ARTIKULLI I STUDIMIT 44
Mbaje të fortë shpresën tënde
«Shpreso te Jehovai!»—PSAL. 27:14.
KËNGA 144 Mbaji sytë e zemrës te çmimi!
PËRMBLEDHJEa
1. Çfarë shprese na ka dhënë Jehovai?
JEHOVAI na ka dhënë shpresën e mrekullueshme të jetës së përhershme. Disa shpresojnë të jetojnë përgjithmonë në qiell si krijesa të pavdekshme qiellore. (1 Kor. 15:50, 53) Kurse shumica kanë shpresën të jetojnë përgjithmonë në tokë, ku do të gëzojnë një jetë të lumtur me shëndet të përsosur. (Zbul. 21:3, 4) Çfarëdo të jemi duke pritur me zjarr, jetën e përhershme në qiell apo në tokë, shpresa që kemi është e vyer për ne.
2. Ku bazohet shpresa jonë, dhe pse mund ta themi këtë?
2 Fjala «shpresë» në Bibël mund të mbartë kuptimin «pritja e gjërave të mira në të ardhmen». Shpresa jonë vjen nga Jehovai, prandaj kemi garancinë se do të bëhet realitet. (Rom. 15:13) Ne e dimë çfarë ka premtuar ai dhe jemi të sigurt se e mban gjithmonë fjalën. (Num. 23:19) Jemi të bindur se Jehovai ka edhe dëshirën, edhe fuqinë për të realizuar çdo gjë që thotë. Pra, shpresa jonë nuk vjen nga ëndrrat me sy hapur ose nga fantazia; ajo bazohet në prova dhe realitete.
3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull? (Psalmi 27:14)
3 Ati ynë qiellor na do shumë dhe dëshiron të kemi besim tek ai. (Lexo Psalmin 27:14.) Nëse shpresa jonë te Jehovai është e fortë, do të tregojmë qëndrueshmëri në sprova dhe do ta presim të ardhmen me kurajë e gëzim. Prandaj le të shqyrtojmë si na mbron shpresa jonë. Në fillim do të shohim në ç’kuptim shpresa është si një spirancë dhe si një helmetë. Pastaj do të mësojmë si ta forcojmë shpresën tonë.
SHPRESA JONË ËSHTË SI SPIRANCË
4. Në ç’kuptim është si një spirancë shpresa? (Hebrenjve 6:19)
4 Në letrën që u shkroi hebrenjve, apostulli Pavël e krahasoi shpresën me një spirancë. (Lexo Hebrenjve 6:19.) Ngaqë udhëtonte shpesh me rrugë detare, Pavli e dinte se spiranca nuk lejonte që anija të shkonte sa andej-këtej. Në një rast, ai ishte pasagjer në një anije kur shpërtheu një furtunë e egër. Gjatë furtunës, pa marinarët të hidhnin në det spirancat që anija të mos përplasej me shkëmbinjtë. (Vep. 27:29, 39-41) Ashtu si spiranca që e stabilizon anijen, shpresa jonë na jep stabilitet që të mos largohemi si pa e kuptuar nga Jehovai në kohë stuhish. Shpresa jonë e patundur na ndihmon të kapërcejmë sprova të stuhishme, se jemi të sigurt që gjërat do të qetësohen e do të vijnë ditë më të mira. Mos harro, Jezui na paralajmëroi që do të na përndiqnin. (Gjoni 15:20) Prandaj, meditimi për shpërblimin që na ka premtuar Jehovai na ndihmon të qëndrojmë të palëkundur.
5. Si i dha forcë Jezuit shpresa përballë vdekjes?
5 Të mendojmë si e ndihmoi shpresa Jezuin të qëndronte i palëkundur, ndonëse e dinte që e priste një vdekje mizore. Më 33 të e.s., në festën e Ditës së Pesëdhjetë, apostulli Pjetër citoi këtë profeci nga libri i Psalmeve që tregon sa i qetë dhe i sigurt ndihej Jezui: «Do të jetoj me shpresë, sepse ti nuk do të më lësh në Varr, nuk do të lejosh që besniku yt të kalbet. . . . Kur jam pranë teje, mbushem me gëzim.» (Vep. 2:25-28; Psal. 16:8-11) Ndonëse e dinte se do të vdiste, Jezui kishte shpresën e patundur se Perëndia do ta ringjallte dhe se do të kishte gëzimin të bashkohej prapë me Atin e tij në qiell.—Hebr. 12:2, 3.
