Si mund t’i kontrollojë zemrat tona paqja e Krishtit?
«Paqja e Krishtit le të kontrollojë zemrat tuaja, paqja në të cilën ju u thirrët në një trup të vetëm.»—KOLOSIANËVE 3:15, NAB.
1, 2. Në ç’mënyrë e kontrollon zemrën e një të krishteri «paqja e Krishtit»?
KONTROLLI për shumë veta është një fjalë e papëlqyeshme, pasi sjell ndër mend detyrimin dhe manipulimin. Prandaj, disave mund t’u duket e paarsyeshme këshilla që u dha Pavli të bashkëkrishterëve në Kolose: «Paqja e Krishtit le të kontrollojë zemra tuaja.» (Kolosianëve 3:15, New American Bible) A nuk jemi persona me vullnet të lirë? Përse duhet të lëmë që ndonjë gjë ose ndonjë njeri të kontrollojë zemrat tona?
2 Pavli nuk po u thoshte kolosianëve që të hiqnin dorë nga vullneti i tyre i lirë. Termi grek i përkthyer ‘kontrolloj’ te Kolosianëve 3:15 lidhet me fjalën që përdorej për arbitrin i cili jepte çmimin në garat atletike të atyre ditëve. Pjesëmarrësit në garë kishin njëfarë lirie brenda rregullave të lojës, por, në fund arbitri vendoste se cili i kishte ndjekur rregullat e, prandaj, kishte fituar garën. Në mënyrë të ngjashme, ne kemi liri për të marrë shumë vendime në jetë, por kur bëjmë këtë, paqja e Krishtit duhet të jetë gjithnjë «arbitri» ose, siç e vë përkthyesi Edgar Xh. Gudspid, «parimi sundues» në zemra tona.
3. Çfarë është «paqja e Krishtit»?
3 Çfarë është «paqja e Krishtit»? Është qetësia e brendshme që fitojmë kur bëhemi dishepuj të Jezuit dhe mësojmë se Perëndia Jehova dhe Biri i tij na duan dhe na miratojnë. Kur Jezuit po i afrohej koha që të largohej nga dishepujt e vet, u tha: «Po ju jap paqen time. . . . Mos e lini zemrën tuaj të trazohet, as të mpaket nga frika.» (Gjoni 14:27) Për pothuajse 2.000 vjet, këtë paqe e kanë pasur pjesëtarët e mirosur besnikë të trupit të Krishtit dhe sot, e kanë edhe shokët e tyre, ‘delet e tjera’. (Gjoni 10:16) Kjo paqe duhet të ketë një ndikim kontrollues në zemrat tona. Kur jemi nën sprova të rënda, ajo mund të na ndihmojë që të mos paralizohemi nga frika ose të mos ndihemi tepër të trazuar. Le të shohim se si është e vërtetë kjo kur hasim padrejtësi, kur na pushton ankthi dhe kur ndihemi të padenjë.
Kur hasim padrejtësi
4. (a) Si u njoh Jezui me padrejtësitë? (b) Si kanë reaguar të krishterët, kur kanë qenë viktima të padrejtësisë?
4 Mbreti Solomon vërejti: «Një njeri sundon mbi një tjetër për ta dëmtuar.» (Predikuesi [Eklisiastiu] 8:9) Jezui e dinte se sa të vërteta ishin këto fjalë. Kur ishte në qiell, ai i shikonte padrejtësitë e mëdha që i shkaktonin njerëzit njëri-tjetrit. Kur erdhi në tokë, provoi personalisht padrejtësinë më të madhe kur vetë atë, që ishte njeri pa mëkat, e akuzuan për blasfemi dhe e vranë si një kriminel. (Mateu 26:63-66; Marku 15:27) Sot, padrejtësitë janë ende shumë të përhapura dhe të krishterët e vërtetë kanë vuajtur jashtëzakonisht shumë, duke qenë «objekt urrejtjeje për të gjitha kombet». (Mateu 24:9) Por, me gjithë përvojat e tmerrshme në kampet naziste të vdekjes dhe në kampet sovjetike të punës; me gjithë faktin që u bënë viktima të dhunës së turmave, të akuzave të rreme dhe të sulmeve me gënjeshtra, paqja e Krishtit i ka mbajtur të patundur. Kanë imituar Jezuin, për të cilin lexojmë: «Kur e shanin, ai nuk e kthente sharjen. Kur vuante, nuk kërcënonte, por e linte veten në duart e atij që gjykon me drejtësi.»—1 Pjetrit 2:23.
