T’i ndihmojmë njerëzit që t’i afrohen Jehovait
«Askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.»—GJONI 14:6.
1. Çfarë urdhri u dha Jezui i ringjallur dishepujve të tij dhe çfarë ka sjellë si rezultat bindja e Dëshmitarëve të Jehovait ndaj këtij urdhri?
JEZU KRISHTI i urdhëroi ithtarët e tij që të ‘bënin dishepuj nga të gjithë popujt, duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të frymës së shenjtë’. (Mateu 28:19) Gjatë dhjetë vjetëve të shkuara, Dëshmitarët e Jehovait kanë ndihmuar mbi tre milionë njerëz që të vijnë te Perëndia, duke i pagëzuar me kalimin e kohës në simbol të dedikimit të tyre ndaj Perëndisë, për të bërë vullnetin e tij. Sa të lumtur jemi që t’i ndihmojmë ata për t’iu afruar Perëndisë!—Jakovit 4:8.
2. Edhe pse shumë të rinj po pagëzohen, çfarë gjëje ka ndodhur?
2 Por në disa vende, ku janë pagëzuar shumë dishepuj të rinj, nuk ka pasur një rritje korresponduese në numrin e lajmëtarëve të Mbretërisë. Sigurisht, duhet bërë përjashtim për ata që kanë vdekur, duke qenë se shkalla vjetore e vdekshmërisë është rreth 1 për qind. Megjithatë, në pak vitet e fundit një numër personash janë larguar për disa arsye. Përse? Ky artikull, si edhe artikulli vijues, do të marrin në shqyrtim se si tërhiqen njerëzit drejt Jehovait dhe arsyet e mundshme se përse disa veta largohen.
Qëllimi i predikimit tonë
3. (a) Si përkon misioni që u është besuar dishepujve të Jezuit me atë të engjëllit që përmendet në Zbulesën 14:6? (b) Cila ka dalë se është një mënyrë e efektshme për të nxitur interesin e njerëzve mbi mesazhin e Mbretërisë, por cili problem ekziston?
3 Në këtë ‘kohë të mbarimit’, dishepujt e Jezuit kanë detyrën të përhapin «njohurinë e vërtetë» që ka të bëjë me «këtë lajm të mirë të mbretërisë». (Danieli 12:4; Mateu 24:14, BR) Misioni i tyre përkon me atë të engjëllit që «kishte një lajm të mirë të përhershëm, që t’ua shpallte si sihariq atyre që banojnë mbi tokë dhe çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli». (Zbulesa 14:6, BR) Në këtë botë, që është kaq e zhytur në gjërat materialiste të jetës së përditshme, në përgjithësi mënyra më e efektshme për të nxitur interesin e njerëzve mbi Mbretërinë e Perëndisë dhe për t’i ndihmuar që t’i afrohen Jehovait është t’u tregojmë për shpresën e jetës së përhershme në një tokë parajsore. Ndërkohë që kjo gjë është e kuptueshme, ata që shoqërohen me popullin e Perëndisë vetëm e vetëm për të fituar hyrjen në Parajsë, nuk i kanë vendosur fort këmbët në rrugën e ngushtë që të çon në jetë.—Mateu 7:13, 14.
4. Sipas Jezuit dhe engjëllit që fluturon në mes të qiellit, cili është qëllimi i veprës sonë të predikimit?
4 Jezui pohoi: «Kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar.» (Gjoni 17:3) Engjëlli që fluturon në mes të qiellit shpall «një lajm të mirë të përhershëm» dhe u thotë atyre që banojnë në tokë: «Druani Perëndinë dhe i jepni lavdi, sepse ora e gjyqit të tij erdhi, adhuroni atë që bëri qiellin, dheun, detin dhe burimet e ujërave.» (Zbulesa 14:7) Për pasojë, qëllimi kryesor se përse e predikojmë lajmin e mirë është që t’i ndihmojmë njerëzit t’i afrohen Jehovait nëpërmjet Krishtit Jezu.
