KAPITULLI 5
Mbikëqyrës që kullotin kopenë
GJATË shërbimit të tij në tokë, Jezui e tregoi me vepra se ishte «bariu i shkëlqyer». (Gjoni 10:11) Kur shihte turmat që e ndiqnin me gjithë zemër, ‘prekej thellë, sepse ishin të keqtrajtuara e të hallakatura si dele pa bari’. (Mat. 9:36) Pjetri dhe apostujt e tjerë e vinin re kujdesin e dashur që tregonte Jezui. Sa ndryshonte ai nga barinjtë e rremë të Izraelit, të cilët e kishin lënë aq shumë pas dore kopenë, sa delet ishin të shpërndara e të kequshqyera! (Ezek. 34:7, 8) Shembulli i shkëlqyer që tregoi Jezui duke i mësuar dhe duke u kujdesur për delet, aq sa dha jetën për to, u mësoi apostujve si t’i ndihmonin njerëzit me besim që të ktheheshin te Jehovai, «bariu dhe mbikëqyrësi i shpirtit [të tyre]».—1 Pjet. 2:25.
2 Në një rast kur po i fliste Pjetrit, Jezui theksoi sa e rëndësishme ishte t’i ushqente dhe t’i kulloste delet. (Gjoni 21:15-17) Pa dyshim, kjo e preku thellë Pjetrin, i cili më vonë i nxiti pleqtë në kongregacionin e hershëm të krishterë: «Kulloteni kopenë e Perëndisë që është nën kujdesin tuaj dhe shërbeni si mbikëqyrës, jo me detyrim, por vullnetarisht, siç do Perëndia; as për të lakmuar fitime të pandershme, por me zell; as duke u sjellë si zotër me trashëgiminë e Perëndisë, por duke u bërë shembuj për kopenë.» (1 Pjet. 5:1-3) Fjalët e Pjetrit zbatohen edhe për mbikëqyrësit e kongregacionit sot. Duke imituar Jezuin, pleqtë shërbejnë me gatishmëri e pa u kursyer si shembuj për kopenë, duke marrë drejtimin në shërbim të Jehovait.—Hebr. 13:7.
Duke imituar Jezuin, pleqtë shërbejnë me gatishmëri e pa u kursyer dhe janë shembuj për kopenë, duke marrë drejtimin në shërbim të Jehovait
3 Jemi mirënjohës për ata që fryma e shenjtë i ka emëruar mbikëqyrës në kongregacion. Nxjerrim shumë dobi falë kujdesit të tyre. Për shembull, mbikëqyrësit inkurajojnë dhe i kushtojnë vëmendje secilit në kongregacion. Çdo javë, ata drejtojnë me shumë përkujdesje mbledhjet e kongregacionit, ku të gjithë bashkëbesimtarët forcohen. (Rom. 12:8) Përpjekjet e tyre për të mbrojtur kopenë nga elementët e dëmshëm, siç janë njerëzit e ligj, na e shtojnë sigurinë. (Isa. 32:2; Titit 1:9-11) Ngaqë marrin drejtimin në shërbim, nxitemi të jemi lajmëtarë aktivë e të predikojmë rregullisht lajmin e mirë çdo muaj. (Hebr. 13:15-17) Nëpërmjet këtyre ‘dhuratave në njerëz’, Jehovai ka marrë masa që të ndërtojë kongregacionin.—Efes. 4:8, 11, 12.
KUALIFIKIMET PËR MBIKËQYRËSIT
4 Për t’u siguruar se kongregacionit po i tregohet kujdesi i duhur, burrat që emërohen si mbikëqyrës duhet të plotësojnë kërkesat që gjenden në Fjalën e Perëndisë. Vetëm nëse kualifikohen, mund të thuhet se janë emëruar nga fryma e shenjtë. (Vep. 20:28) Qartë, standardet e Biblës për mbikëqyrësit e krishterë janë të larta pasi, të jesh mbikëqyrës, është përgjegjësi serioze. Por këto standarde nuk janë aq të larta, sa të mos plotësohen dot nga burrat e krishterë që e duan vërtet Jehovain dhe që janë të gatshëm të përdoren prej tij. Duhet të jetë e dukshme për të gjithë se mbikëqyrësit janë individë që i zbatojnë këshillat e Biblës në jetën e përditshme.
Për t’u siguruar se kongregacionit po i tregohet kujdesi i duhur, burrat që emërohen si mbikëqyrës duhet të plotësojnë kërkesat që gjenden në Fjalën e Perëndisë
5 Në Letrën e parë drejtuar Timoteut dhe në Letrën drejtuar Titit, apostulli Pavël renditi kërkesat themelore të Biblës që duhet të plotësojnë mbikëqyrësit. Te 1 Timoteut 3:1-7 lexojmë: «Kush synon të jetë mbikëqyrës, dëshiron një punë të shkëlqyer. Prandaj, mbikëqyrësi duhet të jetë i paqortueshëm, burrë i një gruaje të vetme, i përkorë në zakone, me mendje të shëndoshë, i rregullt, mikpritës, i kualifikuar për të mësuar; nuk duhet të jetë pijanec, i dhunshëm, por i arsyeshëm, as grindavec, as lakmues parash; të jetë njeri që e drejton shkëlqyeshëm familjen e vet, t’i ketë fëmijët të nënshtruar me plot seriozitet (sepse, nëse dikush nuk di të drejtojë familjen e vet, si do të kujdeset për kongregacionin e Perëndisë?!), të mos jetë i sapokthyer në besim, se mos krekoset, e kështu merr të njëjtin gjykim si të Djallit. Veç këtyre, duhet të ketë edhe reputacion të mirë në sytë e atyre që nuk janë në besim, që të mos turpërohet e të mos bjerë në lakun e Djallit.»
