Asnjanësia
Përkufizimi: Qëndrimi që mbajnë ata që nuk marrin anën ose nuk mbështetin asnjërën nga palët kundërshtare. Është fakt që, si në historinë e kohëve të hershme, ashtu edhe në atë të ditëve të sotme, në çdo komb dhe nën çdo rrethanë, të krishterët e vërtetë janë përpjekur të qëndrojnë krejtësisht asnjanës, për sa u përket konflikteve midis grupeve kundërshtare në botë. Ata nuk ndërhyjnë në atë që bëjnë të tjerët në lidhje me pjesëmarrjen në ceremonitë patriotike, shërbimin në forcat e armatosura, anëtarësimin në një parti politike, kandidimin për një post politik apo në votime. Ata adhurojnë vetëm Jehovain, Perëndinë e Biblës; ia kanë kushtuar jetën atij pa rezerva dhe e mbështetin plotësisht Mbretërinë e tij.
Cilat shkrime kanë ndikuar në qëndrimin e të krishterëve ndaj autoritetit të qeverive?
Rom. 13:1, 5-7: «Çdo shpirt të jetë i nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta [qeveritarëve], sepse nuk ka autoritet veçse nga Perëndia. . . . Prandaj, keni arsye që ju detyrojnë të jeni të nënshtruar, jo vetëm për shkak të atij zemërimi, por edhe për shkak të ndërgjegjes suaj. . . . Jepuni të gjithëve atë që u takon: taksën atij që kërkon taksën, haraçin atij që kërkon haraçin, frikë atij që e kërkon këtë frikë dhe nderim atij që e kërkon këtë nderim.» (Asnjë qeveri nuk do të ekzistonte, nëse nuk do ta kishte lejuar Perëndia. Pavarësisht nga sjellja e funksionarëve të qeverisë si individë, të krishterët e vërtetë tregojnë respekt ndaj tyre, për shkak të pozitës që kanë. Për shembull, pavarësisht se si i përdorin qeveritë paratë e taksave, adhuruesit e Jehovait i paguajnë me ndershmëri taksat që jepen në këmbim të shërbimeve nga të cilat mund të përfitojnë të gjithë.)
Mar. 12:17: «Atëherë Jezui u tha: ‘Paguajini Cezarit gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë gjërat e Perëndisë.’» (Pra, të krishterët gjithnjë e kanë kuptuar se nuk duhet vetëm ‘t’u paguajnë’ para në formë taksash qeverive, por edhe të përmbushin detyrimet më të larta që kanë ndaj Perëndisë.)
Vep. 5:28, 29: «[Një zëdhënës i gjykatës së lartë judaike tha] ‘Ne ju urdhëruam prerazi [apostujt] të mos mësoni më në këtë emër [të Jezu Krishtit], mirëpo ju e mbushët Jerusalemin me mësimin tuaj, dhe doni medoemos që gjaku i atij njeriu të bjerë mbi ne.’ Pjetri dhe apostujt e tjerë u përgjigjën: ‘Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve.’» (Kur urdhrat e sundimtarëve njerëzorë kanë rënë ndesh me kërkesat e Perëndisë, të krishterët e vërtetë kanë imituar shembullin e apostujve duke vënë në vend të parë bindjen ndaj Perëndisë.)
Cilat shkrime kanë ndikuar gjithnjë në qëndrimin e të krishterëve ndaj pjesëmarrjes në luftë?
Mat. 26:52: «Jezui i tha: ‘Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të vdesin.’» (A mund të ketë pasur një kauzë më të lartë për të cilën të luftohej, se sa të mbrohej Biri i Perëndisë? E megjithatë, këtu Jezui tregoi se dishepujt nuk duhej të merrnin armët e të luftonin.)
Isa. 2:2-4: «Në ditët e fundit, mali i shtëpisë së Jehovait do të lartësohet patundshmërisht mbi majat e maleve. . . . Ai do të gjykojë mes kombeve dhe do t’i ndreqë gjërat për shumë popuj. Ata do t’i farkëtojnë shpatat duke i kthyer në plore dhe heshtat në kiza për krasitje. Kombet nuk do ta ngrenë shpatën kundër njëri-tjetrit, dhe as do të mësojnë më të luftojnë.» (Individët nga të gjitha kombet duhet të vendosin personalisht se cilën udhë do të ndjekin. Ata që i kushtojnë vëmendje gjykimit të Jehovait, tregojnë se ai është Perëndia i tyre.)