6. Çfarë tha një vëlla për shpresën?
6 Shpresa që na jep Jehovai ka ndihmuar shumë vëllezër e motra të qëndrojnë të fortë në sprova. Të shohim shembullin e Leonard Çinit, një vëlla besnik që jetonte në Angli. Gjatë Luftës I Botërore, atë e burgosën se nuk pranoi të merrte armët. Për dy muaj e vunë në izolim dhe pastaj e detyruan të bënte punë të rëndë fizike. Më vonë, ai shkroi: «Ato që më ndodhën, më ngulitën në mendje sa rëndësi ka shpresa që të qëndrojmë të patundur. Kemi shembullin e Jezuit, e apostujve dhe të profetëve. Kemi edhe premtimet e çmuara të Biblës. Të gjitha këto na mbushin me shpresë për të ardhmen dhe na japin forcë të qëndrojmë.» Shpresa ishte si spirancë për Leonardin, e po njësoj mund të jetë edhe për ne.
7. Si e forcojnë sprovat shpresën tonë? (Romakëve 5:3-5; Jakovi 1:12)
7 Kur tregojmë qëndrueshmëri në sprova dhe provojmë ndihmën e miratimin e Jehovait, shpresa jonë bëhet akoma më e fortë. (Lexo Romakëve 5:3-5; Jakovin 1:12.) Pra, shpresa jonë sot është më e fortë sesa kur pranuam të vërtetën. Satanai do që sprovat të na vënë poshtë, por me ndihmën e Jehovait mund të përballojmë me sukses çdo sprovë.
SHPRESA JONË ËSHTË SI HELMETË
8. Në ç’kuptim është si një helmetë shpresa? (1 Selanikasve 5:8)
8 Bibla e krahason shpresën edhe me një helmetë. (Lexo 1 Selanikasve 5:8.) Një ushtar e vë helmetën që të mbrojë kokën nga goditjet e armikut. Në luftën tonë kundër Satanait, duhet të mbrojmë mendjen nga sulmet e tij. Ai na bombardon me tundime dhe ide që synojnë të na korruptojnë mendjen. Ashtu si helmeta që mbron kokën e ushtarit, shpresa jonë na mbron mendjen, e kështu na ndihmon t’i qëndrojmë besnikë Jehovait.
9. Çfarë ndodh kur dikush nuk ka asnjë shpresë?
9 Shpresa e jetës së përhershme na ndihmon të tregojmë mençuri dhe aftësi dalluese. Por, nëse shpresa fillon të na venitet dhe lejojmë që mendimet tona të vërtiten rreth dëshirave njerëzore, mund të na mjegullohet synimi i jetës së përhershme. Të kujtojmë ç’ndodhi me disa të krishterë që jetonin në Korintin e lashtë. Ata humbën besimin te një nga premtimet më të rëndësishme të Perëndisë—te shpresa e ringjalljes. (1 Kor. 15:12) Pavli theksoi se kush nuk shpreson që do të ndodhë një ringjallje në të ardhmen, jeton vetëm për të plotësuar dëshirat e veta. (1 Kor. 15:32) Sot shumë nga ata që nuk shpresojnë se do të plotësohen premtimet e Perëndisë, rendin pas kënaqësive të jetës. Kurse ne kemi besim se e ardhmja që premton Perëndia do të bëhet realitet. Shpresa jonë është si një helmetë që na mbron mendjen dhe na ndihmon të mos jetojmë vetëm për të kënaqur veten, e kështu të mos dëmtojmë marrëdhënien me Jehovain.—1 Kor. 15:33, 34.
