Vazhdo të bësh çmos për të arritur shpëtimin tënd!
«Të dashur, . . . vazhdoni të bëni çmos për të arritur shpëtimin tuaj me druajtje dhe dridhje.»—FILIPIANËVE 2:12, BR.
1, 2. Cilat nocione të përhapura i kanë bërë shumë njerëz të mendojnë se nuk kanë kontroll mbi drejtimin që do të marrë jeta e tyre?
«A KE lindur kështu?» Kohët e fundit, kjo pyetje u shfaq me bujë në kopertinën e një reviste të njohur. Poshtë titullit gjendeshin fjalët: «Personaliteti, temperamenti e madje edhe zgjedhjet e jetës. Studimet e reja tregojnë se kryesisht këto gjenden në gjenet.» Pohime të tilla mund t’i bëjnë disa që të mendojnë se kanë pak kontroll mbi jetën e tyre.
2 Të tjerë kanë frikë se mos edukimi i dobët nga prindërit e tyre ose mësimdhënia e dobët e mësuesve, në njëfarë mënyre i ka dënuar ata për të bërë një jetë jo të lumtur. Ata mund të ndihen të dënuar për të përsëritur gabimet e prindërve të tyre, për të vepruar sipas impulseve të tyre më të këqija, për të mos u treguar besnikë ndaj Jehovait, me një fjalë për të bërë zgjedhje të gabuara. A mëson këtë gjë Bibla? Pa dyshim, ka fetarë që këmbëngulin se Bibla mëson diçka të ngjashme me këtë, e cila është doktrina e fatit. Sipas kësaj doktrine, shumë kohë më parë Perëndia paracaktoi çdo ngjarje në jetën e njerëzve.
3. Cilin mesazh inkurajues ka Bibla në lidhje me aftësinë tonë për të marrë përgjegjësinë për të ardhmen tonë?
3 Të gjitha këto nocione të ndryshme kanë një mesazh të përbashkët: Ti ke pak mundësi të zgjedhësh, pak kontroll mbi drejtimin që do të marrë jeta jote. Ky është një mesazh shkurajues, apo jo dhe shkurajimi s’bën gjë tjetër veçse e shton problemin. Në Proverbat (Fjalët e urta) 24:10, thuhet: «A je treguar i shkurajuar në ditën e angështisë? Fuqia jote do të jetë e dobët.» (BR) Por, ne inkurajohemi kur mësojmë se sipas Biblës, mund ‘të bëjmë çmos për të arritur shpëtimin tonë’. (Filipianëve 2:12, BR) Si mund ta përforcojmë sigurinë tonë në këtë mësim pozitiv biblik?
Vepra e «ndërtimit» që bëjmë brenda nesh
4. Edhe pse në 1. Korintasve 3:10-15 flitet për ndërtimin me materiale zjarrduruese, çfarë nuk lë të nënkuptohet kjo?
4 Shqyrto ilustrimin e apostullit Pavël që e gjejmë në 1. Korintasve 3:10-15. Atje, ai flet për një vepër ndërtimi të krishterë dhe parimi i ilustrimit të tij mund t’i zbatohet shërbimit brenda dhe jashtë kongregacionit. A lë të nënkuptohet ai se, nëse një dishepull përfundimisht do të zgjedhë t’i shërbejë Jehovait dhe do të qëndrojë besimplotë, është plotësisht përgjegjësia e atyre që e mësuan dhe e stërvitën atë? Jo. Pavli po nxirrte në pah se sa e rëndësishme ishte që mësuesi të bënte veprën më të mirë të ndërtimit që mundej. Por, siç e mësuam në artikullin pararendës, ai nuk po thoshte se studenti ose dishepulli nuk mund të zgjedhë fare në këtë çështje. Vërtet, ilustrimi i Pavlit përqendrohet në veprën që ne bëjmë te të tjerët, jo në ndërtimin e vetes sonë. Kjo është e dukshme, sepse duke folur për veprën e ndërtimit të bërë shkel e shko, Pavli thotë se ajo shkatërrohet, kurse vetë ndërtuesi shpëtohet. Pavarësisht nga kjo, Bibla disa herë përdor të njëjtën shprehje të figurshme për veprën që bëjmë në veten tonë.
