T’i ndihmojmë të tjerët që të ecin denjësisht për Jehovain
«Ne nuk kemi pushuar së luturi për ju e së kërkuari që . . . të ecni denjësisht për Jehovain me synimin që t’i pëlqeni plotësisht atij, ndërsa vazhdoni të jepni fryt në çdo vepër të mirë.»—KOLOSIANËVE 1:9, 10.
1, 2. Çfarë gjëje në veçanti mund të jetë burim gëzimi dhe kënaqësie?
«JETOJMË në një dhomë-rimorkio, në një fermë. Duke e mbajtur jetën të thjeshtë, kemi më shumë kohë për t’u dhënë njerëzve lajmin e mirë. Jemi bekuar në mënyrë të pasur me privilegjin për të ndihmuar shumë veta që t’ia dedikojnë jetën Jehovait.»—Një çift i martuar, të cilët janë shërbëtorë të plotkohorë në Afrikën e Jugut.
2 A nuk jeni dakord se kur ndihmojmë të tjerët gjejmë gëzim? Disa veta përpiqen vazhdimisht të ndihmojnë të sëmurët, të privuarit ose të vetmuarit, duke gjetur kënaqësi nga kjo punë. Të krishterët e vërtetë janë të sigurt se ndihma më e madhe që mund të ofrojnë është të ndajnë me të tjerët njohurinë për Perëndinë Jehova dhe për Jezu Krishtin. Vetëm kjo mund t’i bëjë njerëzit të pranojnë shpërblesën e Jezuit, të zhvillojnë një marrëdhënie të mirë me Perëndinë dhe pastaj të kenë perspektivën e jetës së përhershme.—Veprat 3:19-21; 13:48.
3. Cila lloj ndihme meriton vëmendjen tonë?
3 Por, ç’të themi për ndihmën që mund t’u japim atyre që tashmë po i shërbejnë Perëndisë, të cilët janë duke ndjekur «Udhën»? (Veprat 19:9) Interesimi ynë për ta, pa dyshim, është më i madh se kurrë, por ndoshta nuk e kuptojmë si mund të bëjmë më shumë ose si mund të japim ndihmë të vazhdueshme. Ose situata ku jemi mund të duket se na kufizon që t’i ndihmojmë, duke na e kufizuar, kështu, kënaqësinë që mund të marrim. (Veprat 20:35) Për këto dy aspekte mund të mësojmë nga libri i Kolosianëve.
4. (a) Në cilat rrethana u shkroi Pavli kolosianëve? (b) Si u përfshi Epafrai?
4 Kur u shkroi të krishterëve në Kolose, apostulli Pavël gjendej në Romë, në masën e arrestit në shtëpi, ndonëse i lejohej të kishte vizitorë. Siç mund ta presim, Pavli e përdori lirinë e tij të kufizuar për të predikuar rreth Mbretërisë së Perëndisë. (Veprat 28:16-31) Të bashkëkrishterët kishin mundësi ta vizitonin Pavlin dhe ndoshta, në disa raste, disa kishin qenë të burgosur bashkë me të. (Kolosianëve 1:7, 8; 4:10) Një prej tyre ishte Epafrai, ungjillëzuesi i zellshëm nga qyteti i Kolosesë në Frigji, në pllajën që ndodhej në lindje të Efesit në Azinë e Vogël (Turqia moderne). Epafrai kishte luajtur rol të rëndësishëm në formimin e kongregacionit në Kolose dhe kishte punuar fort për kongregacionet fqinje në Laodice dhe në Hierapoli. (Kolosianëve 4:12, 13) Përse udhëtoi që të takonte Pavlin në Romë dhe çfarë mund të mësojmë nga përgjigjja e Pavlit?