6 Kurse Titit, Pavli i shkroi: «Të lashë në Kretë që të ndreqje gjërat që duheshin rregulluar dhe të emëroje pleq qytet më qytet sipas udhëzimit që të dhashë: secili prej tyre duhet të jetë i lirë nga çdo akuzë, burrë i një gruaje të vetme dhe të ketë fëmijë besimtarë që nuk akuzohen si të shfrenuar ose rebelë, sepse si kujdestar nga Perëndia, një mbikëqyrës duhet të jetë i lirë nga çdo akuzë, nuk duhet të jetë kryeneç, gjaknxehtë, pijanec, i dhunshëm dhe lakmitar për të nxjerrë fitime të pandershme. Përkundrazi, duhet të jetë mikpritës, që e do mirësinë, me mendje të shëndoshë, i drejtë, besnik, me vetëkontroll, që i përmbahet fort fjalës së besueshme në mënyrën si mëson, që të jetë në gjendje edhe të japë zemër me anë të mësimit të shëndoshë, edhe të korrigjojë ata që i kundërvihen këtij mësimi.»—Titit 1:5-9.
7 Edhe pse këto kërkesa të Biblës fillimisht mund të duken tepër të vështira, burrat e krishterë nuk duhet të ngurrojnë të synojnë detyrën e mbikëqyrësit. Kur shfaqin cilësitë e shkëlqyera të krishtere që kërkohen prej tyre, mbikëqyrësit i nxitin të tjerët në kongregacion të veprojnë po njësoj. Pavli shkroi se këto «dhurata në njerëz» janë siguruar «për të ndrequr të shenjtët, për të shërbyer, për të ndërtuar trupin e Krishtit, derisa të gjithë të arrijmë njëjësinë në besim e në njohurinë e saktë të Birit të Perëndisë, që të jemi tërësisht të rritur, po, të arrijmë shtatin e plotë të Krishtit».—Efes. 4:8, 12, 13.
8 Mbikëqyrësit nuk janë shumë të rinj dhe as burra të sapokthyer në besim. Përkundrazi, ata janë individë me përvojë në jetën si të krishterë, që kanë njohuri të gjerë për Biblën, kuptueshmëri të thellë për Shkrimet dhe dashuri të sinqertë për kongregacionin. Nuk ngurrojnë të flasin dhe të ndreqin keqbërësit, duke mbrojtur kështu delet nga ata që duan t’i shfrytëzojnë me egoizëm. (Isa. 32:2) Dallohen kollaj nga të gjithë në kongregacion si burra të pjekur e plot besim, të cilët interesohen vërtet për kopenë e Perëndisë.
9 Ata që kualifikohen për t’u emëruar si mbikëqyrës tregojnë mençuri praktike në jetën e tyre. Nëse është i martuar, mbikëqyrësi duhet t’i përmbahet normës së krishterë për martesën, domethënë, të jetë burrë i një gruaje të vetme dhe ta drejtojë shkëlqyeshëm familjen e vet. Nëse ka fëmijë besimtarë, që janë të nënshtruar me plot seriozitet dhe që nuk akuzohen si të shfrenuar ose rebelë, kongregacioni mund t’i afrohet atij i sigurt për këshilla e sugjerime për jetën familjare dhe atë të krishterë. Gjithashtu, mbikëqyrësi është i paqortueshëm, i lirë nga çdo akuzë dhe ka reputacion të mirë edhe në sytë e atyre që nuk janë në besim. Kundër tij s’duhet të ketë asnjë akuzë të vlefshme për sjellje të papërshtatshme, e cila do t’ia prishte emrin e mirë kongregacionit. Ai nuk duhet të jetë korrigjuar kohët e fundit për keqbërje të rënda. Të tjerët në kongregacion nxiten ta imitojnë shembullin e tij të shkëlqyer dhe e lejojnë me kënaqësi të kujdeset për ta, që të qëndrojnë në udhën e besimit.—1 Kor. 11:1; 16:15, 16.
10 Burrat që kanë këto kualifikime, mund të shërbejnë në kongregacionin e krishterë në një rol të ngjashëm me atë të pleqve në Izrael, të përshkruar si «të mençur, të matur e me përvojë». (Ligj. 1:13) Edhe pse pleqtë e krishterë janë mëkatarë, ata njihen në kongregacion dhe në zonën ku jetojnë si njerëz të drejtë që nderojnë thellësisht Perëndinë, e prej njëfarë kohe kanë treguar se jeta e tyre drejtohet nga parimet hyjnore. Duke qenë të paqortueshëm, ata kanë liri fjale në kongregacion.—Rom. 3:23.
11 Burrat që kualifikohen për t’u emëruar si mbikëqyrës, janë të përkorë në zakone dhe në marrëdhëniet me të tjerët. Nuk janë fanatikë, por mënyra e tyre e jetesës karakterizohet nga ekuilibri dhe vetëkontrolli. Janë të përkorë në gjëra të tilla, si ngrënia, pirja, argëtimet, veprimtaritë e kohës së lirë dhe zbavitjet. Janë të përkorë në përdorimin e pijeve alkoolike, që të mos u lënë vend akuzave për dehje ose si pijanecë. Një njeri e humb lehtë vetëkontrollin kur i turbullohet mendja nga pijet dehëse, prandaj s’është në gjendje t’i mbajë sytë hapur për kongregacionin.