5. Si e tregojnë Shkrimet se të krishterët duhet të bëjnë një vepër «ndërtimi» në veten e tyre?
5 Shqyrto, për shembull, Judën 20, 21: «Ju, të dashur, duke u ndërtuar mbi besimin tuaj më të shenjtë dhe duke u lutur me frymë të shenjtë, mbahuni në dashurinë e Perëndisë.» (BR) Këtu, Juda përdor të njëjtën fjalë greke për «ndërtim» që përdor Pavli në 1. Korintasve, në kapitullin 3, por argumenti i Judës duket se është që ne të ndërtojmë veten tonë mbi themelin e besimit tonë. Luka, në dokumentimin e ilustrimit të Jezuit për njeriun që e ndërtoi shtëpinë e tij mbi një masë shkëmbore, përdor të njëjtën fjalë greke për «themel» që përdor Pavli në ilustrimin e tij për ndërtimin e krishterë. (Luka 6:48, 49) Më tej, Pavli përdor në mënyrë të figurshme vendosjen mbi një «themel» kur i bën thirrje bashkë të krishterëve që të bëjnë progres frymor. Po, Fjala e Perëndisë mëson se ne bëjmë vepër «ndërtimi» në veten tonë.—Efesianëve 3:15-19; Kolosianëve 1:23; 2:7.
6. (a) Ilustro se si çdo dishepull i krishterë është rezultat i një projekti të përbashkët ndërtimi. (b) Çfarë përgjegjësie ka çdo dishepull si individ?
6 A është punë e një njeriu të vetëm ndërtimi i një të krishteri? Mirë, pra, imagjino sikur ke vendosur të ndërtosh një shtëpi. Shkon te një arkitekt për të bërë projektin. Edhe pse ke ndër mend ta bësh vetë pjesën më të madhe të punës, merr në punë një sipërmarrës që të punojë me ty dhe të të këshillojë në lidhje me metodat më të mira. Nëse ai hedh një themel të fortë, të ndihmon të kuptosh projektet, të sugjeron materialet më të mira për të blerë e madje të mëson shumë gjëra mbi ndërtimin, ka të ngjarë që të jesh dakord se ai ka bërë një punë të mirë. Por, çfarë ndodh nëse do ta shpërfillje këshillën e tij, do të blije materiale të lira ose pa cilësi e madje nuk do t’i përmbaheshe projekteve të arkitektit? Patjetër që nuk do të mund t’ia hidhje dot fajin sipërmarrësit ose arkitektit nëse shtëpia do të rrëzohej! Në mënyrë të ngjashme, çdo dishepull i krishterë është rezultat i një projekti të përbashkët ndërtimi. Jehovai është kryearkitekti. Ai mbështet të krishterin besimplotë, i cili, si një nga ‘bashkëpunëtorët e Perëndisë’, mëson dhe ndërton një student. (1. Korintasve 3:9) E megjithatë edhe studenti është i përfshirë. Në analizën përfundimtare, ai është përgjegjës për drejtimin e jetës që merr. (Romakëve 14:12) Nëse dëshiron të ketë cilësi të shkëlqyera të krishtere, ai duhet të punojë shumë për t’i fituar ato, për t’i ndërtuar në veten e tij.—2. Pjetrit 1:5-8.
7. Cilën sfidë hasin disa të krishterë dhe çfarë mund t’i ngushëllojë ata?
7 Por, a do të thotë kjo se gjenetika, ambienti dhe cilësia e mësuesve tanë nuk luajnë asnjë rol? Patjetër që jo. Fjala e Perëndisë e pranon që secila prej këtyre gjërave është e rëndësishme dhe ka ndikim. Shumë tendenca mëkatare, negative janë të lindura dhe luftohen me vështirësi. (Psalmi 51:5; Romakëve 5:12; 7:21-23) Stërvitja prindërore dhe ambienti i shtëpisë mund të kenë një ndikim shumë të madh te të rinjtë, për mirë ose për keq. (Proverbat 22:6; Kolosianëve 3:21) Jezui i dënoi udhëheqësit fetarë judenj për efektin negativ që kishte mësimi i tyre te të tjerët. (Mateu 23:13, 15) Sot, faktorë të tillë ndikojnë te të gjithë ne. Për shembull, disa në popullin e Perëndisë hasin sfida si pasojë e fëmijërisë së vështirë që kanë kaluar. Këta kanë nevojë për dashamirësinë dhe për empatinë tonë. Ata mund të marrin ngushëllim edhe nga mesazhi i Biblës se nuk janë të dënuar të përsëritin gabimet e prindërve të tyre ose të dalin jobesnikë. Shqyrto se si e ilustrojnë këtë pikë disa mbretër të Judës së lashtë.