Ndihmë e efektshme për kolosianët
5. Përse u shkroi Pavli ato fjalë kolosianëve?
5 Epafrai e bëri këtë udhëtim të vështirë për në Romë që të konsultohej me Pavlin për gjendjen e kongregacionit kolosian. Ai raportoi për besimin, dashurinë dhe përpjekjet ungjillëzuese të atyre të krishterëve. (Kolosianëve 1:4-8) Megjithatë, duhet t’i ketë shprehur edhe shqetësimin e tij për ndikimet negative që po kërcënonin gjendjen frymore të kolosianëve. Pavli u përgjigj me një letër të frymëzuar, e cila kundërshtonte disa pikëpamje që po përhapnin mësuesit e rremë. Ai u përqendrua veçanërisht në rolin qendror që duhet të luajë Jezu Krishti.a A u mjaftua ndihma e tij në theksimin e të vërtetave kryesore biblike? Si mund t’i ndihmonte më tej kolosianët dhe çfarë mësimesh mund të nxjerrim rreth ndihmës që u japim të tjerëve?
6. Çfarë theksoi Pavli në letrën e tij drejtuar kolosianëve?
6 Në fillim të letrës, Pavli siguroi mendjehollësi për një formë ndihme që mund ta kalojmë pa e vënë re. Ishte një mjet për të dhënë ndihmë që ishte i efektshëm në largësi, duke qenë se Pavli dhe Epafrai ishin larg Kolosesë. Pavli pohoi: «E falënderojmë Perëndinë, Atin e Zotërisë tonë Jezu Krisht, sa herë që lutemi [shënimi, «duke u lutur gjithmonë»] për ju.» Po, këto ishin lutje specifike për të krishterët në Kolose. Pavli shtoi: «Për këtë arsye, që nga dita që dëgjuam për këtë, ne nuk kemi pushuar së luturi për ju e së kërkuari që të jeni të mbushur me njohurinë e saktë të vullnetit të tij me plot mençuri dhe kuptueshmëri frymore.»—Kolosianëve 1:3, 9.
7, 8. Cilën çështje prekin shpesh lutjet tona personale dhe ato në kongregacion?
7 E dimë që Jehovai është «Dëgjuesi i lutjes», prandaj mund t’i besojmë gatishmërisë së tij për të na i dëgjuar lutjet e ofruara në harmoni me vullnetin e tij. (Psalmi 65:2, BR; 86:6; Fjalët e urta [Proverbat] 15:8, 29; 1 Gjonit 5:14) Por, kur bëhet fjalë për t’u lutur për të tjerët, si janë lutjet tona?
8 Ndoshta mendojmë dhe lutemi shpesh për ‘gjithë vëllazërinë tonë nëpër botë’. (1 Pjetrit 5:9) Ose mund t’i afrohemi Jehovait në lutje për të krishterët dhe njerëzit e tjerë në një rajon të goditur nga ndonjë katastrofë ose tragjedi. Kur dëgjuan për zinë e bukës në Jude, dishepujt e shekullit të parë në vende të tjera duhet të kenë bërë shumë lutje për vëllezërit e tyre, edhe më përpara se të dërgonin fonde për ndihmë. (Veprat 11:27-30) Në ditët tona, në mbledhjet e krishtere dëgjohen shpesh lutje për gjithë vëllazërinë ose për një grup të madh vëllezërish, pasi aty ka shumë veta që duhet të kuptojnë dhe të jenë në gjendje të thonë «Amin».—1 Korintasve 14:16.
Të jemi specifikë në lutje
9, 10. (a) Cilët shembuj e tregojnë se është e përshtatshme të lutemi për individë specifikë? (b) Në ç’mënyrë Pavli ishte objekt lutjesh specifike?
