Jehovai, një Perëndi «gati për të falur»
«Ti, o Jehova, je i mirë dhe gati për të falur.»—PSALMI 86:5, BR.
1. Çfarë barre të rëndë mbajti mbreti David dhe si gjeti ngushëllim për zemrën e tij të trazuar?
MBRETI DAVID i Izraelit të lashtë e dinte se sa e rëndë mund të ishte barra e një ndërgjegjeje fajtore. Ai shkroi: «Fajet e mia kanë kaluar mbi kokën time; ashtu si një ngarkesë e rëndë, ato janë tepër të rënda për mua. Jam mpirë dhe jam dërrmuar në një shkallë ekstreme; kam ulëritur për shkak të rënkimit të zemrës sime.» (Psalmi 38:4, 8, BR) Megjithatë, Davidi gjeti ngushëllim për zemrën e tij të trazuar. Ai e dinte se ndonëse Jehovai urren mëkatin, nuk urren mëkatarin, nëse ky është me të vërtetë i penduar dhe e flak tej rrugën e tij mëkatare. (Psalmi 32:5; 103:3) Me besim të plotë në gatishmërinë e Jehovait për t’u ofruar mëshirë të penduarve, Davidi tha: «Ti, o Jehova, je i mirë dhe gati për të falur.»—Psalmi 86:5, BR.
2, 3. (a) Kur mëkatojmë, çfarë barre mund të mbajmë si rezultat dhe përse kjo është e shëndetshme? (b) Çfarë rreziku ekziston në të qenët «të gëlltitur» nga faji? (c) Çfarë sigurie na jep Bibla në lidhje me gatishmërinë e Jehovait për të falur?
2 Kur mëkatojmë, si rezultat edhe ne mund të mbajmë barrën dërrmuese të një ndërgjegjeje të dhimbshme. Kjo ndjenjë brejtjeje është normale, madje e shëndetshme. Ajo mund të na nxitë të ndërmarrim hapa pozitivë, për të korrigjuar gabimet tona. Por disa të krishterë janë përpirë nga faji. Zemra e tyre vetëdënuese mund të këmbëngulë se Perëndia nuk do t’i falë plotësisht, pavarësisht se sa të penduar janë. «Është një ndjenjë e tmerrshme, kur mendon se Jehovai mund të mos të të dojë më»,—tha një motër, duke reflektuar mbi një gabim që kishte bërë. Edhe pasi u pendua dhe pranoi këshillat e dobishme nga pleqtë e kongregacionit, ajo vazhdonte të ndihej e padenjë për faljen e Perëndisë. Ajo shpjegon: «Nuk kalonte një ditë pa i kërkuar falje Jehovait.» Nëse ‘gëlltitemi’ nga faji, Satanai mund të përpiqet të na bëjë të dorëzohemi, të mendojmë se nuk jemi të denjë t’i shërbejmë Jehovait.—2. Korintasve 2:5-7, 11.
3 Por kjo nuk është aspak mënyra se si i sheh Jehovai gjërat! Fjala e tij na siguron se kur manifestojmë pendim të sinqertë nga zemra, Jehovai është i gatshëm, po gati, për të falur. (Proverbat [Fjalët e urta] 28:13) Pra, nëse falja e Perëndisë të është dukur ndonjëherë e paarritshme, ndoshta ajo që nevojitet është një kuptueshmëri më e mirë mbi atë se pse dhe se si fal ai.
Pse Jehovai është «gati për të falur»?
4. Çfarë nuk harron Jehovai në lidhje me natyrën tonë dhe si ndikon kjo në mënyrën se si na trajton?
4 Lexojmë: «Sa larg është lindja e diellit nga perëndimi i tij, kaq larg nesh i ka vënë ai kundërvajtjet tona. Ashtu si një atë u tregon mëshirë bijve të tij, Jehovai u ka treguar mëshirë atyre që kanë frikë prej tij.» Përse Jehovai është i predispozuar të tregojë mëshirë? Vargu vijues përgjigjet: «Sepse ai vetë e njeh mirë formimin tonë, duke mos harruar se jemi pluhur.» (Psalmi 103:12-14, BR) Po, Jehovai nuk harron që ne jemi krijesa prej pluhuri, që kemi të meta, apo dobësi, si rezultat i papërsosmërisë. Shprehja se ai njeh «formimin tonë», na kujton se Bibla e përngjason Jehovain me një poçar dhe ne, me enët që formon ai.a (Jeremia 18:2-16) Një poçar i mban fort enët e tij prej argjile, por megjithatë me delikatesë, gjithmonë i vetëdijshëm për natyrën e tyre. Kështu, edhe Jehovai, Poçari i Madh, i përshtat në mënyrë elastike mënyrat e veprimit me ne, sipas brishtësisë së natyrës sonë mëkatare.—Krahaso 2. Korintasve 4:7.
