«Lufto luftën e shkëlqyer të besimit»
IMAGJINONI sikur një ushtari në kohë lufte t’i japin urdhrin: «Duhet të kthehesh në shtëpi dhe të kalosh ca kohë me gruan dhe familjen!» A nuk do të jetë i lumtur?
Një ushtar në kohën e mbretit të Izraelit, Davidit, mori një urdhër të tillë. Uriahun, hititin, e thirri vetë mbreti dhe e nxiti që të kthehej në shtëpi. Por Uriahu nuk pranoi të shkonte në shtëpi. Kur e pyeti përse u soll në këtë mënyrë të pazakontë Uriahu u përgjigj se arka e besëlidhjes, e cila përfaqësonte praninë e Perëndisë, dhe ushtria izraelite ishin në fushën e betejës. Ai bëri pyetjen: «Si mund të hyj unë në shtëpinë time për të ngrënë dhe për të pirë?» Për Uriahun kjo ishte e pamendueshme në një kohë të tillë kritike.—2 Samuelit 11:8-11.
Sjellja e Uriahut ngre pyetje të rëndësishme, sepse edhe ne jetojmë në kohë lufte. Po zhvillohet një luftë që nuk ngjan me asnjë lloj lufte që kanë bërë kombet e botës. Në krahasim me të, dy luftërat botërore duken të parëndësishme e në këtë luftë je i përfshirë edhe ti. Rreziqet janë të mëdha, armiku është i tmerrshëm. Në këtë luftë nuk qëllohet me plumba, nuk hidhen bomba, por megjithatë kërkohet një strategji e fortë.
Përpara se të marrësh pjesë në këtë luftë duhet të dish nëse është e drejtë dhe përse po lufton. A ia vlen të luftosh? Qëllimin e kësaj lufte të pashoqe e sqaron apostulli Pavël në letrën drejtuar Timoteut: «Lufto luftën e shkëlqyer të besimit.» Po, në këtë luftë duhet të mbrosh, jo një fortesë, por ‘besimin’—gjithë të vërtetën e krishterë siç zbulohet në Bibël. Patjetër për të luftuar dhe për të fituar duhet ta pranosh plotësisht se ky ‘besim’ është i vërtetë.—1 Timoteut 6:12.
Një luftëtar i mençur përpiqet ta njohë armikun. Në këtë luftë armiku ka vite përvoje në strategjinë e luftës, si edhe mjete dhe armë të tmerrshme. Përveç kësaj ky armik është i mbinatyrshëm. Është mizor, i dhunshëm dhe i paskrupullt; ai është Satanai. (1 Pjetrit 5:8) Armët e mirëfillta, si edhe dinakëritë dhe dredhitë njerëzore janë të padobishme kundër këtij kundërshtari. (2 Korintasve 10:4) Çfarë mund të përdorësh për të luftuar?
Arma kryesore është ‘shpata e frymës, që është fjala e Perëndisë’. (Efesianëve 6:17) Apostulli Pavël tregon se sa e efektshme është ajo: «Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi; është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton aq sa ndan shpirtin dhe frymën, nyjat dhe palcën e tyre dhe është në gjendje të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës.» (Hebrenjve 4:11, 12) Një armë kaq e mprehtë, që godet saktësisht, saqë mund të depërtojë te mendimet dhe motivet e brendshme të një individi, sigurisht që duhet përdorur me mjeshtëri dhe kujdes.
Ndoshta e di se një ushtri mund të ketë armët më të përparuara, por këto armë janë të pavlefshme në rast se ushtarët nuk janë të aftë t’i përdorin. Po kështu ti ke nevojë të mësosh që ta përdorësh shpatën tënde me efektshmëri. Lumturisht ke mundësi të stërvitesh nga luftëtarët më me përvojë. Jezui i quajti si një të tërë këta luftëtarë-mësues «skllavi i besueshëm dhe i matur», të cilit i është besuar përgjegjësia që t’u sigurojë ithtarëve të Jezuit ushqim frymor ose mësim në kohën e duhur. (Mateu 24:45) Mund ta dallosh këtë skllav duke shqyrtuar përpjekjet e zellshme që bën për të mësuar të tjerët dhe paralajmërimet në kohën e duhur që jep për taktikat e armikut. Dëshmitë tregojnë se ky skllav përbëhet nga pjesëtarët e mirosur nga fryma brenda kongregacionit të Dëshmitarëve të Jehovait.—Zbulesa 14:1.