2 Kor. 10:3, 4: «Ndonëse ecim në mish, ne nuk luftojmë sipas asaj që jemi në mish. Sepse armët e luftës sonë nuk janë sipas mishit, por të fuqishme nga Perëndia, që të përmbysim gjëra të fortifikuara mirë.» (Këtu Pavli thotë se nuk u drejtohej kurrë armëve mishore, si dredhia, të folurit e fryrë ose armëve të mirëfillta, që të mbronte kongregacionin nga mësimet e rreme.)
Luka 6:27, 28: «Juve që po dëgjoni, unë [Jezu Krishti] po ju them: vazhdoni të doni armiqtë tuaj, t’u bëni mirë atyre që ju urrejnë, të bekoni ata që ju mallkojnë dhe të luteni për ata që ju fyejnë.»
A nuk është e vërtetë se Jehovai e lejonte Izraelin e lashtë të luftonte?
Jehovai e urdhëroi Izraelin e lashtë të luftonte për të marrë vendin që Ai i kishte caktuar si trashëgimi dhe për të ekzekutuar popujt, të cilët nuk i konsideronte më të denjë për të jetuar, pasi praktikonin zakone të degjeneruara dhe e përçmonin Perëndinë e vërtetë. (Ligj. 7:1, 2, 5; 9:5; Lev. 18:24, 25) Megjithatë, Rahaba dhe gibeonitët u trajtuan me mëshirë, sepse treguan besim te Jehovai. (Jos. 2:9-13; 9:24-27) Në besëlidhjen e Ligjit, Perëndia vuri rregulla për luftërat që do të miratonte, duke përcaktuar disa përjashtime dhe mënyrën se si duheshin bërë këto luftëra. Këto ishin vërtet luftërat e shenjta të Jehovait. Nuk është kështu me luftërat e cilitdo kombi sot.
Me formimin e kongregacionit të krishterë, u krijua një gjendje e re. Të krishterët nuk janë nën Ligjin e Moisiut. Ithtarët e Krishtit duhej të bënin dishepuj njerëz nga të gjitha kombet; prandaj, me kalimin e kohës, adhuruesit e Perëndisë së vërtetë do të ishin nga të gjitha këto kombe. Por, me ç’motiv luftojnë këto kombe? A kanë si motiv të kryejnë vullnetin e Krijuesit të të gjithë tokës apo të përkrahin interesat nacionaliste? Sikur të krishterët e vërtetë të një kombi të luftonin kundër një kombi tjetër, ata do të luftonin kundër bashkëbesimtarëve të tyre, kundër njerëzve që i luten për ndihmë të njëjtit Perëndi që i luten edhe këta. Prandaj, me të drejtë, Krishti i urdhëroi ithtarët e tij që ta linin shpatën. (Mat. 26:52) Ai vetë, kur të merrte lavdinë në qiej, do t’i ekzekutonte ata që kishin treguar përçmim për Perëndinë e vërtetë dhe për vullnetin e Tij.—2 Sel. 1:6-8; Zbul. 19:11-21.
Çfarë zbulon historia për qëndrimin që mbajtën të krishterët e parë ndaj shërbimit në forcat e armatosura?
«Një shqyrtim i kujdesshëm i të gjitha informacioneve të disponueshme tregon se, deri në kohën e Mark Aurelit [perandorit romak nga viti 161 deri në vitin 180 të e.s.], asnjë i krishterë nuk shkonte ushtar, dhe asnjë ushtar, pasi bëhej i krishterë, nuk qëndronte më në shërbimin ushtarak.»—The Rise of Christianity (Londër, 1947), E. U. Barns, f. 333.