5. Si e përshkruan libri i Romakëve kapjen e fuqishme të mëkatit në mishin tonë?
5 Jehovai e kupton se sa i fuqishëm është mëkati. Shkrimet e përshkruajnë mëkatin si një forcë të fuqishme me shtrëngimin e saj vdekjeprurës, të cilën e ka njeriu. Por, sa i fortë është mbërthimi prej mëkatit? Në librin e Romakëve, apostulli i frymëzuar, Pavli, e shpjegon këtë me terma të gjalla: Ne jemi «nën mëkat», ashtu si ushtarët janë nën komandantin e tyre (Romakëve 3:9); ai ka «sunduar» mbi njerëzimin si një mbret (Romakëve 5:21); ai «jeton», ose «banon», brenda nesh (Romakëve 7:17, 20, BR); «ligji» i tij është në veprim brenda nesh në mënyrë të vazhdueshme, duke u përpjekur të kontrollojë në thelb rrugën tonë. (Romakëve 7:23, 25) Ç’betejë të vështirë që kemi, për t’i rezistuar kapjes së fuqishme të mëkatit në mishin tonë të papërsosur!—Romakëve 7:21, 24.
6. Si i konsideron Jehovai ata që kërkojnë mëshirën e tij me një zemër të penduar?
6 Pra, Perëndia ynë i mëshirshëm e di se bindja e përsosur nuk është e mundur për ne, pavarësisht se sa shumë mund të dëshirojnë zemrat tona t’ia japin. (1. Mbretërve 8:46) Ai na siguron me dashuri se kur kërkojmë mëshirën e tij atërore me një zemër të penduar, ai do të ofrojë falje. Psalmisti David tha: «Flijimet ndaj Perëndisë janë një frymë e thyer; një zemër të thyer dhe të dërrmuar, o Perëndi, ti nuk do ta përbuzësh.» (Psalmi 51:17, BR) Jehovai nuk do ta hedhë poshtë apo nuk do ta sprapsojë kurrë një zemër që është thyer dhe dërrmuar nga barra e fajit. Sa bukur e përshkruan kjo gatishmërinë e Jehovait për të falur!
7. Përse nuk mund të abuzojmë me mëshirën e Perëndisë?
7 Por, a do të thotë kjo se ne mund të abuzojmë me mëshirën e Perëndisë, duke e përdorur natyrën tonë mëkatare si një justifikim për mëkatin? Patjetër që jo! Jehovai nuk udhëhiqet thjesht nga sentimentalizmi. Mëshira e tij ka kufij. Patjetër që nuk do t’i falë ata që me zemërgurësi praktikojnë mëkatin dashakeq dhe të vullnetshëm, pa pendim. (Hebrenjve 10:26-31) Nga ana tjetër, kur sheh një zemër që është «e thyer dhe e dërrmuar», ai është «gati për të falur». (Proverbat 17:3) Le të shqyrtojmë diçka nga gjuha shprehëse e përdorur në Bibël, për të përshkruar plotësinë e faljes hyjnore.
Sa plotësisht fal Jehovai?
8. Çfarë bën në thelb Jehovai, kur shfajëson mëkatet tona dhe çfarë efekti duhet të ketë kjo mbi ne?
8 Mbreti i penduar David, tha: «Më në fund mëkatin tim ta rrëfeva dhe fajin tim nuk e mbulova. Thashë: ‘Do t’i bëj një rrëfim të kundërvajtjeve të mia Jehovait.’ Ti vetë shfajësove fajin e mëkateve të mia.» (Psalmi 32:5, BR) Shprehja «shfajësove» përkthen një fjalë hebraike, që në thelb do të thotë «ngre», «mbart, mbaj». Këtu përdorimi i saj do të thotë ‘të çosh larg fajin, paudhësinë, kundërvajtjen’. Pra, Jehovai, si të thuash, i ngriti mëkatet e Davidit dhe i çoi tutje. (Krahaso Levitikun 16:20-22.) Kjo pa dyshim që i lehtësoi ndjenjat e fajit që mbante Davidi. (Krahaso Psalmin 32:3.) Edhe ne mund të kemi siguri të plotë në Perëndinë që shfajëson mëkatet e atyre, të cilët kërkojnë faljen e tij mbi bazën e besimit në sakrificën shpërblerëse të Jezu Krishtit. (Mateu 20:28; krahaso Isainë 53:12.) Ata, pra, mëkatet e të cilëve Jehovai i ka ngritur dhe i ka çuar tutje, nuk duhet të vazhdojnë të mbajnë barrën e ndjenjave të fajit për mëkatet e kaluara.