Ky skllav ka bërë edhe më shumë sesa vetëm ka mësuar të tjerët. Ai ka shfaqur frymën e apostullit Pavël i cili i shkroi kongregacionit në Selanik: «U bëmë zemërbutë mes jush, ashtu si nëna që mënd, përkujdeset për fëmijët e saj. Kështu, duke pasur përzemërsi të butë për ju, ne patëm kënaqësinë t’ju jepnim jo vetëm lajmin e mirë të Perëndisë, por edhe vetë shpirtrat tanë, sepse na u bëtë të dashur.» (1 Selanikasve 2:7, 8) Çdo ushtar i krishterë ka përgjegjësinë për ta përdorur stërvitjen e dashur që i sigurohet.
Armatura e plotë
Për t’u mbrojtur të është siguruar një armaturë e plotë figurative. Mund të gjesh një përshkrim të kësaj armature tek Efesianëve 6:13-18. Një ushtar i kujdesshëm nuk do ta vërë veten në rrezik në qoftë se një pjesë e armaturës së tij frymore i mungon ose ka nevojë të riparohet.
Një i krishterë ka nevojë për gjithë armaturën, por mburoja e madhe e besimit është veçanërisht e rëndësishme. Ja pse Pavli shkroi: «Mbi të gjitha, merrni mburojën e madhe të besimit, me të cilën do të jeni në gjendje të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut.»—Efesianëve 6:16.
Mburoja e madhe, e cila mund të mbulojë tërë trupin, përfaqëson cilësinë e besimit. Duhet të kesh besim të fortë te drejtimi i Jehovait, duke pranuar pa dyshuar se të gjitha premtimet e tij do të dalin të vërteta. Duhet të ndihesh sikur këto premtime të jenë përmbushur tashmë. Mos dysho për asnjë çast se i tërë sistemi botëror i Satanait së shpejti do të shkatërrohet, se toka do të shndërrohet në një parajsë dhe se njerëzit besnikë ndaj Perëndisë do të bëhen përsëri të përsosur.—Isaia 33:24; 35:1, 2; Zbulesa 19:17-21.
Megjithatë në luftën e jashtëzakonshme që po bëhet tani, ke nevojë për diçka më shumë—për një mik. Në kohë lufte krijohen shoqëri të ngushta mes luftëtarëve, ndërsa ata i japin zemër dhe e mbrojnë njëri-tjetrin, ndonjëherë madje edhe e shpëtojnë njëri-tjetrin nga vdekja. Ndonëse miqësitë vlerësohen, për të mbijetuar në këtë luftë ke nevojë për miqësinë e vetë Jehovait. Ja përse Pavli e mbyll listën e pjesëve të armaturës me këto fjalë: «Duke vazhduar ndërkaq të luteni në çdo rast në frymë me çdo lloj lutjeje dhe me përgjërim.»—Efesianëve 6:18.
Na pëlqen shumë të rrimë me një mik të ngushtë. Përpiqemi të kalojmë kohë me të. Kur flasim rregullisht me Jehovain me anë të lutjes ai bëhet real për ne, një mik i besueshëm. Dishepulli Jakov na nxit: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve.»—Jakovit 4:8.
Taktikat e armikut
Të luftosh me këtë botë mund të duket ndonjëherë sikur ecën në një fushë të minuar. Sulmi mund të vijë nga çdo drejtim dhe armiku përpiqet të të zërë në befasi. Por ji i sigurt se Jehovai të ka siguruar të gjithë mbrojtjen që të nevojitet.—1 Korintasve 10:13.
