Epafrai: «Një shërbëtor besnik i krishtit»
KUSH i themeloi kongregacionet e krishtere në Korint, Efes dhe në Filipi? Mbase nuk do të nguroje, duke u përgjigjur: «Pavli, ‘apostulli i kombeve’.» (Romakëve 11:13, BR) Ke të drejtë.
Megjithatë, kush i themeloi kongregacionet në Kolose, Hierapolis dhe në Laodice? Edhe pse s’mund të jemi të sigurt, mund të ketë qenë një burrë me emrin Epafra. Sidoqoftë, ndoshta do të kishe dëshirë të dije edhe më shumë për këtë ungjilltar, pasi ai është quajtur «një shërbëtor besnik i Krishtit».—Kolosianëve 1:7.
Ungjilltar nga lugina e Likusit
Emri Epafra është një shkurtim i Epafrodit. Por Epafrai nuk duhet ngatërruar me Epafroditin nga Filipia. Epafrai ishte nga Kolosea, një nga tri qendrat e kongregacioneve të krishtere në luginën e lumit Likus, në Azinë e Vogël. Kolosea gjendej vetëm 18 km larg Laodicesë dhe 19 km larg Hierapolisit, në krahinën e lashtë të Frigjisë.
Bibla nuk e thotë hapur se si mbërriti në Frigji lajmi i mirë i Mbretërisë së Perëndisë. Megjithatë, frigjianët ishin të pranishëm në Jerusalem ditën e Rrëshajëve të vitit 33 të e.s. e ndoshta disa prej tyre ishin nga Kolosea. (Veprat 2:1, 5, 10) Gjatë shërbimit të Pavlit në Efes (rreth viteve 52-55 të e.s.), dëshmia e dhënë në atë zonë ishte kaq e fortë dhe e efektshme, saqë jo vetëm efesianët, por edhe «të gjithë banorët e Azisë, judenj dhe grekë, e dëgjuan fjalën e Zotit Jezus». (Veprat 19:10) Duket se Pavli nuk ka predikuar nëpër luginën e Likusit, pasi shumë që u bënë të krishterë në atë rajon nuk e kishin parë kurrë atë.—Kolosianëve 2:1.
Sipas Pavlit, ai që i mësoi kolosianët në lidhje me «dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë në të vërtetën», ishte Epafrai. Fakti që Pavli e quan këtë bashkëpunëtor «një shërbëtor besnik i Krishtit përkrah nesh», tregon se Epafrai ishte një ungjilltar aktiv në zonë.—Kolosianëve 1:6, 7, BR.
Si apostulli Pavël, ashtu edhe ungjilltari Epafrai, kishin një merak të madh për mirëqenien frymore të bashkëbesimtarëve të tyre në luginën e Likusit. Si «apostull i kombeve», Pavli duhet të jetë gëzuar, kur ka marrë lajme të përparimit të tyre. Në fakt, Pavli dëgjoi për gjendjen frymore të kolosianëve pikërisht nëpërmjet Epafrait.—Kolosianëve 1:4, 8.
Raporti i Epafrait
Kolosianët po përballonin probleme mjaft serioze, saqë e bindën Epafrain për të marrë udhën e gjatë për në Romë, me qëllim që t’i bisedonte këto çështje me Pavlin. Me sa duket, raporti i hollësishëm që bëri Epafrai, e nxiti Pavlin që t’u shkruante dy letra atyre vëllezërve të panjohur për të. Njëra ishte letra drejtuar kolosianëve. Letra tjetër, e cila duket se nuk është ruajtur, iu dërgua laodiceasve. (Kolosianëve 4:16) Është e arsyeshme të mendojmë se përmbajtja e këtyre letrave kishte si qëllim t’u përgjigjej nevojave të atyre të krishterëve, siç i kishte vërejtur Epafrai. Çfarë nevojash kishte parë ai? Ç’na zbulon kjo në lidhje me personalitetin e tij?
