Jetëshkrim
Jehovai është streha dhe forca ime
TREGUAR NGA MARSEL FILTO
«Po të martohesh me të, e ke të sigurt që do të shkosh në burg.» Kështu i thoshin njerëzit gruas me të cilën doja të martohesha. Më lejoni t’ju shpjegoj se përse thoshin këtë gjë.
KUR linda unë, në vitin 1927, provinca kanadeze e Kuebekut ishte një kështjellë e katolicizmit. Rreth katër vjet më vonë, Sesil Dyfur, një shërbëtore në kohë të plotë Dëshmitare e Jehovait, filloi të na bënte vizita në shtëpi, në qytetin Monreal. Shpesh fqinjët tanë e kërcënonin për këtë arsye. Në fakt, atë e arrestuan dhe e keqtrajtuan shumë herë sepse predikonte mesazhin e Biblës. Prandaj, ne e mësuam shumë shpejt vërtetësinë e fjalëve të Jezuit: «Të gjithë kombet do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.»—Mateu 24:9.
Në atë kohë, për shumë njerëz ishte e pamendueshme që një familje frankokanadeze të linte fenë katolike. Edhe pse prindërit e mi nuk u bënë kurrë Dëshmitarë të pagëzuar, shumë shpejt ata nxorën përfundimin se mësimet e Kishës Katolike nuk ishin në harmoni me Biblën. Prandaj, i inkurajuan të tetë fëmijët që të lexonin literaturën e botuar nga Dëshmitarët dhe na mbështetën ne që morëm një qëndrim për të vërtetën biblike.
Marr qëndrim në kohë të vështira
Në vitin 1942, kur shkoja ende në shkollë, fillova të interesohesha me të vërtetë për studimin e Biblës. Në atë kohë, aktivitetet e Dëshmitarëve të Jehovait në Kanada ishin të ndaluara, sepse Dëshmitarët ndiqnin shembullin e të krishterëve të hershëm dhe nuk përfshiheshin në luftërat e kombeve. (Isaia 2:4; Mateu 26:52) Vëllanë tim të madh, Rolandin, e çuan në një kamp pune për shkak se refuzoi të merrte armë gjatë luftës botërore që po ziente atëherë.
Në atë kohë, babai më dha një libër në frëngjisht që përshkruante vuajtjet e Dëshmitarëve gjermanë ngaqë refuzonin të mbështetnin fushatat ushtarake të Adolf Hitlerit.a Kjo më dha një nxitje për të qenë si ata shembuj të guximshëm integriteti, kështu që fillova të ndiqja mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait, të cilat mbaheshin në një shtëpi private. S’kaloi shumë dhe më ftuan të merrja pjesë në veprën e predikimit. E pranova ftesën, edhe pse e kuptoja plotësisht që mund të më arrestonin dhe të më burgosnin.
Pasi u luta për të marrë forcë, trokita në derën e parë. U përgjigj një zonjë e përzemërt dhe pasi u prezantova, i lexova fjalët e 2. Timoteut 3:16: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm.»
«A do t’ju interesonte të mësoni më shumë për Biblën?»—e pyeta.
«Po»,—u përgjigj zonja.
Atëherë i thashë se do të sillja me vete një shoqe që e njihte Biblën më mirë se unë, gjë që e bëra javën tjetër. Pas kësaj përvoje të parë, u ndjeva më i sigurt dhe mësova se nuk e kryejmë me forcat tona shërbimin. Siç tha apostulli Pavël, këtë e bëjmë me ndihmën e Jehovait. Në fakt, është jetësore të pranojmë se «fuqia përtej asaj që është normale [është] prej Perëndisë dhe jo nga ne vetë».—2. Korintasve 4:7, BR.
Pas kësaj, vepra e predikimit u bë një pjesë e rregullt e jetës sime dhe po kështu edhe arrestimet e burgimet. S’është për t’u habitur që gruas sime të ardhshme i thanë: «Po të martohesh me të, e ke të sigurt që do të shkosh në burg.» Megjithatë, përvoja të tilla nuk ishin vërtet aq të vështira. Pasi kalonim një natë në burg, zakonisht një Dëshmitar tjetër na nxirrte që andej duke u bërë garant për ne.
Vendime të rëndësishme
Në prill të vitit 1943 ia dedikova jetën Jehovait dhe e simbolizova këtë me pagëzimin në ujë. Pastaj, në gusht të vitit 1944 mora pjesë në kongresin e parë të madh për mua, në Bufalo të Nju Jorkut, SHBA, pikërisht afër kufirit kanadez. Kishte 25.000 të pranishëm dhe programi ma nxiti dëshirën për të qenë pionier, siç quhen shërbëtorët e plotkohorë Dëshmitarë të Jehovait. Ndalimi i veprës së Dëshmitarëve të Jehovait në Kanada u hoq në maj të vitit 1945 dhe unë fillova të shërbeja si pionier muajin që pasoi.
