Ja, drita është e mrekullueshme!
NËSE të është dashur ndonjëherë ta gjesh rrugën me të prekur, në errësirë, atëherë e di sa acaruese mund të jetë. Oh, sa të lehtëson drita! Ose mund të kesh qenë ndonjëherë në një situatë ku ndiheshe sikur ishe në errësirë të plotë. Ndoshta ishte rasti kur nuk arrije të shihje zgjidhjen e një problemi. Pastaj dalëngadalë pe dritë, domethënë gjete një zgjidhje. Sa mirë është të dalësh nga kjo errësirë në dritë!
Në shekullin e parë, njerëzit në përgjithësi ishin në errësirë frymore. Duke iu drejtuar atyre që i kishin lënë bindjet e mëparshme dhe kishin përqafuar krishterimin, apostulli Pjetër shkroi: «[Perëndia] ju thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme.» (1 Pjetrit 2:9) Për ta ishte sikur nga errësira e plotë të dilnin në dritë rrezatuese. Mund të krahasohej edhe kështu: ishin të vetëm e pa shpresë dhe u bënë pjesëtarë të një familjeje me një të ardhme të sigurt.—Efesianëve 2:1, 12.
«E ke lënë dashurinë e fillimit»
Të krishterët e hershëm gjetën «të vërtetën», domethënë besimin e vërtetë të krishterë. (Gjoni 18:37) Ata panë dritën e mrekullueshme të së vërtetës dhe kaluan nga errësira frymore në dritë të shndritshme. Por, me kalimin e kohës, entuziazmi dhe zelli fillestar i disa të krishterëve u ftoh. Për shembull, aty nga fundi i shekullit të parë kishte lindur një problem i rëndë në kongregacionin e Efesit. Jezu Krishti i ringjallur tregoi cili ishte ky problem: «Kam diçka kundër teje: e ke lënë dashurinë e fillimit. Prandaj, kujto ku ishe para se të bije dhe pendohu e bëj veprat e mëparshme.» (Zbulesa 2:4, 5) Të krishterët në Efes duhej të rizgjonin dashurinë e tyre për Perëndinë dhe për të vërtetën.
Ç’të themi për ne? Edhe ne u lumturuam kur pamë dritën, pra kur njohëm të vërtetën e mrekullueshme të Fjalës së Perëndisë. Zhvilluam dashurinë për të vërtetën. Por vështirësitë që janë të zakonshme për njerëzit mund të na e pakësojnë dashurinë për të vërtetën. Këtyre vështirësive u shtohen problemet që janë karakteristike për «ditët e fundit». Jetojmë në një botë që karakterizohet nga «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar»—një botë me njerëz që janë «të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj, fodullë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë». (2 Timoteut 3:1, 2) Për shkak të ndikimit të tyre, mund të na pakësohet zelli e të na ftohet dashuria për Jehovain.
Nëse e kemi humbur dashurinë që kishim në fillim, duhet ‘të kujtojmë ku ishim para se të binim dhe të pendohemi’. Duhet të rikthehemi në gjendjen tonë të mëparshme frymore. Për më tepër, duhet të bëjmë kujdes që të mos lëmë të na zbehet çmueshmëria për të vërtetën. Sa jetësore është të mbajmë një pikëpamje pozitive dhe optimiste e ta mbajmë gjallë dashurinë për Perëndinë dhe për të vërtetën e tij!
‘E vërteta që na liron’
Drita e së vërtetës biblike është e mrekullueshme, sepse Bibla u jep përgjigje pyetjeve të rëndësishme që i kanë munduar njerëzit për mijëra vjet. Disa nga këto pyetje janë: Pse ekzistojmë? Cili është qëllimi i jetës? Pse ka ligësi? A ka jetë pas vdekjes? Jehovai na ka ndriçuar mendjen me të vërteta të mrekullueshme rreth doktrinave biblike. A nuk duhet të jemi vërtet mirënjohës? Mos na ndodhtë kurrë ta marrim si një gjë të zakonshme atë që kemi mësuar!
Jezui u tha dishepujve: «Do ta njihni të vërtetën, dhe e vërteta do t’ju lirojë.» (Gjoni 8:32) Falë flijimit shpërblyes të Jezuit jemi liruar nga mëkati e nga vdekja. Por këto të vërteta të çmuara na kanë çliruar edhe nga padija e nga pasiguritë e kësaj bote të zhytur në errësirë. Nëse meditojmë me mirënjohje për gjërat që kemi mësuar, kjo do të na ndihmojë që ta forcojmë dashurinë për Jehovain dhe për Fjalën e tij.
Të krishterëve në Selanik apostulli Pavël u shkroi: «Kur e dëgjuat fjalën e Perëndisë nga ne, e pranuat jo si fjalë njerëzish, por siç është me të vërtetë, si fjalën e Perëndisë, e cila vepron te ju besimtarët.» (1 Selanikasve 2:13) Selanikasit e dëgjuan dhe ‘e pranuan fjalën [e Perëndisë] me gëzim’. Ata nuk ishin më «në errësirë». Përkundrazi ishin bërë «bij të dritës». (1 Selanikasve 1:4-7; 5:4, 5) Ata të krishterë mësuan se Jehovai është Krijuesi dhe se ai është i plotfuqishëm, i mençur, i dashur dhe i mëshirshëm. Ashtu si ithtarët e tjerë të Krishtit, ata mësuan edhe se Jehovai mori masa që t’ua fshinte mëkatet nëpërmjet flijimit shpërblyes të Birit të tij, Jezu Krishtit.—Veprat 3:19-21.