12 Dikujt që i kërkohet të mbikëqyrë kongregacionin, duhet të jetë deri në njëfarë mase i rregullt. Zakonet e tij të mira pasqyrohen në pamjen e jashtme, shtëpinë dhe aktivitetet e përditshme. Një njeri i tillë nuk i zvarrit punët; kupton çfarë duhet bërë dhe planifikon në përputhje me këtë. Ai u përmbahet parimeve të Biblës.
13 Një mbikëqyrës duhet të jetë i arsyeshëm. Duhet të jetë i aftë të punojë në unitet me pjesëtarët e tjerë në trupin e pleqve dhe të bashkëpunojë me ta. Duhet të ketë pikëpamjen e duhur për veten dhe të mos jetë tepër kërkues ndaj të tjerëve. Si njeri i arsyeshëm, mbikëqyrësi nuk ngul këmbë në opinionet e veta, duke i konsideruar më të larta se ato të pleqve të tjerë. Ata mund të shkëlqejnë në disa cilësi ose aftësi që ai nuk i ka. Një plak tregon arsyetueshmëri kur përfundimet i bazon plotësisht në Shkrime dhe kur bën çmos të imitojë shembullin e Jezu Krishtit. (Filip. 2:2-8) Një plak nuk është grindavec, as i dhunshëm, por tregon respektin e duhur për të tjerët, duke i konsideruar më të lartë se veten. Ai nuk është kryeneç, pra nuk ngul këmbë gjithmonë që të pranohet pikëpamja ose mënyra e tij e të vepruarit. Nuk është gjaknxehtë, por paqësor në marrëdhëniet me të tjerët.
14 Po kështu, një burrë që kualifikohet për të shërbyer si mbikëqyrës në kongregacion është me mendje të shëndoshë. Kjo do të thotë se ai është i matur, jo i rrëmbyer në gjykim. I kupton mirë parimet e Jehovait dhe mënyrën si zbatohen. Ai që ka mendje të shëndoshë, pranon këshillat dhe drejtimin. Nuk është hipokrit.
15 Pavli i kujtoi Titit se një mbikëqyrës e do mirësinë. Ai duhet të jetë i drejtë dhe besnik. Këto cilësi pasqyrohen në mënyrën si sillet me të tjerët dhe në qëndrimin e patundur për të mbrojtur atë që është e drejtë dhe e mirë. Ai është patundshmërisht i përkushtuar ndaj Jehovait dhe i mbështet gjithnjë parimet e drejta. Ruan konfidencialitetin. Gjithashtu, është vërtet mikpritës, duke dhënë me bujari nga vetja dhe nga zotërimet e tij për dobinë e të tjerëve.—Vep. 20:33-35.
16 Që të shërbejë me efektshmëri, një mbikëqyrës duhet të jetë i kualifikuar për të mësuar. Sipas fjalëve që Pavli i drejtoi Titit, mbikëqyrësi «i përmbahet fort fjalës së besueshme në mënyrën si mëson, që të jetë në gjendje edhe të japë zemër me anë të mësimit të shëndoshë, edhe të korrigjojë ata që i kundërvihen këtij mësimi». (Titit 1:9) Ai është i aftë të arsyetojë me të tjerët, të japë prova, të kapërcejë kundërshtimet dhe t’i zbatojë Shkrimet në mënyrë të atillë që të tjerët të binden dhe të forcojnë besimin. Mbikëqyrësi e shfaq këtë aftësi mësimdhënieje si në kohë të favorshme, edhe në kohë të vështirë. (2 Tim. 4:2) Ka durimin e nevojshëm për të korrigjuar me butësi dikë që ka gabuar ose për të bindur ndonjë që ka dyshime dhe për ta nxitur të bëjë vepra të mira në bazë të besimit. Nëse është i aftë të mësojë përpara një auditori ose të mësojë dikë personalisht, tregon se ai e plotëson këtë kërkesë të rëndësishme.
17 Është e rëndësishme që pleqtë të jenë të zellshëm në shërbim. Duhet të duket qartë që edhe në këtë aspekt përpiqen fort të imitojnë Jezuin, i cili i jepte përparësi predikimit të lajmit të mirë. Ai interesohej për dishepujt, që t’i ndihmonte të ishin ungjillëzues të efektshëm. (Mar. 1:38; Luka 8:1) Vendosmëria e pleqve për të kaluar kohë në shërbim me gjithë programin e ngjeshur, e nxit tërë kongregacionin që të ketë të njëjtin zell. Dhe kur pleqtë dalin në shërbim me familjen e tyre, si edhe me të tjerët në kongregacion, ‘inkurajojnë njëri-tjetrin’.—Rom. 1:11, 12.
18 Kur lexojmë të gjitha këto, mund të na duket sikur pritet tepër nga ai që shërben si mbikëqyrës. Kuptohet, asnjë mbikëqyrës nuk i plotëson dot në mënyrë të përsosur standardet e larta të Biblës. Por asnjë nga pleqtë e emëruar nuk duhet të ketë mangësi kaq të madhe në ndonjërën prej këtyre cilësive, saqë kjo të konsiderohet si një e metë serioze. Disa pleq mund të shquhen për disa cilësi, kurse të tjerë mund të shkëlqejnë në fusha të tjera. Si rrjedhojë, trupi i pleqve, si një i tërë, do të ketë të gjitha cilësitë e shkëlqyera që nevojiten për të mbikëqyrur siç duhet kongregacionin e Perëndisë.
