Një rrugë e gjerë me pak liri
Një familje me tre veta, babai, mamaja dhe vajza e vogël, ndodheshin në shtëpi, në Sidnei, Australi, kur shtëpia mori flakë. U përpoqën të dilnin nga dritaret, por ato ishin të zëna me hekura. Për shkak të atyre hekurave të vëna për siguri, zjarrfikësit nuk mundën t’i shpëtonin. Mamaja dhe babai vdiqën midis tymit dhe flakëve. Vajza vdiq më vonë në spital.
SA TRISHTIM që kjo familje vdiq për shkak të instalimeve që duhej t’i mbronin! Është një shenjë e kohëve tona, pasi kjo familje nuk ishte e vetmja që e ruante shtëpinë me hekura dhe me dryna. Edhe shumë komshinj të tjerë kanë shtëpi dhe prona që u ngjajnë fortesave. Përse? Në kërkim të sigurisë dhe paqes mendore. Çfarë dështimi në një shoqëri «të lirë», në të cilën njerëzit ndihen të sigurt vetëm kur mbyllen në kafaz, si të burgosur në shtëpitë e tyre! Janë gjithnjë e më të shumta lagjet, në të cilat fëmijët nuk mund të luajnë më të sigurt nëpër parqet e afërta ose të shkojnë në shkollë pa u shoqëruar nga prindi apo nga ndonjë i rritur tjetër. Në shumë aspekte të jetës, liria po avullon si vesa e mëngjesit.
Një stil i ndryshëm jetese
Në kohën e gjyshërve tanë ishte ndryshe. Si fëmijë, ata mund të luanin normalisht ku t’u pëlqente, pa pasur frikë. Kur rriteshin, nuk bëheshin merak për dryna dhe hekura për penxheret. Ndiheshin të lirë dhe deri në njëfarë mase ishin të lirë. Por gjyshërit tanë e kanë parë frymën e shoqërisë të ndryshojë gjatë jetës së tyre. Ajo është bërë më e ftohtë, më egoiste; në shumë vende, dashuria për fqinjët është zëvendësuar me frikën nga fqinjët, gjë që ka kontribuar edhe për ngjarjen tragjike të përmendur më lart. Në hap paralel me këtë rritje të mungesës së lirisë, ka ecur edhe rënia e vazhdueshme e vlerave morale. Shoqëria është dashuruar pas «moralit të ri», por në të vërtetë gjendja ka shkuar deri aty, sa është e zorshme të vëresh ndonjë lloj morali.
Një ish-lektor në edukim, nga Universiteti Kuinsland, dr. Rupert Gudman, shkruan: «Të rinjtë janë tani të ekspozuar ndaj një stili jetese të ndryshëm dhe hedonist, . . . në të cilin ‘vetja’ është qendra: lëshime ndaj vetes, ndërgjegje sipas vetes, plotësim i vetes, interesat e vetes.» Ai thotë, gjithashtu: «Vlera të tilla, si vetëkontrolli, vetëmohimi, puna e rëndë, kursimet, respekti për autoritetet, dashuria dhe nderimi për prindërit . . . janë koncepte të huaja për shumëkënd.»
Një rrugë vërtet e gjerë
Kush i njeh profecitë e Biblës, nuk habitet tek shikon se përqendrimi mbi vetveten është kaq i përhapur, pasi Jezu Krishti i paralajmëroi dëgjuesit e tij: «E gjerë është dera dhe e hapur është udha që të çon në shkatërrim dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të. Përkundrazi, sa e ngushtë është dera dhe sa e vështirë është udha që çon në jetë! Dhe pak janë ata që e gjejnë!» (Mateu 7:13, 14) Rruga e parë, me hapësirë të gjerë për shumë udhëtarë, është «e hapur» pasi nuk kufizohet nga parimet biblike që qeverisin moralin dhe jetën e përditshme. Ajo tërheq ata që duan të mendojnë e të jetojnë ashtu siç u pëlqen, pa rregulla, pa detyra.
