KAPITULLI 4
Kush është Jezu Krishti?
1, 2. (a) A do të thotë se e njeh vërtet një njeri të famshëm vetëm ngaqë i di emrin? Shpjego. (b) Çfarë besojnë njerëzit në lidhje me Jezuin?
NË BOTË ka shumë njerëz të famshëm. Ndoshta ndonjërit ia di emrin. Por vetëm ngaqë e di si e ka emrin, nuk do të thotë se e njeh mirë. Nuk do të thotë që di çdo hollësi rreth jetës së tij dhe çfarë personi është.
2 Ka shumë të ngjarë të kesh dëgjuar për Jezu Krishtin, edhe pse ai ka jetuar në tokë rreth 2.000 vjet më parë. Por, shumica e njerëzve nuk e dinë se çfarë personi ishte Jezui. Disa thonë që ishte njeri i mirë, të tjerë që ishte profet, ndërsa disa besojnë që është Perëndia. Po ti, çfarë mendon?—Shiko pikën 12 të Shtojcës.
3. Pse është e rëndësishme të njohësh Perëndinë Jehova dhe Jezu Krishtin?
3 Është e rëndësishme të dish të vërtetën për Jezuin. Pse? Në Bibël thuhet: «Që të gëzojnë jetën e përhershme, duhet të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Nëse njeh të vërtetën për Jehovain dhe Jezuin, mund të jetosh përgjithmonë në parajsë në tokë. (Gjoni 14:6) Përveç kësaj, të njohësh Jezuin do të të sjellë dobi që sot, sepse shembulli i tij i shkëlqyer na mëson si të jetojmë e si t’i trajtojmë të tjerët. (Gjoni 13:34, 35) Në kapitullin 1, mësuam të vërtetën për Perëndinë. Tani do të shohim çfarë mëson Bibla për Jezuin.
KEMI GJETUR MESINË!
4. Çfarë kuptimi kanë fjalët «Mesia» dhe «Krisht»?
4 Shumë vite para se Jezui të lindte, Jehovai kishte premtuar në Bibël se do të dërgonte Mesinë, ose Krishtin. Fjala «Mesia» vjen nga gjuha hebraike, ndërsa fjala «Krisht» nga greqishtja. Të dy këta tituj do të thonë «i Mirosur», pra i zgjedhur nga Perëndia për një rol të veçantë. Mesia do të realizojë të gjitha premtimet e Perëndisë. Megjithatë, para se Jezui të lindte, shumë njerëz pyesnin: «Kush do të jetë Mesia?»
5. A besonin dishepujt e Jezuit se ai ishte Mesia?
5 Dishepujt e Jezuit s’kishin pikë dyshimi se ai ishte Mesia i premtuar. (Gjoni 1:41) Për shembull, Simon Pjetri i tha Jezuit: «Ti je Krishti.» (Mateu 16:16) Ashtu si dishepujt e Jezuit, pse mund të jemi të sigurt se Jezui është Mesia?
6. Çfarë ka bërë Jehovai që njerëzit e sinqertë të kuptojnë se kush është Mesia?
6 Mjaft kohë para se Jezui të lindte, profetët e Perëndisë shkruan shumë hollësi që do t’i ndihmonin njerëzit të kuptonin kush ishte Mesia. Si do t’i ndihmonin këto hollësi? Mendo sikur të të kërkonin të shkoje në një stacion autobusi plot me njerëz për të marrë dikë që nuk e ke takuar kurrë. Po të ta përshkruanin me hollësi personin, do të ishe në gjendje ta gjeje. Po kështu, me anë të profetëve Jehovai na tregoi se çfarë do të bënte Mesia dhe çfarë do t’i ndodhte. Përmbushja e atyre profecive i ndihmon njerëzit e sinqertë të kuptojnë se Jezui është Mesia.