Megjithëse nuk dinin gjithçka rreth së vërtetës, selanikasit dinin ku duhej ta kërkonin njohurinë për të. Shkrimet e frymëzuara mund ta bëjnë njeriun e Perëndisë ‘krejtësisht të zotin, plotësisht të pajisur për çdo vepër të mirë’. (2 Timoteut 3:16, 17) Të krishterët në Selanik mund të vazhdonin të studionin, duke e provuar vazhdimisht se drita që vjen nga Perëndia është vërtet e mrekullueshme. Kishin arsye të gëzonin gjithmonë. (1 Selanikasve 5:16) Edhe ne i kemi këto arsye.
Një dritë për shtegun tonë
Duke treguar një arsye pse drita është e mrekullueshme, psalmisti këndoi: «Fjala jote është një llambë për këmbën time dhe një dritë për shtegun tim.» (Psalmi 119:105) Drejtimi që marrim nga Fjala e Perëndisë mund të na ndihmojë të përcaktojmë një drejtim të sigurt ku të ecim dhe të kemi një jetë me qëllim. Nuk kemi pse të jemi si një anije pa spirancë. Njohja dhe zbatimi i së vërtetës na mbron që të mos ‘lëkundemi nga dallgët e të çohemi andej-këtej nga çdo erë mësimi’.—Efesianëve 4:14.
«Mos kini besim te fisnikët, as te ndonjë bir njeriu, që nuk sjell dot shpëtim»,—thuhet në Bibël. Gjithashtu thuhet: «Lum ai që ka ndihmën e Perëndisë së Jakobit, dhe që i mban shpresat te Jehovai, Perëndia i tij.» (Psalmi 146:3, 5) Jo vetëm kaq, por kur kemi besim te Jehovai, mund të kapërcejmë frikën dhe ankthin. Apostulli Pavël shkroi: «Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime. Kështu paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.» (Filipianëve 4:6, 7) Kemi vërtet dobi kur udhëhiqemi nga drita e Fjalës së Perëndisë.
Shkëlqejmë si ndriçues në botë
Ka një arsye tjetër pse drita e Fjalës së Perëndisë është e mrekullueshme: ajo u jep njerëzve një mundësi që të kenë caktimin më të nderuar që ekziston. Jezui i urdhëroi ithtarët e tij: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë, dhe mësojuni të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.» Para se të jepte këtë urdhër, ai tha: «Më është dhënë çdo autoritet në qiell dhe në tokë.»—Mateu 28:18-20.
Të mendojmë pak se kush i ndihmon të krishterët e vërtetë teksa predikojnë lajmin e mirë dhe u mësojnë njerëzve të të gjitha kombeve këto të vërteta biblike. Jezui u premtoi ithtarëve se do të ishte me ta. Ai i ka ndihmuar dhe i ka mbështetur vërtet ata ndërsa ‘lënë të ndriçojë drita e tyre’ në shërbim dhe nëpërmjet ‘veprave [të tjera] të shkëlqyera’. (Mateu 5:14-16) Edhe engjëjt janë të përfshirë në këtë vepër ungjillëzimi. (Zbulesa 14:6) Po Perëndia Jehova? Apostulli Pavël shkroi: «Unë mbolla, Apoli ujiti, por Perëndia vazhdon ta rritë.» Ç’privilegj është të jemi «bashkëpunëtorë të Perëndisë».—1 Korintasve 3:6, 9.
Të mendojmë edhe se si shpërblehen përpjekjet tona në këtë vepër që na ka caktuar Perëndia. Asgjë tjetër s’mund të krahasohet me privilegjin që na ka dhënë Perëndia ‘për të shkëlqyer si ndriçues në botë’. Duke pasqyruar dritën e Fjalës së Perëndisë në të folurit dhe në veprimet tona, mund t’i ndihmojmë vërtet individët me zemër të sinqertë. (Filipianëve 2:15) Gjithashtu, gëzojmë ndërsa predikojmë dhe mësojmë me zell, sepse ‘Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tonë dhe dashurinë që treguam për emrin e tij’.—Hebrenjve 6:10.
‘Bli balsam për të lyer sytë’
Në një mesazh drejtuar kongregacionit të Laodicesë në shekullin e parë, Jezui tha: ‘Bli nga unë balsam për të lyer sytë që të shohësh. Të gjithë ata që i kam për zemër, unë i qortoj dhe i disiplinoj.’ (Zbulesa 3:18, 19) Ilaçi i sigurt për të kuruar verbërinë frymore është ‘balsami’, domethënë mësimet dhe disiplina e Jezuit. Nëse duam të mbajmë pikëpamjen e duhur nga ana frymore, duhet të pranojmë këshillat e tij dhe t’u nënshtrohemi atyre, si edhe drejtimit që gjendet në të gjithë Biblën. Duhet edhe të përvetësojmë një qëndrim mendor si ai që kishte Krishti dhe të imitojmë shembullin e tij. (Filipianëve 2:5; 1 Pjetrit 2:21) Balsami nuk është falas. Jezui tha: ‘Blije nga unë.’ Çmimi përfshin kohën dhe përpjekjet tona.
Kur dalim nga një vend i errët dhe hyjmë në një dhomë të ndriçuar, mund të na duhet pak kohë që sytë të na përshtaten me dritën. Po kështu, duhet kohë për të studiuar Fjalën e Perëndisë dhe për të parë dritën e së vërtetës. Duhet kohë për të medituar rreth gjërave që mësojmë dhe për të reflektuar se sa e çmuar është e vërteta. Por çmimi nuk është tepër i madh. Pse? Sepse drita është e mrekullueshme!
[Figura në faqen 14]
‘Bli nga unë balsam për të lyer sytë që të shohësh’