19 Kur trupi i pleqve rekomandon burra për t’i emëruar si mbikëqyrës, ata do të mbajnë parasysh fjalët e apostullit Pavël: «I them gjithsecilit prej jush të mos mendojë për veten më shumë se ç’duhet, por të ketë mendje të shëndoshë, secili sipas besimit që i ka dhënë Perëndia.» (Rom 12:3) Secili plak duhet ta konsiderojë veten si më të vogël. Askush s’duhet të tregohet «tepër i drejtë» kur shqyrton kualifikimet për një tjetër. (Ekl. 7:16) Duke i pasur të qarta në mendje kërkesat e Biblës për mbikëqyrësit, trupi i pleqve do të vendosë nëse vëllai në fjalë i plotëson në një masë të arsyeshme këto standarde. Duke marrë parasysh papërsosmëritë njerëzore dhe duke mos qenë paragjykues e hipokritë, pleqtë do t’i bëjnë rekomandimet në një mënyrë që tregon respektin e duhur për standardet e drejta të Jehovait dhe që është në të mirë të kongregacionit. Kur të shqyrtojnë rekomandimet, pleqtë do t’i luten Perëndisë që t’i drejtojë fryma e shenjtë dhe do të analizojnë me kujdes nëse vëllai i përmbush kërkesat e Biblës. Kjo është një nga përgjegjësitë serioze që mbajnë mbi supe, dhe këtë duhet ta bëjnë në përputhje me këshillën e Pavlit: «Mos i vër kurrë duart me ngut mbi askënd.»—1 Tim. 5:21, 22.
FRYTI I FRYMËS
20 Burrat që përmbushin kualifikimet e Biblës, japin prova se drejtohen nga fryma e shenjtë dhe shfaqin frytin e frymës në jetën e tyre. Pavli renditi nëntë aspektet e frytit të frymës, si «dashuria, gëzimi, paqja, durimi, zemërmirësia, mirësia, besimi, butësia, vetëkontrolli». (Gal. 5:22, 23) Këta mbikëqyrës u sjellin freskim vëllezërve dhe ndihmojnë që kongregacioni të jetë në unitet ndërsa kryen shërbim të shenjtë. Sjellja dhe fryti i punës së tyre dëshmojnë se janë emëruar nga fryma e shenjtë.—Vep. 20:28.
BURRA QË NXITIN UNITETIN
21 Është thelbësore që pleqtë të punojnë së bashku për të nxitur unitetin në kongregacion. Mund të kenë personalitete shumë të ndryshme, por ata ruajnë unitetin e trupit të pleqve duke e dëgjuar me respekt njëri-tjetrin, ndonëse mund të mos jenë dakord për çdo gjë që diskutohet. Për aq kohë sa nuk shkelet ndonjë parim i Biblës, secili duhet të jetë i gatshëm të hapë rrugë dhe të mbështetë vendimin përfundimtar të trupit të pleqve. Prirja për të hapur rrugë, tregon se një njeri udhëhiqet nga «mençuria nga lart», e cila është «paqësore, e arsyeshme». (Jak. 3:17, 18) Asnjë plak s’duhet të mendojë se qëndron më lart se pleqtë e tjerë dhe nuk duhet të dominojë mbi të tjerët. Kur bashkëpunojnë si trup për të mirën e kongregacionit, në të vërtetë pleqtë po bashkëpunojnë me Jehovain.—1 Kor., kap. 12; Kolos. 2:19.
SYNIMI PËR T’U BËRË MBIKËQYRËS
22 Burrat e pjekur të krishterë duhet të dëshirojnë të bëhen mbikëqyrës. (1 Tim. 3:1) Megjithatë, të shërbesh si plak kërkon punë dhe vetëmohim. Nënkupton të jesh i gatshëm t’u shërbesh vëllezërve, duke i ndihmuar në shërbimin që i bëjnë Perëndisë. Të synosh të bëhesh mbikëqyrës, do të thotë të përpiqesh fort t’i plotësosh kualifikimet që gjenden në Shkrime.
RRETHANAT PERSONALE MUND TË NDRYSHOJNË
23 Një vëlla që ka shërbyer me besnikëri për një kohë të gjatë, mund të sëmuret ose të humbasë ndonjë aftësi fizike. Ndoshta për shkak të moshës së shkuar, mund të mos jetë më në gjendje të kujdeset për përgjegjësitë e një mbikëqyrësi. Gjithsesi, ai ende duhet të respektohet e të konsiderohet si plak, për sa kohë të jetë i emëruar. Nuk ka nevojë të heqë dorë për shkak të kufizimeve. Ende meriton nderimin e dyfishtë që u jepet të gjithë pleqve të palodhur, të cilët japin më të mirën për të kullotur kopenë.
24 Por një vëlla mund të heqë dorë nëse mendon se ndryshimi i rrethanave ia ka kufizuar aftësinë për të shërbyer. (1 Pjet. 5:2) Ai ende duhet të respektohet. Është në gjendje të bëjë shumë në kongregacion, ndonëse nuk ka më caktimet dhe detyrat që u jepen pleqve.