7. Cilat janë dy profeci që tregojnë se Jezui është Mesia?
7 Le të shohim dy prej atyre profecive. Së pari, 700 vjet para lindjes së Jezuit, Mikea profetizoi se Mesia do të lindte në qytetin e vogël të Betlehemit. (Mikea 5:2) Dhe Jezui lindi pikërisht atje. (Mateu 2:1, 3-9) Së dyti, Danieli profetizoi se Mesia do të shfaqej në vitin 29 të e.s. (Danieli 9:25) Këto janë vetëm dy prej profecive të shumta që tregojnë qartë se Jezui është Mesia i premtuar.—Shiko pikën 13 të Shtojcës.
8, 9. Çfarë ndodhi në pagëzimin e Jezuit që vërteton se ai është Mesia?
8 Vetë Jehovai ka dëshmuar se Jezui është Mesia. Perëndia i kishte premtuar Gjon Pagëzorit se do t’i jepte një shenjë që të kuptonte se kush ishte Mesia. Gjoni e pa këtë shenjë kur Jezui shkoi tek ai për t’u pagëzuar në lumin Jordan, në vitin 29 të e.s. Bibla na tregon çfarë ndodhi: «Pasi u pagëzua, Jezui doli menjëherë nga uji, dhe ja, qiejt u hapën dhe ai pa frymën e Perëndisë të zbriste mbi të porsi një pëllumb. Ja! U dëgjua edhe një zë nga qiejt, që tha: ‘Ky është Biri im, Biri im i dashur, që unë e kam miratuar.’» (Mateu 3:16, 17) Kur Gjoni pa këtë shenjë dhe dëgjoi zërin e Jehovait, e kuptoi se Jezui ishte Mesia. (Gjoni 1:32-34) Po, Jezui u bë Mesia ditën kur Jehovai derdhi frymën e tij mbi të. Ai ishte personi i zgjedhur nga Perëndia si Udhëheqës dhe Mbret.—Isaia 55:4.
9 Profecitë e Biblës, fjalët e Jehovait dhe shenja që dha në pagëzimin e Jezuit vërtetojnë se Jezui është Mesia. Por, nga erdhi Jezui dhe çfarë personi ishte? Le të shohim ç’thotë Bibla.
NGA ERDHI JEZUI?
10. Çfarë mëson Bibla për jetën e Jezuit para se të vinte në tokë?
10 Bibla mëson se Jezui kishte jetuar për një kohë të gjatë në qiell, para se të vinte në tokë. Mikea tha se Mesia e kishte prejardhjen «që nga kohët e lashta». (Mikea 5:2) Vetë Jezui e përsëriti shpesh se më përpara kishte jetuar në qiell. (Lexo Gjonin 3:13; 6:38, 62; 17:4, 5.) Për më tepër, që para se të vinte në tokë, Jezui kishte pasur një miqësi të veçantë me Jehovain.
11. Pse Jezui është jashtëzakonisht i çmuar për Jehovain?
11 Jezui është jashtëzakonisht i çmuar për Jehovain. Pse? Sepse Perëndia e krijoi para gjithçkaje tjetër. Ndaj Jezui quhet «i parëlinduri i gjithë krijimit».a (Kolosianëve 1:15) Gjithashtu, Jezui është i çmuar për Jehovain sepse është i vetmi që Jehovai e ka krijuar drejtpërdrejt. Ja pse quhet ‘Biri i vetëmlindur’. (Gjoni 3:16) Për më tepër, Jezui është i vetmi me anë të të cilit Jehovai ka krijuar gjithçka tjetër. (Kolosianëve 1:16) Dhe vetëm Jezui quhet «Fjala», sepse me anë të tij Jehovai u ka përcjellë mesazhe dhe udhëzime engjëjve dhe njerëzve.—Gjoni 1:14.
12. Nga e dimë që Jezui nuk është Perëndia?
12 Disa njerëz besojnë se Jezui është Perëndia. Por Bibla nuk e mëson këtë. Ajo thotë se Jezui u krijua, pra Jezui ka pasur një fillim. Ndërsa Jehovai, ai që krijoi gjithçka, nuk ka pasur një fillim. (Psalmi 90:2) Si Biri i Perëndisë, Jezui nuk e çoi kurrë nëpër mend t’i zinte vendin Perëndisë. Bibla mëson qartë se Ati është më i madh se Biri. (Lexo Gjonin 14:28; 1 Korintasve 11:3.) Vetëm Jehovai është «Perëndia i Plotfuqishëm». (Zanafilla 17:1) Ai është personi më madhështor e më i fuqishëm në univers.—Shiko pikën 14 të Shtojcës.