5. Kur dëgjojmë për ndonjë padrejtësi në dukje në kongregacion, çfarë duhet të shqyrtojmë së pari?
5 Në një shkallë shumë më të vogël, mund të mendojmë se dikë në kongregacionin e krishterë e kanë trajtuar pa të drejtë. Në rast të tillë, mund të ndihemi si Pavli, i cili tha: «Kush është penguar dhe unë nuk jam përvëluar?» (2 Korintasve 11:29) Çfarë mund të bëjmë? Duhet të pyesim veten: ‘A është vërtet një padrejtësi?’ Shpesh, nuk i dimë të gjitha faktet. Ndoshta jemi duke reaguar ashpër pasi kemi dëgjuar dikë që thotë se e njeh në brendësi çështjen. Me arsye të vlefshme, Bibla thotë: «Kushdo që është i papërvojë i beson çdo fjale.» (Proverbat [Fjalët e urta] 14:15, BR) Prandaj, duhet të jemi të matur.
6. Si mund të reagojmë kur mendojmë se na është bërë një padrejtësi në kongregacion?
6 Por, ta zëmë se ne personalisht mendojmë që kemi qenë viktimë e një padrejtësie. Si do të reagonte një person që ka paqen e Krishtit në zemër? Mund ta shohim të nevojshme të flasim me individin që mendojmë se na ka bërë një padrejtësi. Pastaj, në vend që të flasim për këtë gjë me këdo që do të jetë i gatshëm të na dëgjojë, përse të mos ia lëmë në dorë çështjen Jehovait në lutje dhe të besojmë se ai do të kujdeset që të vihet në vend drejtësia? (Psalmi 9:10, Fjalët e urta 3:5) Fare mirë mund të ndodhë që, pasi e kemi bërë këtë, të mjaftohemi duke e zgjidhur çështjen në zemrën tonë dhe ‘të qëndrojmë në heshtje’. (Psalmi 4:4) Në shumicën e rasteve zbatohet këshilla e apostullit Pavël: «Vazhdoni të duroni njëri-tjetrin dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu sikurse Jehovai ju fali bujarisht, edhe ju bëni po ashtu.»—Kolosianëve 3:13.
7. Çfarë duhet të mbajmë gjithnjë në mend në marrëdhëniet me vëllezërit tanë?
7 Megjithatë, çfarëdo gjëje që të bëjmë, duhet të mbajmë në mend se, ndonëse nuk mund ta kontrollojmë atë që ndodhi, mund të kontrollojmë reagimin tonë. Po të reagojmë në mënyrë jo të drejtpeshuar ndaj një padrejtësie që mendojmë se na është bërë, kjo mund të ketë një efekt edhe më të dëmshëm në paqen tonë, sesa vetë padrejtësia. (Fjalët e urta 18:14) Madje, mund edhe të pengohemi e të mos shoqërohemi më me kongregacionin, derisa ta ndiejmë se drejtësia është vënë në vend. Psalmisti shkroi se ata që i duan ligjet e Jehovait, «nuk ka asgjë që mund t’i rrëzojë». (Psalmi 119:165) E vërteta është se të gjithëve na bëhet ndonjë padrejtësi nganjëherë. Mos lejoni kurrë që këto përvoja të papëlqyeshme të ndërhyjnë në shërbimin që i bëni Jehovait! Përkundrazi, lini që paqja e Krishtit të kontrollojë zemrat tuaja.