Vërtet, shumë veta që kanë zgjedhur rrugën e gjerë pohojnë se gëzojnë liri. Por shumica e tyre udhëhiqen nga një frymë e zakonshme egoizmi. Bibla thotë se qeverisen nga ‘fryma që vepron tani në bijtë e mosbindjes’. Kjo frymë i nxit ata të jetojnë «në lakmitë e mishit . . . duke i plotësuar dëshirat e mishit», si imoralitet, drogë, rendje e shfrenuar pas pasurisë, prestigj apo pushtet.—Efesianëve 2:2, 3.
Rruga e gjerë të çon në shkatërrim
Vëre se ata që ecin në rrugën e gjerë, janë të nxitur të bëjnë «dëshirat e mishit». Kjo tregon se nuk janë aspak të lirë: kanë një pronar. Janë skllevër të mishit. Shërbimi ndaj këtij pronari mund të çojë në shumë probleme: epidemi të gjera me sëmundje të transmetuara seksualisht, shtëpi të ndara, trupa dhe mendje të sëmura nga abuzimi me drogën dhe alkoolin, sa për të përmendur disa. Edhe veprimet e dhunës, të grabitjeve dhe përdhunimeve, i kanë rrënjët në mënyrën e të menduarit të përqendruar mbi vetveten, e cila ushqehet në këtë rrugë të gjerë toleruese. Për sa kohë që kjo ‘rrugë e gjerë që të çon në shkatërrim’ do të vazhdojë të ekzistojë, frytet e saj do të bëhen gjithnjë e më dëmprurëse.—Proverbat 1:22, 23; Galatasve 5:19-21; 6:7.
Le të shqyrtojmë dy shembuj të jetës reale nga Australia. Meri ra në tundim, duke filluar të përdorë drogën dhe të kryejë imoralitet.a Por nuk po arrinte dot lumturinë që kërkonte. Edhe pasi u bë me dy fëmijë, jeta e saj dukej e zbrazur. Arriti në pikën më të ulët, kur mësoi se kishte SIDA-n.
Tomi u dëmtua në një mënyrë tjetër. «U rrita në një mision fetar, në veri të Kuinslandit,—shkruan ai.—Në moshën 16 vjeçare fillova të pij shumë. Babai im, xhaxhallarët dhe miqtë ishin të gjithë ndër pijanecët më të fortë, kështu që më dukej si diçka e natyrshme për t’u bërë. Arrita deri në atë pikë, sa mund të pija gjithçka, nga birra deri në metanol. Fillova, gjithashtu, të vija baste mbi kuajt, disa herë duke humbur pjesën më të madhe të rrogës së fituar me djersë. Dhe nuk ishte një shumë e vogël, pasi puna që bëja si prerës i kallamsheqerit paguhej mirë.
Pastaj u martova dhe patëm fëmijë. Në vend se të përballoja përgjegjësitë, bëja ç’të bënin miqtë e mi: pija, vija baste dhe zihesha. E kam parë shpesh veten në birucë. Por as kjo s’më bënte përshtypje. Jeta ime kishte marrë teposhtën. Ishte bërë lëmsh.»
Po, duke u dhënë pas dëshirave të gabuara, Tomi dhe Meri jo vetëm që dëmtuan veten, por edhe familjet e tyre. Mjerisht, edhe shumë të rinj të tjerë ndihen të tunduar nga fryma liberale dhe e keqdrejtuar e lirisë që ofron rruga e gjerë. Sikur të kishin mundësi këta të rinj të shikonin përtej pamjes së jashtme. Sikur të kishin mundësi të shihnin realitetin e rrugës së gjerë, çmimin e lartë që të gjithë udhëtarët duhet të paguajnë më në fund. Vërtet, ajo është e gjerë dhe është e lehtë të ecësh në të. Por është pikërisht kjo gjerësi që e bën atë një mallkim. Rruga e mençur e merr për zemër faktin e pamohueshëm se «ai që mbjell për mish të tij, do të korrë nga mishi i tij prishje».—Galatasve 6:8.
Megjithatë, ekziston një zgjedhje më e mirë. Rruga e ngushtë. Por, sa kufizuese, me sa pengesa dhe sa e ngushtë është kjo rrugë? Ku të çon ajo?
[Shënimi]
a Emrat janë ndryshuar.