13. Pse Bibla e quan Jezuin «imazhi i Perëndisë së padukshëm»?
13 Jehovai dhe Biri i tij, Jezui, kanë bashkëpunuar ngushtë për miliarda vjet para se të krijoheshin qiejt dhe toka. Sa shumë duhet ta kenë dashur njëri-tjetrin! (Gjoni 3:35; 14:31) Jezui i imitoi kaq mirë cilësitë e Atit të tij, saqë Bibla e quan «imazhi i Perëndisë së padukshëm».—Kolosianëve 1:15.
14. Si u bë e mundur që Biri i shtrenjtë i Jehovait të lindte si njeri?
14 Biri i çmuar i Perëndisë ishte gati të zbriste nga qielli e të lindte në tokë si njeri. Si u bë e mundur kjo? Me anë të një mrekullie, Jehovai e transferoi jetën e tij nga qielli në barkun e një virgjëreshe që quhej Mari. Ja pse Jezui nuk kishte nevojë për një baba njerëzor. Kështu, Maria lindi një bir të përsosur dhe e quajti Jezu.—Luka 1:30-35.
ÇFARË PERSONI ISHTE JEZUI?
15. Si mund ta njohësh më mirë Jehovain?
15 Mund të mësosh shumë për Jezuin, për jetën dhe për cilësitë e tij duke lexuar në Bibël librin e Mateut, të Markut, të Lukës dhe të Gjonit. Këta libra njihen si ungjijtë. Meqë Jezui është tamam si Ati i tij, falë asaj që do të lexosh, do të njohësh më mirë edhe Jehovain. Ja pse Jezui mund të thoshte: «Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin.»—Gjoni 14:9.
16. Çfarë u mësoi Jezui të tjerëve? Nga vinin mësimet e tij?
16 Shumë njerëz e quajtën Jezuin «Mësues». (Gjoni 1:38; 13:13) Një nga gjërat më të rëndësishme që u mësoi të tjerëve ishte ‘lajmi i mirë për Mbretërinë’. Çfarë është kjo Mbretëri? Është qeveria qiellore e Perëndisë që do të mbretërojë mbi gjithë tokën e do t’u sjellë bekime njerëzve që i binden Perëndisë. (Mateu 4:23) Çdo mësim i Jezuit vinte nga Jehovai. Jezui tha: «Ajo që mësoj, nuk është imja, por i përket atij që më dërgoi.» (Gjoni 7:16) Jezui e dinte se Jehovai dëshiron që njerëzit të dëgjojnë lajmin e mirë se Mbretëria e Perëndisë do të qeverisë tokën.
17. Ku i mësonte Jezui njerëzit? Pse përpiqej kaq shumë t’i mësonte?
17 Ku i mësonte Jezui njerëzit? Kudo që i gjente: në fshatra, në qytete, në rrethinat e qyteteve, nëpër tregje, në vendet e adhurimit dhe në shtëpitë e tyre. Nuk priste që të shkonin njerëzit tek ai. Shpesh ishte ai që shkonte tek ata. (Marku 6:56; Luka 19:5, 6) Jezui përpiqej fort dhe harxhonte shumë kohë e energji për t’i mësuar njerëzit. Pse? Sepse e dinte që ky ishte vullneti i Perëndisë për të dhe sepse i bindej gjithnjë Atit të tij. (Gjoni 8:28, 29) Jezui predikonte edhe ngaqë ndiente dhembshuri për njerëzit. (Lexo Mateun 9:35, 36.) Ai e shihte se udhëheqësit fetarë nuk u mësonin të vërtetën për Perëndinë dhe për Mbretërinë e tij. Prandaj donte të ndihmonte sa më shumë veta të dëgjonin lajmin e mirë.