Roli ynë në veprën e Jehovait
5. Cilat pohime të Pavlit dhe të Jezuit tregojnë se ne po bëjmë veprën e Jehovait, jo tonën?
5 Duke u shkruar të bashkëkrishterëve të mirosur, apostulli Pavël flet për «shërbimin e pajtimit» dhe thotë se Perëndia i pajton njerëzit me veten në bazë të flijimit shpërblyes të Jezu Krishtit. Pavli thotë që është «sikur Perëndia të përgjërohej nëpërmjet nesh» dhe që, «si zëvendësues për Krishtin, ne lutemi: ‘Pajtohuni me Perëndinë’». Sa na e ngroh zemrën ky mendim! Qofshim «ambasadorë zëvendësues për Krishtin», pra, të mirosur, qofshim të ngarkuarit e tij me punë, pra, me shpresë tokësore, kurrë nuk duhet ta harrojmë se kjo është vepra e Jehovait, jo vepra jonë! (2. Korintasve 5:18-20, BR) Në të vërtetë është Perëndia ai që i tërheq njerëzit dhe që mëson ata të cilët vijnë te Krishti. Jezui pohoi: «Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit. Në profetët është shkruar: ‘Të gjithë do të jenë të mësuar nga Perëndia.’ Çdo njeri, pra, që ka dëgjuar dhe mësuar nga Ati, vjen tek unë.»—Gjoni 6:44, 45.
6. Si po i trondit Jehovai kombet në mënyrë paraprake dhe në të njëjtën kohë, cilët po gjejnë siguri në «shtëpinë» e tij të adhurimit?
6 Si i tërheq Jehovai njerëzit në këto ditë të fundit dhe si u hap atyre «derën e besimit»? (Veprat 14:27, shënimi, BR; 2. Timoteut 3:1) Një mënyrë kryesore është duke dërguar Dëshmitarët e tij që të shpallin mesazhet e tij të shpëtimit dhe të gjykimit të këtij sistemi të lig gjërash. (Isaia 43:12; 61:1, 2) Kjo shpallje mbarëbotërore po përçon një dridhje përmes kombeve, pra, një paralajmërim të shkatërrimit gjyqësor që do të vijë së shpejti. Në të njëjtën kohë, njerëzit që janë «të çmuar» në sytë e Perëndisë po dalin nga ky sistem dhe po gjejnë siguri në «shtëpinë» e tij të adhurimit të vërtetë. Në këtë mënyrë, Jehovai po përmbush fjalët e tij profetike të dokumentuara nga Hageu: «Do t’i trondit të gjitha kombet dhe gjërat e dëshirueshme të të gjitha kombeve duhet të vijnë dhe unë do ta mbush këtë shtëpi me lavdi.»—Hageu (Hagai) 2:6, 7, shënimi, BR; Zbulesa 7:9, 15.
7. Si i hap Jehovai zemrat e njerëzve dhe si i tërheq individët drejt vetes dhe Birit të tij?
7 Jehovai i hap zemrat e këtyre personave me druajtje Perëndie, «gjërave më të zgjedhura të të gjitha kombeve», me qëllim që ata t’u ‘kushtojnë vëmendje gjërave të folura’ nga Dëshmitarët e tij. (Hageu 2:7, Jewish Publication Society; Veprat 16:14, BR) Ashtu si në shekullin e parë, disa herë Jehovai përdor engjëjt për t’i drejtuar Dëshmitarët e tij te njerëzit e sinqertë, që i kanë thirrur atij për ndihmë. (Veprat 8:26-31) Ndërsa mësojnë për masat e mrekullueshme që ka marrë Perëndia për ta me anë të Birit të tij, Jezu Krishtit, njerëzit tërhiqen drejt Jehovait për shkak të dashurisë së tij. (1. Gjonit 4:9, 10) Po, Perëndia i tërheq njerëzit drejt vetes dhe Birit të tij me anë të «dashamirësisë së dashur» ose të «dashurisë besnike» të Tij.—Jeremia 31:3, shënimi, BR.
Cilët tërheq Jehovai?
8. Çfarë lloj njerëzish tërheq Jehovai?