«Ne që ishim plot luftëra, vrasje dhe çdo lloj ligësie, në mbarë tokën i kemi shndërruar armët e luftës—shpatat në plore dhe shtizat në vegla për të kultivuar tokën—dhe kultivojmë shenjtërinë, drejtësinë, dashurinë për të afërmin, besimin dhe shpresën, të cilat i kemi nga vetë Ati, nëpërmjet Atij që u kryqëzua.»—Justin Martiri në veprën «Dialog me Trifonin, një hebre» (shekulli i 2-të i e.s.), The Ante-Nicene Fathers (Grand Rapids, Miç.; ribotim i vitit 1885 i Edinburgut), botuar nga A. Robertsi dhe J. Donaldsoni, vëll. I, f. 254.
«Ata nuk pranonin të merrnin pjesë në administratën civile ose në mbrojtjen ushtarake të perandorisë. . . . Ishte e pamundur që të krishterët, pa hequr dorë nga një detyrë më e shenjtë, të merrnin rolin e ushtarëve, të gjykatësve ose të princave.»—History of Christianity (Nju-Jork, 1891), Eduard Gibon, f. 162, 163.
Cilat shkrime kanë ndikuar gjithnjë në qëndrimin e të krishterëve të vërtetë ndaj pjesëmarrjes në çështjet dhe veprimtaritë politike?
Gjoni 17:16: «Ata nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë [Jezui] nuk jam pjesë e botës.»
Gjoni 6:15: «Duke e ditur se pas pak do të vinin [judenjtë] që ta kapnin për ta bërë mbret, Jezui iku përsëri krejt i vetëm në mal.» Më vonë, ai i tha guvernatorit romak: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote. Po të ishte mbretëria ime pjesë e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që unë të mos u dorëzohesha judenjve. Por ja që mbretëria ime nuk është nga kjo botë.»—Gjoni 18:36.
Jak. 4:4: «O kurorëshkelëse, a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Prandaj, kush dëshiron të jetë mik i botës, bëhet armik i Perëndisë.» (Pse është kaq serioze kjo çështje? Sepse 1 Gjonit 5:19 thotë: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» Te Gjoni 14:30, Jezui e quajti Satanain «sundimtari i kësaj bote». Pra, pavarësisht se cilën palë të botës mund të përkrahë një individ, nën kontrollin e kujt vihet ai në të vërtetë?)
Sipas historianëve, cili ishte qëndrimi i të krishterëve të parë në lidhje me përfshirjen në politikë?
«Ata që sundonin botën pagane, nuk e kuptonin shumë dhe nuk para e pëlqenin krishterimin e hershëm. . . . Të krishterët nuk pranonin të merrnin pjesë në disa detyra të qytetarëve romakë. . . . Ata nuk merrnin poste politike.»—On the Road to Civilization, A World History (Filadelfia, 1937), A. Hekeli dhe Xh. Sigmani, f. 237, 238.
«Të krishterët qëndronin të ndarë e të veçuar nga shteti, si një racë priftërore dhe frymore, dhe krishterimi dukej se ndikonte në jetën civile vetëm në atë mënyrë, e cila duhet thënë se është më e pastra, duke u përpjekur praktikisht të nguliste gjithnjë e më tepër një ndjenjë të shenjtë te shtetasit.»—The History of the Christian Religion and Church, During the Three First Centuries (Nju-Jork, 1848), Augustus Neander, përkthyer nga gjermanishtja nga H. Xh. Rouzi, f. 168.
Cilat shkrime kanë ndikuar gjithnjë në qëndrimin e të krishterëve të vërtetë ndaj ceremonive me flamurë dhe himne kombëtare?
1 Kor. 10:14: «Ikni nga idhujtaria.» (Shih edhe Daljen 20:4, 5.)
1 Gjon. 5:21: «Fëmijë të vegjël, ruhuni nga idhujt.»
Luka 4:8: «Jezui iu përgjigj: ‘Është shkruar: “Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.”’»
Shih edhe Danielin 3:1-28.
A kanë vërtet domethënie fetare simbolet dhe ceremonitë patriotike?
«[Historiani] Karlton Hejz vërejti shumë kohë më parë se rituali i adhurimit të flamurit dhe i bërjes së betimit në shkollat amerikane, është një praktikë fetare. . . . Dhe që këto rituale të përditshme janë fetare, është pranuar më në fund nga Gjykata e Lartë në një sërë çështjesh.»—The American Character (Nju-Jork, 1956), D. U. Brogan, f. 163, 164.