18. Cilat cilësi të Jezuit të pëlqejnë më shumë?
18 Jezui i donte njerëzit dhe kujdesej për ta. Ai ishte i përzemërt dhe të tjerët ndiheshin rehat kur flisnin me të. Edhe fëmijët kishin qejf të rrinin me të. (Marku 10:13-16) Jezui ishte gjithnjë i drejtë. Ai e urrente korrupsionin dhe padrejtësitë. (Mateu 21:12, 13) Ndonëse jetoi në një kohë kur gratë nuk kishin shumë të drejta dhe nuk respektoheshin, Jezui i trajtoi gjithnjë me respekt dhe u dha dinjitet. (Gjoni 4:9, 27) Për më tepër, Jezui ishte vërtet i përulur. Për shembull, një mbrëmje u lau këmbët apostujve, punë që zakonisht e bënte një shërbëtor.—Gjoni 13:2-5, 12-17.
19. Cili shembull tregon se Jezui e dinte se për çfarë kishin vërtet nevojë njerëzit dhe se donte t’i ndihmonte?
19 Jezui e dinte për çfarë kishin vërtet nevojë njerëzit dhe donte t’i ndihmonte. Kjo dukej qartë kur, me fuqinë e Perëndisë, bënte mrekulli për t’i shëruar. (Mateu 14:14) Për shembull, një burrë i sëmurë me lebër iu afrua dhe i tha: «Po të duash, ti mund të më pastrosh.» Jezui u prek thellë kur pa dhembjet dhe vuajtjet e atij njeriu. Ndjeu keqardhje dhe donte ta ndihmonte. Ndaj shtriu dorën, e preku dhe i tha: «Po, dua! Pastrohu.» Dhe burri i sëmurë u shërua. (Marku 1:40-42) A e imagjinon dot si mund të jetë ndier ai burrë?
GJITHNJË BESNIK NDAJ TË ATIT
20, 21. Pse Jezui është shembulli më i mirë i bindjes ndaj Perëndisë?
20 Jezui është shembulli më i mirë i bindjes ndaj Perëndisë. Pavarësisht nga situatat që kaloi, i qëndroi besnik Atit të tij. Për shembull, Jezui nuk mëkatoi kur Satanai u përpoq ta tundonte. (Mateu 4:1-11) Disa prej familjarëve të tij nuk besonin që ai ishte Mesia, e madje thoshin se kishte «luajtur mendsh». Por, Jezui nuk reshti së bëri vullnetin e Perëndisë. (Marku 3:21) Kur armiqtë e keqtrajtuan, i qëndroi besnik Perëndisë dhe kurrë nuk u përpoq t’u bënte keq.—1 Pjetrit 2:21-23.
21 Jezui i qëndroi besnik Jehovait edhe përballë një vdekjeje mizore e të dhimbshme. (Lexo Filipianëve 2:8.) Imagjino se sa shumë ka hequr ditën që vdiq. Atë e arrestuan, dëshmitarët e rremë e akuzuan për blasfemi, gjykatësit e korruptuar e dënuan, turmat u tallën me të dhe ushtarët e torturuan e më pas e gozhduan në shtyllë. Kur ishte duke vdekur, ai tha: «U krye!» (Gjoni 19:30) Tri ditë pasi Jezui vdiq, Jehovai e ringjalli si krijesë qiellore. (1 Pjetrit 3:18) Disa javë më vonë, Jezui u kthye në qiell e «u ul në të djathtën e Perëndisë» duke pritur që Perëndia ta bënte Mbret.—Hebrenjve 10:12, 13.
22. Çfarë mundësie kemi ngaqë Jezui i qëndroi besnik Atit të tij?
22 Ngaqë Jezui i qëndroi besnik Atit, kemi mundësinë të jetojmë përgjithmonë në parajsë në tokë, pikërisht siç ishte qëllimi i Jehovait. Në kapitullin tjetër do të flasim se si vdekja e Jezuit bën të mundur që të jetojmë përgjithmonë.
a Jehovai quhet Atë sepse është Krijuesi. (Isaia 64:8) Jezui quhet Biri i Perëndisë sepse është krijuar nga Jehovai. Edhe engjëjt quhen bij të Perëndisë, e po kështu edhe Adami.—Jobi 1:6; Luka 3:38.