Mbretërit e Judës: Ata bënë zgjedhjen e tyre
8. Cilin shembull të keq pati Jothami tek i ati, e megjithatë çfarë zgjedhjeje bëri ai?
8 Uziahu u bë mbret i Judës në moshën e njomë 16-vjeçare dhe mbretëroi për 52 vjet. Përgjatë pjesës më të madhe të kohës ai «vazhdoi të bënte atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait, sipas gjithë asaj që kishte bërë Amaziahu, ati i tij». (2. Mbretërve 15:3, BR) Jehovai e bekoi atë me një seri fitoresh mahnitëse ushtarake. Por, mjerisht Uziahut ia mori mendtë suksesi. Ai u bë fodull dhe u rebelua ndaj Jehovait, duke ofruar temjan në altarin e tempullit, një detyrë që i përkiste priftërinjve. Uziahu u qortua, por u përgjigj vetëm me tërbim. Pastaj ai u poshtërua, u godit me lebër dhe u detyrua ta kalonte pjesën tjetër të ditëve të tij në izolim. (2. Kronikave 26:16-23) Si reagoi biri i tij, Jothami, ndaj gjithë kësaj? I riu mund të ishte ndikuar shumë lehtë nga i ati dhe mund të kishte mbajtur mëri ndaj korrigjimit të Jehovait. Populli në përgjithësi mund të ketë pasur një ndikim negativ, meqë vazhdonte të bënte praktika të gabuara fetare. (2. Mbretërve 15:4) Por Jothami bëri zgjedhjen e tij. «Ai vazhdoi të bënte atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait.»—2. Kronikave 27:2, BR.
9. Cilat ishin disa ndikime të mira mbi Ahazin, por si doli jeta e tij?
9 Jothami mbretëroi për 16 vjet, duke mbetur besimplotë gjatë gjithë kësaj kohe. Kështu, biri i tij, Ahazi pati shembullin e shkëlqyer të një ati besimplotë. Ahazi pati edhe ndikime të tjera të mira. Ai u bekua, pasi jetoi në kohën kur profetët besimplotë Isaia, Hozea dhe Mikea po profetizonin aktivisht në vend. E megjithatë ai bëri një zgjedhje të gabuar. «Ai nuk bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait, siç kishte bërë Davidi paraardhësi i tij.» Ai bëri shëmbëlltyra të Baalit dhe i adhuroi, e madje disa nga bijtë e tij ua dogji në zjarre flijuese perëndive pagane. Me gjithë ndikimet më të mira, ai dështoi në mënyrë katastrofike si mbret dhe si shërbëtor i Jehovait.—2. Kronikave 28:1-4.
10. Çfarë lloj ati ishte Ahazi, por cilën zgjedhje bëri biri i tij Hezekia?
10 Nga pikëpamja e adhurimit të pastër, është vështirë të imagjinohet një atë më i keq se Ahazi. Sidoqoftë, biri i tij Hezekia nuk mund ta zgjidhte dot atin që do të kishte! Ka të ngjarë që bijtë e rinj, të cilët Ahazi i vrau duke ia flijuar Baalit, të ishin vëllezërit e Hezekias. A e dënoi kjo e kaluar e tmerrshme Hezekian në një jetë jobesnikërie ndaj Jehovait? Përkundrazi, Hezekia u bë një nga pak mbretërit me të vërtetë të mëdhenj të Judës, një burrë besimplotë, i mençur e i dashur. «Jehovai provoi se ishte me të.» (2. Mbretërve 18:3-7, BR) Në fakt, ka arsye për të besuar se Hezekia, kur ishte ende një princ i ri, qe shkrimtari i frymëzuar i Psalmit të 119-të. Nëse është kështu, nuk e kemi të vështirë ta kuptojmë se përse shkroi fjalët: «Shpirti im ka qenë i pagjumë nga pikëllimi.» (Psalmi 119:28, BR) Pavarësisht nga hallet që e pikëllonin, Hezekia la që Fjala e Jehovait ta udhëhiqte në jetë. Psalmi 119:105, thotë: «Fjala jote është një llambë për këmbën time dhe një dritë për shtegun tim.» (BR) Po, Hezekia bëri zgjedhjen e tij: zgjedhjen e drejtë.