Kur na pushton ankthi
8. Cilat janë disa gjëra që shkaktojnë ankth dhe çfarë mund të sjellë ai si pasojë?
8 Ankthi është një pjesë shumë reale e jetës në këto ‘ditë të fundit’. (2 Timoteut 3:1) Vërtet, Jezui tha: «Mos jini më në ankth për shpirtin tuaj, se ç’do të hani, a për trupin tuaj, se ç’do të vishni.» (Luka 12:22) Por jo çdo ankth vjen nga shqetësimi për gjërat materiale. Loti ishte «shumë i brengosur» për shkak të sjelljes së shthurur të Sodomës. (2 Pjetrit 2:7) Pavlin e pushtonte «ankthi për të gjitha kongregacionet». (2 Korintasve 11:28) Natën para se të vdiste, Jezui ishte në një angështi aq të madhe, saqë «djersa e tij u bë si pika gjaku që binin përtokë». (Luka 22:44) Qartë, jo çdo ankth është tregues i një besimi të dobët. Megjithatë, cilido qoftë shkaku i tij, nëse ankthi është shumë i fortë e nëse zgjat shumë, mund të na e heqë paqen. Ankthi i ka mbytur disa, duke i bërë të ndihen të pazotët që të vazhdojnë të mbajnë përgjegjësitë që përfshihen në shërbimin e Jehovait. Bibla thotë: «Ankthi në zemrën e njeriut është ai që do ta bëjë të përkulet.» (Proverbat 12:25, BR) Atëherë, çfarë mund të bëjmë nëse na mundon ankthi?
9. Cilat janë disa hapa praktikë që mund të merren për të lehtësuar ankthin, por, cilat gjëra që e shkaktojnë ankthin nuk mund të hiqen?
9 Në disa rrethana, ndoshta kemi mundësi të marrim ndonjë masë praktike. Nëse në rrënjë të gjendjes sonë të ankthshme qëndron një problem mjekësor, do të ishte e matur t’i kushtonim kujdes këtij problemi, ndonëse këto çështje kërkojnë një vendim personal.a (Mateu 9:12) Nëse ndihemi të rënduar nga përgjegjësitë e shumta, mbase është e mundur që disa prej këtyre përgjegjësive t’ia besojmë të tjerëve. (Eksodi [Dalja] 18:13-23) Por, ç’të themi për ata persona, si për shembull, prindërit, të cilët kanë përgjegjësi të mëdha që nuk mund t’u besohen të tjerëve? Ç’të themi për një të krishterë që jeton me një bashkëshort kundërshtar? Ç’të themi për një familje që ka vështirësi të mëdha ekonomike ose që jeton në një zonë lufte? Është e qartë se nuk mund t’i heqim të gjitha burimet që na shkaktojnë ankth në këtë sistem. Megjithatë, mund ta ruajmë paqen e Krishtit në zemra tona. Si?
10. Cilat janë dy mënyra se si një i krishterë mund të përpiqet ta lehtësojë ankthin?
10 Një mënyrë është duke kërkuar ngushëllim në Fjalën e Perëndisë. Mbreti David shkroi: «Kur në shpirtin tim grumbullohen vështirësitë, ngushëllimet e tua ma gëzojnë zemrën.» (Psalmi 94:19, DSF) «Ngushëllimet» e Jehovait mund t’i gjejmë në Bibël. Duke kërkuar rregullisht në këtë libër të frymëzuar do të ndihmohemi që të ruajmë paqen e Krishtit në zemrat tona. Bibla thotë: «Hidh mbi Zotin barrën tënde, dhe ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.» (Psalmi 55:22) Në mënyrë të ngjashme, Pavli shkroi: «Mos jini në ankth për asgjë, por në çdo gjë, kërkesat tuaja le t’i bëhen të njohura Perëndisë me lutje dhe përgjërime, bashkë me dhënie falënderimesh; dhe paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim, do të ruajë zemrat tuaja dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.» (Filipianëve 4:6, 7) Lutja e rregullt e me ngulm do të na ndihmojë të ruajmë paqen.
11. (a) Në ç’mënyrë Jezui ishte një shembull i shkëlqyer për sa i përket lutjes? (b) Si duhet ta shohim ne lutjen?