8 Jehovai tërheq drejt vetes dhe Birit të tij ata njerëz që e kërkojnë Atë. (Veprat 17:27) Këtu përfshihen njerëzit që «psherëtijnë e rënkojnë për të gjitha gjërat e neveritshme që po bëhen» në të ashtuquajturin krishterim dhe faktikisht në të gjithë botën. (Ezekieli 9:4, BR) Ata janë «të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore». (Mateu 5:3, BR) Në të vërtetë, ata janë «të butët [të përulurit, shënimi] e tokës» që do të banojnë përgjithmonë në tokën parajsore.—Sofonia 2:3, BR.
9. Si mund ta dallojë Jehovai nëse njerëzit janë «të prirur siç duhet për jetën e përhershme» dhe si i tërheq ai këta njerëz?
9 Jehovai mund t’ua lexojë zemrën njerëzve. Mbreti David i tha Solomonit, birit të tij: «Zoti heton të gjitha zemrat dhe kupton tërë qëllimet e mendimeve. Në rast se ti e kërkon, ai do të të lërë ta gjesh.» (1. Kronikave 28:9) Duke u bazuar mbi gjendjen e zemrës së një personi dhe mbi frymën ose qëndrimin që mbizotëron tek ai, Jehovai mund të dallojë nëse ai ose ajo do t’u përgjigjet masave hyjnore për faljen e mëkateve dhe shpresës së jetës së përhershme në sistemin e ri të drejtë të Perëndisë. (2. Pjetrit 3:13) Me anë të Fjalës së tij, të cilën e predikojnë dhe e mësojnë Dëshmitarët e tij, Jehovai tërheq drejt vetes dhe Birit të tij ‘të gjithë ata që janë të prirur siç duhet për jetën e përhershme’ dhe këta ‘bëhen besimtarë’.—Veprat 13:48, BR.
10. Ç’gjë tregon se fakti që Jehovai tërheq disa njerëz e disa të tjerë jo, nuk përfshin paracaktimin?
10 A përfshin ndonjë formë paracaktimi fakti që Jehovai tërheq disa njerëz e disa të tjerë jo? Në asnjë mënyrë! Nëse Perëndia tërheq disa njerëz, kjo varet nga vetë aspiratat e tyre. Ai e respekton vullnetin e tyre të lirë. Sot, Jehovai vendos para banorëve të tokës të njëjtën zgjedhje që vuri përpara izraelitëve mbi 3.000 vjet më parë, kur Moisiu tha: «Unë vë sot para teje jetën dhe të mirën, vdekjen dhe të keqen. . . . Unë marr sot si dëshmitarë kundër teje qiellin dhe tokën që unë të kam vënë përpara jetës dhe vdekjes, bekimit dhe mallkimit, zgjidh, pra, jetën që të mund të jetoni ti dhe pasardhësit e tu dhe të mund ta duash Zotin, Perëndinë tënd, t’i bindesh zërit të tij dhe të qëndrosh i lidhur ngushtë me të, sepse ai është jeta jote dhe gjatësia e ditëve të tua.»—Ligji i përtërirë 30:15-20.
11. Si do të zgjidhnin izraelitët jetën?
11 Vër re se izraelitët duhej të zgjidhnin jetën, ‘duke dashur Zotin, duke iu bindur zërit të tij dhe duke qëndruar të lidhur ngushtë me të’. Kur u thanë këto fjalë, populli i Izraelit nuk e kishte marrë ende në zotërim Tokën e Premtuar. Ata po qëndronin në rrafshnaltën e Moabit, duke u përgatitur për të kapërcyer lumin Jordan dhe për të hyrë në Kanaan. Edhe pse ishte e natyrshme që ta kishin mendjen te vendi ‘i mirë dhe i hapur, ku rridhte qumësht dhe mjaltë’, vend të cilin do ta merrnin së shpejti, realizimi i ëndrrave të tyre varej nga dashuria që kishin për Jehovain, nëse do ta dëgjonin zërin e tij e nëse do të qëndronin të lidhur ngushtë me të. (Eksodi 3:8) Moisiu e bëri të qartë këtë, kur tha: «Nëse do t’i dëgjosh urdhërimet e Jehovait, Perëndisë tënd, të cilat po t’i urdhëroj sot, në mënyrë që ta duash Jehovain, Perëndinë tënd, të ecësh në udhët e tij dhe të mbash urdhërimet, statutet e vendimet e tij gjyqësore, atëherë me siguri do të mbetesh gjallë e do të shumohesh dhe Jehovai, Perëndia yt, do të të bekojë në vendin në të cilin po shkon ta marrësh në zotërim.»—Ligji i përtërirë 30:16, BR.