10. Si mund të na mbrojë shpresa nga arsyetimet e shtrembra?
10 Helmeta e shpresës mund të na mbrojë edhe nga mendimi se nuk ia vlen as të përpiqemi ta kënaqim Jehovain. Për shembull, disa mund të mendojnë: «Nuk do të jem kurrë mes atyre që do të jetojnë përgjithmonë. S’jam aq i mirë sa duhet. Nuk do t’ia dal kurrë të jetoj në lartësinë e standardeve të Perëndisë.» Të mos harrojmë se Elifazi, një nga ngushëlluesit e rremë të Jobit, përdori një arsyetim të ngjashëm. Ai i tha Jobit: «Ç’është vdekatari që të jetë i pastër në sytë e Perëndisë?» Pastaj tha për Jehovain: «Perëndia nuk ka besim as te engjëjt e vet, madje as qiejt nuk janë të pastër në sytë e tij». (Jobi 15:14, 15) Çfarë gënjeshtrash të ulëta! Mos harro se ai që dëshiron të mendosh kështu është Satanai. Ai e di se po të bluash në mendje gjëra të tilla, shpresa jote do të venitet. Prandaj flaki tej gënjeshtra të tilla dhe përqendrohu te premtimet e Jehovait. Mos dysho kurrë se ai do që ti të jetosh përgjithmonë dhe se do të të ndihmojë ta arrish këtë synim.—1 Tim. 2:3, 4.
MBAJE TË FORTË SHPRESËN
11. Pse duhet të jemi të duruar ndërsa presim që shpresa jonë të bëhet realitet?
11 Nuk është gjithnjë e lehtë ta mbajmë të fortë shpresën. Mund ta humbim durimin ndërsa presim që Perëndia t’i mbajë premtimet. Ama Jehovai është i përjetshëm, dhe pikëpamja e tij për kohën ndryshon nga e jona. (2 Pjet. 3:8, 9) Ai do ta plotësojë qëllimin e tij në mënyrën më të mirë që ekziston, por mbase nuk do të veprojë atëherë kur mendojmë ne. Ç’mund të na ndihmojë ta mbajmë të fortë shpresën ndërsa presim me durim që Perëndia t’i përmbushë premtimet?—Jak. 5:7, 8.
12. Sipas Hebrenjve 11:1, 6, si lidhet shpresa me besimin?
12 Do ta mbajmë të fortë shpresën tonë nëse ruajmë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain—me atë që do ta bëjë realitet këtë shpresë. Në fakt, Bibla tregon që shpresa lidhet fort me besimin se Jehovai ekziston dhe se është «shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm». (Lexo Hebrenjve 11:1, 6.) Sa më real të jetë Jehovai për ne, aq më të bindur do të jemi se ai do të përmbushë një më një çdo premtim që ka bërë. Le të shohim disa mënyra praktike si ta thellojmë miqësinë me Jehovain, e kështu ta mbajmë të fortë shpresën tonë.
13. Si mund të afrohemi me Perëndinë?
13 Lutju Jehovait dhe lexo Fjalën e tij. Ndonëse është e pamundur ta shohim Jehovain, mund të afrohemi me të. Mund të flasim me të në lutje, të sigurt se do të na dëgjojë. (Jer. 29:11, 12) Gjithashtu mund ta dëgjojmë Perëndinë ndërsa lexojmë e meditojmë për Fjalën e tij. Kur lexojmë si u kujdes Jehovai për ata që i qëndruan besnikë në të shkuarën, shpresa jonë forcohet gjithnjë e më shumë. Çdo gjë në Fjalën e Perëndisë «u shkrua për mësimin tonë, që, me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet, të kemi shpresë».—Rom. 15:4.
14. Pse duhet të meditojmë se çfarë ka bërë Jehovai për besnikët e tij në të shkuarën?
14 Bluaj në mendje si i ka mbajtur Jehovai premtimet e tij. Mendo pak çfarë bëri Perëndia për Abrahamin dhe Sarën. Ata ishin në një moshë që s’mund të bëheshin me fëmijë. Gjithsesi, Perëndia u premtoi se do t’u lindte një fëmijë. (Zan. 18:10) Si reagoi Abrahami? Bibla thotë: «Ai pati besim se do të bëhej ati i shumë kombeve.» (Rom. 4:18) Ndonëse nga pikëpamja njerëzore situata dukej e pashpresë, Abrahami ishte i sigurt se Jehovai do ta mbante premtimin. E ai burrë besnik nuk u zhgënjye aspak. (Rom. 4:19-21) Histori të tilla na mësojnë se edhe ne mund të jemi të sigurt që Jehovai do të mbajë çdo premtim, sado e pamundur të na duket.