9 Megjithatë, Bibla na siguron shembuj lutjesh për të tjerët që ishin më specifike, të individualizuara. Të mendojmë për komentin e Jezuit, të dokumentuar te Luka 22:31, 32. Ai kishte rreth vetes 11 apostujt besnikë. Që të gjithë do të kishin nevojë për mbështetjen e Perëndisë në kohët e vështira që i pritnin dhe Jezui u lut për ta. (Gjoni 17:9-14) Megjithatë, Jezui veçoi Pjetrin, duke bërë përgjërime të veçanta për këtë dishepull. Shembuj të tjerë: Eliseu u lut që Perëndia të ndihmonte një njeri në veçanti, ndihmësin e tij. (2 Mbretërve 6:15-17) Apostulli Gjon u lut që Gaji të vazhdonte të ishte mirë fizikisht dhe frymësisht. (3 Gjonit 1, 2) Ka edhe lutje të tjera që u përqendruan në grupe specifike njerëzish.—Jobi 42:7, 8; Luka 6:28; Veprat 7:60; 1 Timoteut 2:1, 2.
10 Letrat e Pavlit nxjerrin në dritë çështjen e lutjeve shumë specifike. Ai kërkoi që të ofroheshin lutje për të ose për të dhe për shokët e tij. Te Kolosianëve 4:2, 3 lexojmë: «Ngulmoni në lutje, duke ndenjur zgjuar në të me dhënie falënderimesh, duke u lutur në të njëjtën kohë edhe për ne, që Perëndia të na hapë derën e fjalës për të thënë sekretin e shenjtë në lidhje me Krishtin, për të cilin, në fakt, unë gjendem i lidhur në vargonj.» Shqyrtoni edhe këta shembuj të tjerë: Romakëve 15:30; 1 Selanikasve 5:25; 2 Selanikasve 3:1; Hebrenjve 13:18.
11. Kur ishte në Romë, për kë lutej Epafrai?
11 E njëjta gjë ishte edhe me shokun e Pavlit në Romë: «Epafrai, që është nga tuajët, . . . ju dërgon të fala, duke u përpjekur gjithmonë për ju në lutjet e tij.» (Kolosianëve 4:12) Fjala e përkthyer «duke u përpjekur» mund të sugjerojë idenë «duke luftuar», si një gjimnast në lojërat e lashta. A po lutej Epafrai me zjarr thjesht për trupin mbarëbotëror të besimtarëve ose edhe për adhuruesit e vërtetë në gjithë Azinë e Vogël? Pavli tregoi se Epafrai po lutej në mënyrë specifike për vëllezërit në Kolose. Epafrai e dinte situatën e tyre. Ne nuk i njohim të gjithë me emër, as nuk e dimë çfarë problemesh përballonin, por le të imagjinojmë disa mundësi. Ndoshta Lini i ri në moshë po luftonte kundër ndikimit të filozofive mbizotëruese dhe Rufi mund të ketë pasur nevojë për forcë që t’i rezistonte tërheqjes së praktikave të tij të mëparshme në judaizëm. Duke pasur një bashkëshort jobesimtar, mos ndoshta Persida kishte nevojë për qëndrueshmëri e mençuri që t’i rriste fëmijët në Zotërinë dhe mos ndoshta Asinkriti, që vuante nga një sëmundje e pashërueshme, kishte nevojë për shumë ngushëllim? Po, Epafrai i njihte ata që ishin në kongregacionin e tij dhe u lut me zell për ta, sepse edhe ai, edhe Pavli, dëshironin që këta persona të devotshëm të ecnin denjësisht për Jehovain.
12. Si mund të jemi më specifikë në lutjet tona personale?
12 A e kuptoni modelin që kemi, pra, një mënyrë se si t’i ndihmojmë të tjerët? Siç u përmend, lutjet publike në mbledhjet e krishtere shpesh janë më të përgjithshme, duke pasur parasysh auditorin e larmishëm. Por lutjet tona personale dhe familjare mund të jenë vërtet specifike. Edhe pse disa herë mund t’i kërkojmë Perëndisë të udhëheqë e të bekojë të gjithë mbikëqyrësit udhëtues ose barinjtë frymorë, a nuk mund të jemi specifikë ndonjëherë? Për shembull, përse të mos lutemi me emër për mbikëqyrësin qarkor që po viziton kongregacionin tonë ose për drejtuesin e Studimit të Librit të Kongregacionit ku jemi? Filipianëve 2:25-28 dhe 1 Timoteut 5:23 tregojnë interesin personal të Pavlit për shëndetin e Timoteut dhe të Epafroditit. A mund të tregojmë në mënyrë të ngjashme një interes të tillë për personat e sëmurë që i njohim, duke i përmendur me emër?