Letra drejtuar kolosianëve duket se tregon që Epafrai ishte i shqetësuar, ngaqë të krishterët në Kolose rrezikoheshin nga filozofitë pagane, duke përfshirë asketizmin, spiritizmin dhe bestytninë idhujtare. Për më tepër, mësimi judaik i të përmbajturit nga ushqimet dhe i kremtimit të disa ditëve mund të ketë ndikuar mbi disa anëtarë të kongregacionit.—Kolosianëve 2:4, 8, 16, 20-23.
Fakti që Pavli shkruan në lidhje me këto çështje na tregon se sa vigjilent dhe i ndjeshëm ishte Epafrai ndaj nevojave të shokëve të tij të krishterë. Ai shfaqi një kujdes të dashur për mirëqenien e tyre frymore, duke qenë i ndërgjegjshëm për rreziqet e ambientit ku ata jetonin. Epafrai kërkoi këshilla nga Pavli dhe kjo zbulon se ai ishte i përulur. Ndoshta ai ndiente nevojën për të marrë këshilla nga dikush me më shumë përvojë. Sidoqoftë, Epafrai veproi me mençuri.—Proverbat 15:22.
Një burrë që i vlerësonte lutjet
Në përfundim të letrës që u dërgoi të krishterëve në Kolose, Pavli thotë: «Epafrai, që është nga tuajt dhe shërbëtor i Krishtit, ju përshëndet; ai lufton gjithnjë për ju në lutje, që ju të qëndroni të përsosur dhe të përkryer në gjithë vullnetin e Perëndisë. Në fakt, unë dëshmoj për të se ai ka zell të madh për ju, për ata që janë në Laodice dhe për ata që janë në Hierapolis.»—Kolosianëve 4:12, 13.
Po, edhe pse ishte «i burgosur bashkë» me Pavlin në Romë, Epafrai mendonte për vëllezërit e tij të dashur në Kolose, Laodice dhe në Hierapolis dhe lutej për ta. (Filemonit 23) Në kuptimin e vërtetë të fjalës, ‘ai luftonte’ për ta në lutje. Sipas dijetarit D. Edmond Hibert, termi grek i përdorur këtu, përcakton «një aktivitet të mundimshëm dhe të kushtueshëm», diçka të ngjashme me «agoninë» mendore që përjetoi Jezu Krishti, ndërsa lutej në kopshtin e Getsemanisë. (Luka 22:44) Epafrai dëshironte me zjarr që vëllezërit dhe motrat e tij frymore të arrinin stabilitet dhe pjekuri të plotë të krishterë. Ç’bekim duhet të ketë qenë për kongregacionet ky vëlla me një mendje të tillë frymore!
Meqë Epafrai është quajtur një «bashkëshërbëtor i dashur», nuk mund të ketë dyshim se ai ka qenë i dashur për të krishterët e tjerë. (Kolosianëve 1:7, BR) Sa herë që të jetë e mundur, të gjithë anëtarët e kongregacionit duhet të ofrojnë vetveten lirisht, me ngrohtësi dhe dashuri. Për shembull, mund të tregohet vëmendje për të ndihmuar të sëmurët, të moshuarit apo edhe të tjerë që kanë nevoja të veçanta. Në kongregacion mund të ketë përgjegjësi të ndryshme për t’u kujdesur ose mund të ekzistojë mundësia për të kontribuar në projekte teokratike ndërtimi.
Lutja për të tjerët, siç bëri Epafrai, është një formë e shërbimit të shenjtë, të cilën mund ta kryejnë të gjithë. Lutje të tilla mund të përfshijnë shprehje të shqetësimit për adhurues të Jehovait që duhet të përballojnë rreziqe apo vështirësi të ndryshme të një natyre frymore apo fizike. Duke u ushtruar me forcë në këtë mënyrë, mund të jemi ngjashëm Epafrait. Secili prej nesh mund të ketë privilegjin dhe gëzimin për të provuar se është një «bashkëshërbëtor i dashur» në familjen e shërbëtorëve besimplotë të Jehovait.