PËRGJEGJËSITË NË KONGREGACION
25 Pleqtë kujdesen për shumë përgjegjësi në kongregacion. Ka një koordinator të trupit të pleqve, një sekretar, një mbikëqyrës shërbimi, një drejtues të Studimit të Kullës së Rojës dhe një mbikëqyrës të mbledhjes Jeta dhe shërbimi. Shumë pleq shërbejnë si mbikëqyrës grupi. Ata shërbejnë në këto detyra për një kohë të pacaktuar. Natyrisht, nëse një vëlla transferohet ose nuk mund të kujdeset më për përgjegjësitë e tij për arsye shëndetësore a skualifikohet sepse nuk i plotëson më kërkesat e Biblës, atëherë për këtë caktim zgjidhet një plak tjetër. Në kongregacionet ku ka pak mbikëqyrës, mund të jetë e nevojshme që një plak të ketë më shumë se një caktim, derisa të kualifikohen vëllezër të tjerë për t’u emëruar si pleq.
26 Koordinatori i trupit të pleqve shërben si drejtuesi i mbledhjeve të trupit të pleqve. Si i tillë, bashkëpunon me përulësi me pleqtë e tjerë ndërsa kujdesen për kopenë e Perëndisë. (Rom. 12:10; 1 Pjet. 5:2, 3) Ai duhet të jetë organizator i mirë dhe i aftë të drejtojë me shumë përkujdesje.—Rom. 12:8.
27 Sekretari kujdeset për regjistrimet e kongregacionit dhe informon pleqtë për çështje të rëndësishme. Po të jetë e nevojshme, mund të caktohet një plak tjetër ose një shërbëtor kongregacioni i aftë që ta ndihmojë.
28 Mbikëqyrësi i shërbimit mbikëqyr masat që merren për shërbimin dhe çështje të tjera që lidhen me të. Ai programon vizita të rregullta në të gjitha grupet e shërbimit, me qëllim që një fundjavë në muaj të vizitojë një grup. Në kongregacione të vogla ku ka pak grupe shërbimi, ai mund të vizitojë çdo grup dy herë në vit. Gjatë vizitës do të drejtojë mbledhjet për shërbim, do të dalë në shërbim me grupin dhe do t’i ndihmojë lajmëtarët në rivizitat dhe në studimet e Biblës.
MBIKËQYRËSIT E GRUPEVE
29 Një nga privilegjet shumë të rëndësishme në kongregacion është të shërbesh si mbikëqyrës grupi. Ai ka përgjegjësi (1) të interesohet për besimin e çdo pjesëtari të grupit të shërbimit, (2) ta ndihmojë secilin të dalë rregullisht në shërbim e të bëjë një shërbim domethënës e të gëzueshëm dhe (3) të ndihmojë e të stërvitë shërbëtorët e kongregacionit në atë grup që të synojnë e të kualifikohen për të mbajtur përgjegjësi në kongregacion. Trupi i pleqve vendos se cilët vëllezër janë më të kualifikuar për të përmbushur të gjitha këto aspekte të caktimit.
30 Për shkak të natyrës së caktimit, mbikëqyrësit e grupeve duhet të jenë pleq, nëse është e mundur. Ose mund të caktohet një shërbëtor kongregacioni i kualifikuar, derisa këtë përgjegjësi të mund ta marrë një plak. Shërbëtori i kongregacionit që përmbush këtë përgjegjësi quhet shërbëtori i grupit, sepse nuk shërben si mbikëqyrës në kongregacion. Ai punon nën drejtimin e pleqve për këtë përgjegjësi.
31 Një aspekt i rëndësishëm i punës së mbikëqyrësit të grupit, është të marrë drejtimin në shërbim. Rregullsia, zelli dhe entuziazmi i tij do të inkurajojnë pjesëtarët e grupit. Lajmëtarët e vlerësojnë inkurajimin dhe ndihmën që marrin kur janë së bashku, prandaj është mirë që, për dëshminë në grup, të ketë një program të volitshëm për shumicën. (Luka 10:1-16) Mbikëqyrësi duhet të sigurohet që të ketë gjithmonë mjaft territor. Në përgjithësi, ai do të drejtojë mbledhjen për shërbim dhe do të organizojë lajmëtarët për predikimin atë ditë. Kur ai nuk është, duhet të marrë masa që një plak tjetër, një shërbëtor kongregacioni ose, në mungesë të tyre, një lajmëtar i kualifikuar të kujdeset për këto përgjegjësi, në mënyrë që lajmëtarët të kenë drejtimin e nevojshëm.
32 Mbikëqyrësi i grupit duhet të planifikojë paraprakisht vizitën e mbikëqyrësit të shërbimit, duke e njoftuar grupin për vizitën dhe duke i nxitur ta presin me padurim. Kur i gjithë grupi është plotësisht i informuar për këtë vizitë, e mbështet me entuziazëm.
33 Çdo grup shërbimi mbahet qëllimisht i vogël. Kështu, mbikëqyrësi i grupit mund t’i njohë mirë të gjithë. Si një bari i dashur, ai interesohet thellësisht për secilin. Përpiqet t’i ndihmojë dhe t’i inkurajojë individualisht për shërbimin dhe që të mbështetin mbledhjet e kongregacionit. Gjithashtu përpiqet të bëjë gjithçka tjetër që duhet për ta ndihmuar secilin të qëndrojë i fortë në besim. Ata që janë të sëmurë ose të dëshpëruar, do të nxjerrin dobi nga një vizitë personale e tij. Një sugjerim inkurajues a një këshillë mund t’i nxitë disa që të synojnë privilegje të tjera në kongregacion, duke qenë kështu edhe më të dobishëm për vëllezërit. Është logjike që mbikëqyrësi i grupit të përqendrohet kryesisht te pjesëtarët e grupit të tij. Por, si plak dhe bari, ai kujdeset me dashuri për të gjithë në kongregacion dhe është i gatshëm të ndihmojë këdo që ka nevojë.—Vep. 20:17, 28.