Megjithatë, me rritjen e pjesëmarrjes sime në shërbim, rriteshin edhe vizitat në burg. Një herë më vunë në një qeli me Majk Millerin, një shërbëtor besnik të Jehovait prej shumë kohësh. U ulëm në dyshemenë prej çimentoje dhe ia nisëm bisedës. Ajo bisedë ndërtuese frymësisht më forcoi jashtë mase. Por më pas, më kaloi nëpër mend një pyetje: ‘Po sikur mes nesh të kishte pasur ndonjë keqkuptim dhe të mos flitnim me njëri-tjetrin?’ Koha që kalova në burg me këtë vëlla të dashur më mësoi një nga mësimet më të shkëlqyera të jetës sime: kemi nevojë për vëllezërit tanë, prandaj duhet të falim dhe të jemi dashamirës ndaj njëri-tjetrit. Përndryshe, siç shkroi apostulli Pavël: «Nëse ju kafshoni dhe hani njëri-tjetrin, ruhuni mos prisheni njëri nga tjetri.»—Galatasve 5:15.
Në shtator të vitit 1945, mora ftesën për të shërbyer në Zyrën e Degës së Shoqatës Watch Tower në Toronto të Kanadasë, zyrë të cilën ne e quajmë Bethel. Atje, programi frymor ishte vërtet ndërtues dhe besimforcues. Vitin që pasoi, më caktuan të punoja në fermën e Bethelit, rreth 40 kilometra në veri të Zyrës së Degës. Ndërsa mblidhja luleshtrydhe së bashku me një vajzë të re, Ana Volinekun, vura re jo vetëm bukurinë e saj fizike, por edhe dashurinë dhe zellin që kishte për Jehovain. Mes nesh lindi një marrëdhënie romantike dhe u martuam në janar të vitit 1947.
Për dy vjet e gjysmë që pasuan, shërbyem si pionierë në Londër të Ontarios dhe pas kësaj në ishullin Kejp Bretën, ku ndihmuam për formimin e një kongregacioni. Pastaj, në vitin 1949, morëm ftesën për të ndjekur klasën e 14-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit, ku u stërvitëm për t’u bërë misionarë.
Vepra misionare në Kuebek
Disa të diplomuar kanadezë të Galaadit në klasat e mëparshme i kishin caktuar për të hapur veprën e predikimit në Kuebek. Në vitin 1950, së bashku me 25 të tjerë nga klasa jonë e 14-të, edhe ne u bashkuam me këta misionarë. Aktiviteti i zgjeruar misionar solli persekutim më të madh dhe dhunë nga turmat, të nxitura nga krerë të Kishës Katolike Romake.
Dy ditë pasi mbërritëm në caktimin tonë të parë misionar në qytetin Ruan, Anën e arrestuan dhe e vunë në ndenjësen e pasme të një makine policie. Kjo qe përvojë e re për të, meqë vinte nga një fshat i vogël në provincën e Manitobës në Kanada, ku rrallëherë kishte parë ndonjë polic. Natyrisht, ajo ndjeu frikë dhe iu kujtuan fjalët: «Po të martohesh me të, e ke të sigurt që do të shkosh në burg.» Megjithatë, para se makina të nisej, policët më gjetën edhe mua dhe më futën në makinë bashkë me Anën. «Sa e gëzuar jam që të shoh!»—thirri. Gjithsesi, ajo ishte çuditërisht e qetë kur vërejti: «Epo mirë, e njëjta gjë u ndodhi apostujve ngaqë predikonin për Jezuin.» (Veprat 4:1-3; 5:17, 18) Më vonë po atë ditë, na liruan duke u bërë garantë për ne.
Rreth një vit pas atij incidenti, ndërsa isha në shërbimin shtëpi më shtëpi në caktimin tonë të ri në Monreal, dëgjova zhurmë në rrugë dhe pashë një turmë të zemëruar që qëllonte me gurë. Ndërsa po shkoja të ndihmoja Anën dhe shoqen e saj të shërbimit, aty ia behu policia. Në vend që të arrestonin njerëz nga turma, policia arrestoi Anën dhe shoqen e saj. Kur ishin në burg, Ana i kujtoi Dëshmitares së re se po provonin vërtetësinë e fjalëve të Jezuit: «Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.»—Mateu 10:22.