«Flamurët e parë ishin pothuajse tërësisht me karakter fetar. . . . Flamuri kombëtar i Anglisë, me kryqin e kuq të Shën Xhorxhit, prej shekujsh ishte flamur fetar; në fakt, duket se është kërkuar gjithnjë ndihma e fesë për t’u dhënë shenjtëri flamurëve të kombeve dhe origjina e shumë prej tyre mund të jetë nga një simbol i shenjtë.»—Encyclopædia Britannica (1946), vëll. 9, f. 343.
«Në një ceremoni publike, të drejtuar nga zëvendëspresidenti i Gjykatës [së Lartë Ushtarake], më 19 nëntor, iu bënë nderime flamurit brazilian. . . . Pasi u ngrit flamuri, ministri i mbrojtjes, gjenerali Tristao de Alenkar Araripe, u shpreh kështu për këtë përkujtim: ‘ . . . flamurët janë bërë një hyjni e fesë patriotike, e cila të imponon adhurimin . . . Flamuri përnderohet dhe adhurohet . . . Flamuri adhurohet, siç adhurohet Atdheu.’»—Diario da Justiça (Kryeqyteti federal, Brazil), 16 shkurt 1956, f. 1906.
Sipas historisë, cili ishte qëndrimi i të krishterëve të parë në lidhje me ceremonitë patriotike?
«Të krishterët nuk pranonin . . . të bënin flijime për hyjninë e perandorit—gjë që sot, do të ishte pothuajse njësoj me: të mos nderosh flamurin ose të mos përsëritësh betimin e besnikërisë. . . . Vetëm fare pak të krishterë u tërhoqën, ndonëse për t’ua bërë më të lehtë, në arenë ndodhej një altar mbi të cilin digjej zjarr. Gjithçka që duhej të bënte një i burgosur, ishte të hidhte pak temjan mbi flakët, kështu i jepnin një Certifikatë Flijimi e lihej i lirë. Atij i shpjegohej gjithashtu se nuk po adhuronte perandorin; vetëm sa po pranonte natyrën hyjnore të perandorit si kreu i shtetit romak. E megjithatë, pothuajse asnjë i krishterë nuk e përdori këtë mundësi për të shpëtuar.»—Those About to Die (Nju-Jork, 1958), D. P. Maniks, f. 135, 137.
«Akti i adhurimit të perandorit kishte të bënte me spërkatjen e disa kokrrizave temjan dhe të disa pikave verë mbi një altar, që ndodhej përpara një shëmbëlltyre të perandorit. Ndoshta, ne që jemi kaq larg nga ajo kohë, nuk shohim në këtë akt asgjë të ndryshme nga . . . ngritja e dorës për të nderuar flamurin ose ndonjë kryetar shteti të shquar, një shprehje mirësjelljeje, respekti dhe patriotizmi. Mbase shumë njerëz në shekullin e parë e shihnin në të njëjtën mënyrë atë akt, por të krishterët jo. Ata e shihnin gjithë këtë si çështje të adhurimit fetar, pra, ta pranonin perandorin si një hyjni, dhe kështu të tregoheshin jobesnikë ndaj Perëndisë e Krishtit, dhe ata nuk pranuan ta bënin atë akt.»—The Beginnings of the Christian Religion (Nju-Hejvën, Kon.; 1958), M. F. Eler, f. 208, 209.
A do të thotë asnjanësia e të krishterëve se ata nuk interesohen për mirëqenien e të tjerëve?
Sigurisht që jo. Ata e dinë mirë dhe përpiqen të zbatojnë me ndërgjegje urdhrin që përsëriti Jezui: «Duaje të afërmin tënd si veten.» (Mat. 22:39) Po njësoj veprojnë edhe me këshillën e shkruar nga apostulli Pavël: «Le të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve, por sidomos ndaj atyre që janë të lidhur me ne në besim.» (Gal. 6:10) Të krishterët janë të bindur se e mira më e madhe që mund t’u bëjnë njerëzve, është t’u flasin atyre për lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Kjo mbretëri do të zgjidhë përfundimisht problemet që po has njerëzimi, dhe ata që e pranojnë, kanë shpresën e mrekullueshme të jetës së përhershme.