndia t’i mbushte bashkëbesimtarët e tij me «gëzim e paqe». Këto cilësi të bukura janë të lidhura me shpresën që jep Ai dhe me fuqinë e frymës së shenjtë.
Për shpresën që jep Zoti, lexojmë në Fjalën e tij të shkruar, në Bibël. Sipas Romakëve 15:4 «gjithçka që u shkrua kohë më parë [në Bibël], u shkrua për mësimin tonë, që, me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet, të kemi shpresë». Në Bibël flitet për premtimin e Perëndisë që do të zgjidhë probleme që mund ta bëjnë jetën të duket e pashpresë sot, siç janë varfëria, padrejtësitë, sëmundjet dhe vdekja. (Zbulesa 21:4) Zoti do t’i përmbushë këto premtime nëpërmjet Jezu Krishtit, prandaj kemi një shpresë për një të ardhme më të mirë.—Romakëve 15:12.
Shpresa që na jep Zoti, mund «të na mbulojë» ose «të vërshojë lumë» vetëm nëse besojmë tek Ai. Sa më shumë të mësojmë për të, aq më shumë do të bindemi se është absolutisht i besueshëm. (Isaia 46:10; Titit 1:2) Falë shpresës së besueshme që jep Perëndia, njeriu mund të mbushet me gëzim e paqe, edhe mes vështirësive.—Romakëve 12:12.
Paqja, gëzimi dhe shpresa lidhen edhe me ‘frymën e shenjtë’, pra me fuqinë e Perëndisë në veprim.a Zoti e përdor frymën e shenjtë për të plotësuar qëllimet e tij dhe kjo na jep shpresë. Kjo frymë prodhon edhe cilësi të bukura te njerëzit, si gëzimin dhe paqen.—Galatasve 5:22.
Konteksti i Romakëve 15:13
Libri i Romakëve është një letër që iu drejtua të krishterëve që jetonin në qytetin e Romës. Disa prej tyre e kishin prejardhjen nga familje judeje, ndërsa të tjerët, jo. Pavli i inkurajoi të tërë të punonin me gjithë shpirt që të ishin në unitet qoftë në mendime, qoftë në veprime, pavarësisht nga formimi dhe kultura që kishin.—Romakëve 15:6.
Pavli u kujtoi të krishterëve në Romë se Zoti e kishte parathënë sa e sa kohë më parë se do vinte një ditë kur të gjitha kombet do ta adhuronin së bashku. Për të mbështetur këtë të vërtetë, ai citoi 4 herë nga Shkrimet Hebraikeb. (Romakëve 15:9-12) Pika ishte kjo: njerëz nga të gjitha kombet mund të nxirrnin dobi nga shërbimi i Krishtit, bashkë me judenjtë. Të dyja grupet mund të kishin të njëjtën shpresë. Kështu, të gjithë ata që ishin në kongregacionin në Romë, pavarësisht nga prejardhja, duhej ‘ta pranonin krahëhapur njëri-tjetrin’, pra të ishin miqësorë e mikpritës me njëri-tjetrin.—Romakëve 15:7.
a Për më shumë informacion, lexo artikullin «Çfarë është fryma e shenjtë?»
b Shkrimet Hebraike ndonjëherë njihen edhe si Dhiata e Vjetër.