Në njëfarë kohe, kundër Dëshmitarëve të Jehovait në Kuebek kishte rreth 1.700 raste që pritnin procesin gjyqësor. Në përgjithësi, na akuzonin për shpërndarje literature kryengritëse ose për shpërndarje literature pa licensë. Për pasojë, Reparti Ligjor i Shoqatës Watch Tower ndërmori veprime kundër qeverisë së Kuebekut. Pas shumë vjetësh beteje ligjore, Jehovai na dha dy fitore të mëdha para Gjykatës Supreme të Kanadasë. Në dhjetor të vitit 1950, u liruam nga akuza se literatura jonë ishte kryengritëse dhe në tetor të vitit 1953, u mbrojt e drejta jonë për të shpërndarë literaturë biblike pa licensë. Kështu, pamë në një mënyrë shumë të dukshme se si Jehovai është vërtet një vend ‘strehe dhe force, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi’.—Psalmi 46:1.
Në mënyrë të spikatshme, numri i Dëshmitarëve në Kuebek është rritur nga 356 veta në vitin 1945, kur fillova shërbimin si pionier, në më shumë se 24.000 veta sot. Ka dalë pikërisht ashtu si parathoshte profecia e Biblës: «Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses dhe çdo gjuhë që do të ngrihet të gjykojë kundër teje, ti do ta dënosh.»—Isaia 54:17.
Vepra jonë në Francë
Në shtator të vitit 1959, së bashku me Anën na ftuan të shërbenim në Bethelin e Parisit, Francë, ku mua më caktuan të mbikëqyrja shtypjen e literaturës. Deri në kohën e mbërritjes sonë në janar të vitit 1960, shtypja e literaturës ishte bërë nga një firmë tregtare. Meqë në atë kohë Kulla e Rojës në Francë ishte ndaluar, revistën e shtypnim çdo muaj në formën e një broshure me 64 faqe. Broshura quhej Buletini i brendshëm i Dëshmitarëve të Jehovait dhe kishte artikujt që do të studioheshin në kongregacione gjatë muajit. Nga viti 1960 deri në vitin 1967, numri i atyre që merrnin pjesë në veprën e predikimit në Francë u rrit nga 15.439 në 26.250 veta.
Më pas, pjesa më e madhe e misionarëve u caktuan përsëri në vende të tjera, disa në vende të Afrikës ku flitej frëngjisht dhe të tjerët në Kuebek. Meqë Ana nuk ndihej mirë dhe kishte nevojë për një operacion, u kthyem në Kuebek. Pasi iu nënshtrua kujdesit mjekësor për tre vjet, shëndeti i Anës u përmirësua. Pas kësaj, më caktuan në veprën e qarkut, duke vizituar nga një kongregacion çdo javë, për të siguruar inkurajim frymor.
Vepra misionare në Afrikë
Disa vjet më vonë, në vitin 1981, u kënaqëm kur morëm një caktim të ri si misionarë në Zaire, që tani është Republika Demokratike e Kongos. Njerëzit ishin të varfër dhe kishin shumë vështirësi. Kur mbërritëm atje, kishte 25.753 Dëshmitarë, por sot ky numër është rritur në më shumë se 113.000 veta dhe në vitin 1999, në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit pati 446.362 të pranishëm.
Në vitin 1984 morëm nga qeveria rreth 200 hektarë tokë për të ndërtuar një zyrë të re dege. Pastaj, në dhjetor të vitit 1985, në kryeqytetin Kinshasa u mbajt një kongres ndërkombëtar, me 32.000 delegatë nga shumë pjesë të botës. Pas kësaj, kundërshtimi i nxitur nga kleri e ndërpreu veprën tonë në Zaire. Më 12 mars 1986, vëllezërve përgjegjës iu dha një letër ku shoqata e Dëshmitarëve të Jehovait të Zaires deklarohej e paligjshme. Ky ndalim i të gjitha aktiviteteve tona u firmos nga presidenti i atëhershëm i vendit, i ndjeri Mobutu Sese Seko.
Për shkak të këtyre zhvillimeve të papritura, na u desh të zbatonim këshillën biblike: «Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet.» (Fjalët e urta 22:3) Gjetëm mënyra se si të merrnim nga jashtë vendit letër, bojë, film, pllaka shtypjeje dhe kimikate që na duheshin për të shtypur botimet tona në Kinshasë. Gjithashtu, zhvilluam rrjetin tonë të shpërndarjes. Pasi u organizuam, sistemi funksiononte më mirë se shërbimi postar i qeverisë.
Mijëra Dëshmitarë u arrestuan dhe shumë u torturuan mizorisht. Megjithatë, me përjashtim të disave, ata i bënë ballë këtij trajtimi dhe mbajtën besnikërinë e tyre. Edhe mua më arrestuan dhe pashë kushtet e tmerrshme që kishin vëllezërit nëpër burgje. Shumë herë policia sekrete dhe autoritetet na shtrëngonin në çdo mënyrë, por Jehovai na jepte gjithnjë rrugëdalje.—2. Korintasve 4:8.
