‘Mbajtja e familjes’: Përballimi i sfidës në vendet në zhvillim
«NË QOFTË se dikush nuk kujdeset për të vetët dhe më tepër për ata të shtëpisë, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një jobesimtar.» Kështu u shpreh apostulli Pavël. (1. Timoteut 5:8) Ndërkohë që mbajtja e familjes është bërë gjithnjë e më e vështirë në vendet e pasura, në vendet në zhvillim kjo gjë shpesh paraqet një sfidë edhe më të vështirë.
Në Afrikë, për shembull, vështirësitë ekonomike përbëjnë rregullin e ditës dhe jo përjashtimin. Mundësitë për punë janë të pakta, dhe edhe atëherë kur gjen, ndoshta duhet që burri dhe gruaja të punojnë që të dy për të siguruar thjesht mbajtjen e frymës gjallë. Kreut të familjes mund t’i duhet që të bëjë rrugë të gjatë për të gjetur punë, duke lënë vetëm bashkëshorten dhe fëmijët për muaj apo për vite të tëra. E vështirë mund të jetë edhe gjetja e strehimit të përshtatshëm. Pjesa më e madhe e familjeve afrikane janë të mëdha; kështu që lagjet janë tepër të populluara, saqë në familje mungojnë edhe kënaqësitë bazë. Shpeshherë mbizotërojnë kushte të pashëndetshme.
Për më tepër, zakonet lokale, traditat e lashta dhe pikëpamjet e njohura mund të shkojnë kundër frymës së Fjalës së Perëndisë, Biblës. Le të shqyrtojmë disa qëndrime mbizotëruese për martesën dhe fëmijët. Disa krerë të familjes mendojnë se ata kanë përgjegjësinë vetëm për të paguar rentën dhe taksat e detyrueshme ndaj shkollës. Grave të tyre dhe nganjëherë edhe fëmijëve të mëdhenj, u lihet puna e sigurimit të nevojave bazë si ushqimi dhe veshja.
Për më tepër, disa burra kanë në kokë mendimin «paraja ime është e imja, paraja e gruas është prapë e imja». Kjo gjë ngjall shpeshherë fyerje mes grave që fitojnë të ardhura. Një grua nga Tanzania ankohej: «Paraja harxhohet për të pirë, jo për ne a për fëmijët. Punën ose e ndajmë, ose unë bëj më shumë, por ai i merr të gjitha lekët, duke thënë se janë të tijat, se i ka fituar ai.»
Por të krishterët e vënë Fjalën e Perëndisë para kulturës lokale apo opinionit të përgjithshëm. Bibla jep udhëzime të dobishme mbi çështjen se si të kujdesemi për familjen. Për shembull, ajo thotë se «bijtë nuk e kanë për detyrë të mbledhin për prindërit, por prindërit për bijtë». (2. Korintasve 12:14) Prandaj, burrat me frikë Perëndie, që janë të aftë për të punuar, nga përtacia nuk ia lënë grave apo fëmijëve më të mëdhenj detyrën e sigurimit të ushqimit dhe veshmbathjes për familjen. Kjo përgjegjësi bie në mënyrë të prerë mbi shpatullat e kreut të familjes.—1. Korintasve 11:3.
Është e vërtetë, që vetëm të ardhurat e burrit mund të mos jenë të mjaftueshme për t’u kujdesur për të gjitha nevojat e familjes. Por, nëse gruaja e tij fiton para, duke bërë një punë jashtë shtëpisë, burri i krishterë nuk duhet të fyhet. Përkundrazi, ai duhet ta trajtojë atë si një «partnere» të respektueshme. (Malakia 2:14, BR) Kështu që ai nuk do të tregohet i pashpirt, duke i marrë paratë e fituara me mund nga gruaja dhe t’i bëjë rrush e kumbulla, pa marrë parasysh ndjenjat e saj. Përkundrazi, ai dhe gruaja e tij ‘do të konsultohen së bashku’ për të vendosur se si mund t’i përdorin sa më mirë që të jetë e mundur të ardhurat e tyre për dobi të gjithë familjes. (Proverbat 13:10, BR) Kur është e mundur, burri madje i lejon gruas së tij një masë lirie ekonomike, atë liri që gëzonin edhe «gratë e afta» të kohëve biblike. (Proverbat 31:10, 11, 16, BR) Ndjekja e këshillave që jep Bibla në këto gjëra, përkrah lumturinë dhe kënaqësinë në familje.