34 Një përgjegjësi e mbikëqyrësit të grupit është të ndihmojë për të mbledhur raportet e shërbimit të lajmëtarëve të grupit. Këto raporte i dërgohen sekretarit. Lajmëtarët mund ta ndihmojnë mbikëqyrësin e grupit duke e dorëzuar pa vonesë raportin e shërbimit. Këtë mund ta bëjnë duke ia dhënë raportin në fund të muajit drejtpërdrejt atij ose duke e hedhur në kutinë për raportet e shërbimit, që është vendosur në Sallën e Mbretërisë.
KOMITETI I SHËRBIMIT I KONGREGACIONIT
35 Ka disa detyra për të cilat kujdeset Komiteti i Shërbimit i Kongregacionit, që përbëhet nga koordinatori i trupit të pleqve, sekretari dhe mbikëqyrësi i shërbimit. Për shembull, komiteti i shërbimit miraton përdorimin e Sallës së Mbretërisë për ceremoni martesash ose për funerale dhe ka përgjegjësinë për të caktuar lajmëtarët nëpër grupet e shërbimit. Ky komitet miraton edhe kërkesat për shërbimin si pionier ndihmës e të rregullt dhe për forma të tjera shërbimi. Komiteti i shërbimit punon nën drejtimin e trupit të pleqve.
36 Detyrat specifike të këtyre vëllezërve, bashkë me ato të drejtuesit të Studimit të Kullës së Rojës, të mbikëqyrësit të mbledhjes Jeta dhe shërbimi dhe të të tjerëve që përbëjnë trupin e pleqve, tregohen në udhëzimet që vijnë nga zyra e degës.
37 Trupi i pleqve në çdo kongregacion mblidhet rregullisht për të diskutuar çështjet që lidhen me përparimin e kongregacionit. Përveç mbledhjes së pleqve gjatë vizitës së mbikëqyrësit qarkor, mbahet edhe një mbledhje tjetër rreth tre muaj pas çdo vizite të mbikëqyrësit qarkor. Natyrisht, pleqtë mund të mblidhen sa herë që e kërkojnë rrethanat.
JINI TË NËNSHTRUAR
38 Mbikëqyrësit janë të papërsosur. Megjithatë të gjithë në kongregacion janë të nxitur t’u nënshtrohen, pasi kjo është një masë nga Jehovai. Ai do t’u kërkojë llogari mbikëqyrësve për veprimet e tyre. Ata përfaqësojnë Jehovain dhe autoritetin e tij teokratik. Hebrenjve 13:17 thotë: «Jini të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin mes jush dhe jini të nënshtruar, sepse rrinë zgjuar për ju e do të japin llogari, që ta bëjnë këtë me gëzim e jo me psherëtima, sepse kjo do të ishte në dëmin tuaj.» Ashtu si Jehovai përdor frymën e shenjtë për të emëruar dikë, po me anë të kësaj fryme do ta çemërojë një mbikëqyrës që nuk shfaq frytin e frymës dhe që nuk jeton në përputhje me kërkesat e Biblës.
39 A nuk e çmojmë shumë punën e palodhur dhe shembullin e shkëlqyer të mbikëqyrësve të kongregacionit? Duke i shkruar kongregacionit në Selanik, Pavli i nxiti vëllezërit: «Vëllezër, ju kërkojmë të tregoni respekt për ata që po punojnë pa u lodhur mes jush, që ju drejtojnë në veprën e Zotërisë dhe që ju këshillojnë. Çmojini shumë dhe nderojini me dashuri për punën e tyre.» (1 Sel. 5:12, 13) Një pjesë e mirë e punës së palodhur që bëjnë mbikëqyrësit në kongregacion, na e bën shërbimin ndaj Perëndisë më të lehtë e më të gëzueshëm. Gjithashtu, në Letrën e parë drejtuar Timoteut, Pavli përmend qëndrimin që duhet të zhvillojnë pjesëtarët e kongregacionit ndaj mbikëqyrësve: «Pleqtë që drejtojnë në mënyrë të shkëlqyer, të çmohen të denjë për nderim të dyfishtë, sidomos ata që punojnë pa u lodhur për t’ju folur e për t’ju mësuar rreth fjalës së Perëndisë.»—1 Tim. 5:17.
PËRGJEGJËSI TË TJERA NË ORGANIZATË
40 Nganjëherë disa pleq zgjidhen që të shërbejnë në Grupet e Vizitave te Pacientët. Të tjerë shërbejnë në Komitetet e Lidhjes me Spitalet. Në takimet me mjekët ata nxitin përdorimin dhe zhvillimin e trajtimeve pa gjak për Dëshmitarët e Jehovait. Mbikëqyrës të tjerë kanë mundësi të mbështetin veprën e Mbretërisë duke ndihmuar në ndërtimin dhe në mirëmbajtjen e Sallave të Mbretërisë dhe të Sallave të Asambleve ose duke shërbyer si anëtarë të Komiteteve të Kongresit. Puna e palodhur e këtyre vëllezërve dhe gatishmëria e tyre për të bërë sakrifica të tilla, çmohen nga të gjithë në organizatë. Vërtet, ne ‘vazhdojmë t’i kemi të shtrenjtë këta lloj njerëzish’.—Filip. 2:29.