12. Çfarë duhet të na mësojë shembulli i izraelitëve lidhur me veprën e predikimit dhe të mësimdhënies që bëjmë?
12 A nuk duhet të na mësojë gjithë sa thamë më sipër diçka për veprën e predikimit dhe të mësimdhënies që po bëjmë në këtë kohë të mbarimit? Ne mendojmë për Parajsën tokësore që do të vijë dhe flasim për të në shërbimin tonë. Por as ne, as dishepujt që bëjmë, nuk do të shohim përmbushjen e premtimit, nëse ne ose ata i shërbejmë Perëndisë për arsye egoiste. Ashtu si izraelitët, ne dhe dishepujt që bëjmë, duhet të mësojmë të ‘duam Zotin [Jehovain], t’i bindemi zërit të tij dhe të qëndrojmë lidhur ngushtë me të’. Po ta kemi parasysh këtë, kur kryejmë shërbimin tonë, do të bashkëpunojmë efektivisht me Perëndinë për t’i afruar njerëzit me të.
Bashkëpunëtorët e Perëndisë
13, 14. (a) Sipas 1. Korintasve 3:5-9, në ç’mënyrë bëhemi ne bashkëpunëtorë të Perëndisë? (b) Cilit duhet t’i jepet merita për çdo rritje dhe përse?
13 Pavli e ilustroi bashkëpunimin me Perëndinë duke iu referuar kultivimit të një fushe. Ai shkroi: «Kush është, pra, Pali dhe kush është Apoli, veçse shërbëtor me anë të të cilëve ju besuat, edhe ashtu si Zoti i dha gjithsecilit? Unë mbolla, Apoli ujiti, po Perëndia i bëri të rriten. Kështu, pra, as ai që mbjell, as ai që ujit, nuk është gjë, por Perëndia që rrit. Por ai që mbjell dhe ai që ujit janë një dhe secili do të marrë shpërblimin e vet sipas mundit të tij. Ne, pra, jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë; ju jeni ara [fusha nën kultivim, BR] e Perëndisë.»—1. Korintasve 3:5-9.
14 Si bashkëpunëtorë të Perëndisë, ne duhet të mbjellim me besnikëri «fjalën e mbretërisë» në zemrën e njerëzve, pastaj të ujitim çdo interes që tregohet, me anë të rivizitave të përgatitura mirë dhe me anë të studimeve biblike. Nëse toka, pra zemra, është e mirë, Jehovai do të bëjë pjesën e tij, duke e bërë farën e së vërtetës biblike të rritet në një bimë frytdhënëse. (Mateu 13:19, 23) Ai do ta tërheqë personin drejt vetes dhe Birit të tij. Pra, në analizën e fundit, çdo rritje në numrin e lajmëtarëve të Mbretërisë vjen për shkak të punës që bën Jehovai në zemrën e njerëzve, duke e bërë të rritet farën e së vërtetës dhe duke i tërhequr këta persona drejt vetes dhe Birit të tij.
Vepër ndërtimi që do të mbetet
15. Çfarë ilustrimi përdori Pavli për të treguar se si i ndihmojmë të tjerët të zhvillojnë besimin?
