«Skllavërohuni për Zotërinë, Krishtin»
MILIONA njerëz përgjatë historisë kanë duruar peshën e skllavërisë. Për shembull, mijëra vjet më parë, izraelitët hoqën shumë në duart e mbikëqyrësve egjiptianë. Siç thotë Bibla, ata «vunë, pra, kryeintendentë të punimeve mbi ta, me qëllim që t’i shtypnin me angaritë e tyre», sidomos në bërjen e tullave.—Eksodi 1:11.
Në shumë vende sot, njerëzit mund të mos skllavërohen në kuptimin e vërtetë, por shumë njerëz duhet të bëjnë një punë të lodhshme nën kushte të vështira e ndonjëherë të pafavorshme. Ata janë nën peshën e rëndë të asaj që mund të quhet skllavëri financiare.
Megjithatë, ka një formë skllavërie që nuk është e rëndë. Apostulli Pavël i nxiti bashkëbesimtarët: «Skllavërohuni për Zotërinë, Krishtin.» (Kolosianëve 3:24, BR) Ata që zgjedhin të bëhen skllevër të Krishtit, gjejnë lehtësim nga peshat e tyre të rënda. Vetë Jezui tha: «Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar dhe unë do t’ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë.»—Mateu 11:28-30.
Pranimi i zgjedhës së Krishtit nuk e liron një person nga detyrimi për ta siguruar familjen materialisht. (1. Timoteut 5:8) Gjithsesi, ajo ofron liri nga shumë prej ngatërrimeve për qëllime materialiste. Në vend se ta bëjnë rehatinë materiale synimin e tyre kryesor në jetë, të krishterët janë të kënaqur me gjërat e nevojshme bazë.—1. Timoteut 6:6-10; krahaso 1. Korintasve 7:31.
Veç kësaj, të krishterët gjejnë freskim në përmbushjen e përgjegjësisë së tyre të predikimit të «lajmit të mirë» të Mbretërisë së Perëndisë. (Mateu 24:14, BR) Kjo sjell gëzim dhe kënaqësi të vërtetë!
Duhet të jemi mirënjohës që mund të ‘skllavërohemi për Zotërinë, Krishtin’!
[Burimi i figurës në faqen 32]
Arkivi Piktoresk (Pranë Historisë Lindore) Lindje.