Të njohim mirë vëllezërit tanë
1 Lidhja jonë me bashkadhuruesit përfshin më tepër se pjesëmarrjen në mbledhje me ta në Sallën e Mbretërisë. Ne kryejmë vullnetin e Perëndisë dhe kjo na çon në një marrëdhënie frymore me Jezuin. (Mar. 3:34, 35) Nga ana tjetër, kjo na çon në një marrëdhënie frymore familjare me të tjerët në kongregacionin e krishterë, me vëllezërit dhe motrat tona frymore, të cilët ne jemi urdhëruar që t’i duam. (Gjon. 13:35) Kështu, në shoqëri me «pjestarët e familjes së Perëndisë», duhet të përpiqemi të njohim mirë njëri-tjetrin.—Efes. 2:19, Dio.
2 T’i njohim vëllezërit me emër: A i di emrat e të gjithë vëllezërve dhe motrave në studimin e librit të kongregacionit tënd? Grupi zakonisht është i vogël, duke e bërë kështu më të lehtë njohjen e emrave të pjesës më të madhe të pjesëmarrësve, nëse jo të të gjithëve. Nëse ti nuk e di emrin e secilit prej tyre, a mund të thuash se i njeh mirë ata?
3 Ç’mund të themi mbi njohjen e të tjerëve që marrin pjesë në mbledhje në Sallën e Mbretërisë, duke përfshirë edhe fëmijët? Ne mund të kemi prirje të shoqërohemi vetëm me një grup të vogël miqsh. Megjithëse nuk është gabim të gëzojmë me shoqërinë e rregullt të disa personave të caktuar, nuk duhet t’i kufizojmë përshëndetjet e përzemërta dhe bisedat ndërtuese vetëm me një pakicë. Ne duhet «të zgjerohemi», duke bërë një përpjekje për të njohur mirë të gjithë vëllezërit dhe motrat tona. (2. Kor. 6:11-13) Sigurisht, kjo duhet të përfshijë edhe njohjen e tyre me emër.
4 Vëllezërit që drejtojnë mbledhjet e kongregacionit, duhet të përpiqen të njohin me emër të gjithë ata që marrin pjesë. Duke e thirrur secilin prej tyre me emër nga podiumi, ata ndiejnë se komentet e tyre vlerësohen e në të njëjtën kohë, kjo i ndihmon të tjerët që të dinë emrat e tyre. Natyrisht, gjithmonë do të ketë të rinj apo vizitorë në auditor, duke e bërë të vështirë për cilindo njohjen e të gjithë emrave. Megjithatë, një përpjekje e vazhdueshme dhe e sinqertë është inkurajuese për të tjerët dhe pasqyron një interes të vërtetë personal.—Rom. 1:11, 12.
5 Merr iniciativën për të njohur mirë: Mbikëqyrësit udhëtues zakonisht janë të aftë për t’u njohur mirë me një numër të gjerë vëllezërish dhe motrash. Si e bëjnë këtë? Në tri mënyra kryesore: (1) Punojnë rregullisht me ta në shërbimin në fushë; (2) Sipas rrethanave, ata pranojnë ftesën për t’i vizituar ata në shtëpitë e tyre; dhe (3) marrin iniciativën për të përshëndetur si të rriturit ashtu edhe fëmijët në mbledhje.
6 A mund të vëresh mënyra për të zgjeruar shoqërinë tënde dhe të njohësh më mirë vëllezërit e tu? Ne sigurisht, mund të ftojmë të tjerët për të na shoqëruar në shërbimin në fushë. Të shkuarit nga shtëpia në shtëpi, bërja e rivizitave, studimeve biblike apo dëshmia në rrugë me revista, janë të gjitha mënyra të shkëlqyera për t’i njohur mirë. Është mirë gjithashtu, që të ftosh të tjerë në shtëpinë tënde, ndoshta herë pas here për të ngrënë një drekë apo darkë të thjeshtë. Duke marrë iniciativën për të afruar personat e rinj ose ata që janë të ndrojtur, jo vetëm që i ndërton shumë ata frymësisht, por sjell gjithashtu edhe bekime të pasura.—Vep. 20:35; 1. Sel. 5:11.
7 Pavli i njihte mirë vëllezërit e tij. Duke iu referuar personalisht me emër atyre në letrat e tij, ai tregoi interesin vetëmohues dhe dashurinë e tij të vërtetë për ta. (1. Sel. 2:17; 2. Tim. 4:19, 20) Përpjekjet tona për të njohur mirë vëllezërit tanë do të nënkuptojnë bekime për të gjithë ne.