9. Cila është domethënia e fjalëve të Jezuit: «Na i fal borxhet tona»?
9 Për të ilustruar se si fal Jehovai, Jezui përdori marrëdhënien mes borxhdhënësve dhe borxhlinjve. Për shembull, Jezui na nxit të lutemi: «Na i fal borxhet tona.» (Mateu 6:12, BR) Pra, Jezui i përngjasoi «mëkatet» me «borxhet». (Luka 11:4) Kur mëkatojmë, ne bëhemi «borxhlinj» ndaj Jehovait. Fjala greke e përkthyer «fal», mund të ketë kuptimin «të lësh të kalojë, të heqësh dorë nga një borxh, duke mos e kërkuar medoemos atë». Në njëfarë kuptimi, kur Jehovai fal, ai fshin borxhin që përndryshe do të ishte në kurriz të llogarisë sonë. Kështu që mëkatarët e penduar mund të marrin ngushëllim. Jehovai nuk do të kërkojë kurrë pagimin e një borxhi që e ka fshirë!—Psalmi 32:1, 2; krahaso Mateun 18:23-35.
10, 11. (a) Cila është ideja e shprehur me anë të frazës ‘shuhen’, që gjendet në Veprat 3:19? (b) Si është ilustruar plotësia e faljes së Jehovait?
10 Në Veprat 3:19, Bibla përdor një figurë tjetër të gjallë letrare, për të përshkruar faljen e Perëndisë: «Prandaj, pendohuni dhe kthehuni, që mëkatet tuaja të shuhen.» Fraza «të shuhen» përkthen një folje greke, që kur përdoret në mënyrë metaforike mund të ketë kuptimin «shlyej, zhduk, fshij ose shkatërroj». Sipas disa studiuesve, koncepti i shprehur është ai i fshirjes së shkrimit me dorë. Si ishte e mundur kjo? Boja e shkrimit e përdorur zakonisht në kohët e lashta ishte një përzierje që përfshinte karbon, ngjitës dhe ujë. Pak pas shkrimit me një bojë të tillë, një person mund të merrte një sfungjer të lagur dhe ta shuante atë që kishte shkruar.
11 Ky është një përshkrim i bukur i plotësisë së faljes së Jehovait. Kur fal mëkatet tona, është njësoj sikur merr një sfungjer dhe i shuan. Nuk duhet të kemi frikë se mos mëkate të tilla ai do t’i mbajë kundër nesh në të ardhmen, sepse Bibla zbulon diçka tjetër në lidhje me mëshirën e Jehovait, që vërtet ia vlen të thuhet: Kur ai fal, harron!
«Nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre»
12. Kur Bibla thotë se Jehovai i harron mëkatet tona, a do të thotë kjo se ai nuk është në gjendje t’i sjellë ato ndër mend dhe pse përgjigjesh kështu?
12 Nëpërmjet profetit Jeremia, Jehovai premtoi në lidhje me ata të besëlidhjes së re: «Do ta fal fajin e tyre dhe nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre.» (Jeremia 31:34, BR) A do të thotë kjo se kur Jehovai fal, nuk është më në gjendje t’i kujtojë mëkatet? Vështirë se mund të jetë kështu. Bibla na tregon për mëkatet e shumë individëve që fali Jehovai, duke përfshirë edhe Davidin. (2. Samuelit 11:1-17; 12:1-13) Natyrisht që Jehovai është ende i vetëdijshëm për fajet që kryen ata dhe kështu duhet të jemi edhe ne. Dokumentimi i mëkateve dhe i pendimit të tyre, si dhe ai i faljes nga Perëndia, janë ruajtur për dobinë tonë. (Romakëve 15:4) Ku e ka fjalën, pra, Bibla, kur thotë që Jehovai nuk «kujton» mëkatet e atyre që fal?
13. (a) Çfarë përfshihet në domethënien e foljes hebraike të përkthyer «do të kujtoj»? (b) Kur Jehovai thotë se «Nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre», për çfarë na siguron?