11 Jezui ishte një shembull i shkëlqyer në këtë fushë. Në disa raste, ai foli në lutje me Atin e tij qiellor për orë të tëra. (Mateu 14:23; Luka 6:12) Lutja e ndihmoi që të duronte sprovën më të rëndë nga të gjitha. Natën para se të vdiste, shqetësimi që kishte u bë shumë i madh. Cili ishte reagimi i tij? U lut «më me ngulm». (Luka 22:44) Po, Biri i përsosur i Perëndisë ishte njeri i lutjes. Atëherë, sa më shumë duhet ta kultivojnë ithtarët e tij të papërsosur zakonin e lutjes! Jezui i mësoi dishepujt e vet që ‘të luten gjithnjë e të mos dorëzohen’. (Luka 18:1) Lutja është komunikim i çiltër dhe jetësor me Atë që na njeh më mirë sesa e njohim ne veten. (Psalmi 103:14) Nëse duam ta ruajmë paqen e Krishtit në zemrat tona, do të ‘lutemi pa pushim’.—1 Selanikasve 5:17.
Të mposhtim kufizimet tona
12. Për cilat arsye disa mund të mendojnë se shërbimi i tyre nuk është i përshtatshëm?
12 Për Jehovain, secili nga shërbëtorët e tij është i çmuar. (Hageu 2:7) Megjithatë, shumë veta e kanë të vështirë ta pranojnë këtë. Disa mund të shkurajohen për shkak të moshës së thyer, të detyrimeve më të mëdha familjare ose të shëndetit që po u keqësohet. Të tjerë mund të ndihen në pozitë të pafavorshme, sepse kanë pasur një fëmijëri të hidhur. Të tjerë akoma mund të ndihen të munduar nga gabimet që kanë bërë në të kaluarën, duke vënë në dyshim nëse Jehovai mund t’i falë ndonjëherë. (Psalmi 51:3) Çfarë mund të bëhet për këto ndjenja?
13. Çfarë ngushëllimi biblik ka për ata që ndihen të papërshtatshëm?
13 Paqja e Krishtit do të na sigurojë për dashurinë e Jehovait. Mund ta rivendosim këtë paqe në zemrat tona duke medituar për faktin se Jezui nuk tha kurrë se vlera jonë matet duke e krahasuar atë që bëjmë me atë që bëjnë të tjerët. (Mateu 25:14, 15; Marku 12:41-44) Ajo që, në të vërtetë, theksoi ai ishte besnikëria. U tha dishepujve të vet: «Ai që ka qëndruar deri në fund, është ai që do të shpëtojë.» (Mateu 24:13) Vetë Jezui u ‘përçmua’ nga njerëzit, e megjithatë nuk kishte asnjë dyshim se Ati i tij e donte. (Isaia 53:3; Gjoni 10:17) Gjithashtu, u tha dishepujve të vet se edhe ata ishin të dashur. (Gjoni 14:21) Për ta theksuar këtë, Jezui tha: «A nuk shiten dy harabela për një monedhë me vlerë të vogël? E megjithatë, asnjë prej tyre nuk do të bjerë përtokë pa dijeninë e Atit tuaj. Por vetë fijet e flokëve të kokës suaj janë të gjitha të numëruara. Prandaj, mos kini frikë: Ju vleni më tepër se shumë harabela.» (Mateu 10:29-31) Sa sigurim i përzemërt për dashurinë e Jehovait!
14. Çfarë sigurie kemi se Jehovai e vlerëson secilin prej nesh?
14 Jezui tha edhe: «Askush nuk mund të vijë tek unë, nëse Ati që më dërgoi nuk e tërheq.» (Gjoni 6:44) Meqë na ka tërhequr që të ndjekim Jezuin, Jehovai duhet të dëshirojë që ne të shpëtohemi. Jezui u tha dishepujve të tij: «Për Atin tim që është në qiell nuk është gjë e dëshirueshme që një prej këtyre të vegjëlve të marrë fund.» (Mateu 18:14) Prandaj, nëse po shërbeni me zemër të plotë, mund të ngazëlloheni për veprat tuaja të shkëlqyera. (Galatasve 6:4) Nëse ju mundojnë gabimet e së kaluarës, të jini të sigurt se Jehovai i do t’i falë «bujarisht» ata që janë vërtet të penduar. (Isaia 43:25; 55:7) Nëse, për ndonjë arsye tjetër, ndiheni të shkurajuar, mos harroni se «Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar».—Psalmi 34:18.