13. Cilat situata janë çështje të përshtatshme që mund t’i përfshijmë në lutjet personale?
13 Kuptohet, nuk duhet të futim hundët në çështjet private të të tjerëve, por është e përshtatshme që lutjet tona të shfaqin interes të sinqertë për ata që njohim dhe duam. (1 Timoteut 5:13; 1 Pjetrit 4:15) Një vëlla mund të ketë humbur punën dhe nuk është se ne mund t’i japim një tjetër. Megjithatë, në lutjet tona personale mund ta përmendim me emër dhe të përqendrohemi në vështirësinë që po has ai. (Psalmi 37:25; Fjalët e urta 10:3) A njohim një motër beqare, e cila e ka kaluar rininë dhe nuk është e martuar e nuk ka fëmijë, sepse është e vendosur të martohet «vetëm në Zotërinë»? (1 Korintasve 7:39) Në lutjet tona personale, përse të mos i kërkojmë Jehovait që ta bekojë atë dhe ta ndihmojë që të vazhdojë besnike në shërbim? Për të bërë një shembull tjetër, ndoshta dy pleq i kanë dhënë këshilla një vëllai që ka gabuar. Përse secili prej tyre të mos e përmendë me emër hera-herës këtë vëlla në lutjet personale?
14. Si lidhen lutjet specifike me ndihmën që u japim të tjerëve?
14 Kemi shumë e shumë mundësi për të përfshirë në lutjet personale individë që e dimë se kanë nevojë për mbështetjen, ngushëllimin, mençurinë dhe frymën e shenjtë të Jehovait ose për ndonjë nga frytet e frymës. Për shkak të largësisë a të rrethanave të tjera, mund të ndihemi të kufizuar për të dhënë ndihmë materiale ose të drejtpërdrejtë. Por, të mos harrojmë të lutemi për vëllezërit dhe motrat. E dimë se ata duan të ecin denjësisht për Jehovain, por mund të kenë vërtet nevojë për ndihmë që ta bëjnë këtë me qëndrueshmëri. Një çelës për këtë ndihmë janë lutjet tona.—Psalmi 18:2; 20:1, 2; 34:15; 46:1; 121:1-3.
Të punojmë për të forcuar të tjerët
15. Përse duhet të jemi të interesuar për pjesën përmbyllëse të Kolosianëve?
15 Sigurisht, lutjet e zjarrta specifike nuk janë e vetmja mënyrë për t’i ndihmuar të tjerët, veçanërisht ata që i kemi afër dhe që i duam. Libri i Kolosianëve e bën të qartë këtë. Shumë studiues besojnë se, pasi Pavli siguroi udhëzime doktrinale dhe këshilla praktike, shtoi thjesht të fala ose përshëndetje personale. (Kolosianëve 4:7-18) Në të kundërt të kësaj, ne tashmë kemi parë se kjo pjesë përmbyllëse e librit përmban këshilla që ia vlejnë, dhe nga kjo pjesë ka shumë për të mësuar.
16, 17. Çfarë mund të themi për vëllezërit e përmendur te Kolosianëve 4:10, 11?
16 Pavli shkroi: «Aristarku, shoku im i robërisë, ju dërgon të fala e po kështu edhe Marku, kushëriri i Barnabës (për të cilin jeni urdhëruar që ta mirëpritni, nëse vjen ndonjëherë te ju), si edhe Jezui, të cilin e thërrasin Just, që janë prej atyre të rrethprerë. Vetëm këta janë bashkëpunëtorët e mi për mbretërinë e Perëndisë e po këta kanë qenë për mua një ndihmë fuqizuese.»—Kolosianëve 4:10, 11.