13 Folja hebraike e përkthyer «do të kujtoj», nënkupton më shumë sesa thjesht të kujtosh të kaluarën. Sipas një libri mbi fjalët e Dhjatës së Vjetër, ajo përfshin «nënkuptimin e mëtejshëm të marrjes së veprimeve të përshtatshme». (Theological Wordbook of the Old Testament.) Pra, në këtë kuptim, të ‘kujtosh’ mëkatin përfshin marrjen e veprimeve kundër mëkatarëve. Kur profeti Hozea tha në lidhje me izraelitët rebelë se «Ai [Jehovai] do të kujtojë fajin e tyre», profeti donte të thoshte se Jehovai do të ndërmerrte veprime kundër tyre, për shkak të mungesës së pendimit nga ana e tyre. Kështu, pjesa tjetër e vargut shton: «Ai do t’u kushtojë vëmendje mëkateve të tyre.» (Hozea 9:9, BR) Nga ana tjetër, kur Jehovai thotë, «nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre», na siguron se pasi e ka falur një mëkatar të penduar, në ndonjë të ardhme nuk do të veprojë kundër tij për ato mëkate. (Ezekieli 18:21, 22) Pra, ai harron në kuptimin që nuk na i nxjerr përpara herë pas here mëkatet tona, që të na akuzojë apo ndëshkojë në mënyrë të përsëritur. Në këtë mënyrë, Jehovai lë një shembull të shkëlqyer për ne, që ta imitojmë në marrëdhëniet tona me të tjerët. Kur lindin mosmarrëveshje, më e mira është të mos rrëmojmë në ofendimet e kaluara, për të cilat më parë ke qenë dakord t’i falësh.
Po pasojat?
14. Përse falja nuk do të thotë se një mëkatar i penduar përjashtohet nga të gjitha pasojat e rrugës së tij të gabuar?
14 A do të thotë gatishmëria e Jehovait për të falur, se një mëkatar i penduar është i përjashtuar nga të gjitha pasojat e rrugës së tij të gabuar? Aspak. Nuk mund të mëkatojmë pa ndëshkim. Pavli shkroi: «Çfarëdo që të mbjellë një njeri, atë edhe do të korrë.» (Galatasve 6:7, BR) Ne mund të hasim disa pasoja të veprimeve apo të problemeve tona, por pasi na ofron faljen, Jehovai nuk bën që të na zënë hallet. Kur lindin shqetësime, një i krishterë nuk duhet të mendojë: ‘Ndoshta Jehovai po më ndëshkon për mëkatet e kaluara.’ (Krahaso Jakovit 1:13.) Nga ana tjetër, Jehovai nuk na kursen nga të gjitha pasojat e veprimeve tona të gabuara. Divorci, shtatëzënia e padëshiruar, sëmundja e transmetuar në rrugë seksuale, humbja e mirëbesimit apo e respektit të të tjerëve: të gjitha këto mund të jenë pasojat e trishtueshme të mëkatit dhe Jehovai nuk do të na mbrojë prej tyre. Sill ndër mend se megjithëse e fali Davidin për mëkatin e tij në lidhje me Betshebën dhe Uriahun, Jehovai nuk e mbrojti Davidin nga pasojat shkatërrimtare që pasuan.—2. Samuelit 12:9-14.
15, 16. Në ç’mënyrë ligji i shkruar në Levitikun 6:1-7 ishte si në dobi të viktimës, ashtu dhe të ofenduesit?
15 Mëkatet tona mund të kenë edhe pasoja të tjera. Shqyrto, për shembull, tregimin në kapitullin 6 të Levitikut. Këtu Ligji i Moisiut trajton situatën kur një person kryen një gabim serioz, duke marrë të mirat materiale të një izraeliti tjetër, me anë të grabitjes, rrëmbimit apo mashtrimit. Më pas mëkatari mohon se është fajtor, madje duke qenë kaq i pacipë sa betohet në mënyrë të rreme. Ky është rasti kur dy persona kanë diçka kundër njëri-tjetrit, por pa prova. Më vonë, megjithatë, ofenduesin e vret ndërgjegjja dhe e rrëfen mëkatin e tij. Për të fituar faljen e Perëndisë, atij i duhet të bëjë tri gjëra më shumë: të kthejë atë që ka marrë, t’i paguajë viktimës një gjobë prej 20 për qind dhe të ofrojë një dash si ofertë për fajin. Më pas, ligji thotë: «Prifti duhet të bëjë një shlyerje për të përpara Jehovait dhe kështu atij duhet t’i falet.»—Levitiku 6:1-7, BR; krahaso Mateun 5:23, 24.