15. Pse duhet të meditojmë se çfarë ka bërë Jehovai për ne?
15 Mendo çfarë ka bërë Jehovai për ty. Medito si ke nxjerrë dobi ti vetë nga plotësimi i premtimeve të Fjalës së Perëndisë. Për shembull, Jezui premton se Ati i tij do të të sigurojë gjërat e nevojshme të jetës. (Mat. 6:32, 33) Gjithashtu premton se Jehovai do të të japë frymën e shenjtë kur t’ia kërkosh. (Luka 11:13) E Jehovai i ka mbajtur këto premtime. Ka të ngjarë që të vijnë ndër mend edhe premtime të tjera që ka mbajtur Jehovai në rastin tënd. Për shembull, Ai premton të të falë, të të ngushëllojë dhe të të japë ushqim besimforcues. (Mat. 6:14; 24:45; 2 Kor. 1:3) Kur mediton çfarë ka bërë Perëndia për ty në të kaluarën, të forcohet shpresa se do të vazhdojë të mbajë çdo premtim.
GËZO NË SHPRESË
16. Pse shpresa është një dhuratë e çmuar?
16 Shpresa e jetës së përhershme është një dhuratë e çmuar nga Perëndia. Mezi e presim të ardhmen e mrekullueshme që na ka premtuar dhe jemi të sigurt se shpresa jonë do të bëhet realitet. Kjo shpresë është spiranca jonë. Ajo na jep stabilitet e na ndihmon të tregojmë qëndrueshmëri në sprova, t’i bëjmë ballë përndjekjes, e madje të jemi të patundur përballë vdekjes. Shpresa është edhe helmeta jonë. Ajo na mbron mendjen që t’i hedhim poshtë gjërat e gabuara e të kapemi fort pas gjërave të drejta. Shpresa që na ka dhënë Jehovai na afron më shumë me të dhe tregon sa e thellë është dashuria e tij për ne. Kur e mbajmë ndezur shpresën tonë dhe e forcojmë, nxjerrim shumë dobi.
17. Pse shpresa jonë është burim gëzimi?
17 Në letrën që u shkroi romakëve, apostulli Pavël na nxit: «Gëzoni në shpresë.» (Rom. 12:12) Pavli mund të gëzonte ngaqë ishte i sigurt se po të qëndronte besnik, do të merrte jetën e përhershme në qiell. Edhe ne mund të gëzojmë për shpresën tonë, sepse jemi të sigurt se Jehovai do t’i mbajë premtimet. Siç shkroi psalmisti, «lum ai që i mban shpresat te Jehovai, Perëndia i tij, . . . tek Ai që është gjithnjë besnik»!—Psal. 146:5, 6.
KËNGA 139 Përfytyro agimin e jetës së re
a Jehovai na ka dhënë një shpresë të mrekullueshme për të ardhmen. Ajo na e ndriçon jetën e na ndihmon të shohim përtej sprovave të sotme. Na jep forcë të qëndrojmë besnikë pavarësisht nga vështirësitë që kalojmë. Gjithashtu, na mbron nga idetë e gabuara që mund të na korruptojnë mënyrën si mendojmë. Siç do ta shohim në këtë artikull, të gjitha këto janë arsye të rëndësishme pse duhet ta mbajmë të fortë shpresën tonë.
b PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Ashtu si helmeta që mbron kokën e ushtarit dhe si spiranca që nuk e lë anijen të shkojë sa andej-këtej, shpresa jonë na mbron mendjen dhe na jep stabilitet përballë sprovave. Një motër i lutet plot besim Jehovait. Një vëlla mediton si i mbajti Perëndia premtimet që i bëri Abrahamit. Një vëlla tjetër reflekton për mënyrat si e ka bekuar Jehovai.