Përballimi i sfidës së papunësisë
Le të shqyrtojmë problemin e papunësisë. Kur punë ka pak dhe paga është e ulët, shumë krerë të familjes në Afrikë kërkojnë punë larg shtëpisë: në miniera, fabrika, ferma dhe plantacione. Po të gjendej një burrë i krishterë në këtë situatë, fare mirë mund ta gjente veten të veçuar nga bashkadhuruesit dhe të ekspozuar ndaj shoqërive shumë të këqija. (Proverbat 18:1; 1. Korintasve 15:33) Ndërkohë që familja e tij bën përçapje për ta përballuar situatën sa më lehtë që të jetë e mundur, ka të ngjarë që ata do të vuajnë për faktin se nuk kanë babanë në shtëpi për të marrë drejtimin në kuptim frymor dhe për të dhënë mbështetjen emocionale. Për ta thënë në mënyrë ironike, mungesa e gjatë mund të çojë edhe në atë gjë që mendohej se do të parandalohej, në vështirësi financiare.
Një nënë thotë: «Im shoq vajti për të nxjerrë flori. Në mendjen e tij ai planifikoi që të kthehej pas një muaji ose e shumta pas dy muajsh. Por, në të vërtetë shkoi një vit. Unë mbeta me gjashtë fëmijët për të cilët duhej të kujdesesha. Plus kësaj, duhej paguar edhe qiraja. Duke qenë se nuk isha mirë me shëndet, duhej të paguaja edhe faturat e spitalit. Kishim nevojë për veshmbathje dhe çdo ditë duhej të ushqeheshim. Punë nuk kisha. Ishte e vështirë. Puna më e vështirë ishte kujdesi në kuptim frymor për fëmijët: studimi familjar, mbledhjet dhe vepra e predikimit. Me përkrahjen e Jehovait sikur ia dolëm mbanë.»
Po kështu, disa nëna janë ndier të detyruara për t’i lënë pas dore familjet e tyre, për periudha të gjata kohe për të punuar. Disa mbahen gjallë, duke bërë punën e tregtarit shëtitës e kështu rrallëherë shihen në shtëpi. Në këtë mënyrë, fëmijët e mëdhenj janë të detyruar për të marrë mbi vete rolin prindëror dhe të kujdesen për ushqimin, punët e shtëpisë dhe madje për disiplinimin e fëmijëve më të vegjël. Pjesëmarrja në aktivitetet frymore vuan. Po, sforcimi në familje mund të jetë shumë i madh.
Sigurisht që kur kushtet ekonomike janë të rënda, prindi mund të mos ketë rrugë tjetër për të mbajtur familjen, përveçse duke kërkuar një punë larg. Në kohët biblike, bijve të Jakobit me sa duket iu desh të linin familjet, me qëllim që të merrnin ushqime në Egjipt. (Zanafilla 42:1-5) Prandaj, kur lindin situata të njëjta sot, krerët e familjes duhet të vlerësojnë çdo dobi materile që mund të sjellë një punë e largët, përkundër dëmit frymor dhe emocional të një ndarjeje për një kohë të gjatë. Shumë familje preferojnë të përballojnë vështirësitë ekonomike, sesa të ndahen për një periudhë të gjatë kohe. Ata sjellin ndër mend fjalët e Pavlit, që gjejmë në 1. Timoteut 6:8: «Kur kemi çfarë të hamë dhe të veshim, të jemi të kënaqur me kaq.»—Krahaso Proverbat 15:17.
Shpeshherë paraqiten alternativa të tjera në vend të asaj të udhëtimit. Duke treguar iniciativë dhe aftësi krijuese, disa kanë mundur të krijojnë punë, duke siguruar shërbime të dobishme.a (Krahaso Proverbat 31:24.) Ose ndoshta mund të bëhet fjalë për të pranuar punë të thjeshta, që nga të tjerët konsiderohen të rëndomta. (Efesianëve 4:28) Vetë apostulli Pavël ‘punoi me mundim e cfilitje ditë e natë’ për të mos u bërë barrë për të tjerët nga ana financiare. (2. Selanikasve 3:8) Këtë shembull mund ta ndjekin burrat e krishterë sot.