17 Këtu, Pavli identifikoi disa vëllezër që meritonin të përmendeshin në veçanti. Tha se këta ishin prej atyre të rrethprerë, domethënë, me prejardhje judaike. Në Romë kishte shumë judenj të rrethprerë dhe disa tani ishin të krishterë. Megjithatë, ata që përmendi Pavli i kishin ardhur në ndihmë. Mbase ata nuk ngurronin të shoqëroheshin me të krishterë që kishin prejardhje johebraike dhe duhet të kenë marrë pjesë me gëzim me Pavlin për t’u predikuar johebrenjve.—Romakëve 11:13; Galatasve 1:16; 2:11-14.
18. Si i lavdëroi Pavli disa që ishin me të?
18 Vini re komentin e Pavlit: «Po këta kanë qenë për mua një ndihmë fuqizuese.» Ai përdori një fjalë greke që shfaqet vetëm këtë herë në Bibël. Shumë përkthyes e përkthejnë «ngushëllim». Megjithatë, fjala që përkthehet më zakonisht «ngushëllim» është një fjalë tjetër greke (parakaleo). Këtë fjalë Pavli e përdori në vende të tjera në po këtë letër, por jo te Kolosianëve 4:11.—Mateu 5:4; Veprat 4:36; 9:31; 2 Korintasve 1:4; Kolosianëve 2:2; 4:8.
19, 20. (a) Cili është kuptimi i shprehjes që u aplikoi Pavli vëllezërve që e ndihmonin në Romë? (b) Në cilat mënyra mund ta kenë ndihmuar këta vëllezër Pavlin?
19 Ata që përmendi Pavli duhet të kenë bërë më shumë sesa të jepnin ngushëllim gojor. Fjala greke që te Kolosianëve 4:11 është përkthyer «ndihmë fuqizuese», përdorej disa herë në tekstet jofetare për një ilaç që lehtësonte depresionin. Në një përkthim, New Life Version, lexojmë: «Çfarë ndihme që kanë qenë për mua!» Përkthimi Today’s English Version përdor frazën: «Kanë qenë një ndihmë e madhe për mua.» Çfarë mund të kenë bërë për ta ndihmuar Pavlin këta vëllezër të krishterë që jetonin afër tij?
20 Pavli mund të kishte vizitorë, por kishte shumë gjëra që nuk mund t’i bënte, si blerjen e gjërave të domosdoshme: ushqim dhe veshje për dimrin. Si mund t’i merrte rrotullat për studim ose të blinte mjete për të shkruar? (2 Timoteut 4:13) A mund t’i imagjinoni këta vëllezër që e ndihmonin Pavlin me ato që i nevojiteshin, duke bërë gjëra të domosdoshme, si pazarin ose duke i kryer porositë? Ai mund të dëshironte të inspektonte dhe të ndërtonte ndonjë kongregacion. Duke qenë i ngujuar, nuk mund ta bënte këtë, kështu që ata vëllezër mund të kenë bërë vizita për Pavlin, duke çuar mesazhe dhe duke i sjellë atij raporte. Sa forcuese!
21, 22. (a) Përse duhet të na interesojnë fjalët e Kolosianëve 4:11? (b) Cilat janë disa mënyra si mund ta zbatojmë shembullin e atyre që ishin me Pavlin?
21 Ajo që shkroi Pavli në lidhje me nevojën për të qenë «një ndihmë fuqizuese» siguron mendjehollësi se si mund t’i ndihmojmë të tjerët. Ata mund të jenë duke ecur denjësisht për Jehovain në lidhje me normat e tij morale, duke ndjekur mbledhjet e krishtere dhe duke marrë pjesë në veprën e predikimit. Për këtë, meritojnë fjalë çmueshmërie nga ne. Por, a mund të bëjmë më shumë, duke qenë «ndihmë fuqizuese», siç ishin ata vëllezër për Pavlin?