MBIKËQYRËSI QARKOR
41 Trupi Udhëheqës merr masa që të emërohen pleq të kualifikuar për të shërbyer si mbikëqyrës qarkorë. Zyra e degës i cakton për të vizituar kongregacionet në qarqet e tyre, zakonisht dy herë në vit. Ata i vizitojnë rregullisht edhe pionierët që shërbejnë në territore të izoluara. E planifikojnë vizitën që do të bëjnë dhe njoftojnë çdo kongregacion mjaft kohë më parë, në mënyrë që ajo t’u sjellë sa më shumë dobi.
42 Koordinatori i trupit të pleqve merr drejtimin në organizimin e punëve, që vizita të jetë ripërtëritëse për të gjithë. (Rom. 1:11, 12) Pasi njoftohet për vizitën dhe informohet për nevojat e mbikëqyrësit qarkor e të gruas së tij (nëse është i martuar), koordinatori i trupit të pleqve merr masa me anë të disa vëllezërve që t’u sigurojë strehim dhe gjëra të tjera të nevojshme. Ai sigurohet që të gjithë, duke përfshirë edhe mbikëqyrësin qarkor, të jenë të informuar për këto masa.
43 Mbikëqyrësi qarkor do të komunikojë me koordinatorin e trupit të pleqve për oraret e mbledhjeve, duke përfshirë edhe mbledhjet për shërbim. Mbledhjet do të programohen sipas sugjerimeve të mbikëqyrësit qarkor dhe sipas drejtimit të zyrës së degës. Të gjithë duhet të informohen më përpara për vendin dhe orarin e mbledhjeve të kongregacionit, të mbledhjeve me pionierët dhe me pleqtë e shërbëtorët e kongregacionit, si edhe për vendin dhe orarin e mbledhjeve për shërbim.
44 Të martën pasdite, mbikëqyrësi qarkor shqyrton skedat Raporti i lajmëtarit të kongregacionit, regjistrimet për të pranishmit në mbledhje, regjistrimet e territoreve dhe të llogarisë. Kështu do të kuptojë deri diku nevojat e kongregacionit dhe si t’i ndihmojë ata që kanë përgjegjësi për të mbajtur këto regjistrime. Koordinatori i trupit të pleqve duhet të marrë masa që t’ia japë regjistrimet mbikëqyrësit që më përpara.
45 Gjatë vizitës, mbikëqyrësi qarkor gjen kohë për të folur me secilin sipas mundësisë: në mbledhje, në shërbim, gjatë vakteve a në momente të tjera. Veç kësaj, takohet me pleqtë dhe me shërbëtorët e kongregacionit e u jep këshilla, sugjerime dhe inkurajim të përshtatshëm nga Shkrimet për t’i ndihmuar që të përmbushin përgjegjësitë për të kullotur kopenë që kanë nën kujdes. (Prov. 27:23; Vep. 20:26-32; 1 Tim. 4:11-16) Ai takohet edhe me pionierët që t’i inkurajojë për shërbimin dhe t’u japë ndihmë personale për çdo problem që po hasin në shërbim.
46 Nëse ka çështje të tjera që kërkojnë vëmendje, mbikëqyrësi qarkor do të ndihmojë për aq sa të ketë mundësi gjatë javës. Nëse këto çështje nuk mund të mbyllen brenda javës, mbikëqyrësi qarkor mund t’i ndihmojë pleqtë ose individët e përfshirë të bëjnë kërkime për drejtimin që japin Shkrimet për atë rast. Nëse zyra e degës duhet të ndërmarrë ndonjë veprim të mëtejshëm, ai dhe pleqtë do t’i japin zyrës së degës një raport të hollësishëm rreth çështjes.
47 Ndërkohë që viziton kongregacionin, mbikëqyrësi qarkor ndjek mbledhjet e zakonshme të javës. Herë pas here, këto mund të përshtaten në përputhje me udhëzimet që jep zyra e degës. Ai mban fjalime që të inkurajojë, të motivojë, të mësojë dhe të forcojë kongregacionin. Përpiqet fort të nxitë dashurinë për Jehovain, për Jezu Krishtin dhe për organizatën.
48 Një ndër synimet e mbikëqyrësit qarkor gjatë vizitës, është t’i inkurajojë lajmëtarët të jenë të zellshëm në shërbim dhe të japë sugjerime praktike. Mjaft veta në kongregacion mund ta rregullojnë programin që të dalin sa më shumë në shërbim atë javë, ndoshta duke marrë masat që gjatë atij muaji të jenë pionierë ndihmës. Ai që ka dëshirë të dalë në shërbim me të ose me gruan e tij, mund të lërë takim. Mund të jetë shumë e dobishme nëse lajmëtarët e marrin mbikëqyrësin qarkor ose gruan e tij në studime të Biblës dhe në rivizita. Përpjekjet e tua të veçanta për të mbështetur plotësisht këtë aspekt të vizitës, vlerësohen jashtë mase.—Prov. 27:17.