11. (a) Me gjithë ndikimin e mirë të atit të tij, sa ekstrem ishte rebelimi i Manaseut kundër Jehovait? (b) Çfarë zgjedhjeje bëri Manaseu nga fundi i jetës së tij dhe çfarë mund të mësojmë nga kjo?
11 Por, në mënyrë paradoksale, nga një prej mbretërve më të mirë të Judës doli një nga më të këqinjtë. Biri i Hezekias, Manaseu nxiti idhujtarinë, spiritizmin dhe dhunën në një masë pa precedent. Dokumentimi thotë se «Jehovai vazhdoi t’i fliste Manaseut dhe popullit të tij», ndoshta me anë të profetëve. (2. Kronikave 33:10, BR) Sipas traditës judaike, thuhet se Manaseu u përgjigj duke urdhëruar që ta vritnin Isainë, duke e sharruar. (Krahaso Hebrenjve 11:37.) Sido që të kenë shkuar ngjarjet, Manaseu nuk dëgjoi asnjë paralajmërim hyjnor. Në fakt, ai i dogji të gjallë disa prej bijve të tij si flijime, ashtu siç kishte bërë gjyshi i tij, Ahazi. E megjithatë, ky njeri i lig, kur më vonë në jetën e tij u gjend përballë sprovave të rënda, u pendua dhe i ndryshoi udhët e tij. (2. Kronikave 33:1-6, 11-20) Shembulli i tij na mëson se nuk është e thënë që një person, i cili ka bërë zgjedhje shumë të gabuara, të mos ketë më asnjë mundësi për shpengim. Ai mund të ndryshojë.
12. Cilën zgjedhje të kundërt bënë Amoni dhe biri i tij Josia në lidhje me shërbimin ndaj Jehovait?
12 Biri i Manaseut, Amoni mund të kishte mësuar shumë nga pendimi i atit të tij. Por ai bëri zgjedhje të gabuara. Faktikisht Amoni «bëri të rritej faji» derisa më në fund atë vetë e vranë. Biri i tij, Josia ishte një kontrast freskues. Me sa duket Josia zgjodhi të mësonte nga ajo që i kishte ndodhur gjyshit të tij. Ai filloi të mbretëronte kur ishte vetëm tetë vjeç. Në moshën 16-vjeçare, filloi të kërkonte Jehovain dhe pas kësaj provoi se ishte një mbret shembullor, besimplotë. (2. Kronikave 33:20–34:5) Ai bëri një zgjedhje: zgjedhjen e drejtë.
13. (a) Çfarë mësojmë nga mbretërit judenj që kemi marrë në shqyrtim? (b) Sa e rëndësishme është stërvitja prindërore?
13 Nga ky shqyrtim i shkurtër i shtatë mbretërve judenj marrim një mësim të fuqishëm. Në disa raste, mbretërit më të këqinj patën bijtë më të mirë dhe anasjelltas, mbretërit më të mirë patën bijtë më të këqinj. (Krahaso Eklisiastiun [Predikuesin] 2:18-21.) Kjo gjë nuk e zvogëlon rëndësinë e stërvitjes prindërore. Prindërit që i stërvitin fëmijët e tyre sipas udhës së Jehovait, patjetër që i japin pasardhjes së tyre mundësinë më të mirë që është e mundur për t’u bërë shërbëtorë besimplotë të Jehovait. (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Gjithsesi, disa fëmijë, me gjithë përpjekjet më të mira të prindërve besimplotë, zgjedhin të ndjekin një drejtim të gabuar. Fëmijë të tjerë, me gjithë ndikimin e prindërve më të këqinj, zgjedhin të duan dhe t’i shërbejnë Jehovait. Me bekimin e tij, ata e bëjnë të suksesshme jetën e tyre. A e ke pyetur ndonjëherë veten se si do të jetë në rastin tënd? Merr në konsideratë, pra, disa nga sigurimet personale të Jehovait se ti mund të bësh zgjedhjen e duhur!