16 Ky ligj ishte një masë e mëshirshme nga Perëndia. Ai ishte në dobi të viktimës, të cilit i kthehej pasuria dhe që pa dyshim ndiente shumë lehtësim, kur më në fund ofenduesi pranonte mëkatin e tij. Në të njëjtën kohë, ligji ishte në dobi të atij, ndërgjegjja e të cilit së fundi e shtyu të pohonte fajin e tij dhe ta korrigjonte atë. Në të vërtetë, nëse ai do të kishte refuzuar të vepronte kështu, për të nuk do të kishte falje nga Perëndia.
17. Kur të tjerët janë dëmtuar nga mëkatet tona, çfarë pret Jehovai të bëjmë ne?
17 Megjithëse nuk jemi nën Ligjin e Moisiut, ai na jep mendjehollësi të çmuar mbi mendjen e Jehovait, duke përfshirë edhe mënyrën e tij të të menduarit mbi faljen. (Kolosianëve 2:13, 14) Kur të tjerët janë dëmtuar apo kanë rënë viktima të mëkateve tona, Jehovai kënaqet kur ne bëjmë atë që mundemi për të ‘rregulluar fajin’. (2. Korintasve 7:11, BR) Kjo përfshin pranimin e mëkatit tonë, pohimin e fajit dhe madje të kërkuarin ndjesë viktimës. Pastaj mund t’i drejtohemi Jehovait mbi bazën e sakrificës së Jezuit dhe të përjetojmë lehtësimin e një ndërgjegjeje të pastër, si dhe sigurinë se jemi falur nga Perëndia.—Hebrenjve 10:21, 22.
18. Çfarë disiplinimi mund ta shoqërojë faljen e Jehovait?
18 Si çdo prind i dashur, Jehovai mund të ofrojë faljen bashkë me një masë disiplinimi. (Proverbat 3:11, 12) Një të krishteri të penduar mund t’i duhet të heqë dorë nga privilegji i tij i shërbimit si plak, shërbëtor ndihmës apo pionier. Për të mund të jetë e dhimbshme të humbasë për një periudhë kohore privilegje që i kishte të çmuara. Megjithatë, një disiplinim i tillë, nuk do të thotë se ka humbur favorin e Jehovait apo se Jehovai ia ka mbajtur faljen. Përveç kësaj, nuk duhet të harrojmë se disiplina nga Jehovai është provë e dashurisë së tij për ne. Pranimi dhe aplikimi i saj është në të mirën tonë dhe mund të çojë drejt jetës së përhershme.—Hebrenjve 12:5-11.
19, 20. (a) Nëse ke bërë gabime, pse nuk duhet të mendosh se nuk mund të arrihesh nga mëshira e Jehovait? (b) Çfarë do të trajtohet në artikullin vijues?
19 Sa freskuese është të dimë se i shërbejmë një Perëndie që është «gati për të falur»! Jehovai sheh më shumë sesa mëkatet dhe gabimet tona. (Psalmi 130:3, 4) Ai e di se çfarë ka në zemrën tonë. Nëse ndien se zemra jote është thyer dhe dërrmuar për shkak të gabimeve të kaluara, mos nxirr përfundimin se nuk mund të arrihesh nga mëshira e Jehovait. Pavarësisht se çfarë gabimesh mund të kesh bërë, nëse je penduar me të vërtetë, ke ndërmarrë hapat për të rregulluar të gabuarën dhe je lutur me zjarr për faljen e Jehovait mbi bazën e gjakut të derdhur të Jezuit, mund të kesh besim të plotë se fjalët e 1. Gjonit 1:9 aplikohen tek ty: «Nëse i rrëfejmë mëkatet tona, ai është i besueshëm dhe i drejtë që t’i falë mëkatet tona dhe të na pastrojë nga çdo padrejtësi.»
20 Bibla na inkurajon ta imitojmë faljen e Jehovait në marrëdhëniet tona me njëri-tjetrin. Megjithatë, deri në ç’masë mund të pritet nga ne të falim dhe të harrojmë, kur të tjerët mëkatojnë kundër nesh? Kjo do të trajtohet në artikullin vijues.
[Shënimi]
a Është interesant fakti që fjala hebraike e përkthyer «formimin tonë», përdoret në lidhje me enët prej argjile të bëra nga një poçar.—Isaia 29:16.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Pse Jehovai është «gati për të falur»?
◻ Si e përshkruan Bibla plotësinë e faljes së Jehovait?
◻ Kur Jehovai fal, në çfarë kuptimi harron?
◻ Çfarë pret Jehovai të bëjmë, kur të tjerët janë dëmtuar nga mëkatet tona?
[Figura në faqen 12]
Kur të tjerët janë dëmtuar nga mëkatet tona, Jehovai pret prej nesh që t’i dëmshpërblejmë