Në depon e një tregtari kishim fshehur rreth 3.000 kuti me literaturë. Por, pas ca kohësh një nga punonjësit e tij informoi policinë sekrete dhe ata arrestuan tregtarin. Rrugës për në burg, ata u ndeshën rastësisht me mua që isha në makinë. Tregtari u tha se unë isha ai që kisha bërë marrëveshjen me të për të depozituar literaturën. Policia më ndaloi dhe më mori në pyetje për këtë, duke më akuzuar se kisha vendosur literaturë të paligjshme në depon e këtij personi.
«A keni me vete ndonjë nga librat?»—i pyeta.
«Patjetër që po»,—m’u përgjigjën.
«A mund ta shoh?»—pyeta.
Ata më sollën një kopje dhe u tregova faqen e brendshme, ku thuhet: «Shtypur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga Watch Tower Bible & Tract Society.»
«Ajo që keni në dorë është pronë amerikane dhe nuk i përket Zaires,—u kujtova atyre.—Qeveria juaj ka vënë një ndalim për korporatën ligjore të shoqatës së Dëshmitarëve të Jehovait në Zaire, jo për Watch Tower Bible & Tract Society të Shteteve të Bashkuara. Prandaj, duhet të jeni shumë të kujdesshëm me atë që bëni me këto botime.»
Më lejuan të shkoja sepse nuk kishin urdhër arresti për mua. Atë natë morëm dy kamionë, shkuam te depoja dhe tërhoqëm gjithë literaturën. Kur autoritetet erdhën ditën tjetër, u mërzitën shumë që e gjetën vendin bosh. Në atë kohë, po më kërkonin sepse tani kishin një urdhër arresti për mua. Më gjetën dhe meqë nuk kishin makinë, unë shkova vetë në burg me makinën time. Një Dëshmitar tjetër më shoqëroi, me qëllim që të merrte makinën time para se policia të ma konfiskonte.
Pasi më morën në pyetje për tetë orë, vendosën të më dëbonin nga vendi. Por, unë u tregova fotokopjen e një letre nga qeveria që konfirmonte caktimin tim për të likuiduar pronat e shoqatës së Dëshmitarëve të Jehovait të Zaires, që tani ishte nën ndalim. Prandaj, më lejuan të vazhdoja aktivitetin tim në Bethel.
Pas katër vjetësh shërbimi nën presionet e ndalimit të veprës në Zaire, u sëmura me një ulcerë hemorragjike në stomak, që ishte kërcënuese për jetën. U vendos që të largohesha për t’u mjekuar në Afrikën e Jugut, ku dega u kujdes mjaft për mua dhe u shërova. Pasi shërbyem tetë vjet në Zaire, që ishte vërtet një përvojë e lumtur dhe e paharrueshme, u transferuam në degën e Afrikës së Jugut, në vitin 1989. Në vitin 1998 u kthyem në vendlindje dhe që atëherë kemi shërbyer përsëri në Bethelin e Kanadasë.
Mirënjohës për shërbimin
Kur mendoj për 54 vjetët në shërbimin e plotkohor, jam shumë mirënjohës që e përdora fuqinë time rinore në shërbimin e çmuar të Jehovait. Edhe pse Anës i është dashur të durojë shumë rrethana sprovuese, ajo nuk është ankuar, por më ka përkrahur shumë në të gjitha aktivitetet tona. Së bashku, kemi pasur privilegjin të ndihmojmë shumë veta për të njohur Jehovain, një numër prej të cilëve tani janë në shërbimin e plotkohor. Është një gëzim shumë i madh kur shohim disa prej fëmijëve të tyre e madje edhe nipër, që i shërbejnë Perëndisë tonë të madh, Jehovait!
Jam i bindur se asgjë nga ato që mund të na ofrojë bota nuk mund të krahasohet me privilegjet dhe bekimet që na ka dhënë Jehovai. Vërtet, kemi duruar shumë sprova, por që të gjitha ato kanë shërbyer për të na e ndërtuar besimin dhe sigurinë te Jehovai. Ai ka provuar vërtet se është një kullë që na forcon, një vend strehimi dhe një ndihmë që gjendet menjëherë gjatë vështirësive.
[Shënimi]
a Fillimisht libri u botua në gjermanisht me titull Kreuzzug gegen das Christentum (Kryqëzatë kundër krishterimit). U përkthye në frëngjisht dhe polonisht, por jo në anglisht.
[Figurat në faqen 26]
Si pionierë së bashku në vitin 1947; me Anën sot
[Figura në faqen 29]
Njerëzit që takonim në Zaire e donin të vërtetën biblike