15. (a) Si përpiqet Satanai të na e heqë paqen? (b) Cilën siguri mund të kemi te Jehovai?
15 Satanai s’do të donte gjë tjetër veçse të na hiqte paqen. Ai është përgjegjës për mëkatin e trashëguar, me të cilin luftojmë të gjithë ne. (Romakëve 7:21-24) Patjetër, ai do të donte që të mendonim se papërsosmëria e bën shërbimin tonë të papranueshëm për Perëndinë. Mos e lejoni kurrë Djallin që t’ju shkurajojë! Jini vigjilentë ndaj intrigave të tij dhe lini që kjo vigjilencë t’ju bëjë të vendosur të qëndroni! (2 Korintasve 2:11; Efesianëve 6:11-13) Mos harroni, «Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe di gjithçka». (1 Gjonit 3:20) Jehovai shikon më tepër se mangësitë tona. Ai sheh edhe motivet e qëllimet që kemi. Pra, gjeni ngushëllim nga fjalët e psalmistit: «Zoti nuk ka për ta hedhur poshtë popullin e tij dhe nuk ka për të braktisur trashëgiminë e tij.»—Psalmi 94:14.
Të bashkuar në paqen e Krishtit
16. Në ç’kuptim nuk jemi vetëm, ndërsa përpiqemi të qëndrojmë?
16 Pavli shkroi se duhet të lëmë që paqja e Krishtit të kontrollojë zemrat tona, sepse ‘u thirrëm në të në një trup të vetëm’. Të krishterët e mirosur të cilëve u shkroi Pavli ishin thirrur për të qenë pjesë e trupit të Krishtit, siç janë mbetja e të mirosurve sot. Shokët e tyre nga ‘delet e tjera’ bashkohen me ta si «një kope e vetme» nën «një bari të vetëm», Jezu Krishtin. (Gjoni 10:16) Së bashku, një «kope» mbarëbotërore me miliona veta po lënë që paqja e Krishtit të kontrollojë zemrat e tyre. Të dimë se nuk jemi vetëm na ndihmon që të qëndrojmë. Pjetri shkroi: «Kundërvijuni [Satanait], të fortë në besim, duke e ditur se të njëjtat gjëra për sa u përket vuajtjeve po ndodhin në gjithë vëllazërinë tuaj nëpër botë.»—1 Pjetrit 5:9.
17. Cilin motiv kemi për ta lënë paqen e Krishtit të kontrollojë zemrat tona?
17 Atëherë, le të vazhdojmë të gjithë të kultivojmë paqen, këtë fryt jetësor të frymës së shenjtë të Perëndisë. (Galatasve 5:22, 23) Ata që Jehovai do t’i gjejë të panjollë, të patëmetë dhe në paqe, në fund do të bekohen me jetën e përjetshme në një tokë parajsore, ku do të banojë drejtësia. (2 Pjetrit 3:13, 14) Kemi çdo arsye që ta lëmë paqen e Krishtit të kontrollojë zemrat tona.
[Shënimi]
a Në disa raste, ankthi mund të shkaktohet ose të shtohet nga sëmundje të ndryshme, siç është depresioni.
A ju kujtohet?
• Çfarë është paqja e Krishtit?
• Si mund t’i kontrollojë paqja e Krishtit zemrat tona kur hasim padrejtësi?
• Si na ndihmon paqja e Krishtit që të mbajmë nën kontroll ankthin?
• Si na ngushëllon paqja e Krishtit, kur ndihemi të padenjë?
[Figura në faqen 15]
Para akuzuesve të tij, Jezui ia besoi veten Jehovait
[Figura në faqen 16]
Ashtu si përqafimi i ngrohtë i një ati të dashur, ngushëllimet e Jehovait mund të na e lehtësojnë ankthin
[Figura në faqen 18]
Qëndrueshmëria ka shumë vlerë për Perëndinë