15 Ndërkohë që gëzohemi për rritjen, ne dëshirojmë sinqerisht t’i shohim njerëzit që të vazhdojnë ta duan Jehovain, të dëgjojnë zërin e tij dhe të qëndrojnë lidhur ngushtë me të. Trishtohemi kur shohim disa që ftohen dhe largohen. A mund të bëjmë ndonjë gjë për ta parandaluar këtë? Me një ilustrim tjetër, Pavli tregon se si mund t’i ndihmojmë të tjerët që të zhvillojnë besimin. Ai shkruan: «Askush nuk mund të hedhë themel tjetër përveç atij që është hedhur, i cili është Jezu Krishti. Dhe në qoftë se dikush ndërton mbi këtë themel ar, argjend, gurë të çmuar, dru, sanë, kashtë, vepra e secilit do të shfaqet, sepse dita do ta tregojë; sepse do të zbulohet me anë të zjarrit dhe zjarri do të provojë veprën e secilit e ç’lloji është.»—1. Korintasve 3:11-13.
16. (a) Si ndryshojnë, për sa i përket objektivit, dy ilustrimet që përdori Pavli? (b) Si mund të ndodhë që vepra jonë e ndërtimit të mos jetë e kënaqshme dhe të mos i rezistojë zjarrit?
16 Në ilustrimin e parë që përdori Pavli, me fushën, rritja varet nga mbjellja e mirë, nga ujitja e rregullt dhe nga bekimi i Perëndisë. Ilustrimi i dytë që bëri apostulli thekson përgjegjësinë e shërbëtorëve të krishterë për atë që ndodh me veprën e tyre të ndërtimit. A kanë ndërtuar mbi një themel të fortë me materiale cilësore? Pavli paralajmëron: «Secili le të vazhdojë të vëzhgojë se si po ndërton.» (1. Korintasve 3:10, BR) Pasi kemi nxitur interesin e një personi, duke i folur atij ose asaj për shpresën e jetës së përhershme në Parajsë, mos ndoshta e përqendrojmë mësimin tonë vetëm në gjërat elementare të njohurisë biblike dhe pastaj e vëmë theksin kryesisht mbi atë që duhet të bëjë personi për të marrë jetën e përhershme? Mos ndoshta mësimi ynë përqendrohet vetëm në këtë: ‘Nëse dëshiron të jetosh përgjithmonë në Parajsë, duhet të studiosh, të shkosh në mbledhje dhe të marrësh pjesë në veprën e predikimit.’ Nëse po, atëherë nuk po e ndërtojmë besimin e personit mbi një themel të fortë dhe ajo që po ndërtojmë mund të mos i rezistojë zjarrit të sprovave ose mund të mos i qëndrojë provës së kohës. Të përpiqemi t’i tërheqim njerëzit drejt Jehovait vetëm me anë të shpresës së jetës në Parajsë, në shkëmbim të pak viteve të shërbimit ndaj tij, është sikur po ndërtojmë me materiale ‘druri, sane dhe kashte’.
Të ndërtojmë dashurinë për Perëndinë dhe për Krishtin
17, 18. (a) Çfarë është e domosdoshme që besimi i një personi të qëndrojë? (b) Si mund ta ndihmojmë një person që Krishti të banojë në zemrën e tij ose të saj?
17 Që të qëndrojë, besimi duhet bazuar mbi një marrëdhënie personale me Perëndinë Jehova nëpërmjet Jezu Krishtit. Duke qenë njerëz të papërsosur, këtë marrëdhënie paqësore me Perëndinë mund ta arrijmë vetëm nëpërmjet Birit të tij. (Romakëve 5:10) Mos harro se Jezui tha: «Askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.» Për t’i ndihmuar të tjerët që të ndërtojnë besimin, «askush nuk mund të hedhë themel tjetër përveç atij që është hedhur, i cili është Jezu Krishti». Çfarë përfshin kjo?—Gjoni 14:6; 1. Korintasve 3:11.
18 Të ndërtojmë duke vënë si themel Krishtin do të thotë të mësojmë në mënyrë të tillë që studenti i Biblës të zhvillojë një dashuri të thellë për Jezuin, duke pasur njohuri të plotë mbi rolin e Tij si Shpengues, si Kreu i kongregacionit, si Kryeprift i dashur dhe si Mbret sundues. (Danieli 7:13, 14; Mateu 20:28; Kolosianëve 1:18-20; Hebrenjve 4:14-16) Do të thotë që t’ua bëjmë kaq real Jezuin, saqë ai të banojë vërtet në zemrën e tyre. Duhet të lutemi për ta, ashtu siç u lut Pavli për të krishterët në Efes. Ai shkroi: «Po i përkul gjunjët e mi përpara Atit, . . . me qëllim që t’ju lejojë . . . që Krishti të banojë, me anë të besimit tuaj, në zemrat tuaja me dashuri, që të jeni të rrënjosur dhe të stabilizuar mbi themel.»—Efesianëve 3:14-17, BR.