22 Nëse njihni një motër që me mençuri i është përmbajtur 1 Korintasve 7:37, por tani i mungon një familje që t’i qëndrojë afër, a mund ta përfshini në disa aktivitete të familjes suaj, duke e ftuar ndoshta për të ngrënë diçka së bashku ose në një grumbullim të vogël miqsh a të afërmish? Po sikur ta ftoni që të udhëtojë me familjen tuaj për në kongres ose për pushime? Ose kërkojini të vijë me ju në një kohë të volitshme për të bërë pazarin. Po e njëjta gjë mund të bëhet për të vejat a vejanët, ose ndoshta për ata që tani nuk janë në gjendje të ngasin makinën. Mund të jetë shpërblyese të dëgjoni përvojat e tyre ose të përfitoni nga njohuria që kanë për gjëra normale, për shembull, si t’i zgjidhni mirë frutat ose rrobat për fëmijët. (Levitiku 19:32; Fjalët e urta 16:31) Një rrjedhojë që vjen natyrshëm mund të jetë afërsia më e madhe. Kështu, ata mund të ndihen më të lirë të kërkojnë ndihmën tuaj, nëse u duhet ndonjë ilaç në farmaci ose gjëra si këto. Vëllezërit që ishin me Pavlin në Romë duhet të kenë dhënë ndihmë praktike dhe fuqizuese, siç mund të jetë edhe ndihma juaj. Si atëherë, edhe tani, një bekim i mëtejshëm që vjen është se forcohen lidhjet e dashurisë dhe jemi të vendosur fortësisht për t’i shërbyer së bashku me besnikëri Jehovait.
23. Do të ishte mirë që secili nga ne të kalonte kohë duke bërë çfarë gjëje?
23 Secili nga ne mund të meditojë për situatat e përmendura në këtë artikull. Ato janë shembuj të thjeshtë, por mund të na kujtojnë situata reale në të cilat mund të jemi më shumë «një ndihmë fuqizuese» për vëllezërit e motrat. Thelbi nuk është të zhvillojmë prirjet e humanitarëve. Nuk ishte ky synimi i vëllezërve të përmendur te Kolosianëve 4:10, 11. Ata ishin «bashkëpunëtorë për mbretërinë e Perëndisë». Efekti fuqizues lidhej drejtpërdrejtë me këtë. Qoftë e njëjta gjë në rastin tonë!
24. Cila është arsyeja kryesore që lutemi për të tjerët dhe kërkojmë t’i forcojmë ata?
24 Arsyeja që i përmendim të tjerët me emër në lutjet tona personale dhe që bëjmë përpjekje për t’i forcuar është se besojmë që vëllezërit dhe motrat duan të ‘ecin denjësisht për Jehovain me synimin që t’i pëlqejnë plotësisht atij’. (Kolosianëve 1:10) Ky fakt lidhet me diçka tjetër që përmendi Pavli kur po shkruante për lutjet e Epafrait në lidhje me kolosianët, domethënë, që të mund të ‘qëndronin të plotë dhe me bindje të patundur në gjithë vullnetin e Perëndisë’. (Kolosianëve 4:12) Si mund ta arrijmë këtë personalisht? Le ta shohim.
[Shënimi]
a Shih Mendjehollësi mbi Shkrimet, Vëllimin 1, faqet 490, 491, anglisht, dhe «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm», faqet 226-228, anglisht, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
A e keni vënë re?
• Si mund të bëhemi më shumë të dobishëm në lutjet tona personale?
• Në cilin kuptim ishin disa të krishterë «ndihmë fuqizuese» për Pavlin?
• Në cilat situata mund të jemi «ndihmë fuqizuese»?
• Cila është arsyeja që lutemi për vëllezërit e motrat dhe përpiqemi t’i forcojmë ata?
[Figura në faqen 18]
A mund të përfshini një të krishterë tjetër kur dilni me familjen?
[Burimi]
Me mirësjellje nga Green Chimney’s Farm