Jehovai ka besim te ti
14. Nga e dimë se Jehovai i kupton kufizimet tona?
14 Jehovai sheh çdo gjë. Në Proverbat 15:3, thuhet: «Sytë e Jehovait janë në çdo vend, duke mbajtur në vëzhgim të këqinjtë dhe të mirët.» (BR) Mbreti David tha për Jehovain: «Sytë e tu panë edhe embrionin tim dhe në librin tënd ishin të shkruara të gjitha pjesët e tij, për sa u përket ditëve kur ato po formoheshin dhe kur nuk kishte ende asnjë midis tyre.» (Psalmi 139:16, BR) Prandaj, Jehovai e di ndaj cilave tendenca negative po lufton ti, nëse i ke trashëguar ato apo i ke fituar si rezultat i ndikimeve të tjera që ishin jashtë kontrollit tënd. Ai kupton sakësisht se si kanë ndikuar këto te ti. Ai i kupton kufizimet e tua madje më mirë se ti. Ai është edhe i mëshirshëm. Ai kurrë nuk pret nga ne më shumë sesa mund të bëjmë në mënyrë të arsyeshme.—Psalmi 103:13, 14.
15. (a) Cili është një burim ngushëllimi për ata që janë lënduar qëllimisht nga të tjerët? (b) Jehovai e nderon secilin prej nesh duke na dhënë çfarë përgjegjësie?
15 Nga ana tjetër, Jehovai nuk na konsideron si viktima të pambrojtura të rrethanave. Nëse kemi pasur përvoja të këqija në të kaluarën, mund të gjejmë ngushëllim në sigurinë se Jehovai i urren të gjitha sjelljet e tilla qëllimisht të dëmshme. (Psalmi 11:5; Romakëve 12:19) Por a do të bëjë ai një përjashtim për ne, nëse kthehemi pas dhe me vetëdije bëjmë zgjedhje të gabuara? Sigurisht që jo. Në Fjalën e tij thuhet: «Secili do të mbajë peshën e vet.» (Galatasve 6:5, BR) Jehovai i ka dhënë dinjitet secilës prej krijesave të tij inteligjente, duke i besuar përgjegjësinë për të bërë të drejtën dhe për t’i shërbyer atij. Është siç i tha Moisiu kombit të Izraelit: «Unë marr qiejt dhe tokën si dëshmitarë kundër jush sot, se ju kam vënë përpara jetën dhe vdekjen, bekimin dhe mallkimin dhe ju duhet të zgjidhni jetën, me qëllim që të mund të mbeteni gjallë, ju dhe pasardhja juaj.» (Ligji i përtërirë 30:19, BR) Jehovai është i sigurt se edhe ne mund të bëjmë zgjedhjen e drejtë. Si e dimë këtë?
16. Si mund të jemi të suksesshëm duke ‘bërë çmos për të arritur shpëtimin tonë’?
16 Vëreni atë që shkroi apostulli Pavël: «Rrjedhimisht, të dashurit e mi, . . . vazhdoni të bëni çmos për të arritur shpëtimin tuaj me druajtje dhe dridhje, sepse Perëndia është ai që, për hir të kënaqësisë së tij të mirë, po vepron brenda jush, me qëllim që të dëshironi dhe të veproni.» (Filipianëve 2:12, 13, BR) Fjala origjinale greke që këtu përkthehet ‘bëj çmos për të arritur’, do të thotë ta çosh diçka në plotësim. Kështu, asnjëri prej nesh nuk është i dënuar të dështojë ose të lërë në mes diçka. Perëndia Jehova duhet të jetë i sigurt se ne mund ta plotësojmë veprën që ai na ka dhënë për të bërë, veprën që çon në shpëtimin tonë, sepse përndryshe nuk do ta kishte frymëzuar këtë pohim. Por si mund t’ia dalim mbanë? Jo me forcat tona. Po të ishim mjaft të fortë në vetvete dhe për veten tonë, nuk do të kishte nevojë për «druajtje dhe dridhje». Në vend të kësaj, Jehovai ‘vepron brenda nesh’, duke qenë se fryma e tij e shenjtë punon në mendjen dhe në zemrën tonë, duke na ndihmuar që ‘të dëshirojmë dhe të veprojmë’. Me gjithë këtë ndihmë të dashur, a ka ndonjë arsye se përse të mos bëjmë zgjedhje të drejta dhe të jetojmë sipas tyre? Jo!—Luka 11:13.