Armiku mund ta përqendrojë goditjen duke sulmuar të vërtetat biblike që janë themelore për besimin tënd. Apostatët mund të përdorin fjalë të ëmbla, lajka dhe arsyetime të shtrembëruara në përpjekje për të të mundur. Por apostatëve nuk u intereson mirëqenia jote. Te Fjalët e urta 11:9 thuhet: «Me gojën e tij hipokriti [apostati, BR] shkatërron të afërmin e tij, por të drejtët çlirohen për shkak të dijes së tyre.»
Do të ishte një gabim të mendoje se duhet të dëgjosh apostatët ose të lexosh shkrimet e tyre me qëllim që të hedhësh poshtë argumentet që paraqesin. Arsyetimet e shtrembëruara dhe helmuese të apostatëve mund të të dëmtojnë frymësisht dhe të të ndotin besimin si një gangrenë që përhapet me shpejtësi. (2 Timoteut 2:16, 17) Përkundrazi, imito reagimin e Perëndisë ndaj apostatëve. Jobi tha për Jehovain: «Një i pabesë [apostat, BR] nuk do të guxonte të paraqitej para tij.»—Jobi 13:16.
Armiku mund të provojë një taktikë të ndryshme, taktikë që ka pasur njëfarë suksesi. Në qoftë se një ushtri që po marshon joshet që të prishë rreshtat dhe të ndjekë një sjellje të shthurur dhe imorale, kjo mund të shkaktojë çrregullime.
Zbavitjet botërore, si filmat dhe shfaqjet televizive imorale, si dhe muzika e shfrenuar janë një karrem i efektshëm. Disa thonë se mund të shohin skena imorale ose të lexojnë literaturë imorale pa u ndikuar prej tyre. Por një person që shihte rregullisht filma me përmbajtje të hapur seksuale pranoi me sinqeritet: «Këto skena nuk harrohen kurrë. Sa më shumë t’i mendosh, aq më shumë dëshiron të bësh atë që ke parë . . . Të bëjnë të mendosh se po humbet vërtet diçka tërheqëse.» A ia vlen të rrezikojmë të plagosemi nga ky sulm dinak?
Një shigjetë tjetër që përdor armiku është materializmi. Rreziku në këtë rast mund të jetë i vështirë të dallohet, sepse të gjithë kemi nevoja materiale. Kemi nevojë për një shtëpi, për ushqim dhe për veshje; dhe nuk është e gabuar të kemi gjëra të mira. Rreziku qëndron në pikëpamjen që ka një njeri për to. Paraja mund të bëhet më e rëndësishme se gjërat frymore. Mund të bëhemi dashurues të parasë. Duhet t’ia kujtojmë vetvetes se pasuria ka kufizime. Ajo është kalimtare, kurse pasuritë frymore qëndrojnë përgjithmonë.—Mateu 6:19, 20.
Nëse morali i ushtrisë ka rënë, mundësitë për të fituar luftën pakësohen. «A je treguar i shkurajuar ditën e ankthit? Fuqia jote do të jetë e paktë.» (Proverbat 24:10, BR) Shkurajimi është një armë që Satanai e përdor me efektshmëri. Po të veshësh «si përkrenare shpresën e shpëtimit», kjo do të të ndihmojë të luftosh shkurajimin. (1 Selanikasve 5:8) Përpiqu që ta mbash shpresën të fortë si Abrahami. Kur Perëndia i kërkoi të ofronte si flijim birin e tij të vetëm, Isakun, Abrahami nuk ngurroi. Ai besonte se Perëndia do ta përmbushte premtimin e Tij për të bekuar tërë kombet me anë të pasardhësve të tij. Gjithashtu besonte se Perëndia mund ta ngrinte Isakun nga të vdekurit nëse do të ishte e nevojshme për të përmbushur këtë premtim.—Hebrenjve 11:17-19.