Problemi i shkollimit
Një problem tjetër është edhe shkollimi. Në disa zona të thella, është gjë e zakonshme që prindërit t’i dërgojnë fëmijët për të jetuar me të afërmit për periudha të gjata kohe, për t’u dhënë fëmijëve shkollim të mjaftueshëm. Duke qenë të ndarë nga prindërit, këta fëmijë shpeshherë hasin vështirësi në ndjekjen e mbledhjeve dhe në pjesëmarrjen në shërbimin në fushë. Nga mungesa e disiplinës së duhur, ata bien lehtë pre e shoqërive të këqija. Si rezultat, disa kanë lënë mënyrën e krishterë të jetesës.
Nuk ka asnjë fije dyshimi se arsimimi në botë ka përparësitë e tij. Megjithatë, Bibla i atribuon vlerë më të madhe arsimimit frymor dhe Perëndia ua ka dhënë prindërve përgjegjësinë për të dhënë këtë mësim. (Ligji i përtërirë 11:18, 19; Proverbat 3:13, 14) Prandaj, mund të ndodhë që çuarja e fëmijës larg familjes për një kohë të gjatë, të minojë përpjekjet e prindit për ta rritur atë «në disiplinën dhe rregullin mendor të Jehovait».—Efesianëve 6:4, BR.b
Kur mundësitë lokale për arsimimin mund të duken të pamjaftueshme, prindërit mund të mos kenë rrugë tjetër përveçse t’u mësojnë fëmijëve me sa mundësi që kanë aftësitë themelore. Edhe Jehovai, «Mësuesi i Madh», siguron ndihmë. (Isaia 30:20, BR) Kongregacionet lokale të Dëshmitarëve të Jehovait ofrojnë shumë mënyra për të fituar arsimim. Shumë kongregacione mbajnë klasa për të mësuar shkrim e këndim. Shkolla e Shërbimit Teokratik është po ashtu një sigurim i dobishëm, që mund të rrisë aftësinë e fëmijës për të lexuar dhe për t’u shprehur qartë.
Një pikëpamje e ekuilibruar për rritjen e fëmijëve
Mbajtja e fëmijëve mund të jetë veçanërisht e vështirë, kur ata janë shumë. Prindërit afrikanë shpeshherë thonë se i duan fëmijët, prandaj bëjnë sa të munden. Ndërkohë që fëmijët shihen si një burim ekonomik, shumë prindër nuk kanë mundësi të sigurojnë në masë të mjaftueshme për një pjesë të madhe të tyre.
Natyrisht që Bibla thotë se «bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti». (Psalmi 127:3) Vëre, megjithatë, se këto fjalë u shkruan gjatë një periudhe me kushte të favorshme në Izrael. Më vonë, urija në shkallë të madhe dhe luftërat e bënë të vështirë rritjen e fëmijëve. (Vajtimet 2:11, 20; 4:10) Duke pasur parasysh gjendjen e vështirë që mbizotëron në shumë vende në zhvillim, të krishterët e përgjegjshëm duhet të mendojnë seriozisht se sa fëmijë mund të ushqejnë, të veshin, t’u sigurojnë strehim dhe të stërvitin në mënyrë realiste. Pasi kanë llogaritur shpenzimet, shumë çifte kanë vendosur se do të ishte më mirë të mos ndiqnin traditën për të pasur një familje të madhe dhe të kufizonin numrin e fëmijëve që duan të kenë.c—Krahaso Lukën 14:28.
Është e qartë se këto janë «kohë të vështira». (2. Timoteut 3:1-5) Ndërsa ky sistem gjërash shkon me vrull drejt fundit të tij të pashmangshëm, s’ka dyshim se presionet që rëndojnë mbi familjet, në vendet në zhvillim, do të rriten. Gjithsesi, duke ndjekur hap pas hapi parimet e Fjalës së Perëndisë, krerët e familjes mund t’ia dalin mbanë për t’u kujdesur si për nevojat fizike, ashtu edhe për nevojat frymore të familjeve të tyre, sepse Jehovai u jep këtë premtim atyre që i shërbejnë atij me besnikëri: «Nuk do të të lë, nuk do të të braktis.» Po, edhe në vendet e varfra, të krishterët mund të përballojnë me sukses sfidën e mbajtjes së familjes së tyre!
[Shënimet]
a Shiko artikullin «Duke krijuar punë në vendet në zhvillim», në shoqëruesen e revistës sonë të botuar në anglisht Zgjohuni! 22 tetor 1994.
b Për hollësi të mëtejshme, shiko «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës 15 gusht 1982, botuar në anglisht.
c Informacion i dobishëm për këtë, u sigurua në seritë «Planifikimi familjar: Një çështje globale», në revistën Zgjohuni! të botuar në anglisht për numrin e 22 shkurtit 1993.