49 Çdo vit organizohen dy asamble qarkore për çdo qark. Mbikëqyrësi qarkor është përgjegjës për organizimin e asambleve. Ai emëron një mbikëqyrës dhe një ndihmësmbikëqyrës të asamblesë. Ata duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht me të për organizimin e asamblesë. Kështu, mbikëqyrësi qarkor mund t’i kushtojë vëmendje kryesisht programit të saj. Mbikëqyrësi qarkor cakton edhe burra të tjerë të aftë që të kujdesen për reparte të ndryshme. Gjithashtu merr masa që pas çdo asambleje të verifikohet llogaria e qarkut. Një përfaqësues nga zyra e degës do të jetë orator vizitues në njërën asamble qarkore. Për shkak të largësisë ose të ambienteve të vogla ku mbahet asambleja, disa qarqe ndahen në pjesë dhe mbahet një asamble qarkore për çdo pjesë.
50 Në fund të çdo muaji, mbikëqyrësi qarkor ia dorëzon raportin e shërbimit drejtpërdrejt zyrës së degës. Nëse ka bërë disa shpenzime modeste, si për udhëtimin, ushqimin, strehimin dhe për gjëra të tjera që nevojiten për të përmbushur caktimin, dhe këto shpenzime nuk janë mbuluar nga kongregacioni që po viziton, mund t’i drejtohet zyrës së degës. Këta vëllezër kanë besim se, në qoftë se vendosin në radhë të parë Mbretërinë e Jehovait, nevojat materiale do t’u plotësohen, ashtu siç premtoi Jezui. (Luka 12:31) Për kongregacionet është privilegj t’u tregojnë mikpritje këtyre pleqve të përkushtuar që u shërbejnë.—3 Gjon. 5-8.
KOMITETI I DEGËS
51 Në çdo zyrë dege të Dëshmitarëve të Jehovait anembanë botës, tre a më shumë vëllezër të pjekur e të kualifikuar sipas Shkrimeve, shërbejnë si Komiteti i Degës që mbikëqyr veprën e predikimit në vendin a vendet që ka nën mbikëqyrje. Një nga anëtarët e komitetit shërben si koordinatori i Komitetit të Degës.
52 Ata që shërbejnë në Komitetin e Degës trajtojnë çështje që lidhen me të gjitha kongregacionet në territorin e degës. Komiteti mbikëqyr predikimin e lajmit të mirë për Mbretërinë anekënd territorit të degës dhe sigurohet që të formohen kongregacione dhe qarqe për të mbikëqyrur siç duhet nevojat e territorit. Komiteti i Degës i kushton vëmendje edhe shërbimit të misionarëve, të pionierëve specialë, të rregullt e ndihmës. Kur ka asamble dhe kongrese, ky komitet merr masa dhe jep caktimet e duhura që të sigurohet se ‘çdo gjë bëhet në mënyrë dinjitoze dhe me rregull’.—1 Kor. 14:40.
53 Në disa vende që janë nën mbikëqyrjen e Komitetit të Degës të një vendi tjetër, emërohet një Komitet Vendi. Kjo bën të mundur që të mbikëqyret më nga afër vepra, aty ku shërben Komiteti i Vendit. Ky komitet kujdeset për çështjet që kanë të bëjnë me shtëpinë dhe zyrën e Bethelit, merret me korrespondencat dhe me raportet, si edhe kujdeset në përgjithësi për aktivitetet që lidhen me predikimin. Komiteti i Vendit bashkëpunon me Komitetin e Degës për të çuar përpara veprën e Mbretërisë.
54 Të gjitha emërimet e atyre që shërbejnë në Komitetet e Degëve dhe në Komitetet e Vendit i bën Trupi Udhëheqës.
PËRFAQËSUESIT E SELISË BOTËRORE
55 Trupi Udhëheqës merr masa që disa vëllezër të kualifikuar të vizitojnë në mënyrë periodike secilën nga degët anembanë botës. Vëllai që shërben në këtë caktim, quhet përfaqësues i selisë botërore. Qëllimi i tij kryesor është të inkurajojë familjen Bethel dhe të ndihmojë Komitetin e Degës për problemet ose pyetjet që mund të kenë lindur për veprën e predikimit dhe të bërjes së dishepujve. Ky vëlla takohet edhe me disa mbikëqyrës qarkorë dhe hera-herës me misionarët. Kur i takon, ai flet me ta për problemet dhe nevojat e tyre, duke u dhënë inkurajimin e duhur për aktivitetin më të rëndësishëm që kanë: predikimin për Mbretërinë dhe bërjen e dishepujve.
56 Përfaqësuesi i selisë botërore interesohet shumë për atë që po arrihet në predikimin për Mbretërinë dhe për aktivitete të tjera të kongregacioneve. Nëse i mjafton koha, mund të vizitojë edhe zyra rajonale përkthimi. Kur viziton degën, ai merr pjesë brenda mundësive edhe në veprën e predikimit për Mbretërinë.
Ndërsa vazhdojmë t’u nënshtrohemi mbikëqyrësve të emëruar që janë caktuar të kullotin kopenë, qëndrojmë në unitet me Kreun e kongregacionit, Krishtin Jezu
MBIKËQYRJE ME DASHURI
57 Nxjerrim shumë dobi nga puna e palodhur dhe nga kujdesi i dashur i burrave të pjekur të krishterë. Ndërsa vazhdojmë t’u nënshtrohemi mbikëqyrësve të emëruar që janë caktuar të kullotin kopenë, qëndrojmë në unitet me Kreun e kongregacionit, Jezu Krishtin. (1 Kor. 16:15-18; Efes. 1:22, 23) Si rrjedhim, fryma e Perëndisë përshkon kongregacionet në mbarë botën dhe Fjala e tij shërben si udhërrëfyese për veprën anembanë tokës.—Psal. 119:105.