Mos u dorëzo në luftën e besimit
Disa që kanë luftuar me guxim për një kohë të gjatë ndoshta ndihen të lodhur dhe prandaj nuk po luftojnë me të njëjtën vigjilencë. Shembulli i Uriahut, të cilin e përmendëm në fillim të këtij artikulli, mund t’i ndihmojë të gjithë ata që marrin pjesë në luftën e besimit që të mbajnë pikëpamjen e duhur. Shumë bashkëluftëtarë të krishterë duhet të durojnë vështirësi, ndodhen në rreziqe ose vuajnë nga të ftohtët dhe uria. Ashtu si Uriahu nuk duam të mendojmë për të gjitha rehatitë që mund të gëzojmë tani dhe as nuk duhet të dëshirojmë të bëjmë një jetë rehatidashëse. Duam të qëndrojmë bashkë me ushtrinë botërore të luftëtarëve besnikë të Jehovait dhe të vazhdojmë luftën derisa të gëzojmë bekimet e mrekullueshme që na presin.—Hebrenjve 10:32-34.
Do të ishte e rrezikshme të ulnim vigjilencën, ndoshta duke menduar se sulmi përfundimtar është ende në të ardhmen e largët. Shembulli i mbretit David vë në dukje këtë rrezik. Nuk e dimë se përse ai nuk ishte me trupat e tij në betejë. Por, si pasojë Davidi kreu një mëkat të rëndë që i shkaktoi angështi dhe vuajtje për gjithë jetën.—2 Samuelit 12:10-14.
A ia vlen të marrësh pjesë në këtë luftë, të përballosh vështirësitë e saj, të durosh tallje dhe të heqësh dorë nga kënaqësitë e diskutueshme të botës? Ata që po luftojnë me sukses e pranojnë se ajo që ka për të ofruar bota mund të duket tërheqëse, si një pako e ambalazhuar bukur, por që në vetvete ka pak vlerë. (Filipianëve 3:8) Për më tepër shpesh këto kënaqësi përfundojnë duke shkaktuar dhembje dhe zhgënjim.
Të krishterët në këtë luftë frymore gëzojnë shoqëri të ngushtë me miq të vërtetë, një ndërgjegje të pastër dhe një shpresë të mrekullueshme. Të krishterët e mirosur nga fryma presin me padurim jetën e pavdekshme qiellore me Jezu Krishtin. (1 Korintasve 15:54) Shumica e luftëtarëve të krishterë shpresojnë një jetë të përsosur në një parajsë në tokë. Patjetër që për të fituar këto çmime ia vlen çdo sakrificë. Dhe ndryshe nga luftërat botërore fitorja jonë në këtë luftë është e sigurt për sa kohë të qëndrojmë besnikë. (Hebrenjve 11:1) Ndërsa fundi i këtij sistemi që ndodhet nën kontrollin e Satanait është shkatërrimi i plotë.—2 Pjetrit 3:10.
Teksa vazhdon në këtë luftë kujto fjalët e Jezuit: «Merrni kurajë! Unë e kam mundur botën.» (Gjoni 16:33) Ai e mundi botën duke qëndruar vigjilent dhe duke e ruajtur integritetin nën sprova. Edhe ne mund të bëjmë të njëjtën gjë.
[Diçitura në faqen 27]
Nuk qëllohet me plumba, nuk hidhen bomba, por megjithatë kërkohet një strategji e fortë
[Diçitura në faqen 30]
Fitorja jonë në këtë luftë është e sigurt për sa kohë që qëndrojmë besnikë
[Figura në faqen 26]
Helmeta e shpëtimit do të na ndihmojë të luftojmë shkurajimin
Përdor mburojën e madhe të besimit për të zmbrapsur «shigjetat e zjarrta» të Satanait
[Figura në faqen 28]
«Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve»
[Figura në faqen 29]
Duhet të kemi besim në plotësimin e premtimeve të Perëndisë