19. Cili do të jetë rezultati nëse ndërtojmë dashurinë për Krishtin në zemrën e studentëve tanë të Biblës dhe çfarë duhet t’u mësojmë atyre?
19 Nëse ndërtojmë në mënyrë të tillë që dashuria për Krishtin të zhvillohet në zemrën e studentëve tanë, kjo do të sjellë si rezultat logjik ndërtimin e dashurisë për Perëndinë Jehova. Dashuria, ndjenjat dhe dhembshuria e Jezuit janë një pasqyrim besnik i cilësive të Jehovait. (Mateu 11:28-30; Marku 6:30-34; Gjoni 15:13, 14; Kolosianëve 1:15; Hebrenjve 1:3) Kështu, dora-dorës që njerëzit njohin dhe duan Jezuin, ata do të arrijnë të njohin dhe të duan Jehovain.a (1. Gjonit 4:14, 16, 19) Ne duhet t’u mësojmë studentëve të Biblës se pas gjithë asaj që ka bërë Krishti për njerëzimin qëndron Jehovai e prandaj ne i detyrojmë Atij falënderimet, lavdërimin dhe adhurimin, pasi është «Perëndia i shpëtimit tonë».—Psalmi 68:19, 20, BR; Isaia 12:2-5; Gjoni 3:16; 5:19.
20. (a) Si mund t’i ndihmojmë njerëzit që t’i afrohen Perëndisë dhe Birit të tij? (b) Çfarë do të trajtohet në artikullin vijues?
20 Si bashkëpunëtorë të Perëndisë, le t’i ndihmojmë njerëzit që t’i afrohen atij dhe Birit të tij, duke i ndihmuar që të zhvillojnë dashurinë dhe besimin në zemrat e tyre! Në këtë mënyrë, Jehovai do të bëhet real për ta. (Gjoni 7:28) Nëpërmjet Krishtit, ata do të jenë në gjendje të vendosin një marrëdhënie intime me Perëndinë dhe do ta duan e do të qëndrojnë të lidhur ngushtë me të. Nuk do të vendosin kufij kohorë në shërbimin e tyre të motivuar nga dashuria, duke ushtruar besim se premtimet e mrekullueshme të Jehovait do të përmbushen në kohën e tij të duhur. (Vajtimet 3:24-26; Hebrenjve 11:6) Por, ndërkohë që ndihmojmë të tjerët për të zhvilluar besim, shpresë dhe dashuri, ne duhet të ndërtojmë edhe besimin tonë që të jetë si një anije e fortë, në gjendje për t’u bërë ballë stuhive të forta. Kjo do të trajtohet në artikullin vijues.
[Shënimi]
a Një ndihmë e shkëlqyer për të njohur më mirë Jezuin dhe nëpërmjet tij, Atin e tij, Jehovain, është libri Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
[Pika për rishikim]
◻ Si e nxitim shpesh interesin e njerëzve për mesazhin e Mbretërisë, por cili rrezik ekziston?
◻ Çfarë lloj njerëzish tërheq Jehovai drejt vetes dhe Birit të tij?
◻ Nga se varej hyrja e Izraelit në Tokën e Premtuar dhe çfarë mund të mësojmë nga kjo?
◻ Çfarë roli luajmë ne kur ndihmojmë njerëzit që t’i afrohen Jehovait dhe Birit të tij?
[Figura në faqen 10]
Edhe pse u ofrojmë njerëzve shpresën për të jetuar përgjithmonë në Parajsë, objektivi ynë kryesor është t’i tërheqim ata drejt Jehovait
[Figurat në faqen 13]
Rivizitat mund të jenë shumë të efektshme po të përgatitemi mirë