17. Cilat ndryshime mund të bëjmë në veten tonë dhe si na ndihmon Jehovai për t’i bërë këto ndryshime?
17 Do të na duhet të kapërcejmë pengesa, ndoshta një jetë me zakone të këqija dhe me ndikime të dëmshme që mund ta shtrembërojnë mënyrën tonë të të menduarit. Pavarësisht nga kjo, me ndihmën e frymës së Jehovait ne mund t’i kapërcejmë këto! Siç u shkroi Pavli të krishterëve në Korint, Fjala e Perëndisë është aq e fuqishme saqë përmbys edhe «gjëra të rrënjosura fort». (2. Korintasve 10:4, BR) Në fakt, Jehovai mund të na ndihmojë të bëjmë ndryshime rrënjësore brenda nesh. Fjala e tij na nxit që «të zhveshim personalitetin e vjetër» dhe të «veshim personalitetin e ri që u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi të vërtetë dhe në besnikëri». (Efesianëve 4:22-24, BR) A mund të na ndihmojë me të vërtetë fryma e Jehovait për të bërë këto ndryshime? Patjetër! Fryma e Perëndisë prodhon fryte te ne, cilësi të bukura, të çmueshme që të gjithë ne duam t’i kultivojmë. E para prej këtyre është dashuria.—Galatasve 5:22, 23.
18. Cilën zgjedhje është plotësisht i aftë të bëjë çdo njeri që arsyeton dhe kjo gjë për çfarë duhet të na ndihmojë të jemi të vendosur?
18 Këtu gjendet një e vërtetë e madhe çliruese. Perëndia Jehova ka një aftësi të pakufizuar për të dashur dhe ne jemi bërë sipas shëmbëllimit të tij. (Zanafilla 1:26; 1. Gjonit 4:8) Kështu që ne mund të zgjedhim ta duam Jehovain. Në fakt çelësi për të ardhmen tonë është kjo dashuri e jo jeta jonë e mëparshme, jo të metat e fituara, jo tendenca e trashëguar për të bërë të keqen. Dashuria e Perëndisë Jehova është ajo për të cilën kishin nevojë Adami dhe Eva që t’i qëndronin besnikë atij në Eden. Kjo dashuri është ajo për të cilën ka nevojë secili prej nesh, për të mbijetuar Harmagedonin dhe për të kaluar sprovën përfundimtare në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit. (Zbulesa 7:14; 20:5, 7-10) Gjithësecili prej nesh, cilatdo qofshin rrethanat tona, mund ta kultivojë këtë dashuri. (Mateu 22:37; 1. Korintasve 13:13) Le të jemi të vendosur për ta dashur Jehovain dhe për ta ndërtuar këtë dashuri për gjithë përjetësinë!
Si mendon?
◻ Cilat nocione të përhapura bien në kundërshtim me mësimin pozitiv të Biblës në lidhje me përgjegjësinë individuale?
◻ Çfarë vepre ndërtimi duhet të bëjë çdo i krishterë në veten e tij?
◻ Si tregojnë shembujt e mbretërve të Judës se çdo individ bën zgjedhjet e veta?
◻ Si na siguron Jehovai se ne mund të bëjmë zgjedhjen e duhur në jetë, pavarësisht nga ndikimet negative përreth nesh?
[Figura në faqen 15]
A është e përcaktuar nga gjenetika e ardhmja jote?
[Figura në faqen 17]
Pavarësisht nga shembulli i keq i të atit, mbreti Josia zgjodhi t’i shërbente Perëndisë