Populli i Jehovait ‘heq dorë nga padrejtësia’
«Kush zë në gojë emrin e Jehovait, të heqë dorë nga padrejtësia.»—2 TIM. 2:19.
1. Çfarë zë vend të veçantë në adhurimin tonë?
A E KE parë ndonjëherë emrin e Jehovait të shkruar në ndonjë ndërtesë publike ose objekt muzeor? Patjetër që kjo të entuziazmoi dhe të zgjoi kërshërinë. Në fund të fundit, emri i Perëndisë zë vend të veçantë në adhurimin tonë—jemi Dëshmitarë të Jehovait! Në shkallë botërore, asnjë grup tjetër sot nuk lidhet kaq ngushtë me emrin hyjnor. Sidoqoftë, e dimë se privilegji që mbajmë emrin e Perëndisë sjell edhe përgjegjësi.
2. Ç’përgjegjësi sjell privilegji që mbajmë emrin e Perëndisë?
2 Përdorimi i emrit hyjnor nuk sjell automatikisht miratimin e Jehovait. Kërkohet edhe të jetojmë në harmoni me normat e tij morale. Ja pse Bibla na kujton që, si shërbëtorë të Jehovait, duhet ‘të largohemi nga e keqja’. (Psal. 34:14) Apostulli Pavël e shprehu qartë këtë parim me fjalët: «Kush zë në gojë emrin e Jehovait, të heqë dorë nga padrejtësia.» (Lexo 2 Timoteut 2:19.) Si Dëshmitarë të tij, jemi vërtet të njohur që ‘zëmë në gojë’ emrin e Jehovait. Por si heqim dorë nga padrejtësia ose nga gjërat e padrejta?
‘LARGOHU’ NGA E KEQJA
3, 4. Cili shkrim u ka grishur kureshtjen prej kohësh studiuesve të Biblës, dhe pse?
3 Të shohim kontekstin biblik të fjalëve të Pavlit te 2 Timoteut 2:19. Në këtë varg përmendet «themeli i fortë i Perëndisë» dhe dy thëniet e vulosura në të. Thënia e parë «Jehovai i njeh ata që i përkasin», me sa duket është marrë nga Numrat 16:5. (Shih artikullin e kaluar.) Thënia e dytë «kush zë në gojë emrin e Jehovait, të heqë dorë nga padrejtësia», u ka grishur kureshtjen prej kohësh studiuesve të Biblës. Pse?
4 Fjalët e Pavlit lënë të kuptohet se po citonte një burim tjetër. Mirëpo, me sa duket në Shkrimet Hebraike nuk ka asnjë varg që të përkojë me citimin e Pavlit. Atëherë, cilës ngjarje po i referohej apostulli kur tha «kush zë në gojë emrin e Jehovait, të heqë dorë nga padrejtësia»? Tamam para këtyre fjalëve, Pavli citoi nga kapitulli 16 i Numrave ku gjendet tregimi për rebelimin e Korahut. Mos ndoshta edhe thënia e dytë lidhej me këtë rebelim?
5-7. Cilat ngjarje të ditëve të Moisiut përbëjnë kontekstin e fjalëve të Pavlit te 2 Timoteut 2:19? (Shih figurën hapëse.)
5 Bibla thotë se Datani e Abirami, bij të Eliabit, u vunë bashkë me Korahun në krye të rebelimit kundër Moisiut dhe Aaronit. (Num. 16:1-5) Treguan sheshit se nuk e respektonin Moisiun dhe hodhën poshtë autoritetin që i kishte dhënë Perëndia. Ata rebelë vazhduan të jetonin mes popullit të Jehovait, duke vënë në rrezik shëndetin frymor të besnikëve. Kur erdhi dita që të bënte dallimin mes adhuruesve të tij besnikë e rebelëve, Jehovai dha një urdhër të qartë.
6 Në Bibël lexojmë: «Jehovai i tha Moisiut: “Thuaji asamblesë: ‘Largohuni nga tabernakujt e Korahut, Datanit dhe Abiramit.’” Pas kësaj, Moisiu u ngrit dhe shkoi te Datani e Abirami dhe bashkë me të shkuan edhe pleqtë e Izraelit. Kështu, ai i tha asamblesë: ‘Largohuni, ju lutem, nga tendat e këtyre njerëzve të ligj dhe mos prekni asgjë nga gjërat e tyre, që të mos zhdukeni për shkak të mëkatit të tyre.’ Ata u larguan menjëherë nga tabernakujt e Korahut, Datanit dhe Abiramit.» (Num. 16:23-27) Atëherë, Jehovai i vrau të gjithë ata që ishin rebeluar. Kurse adhuruesit besnikë—që u larguan, e kështu hoqën dorë nga padrejtësia—i la gjallë.
7 Jehovai lexon zemrat! Ai e dallon besnikërinë e atyre që i përkasin. Prapëseprapë, besnikët duhej të vepronin me vendosmëri, duke u ndarë nga të padrejtët. Pra, ka të ngjarë që Pavli t’i referohej ngjarjes te Numrat 16:5, 23-27 kur tha: «Kush zë në gojë emrin e Jehovait, të heqë dorë nga padrejtësia.» Ky përfundim do të ishte në harmoni me fjalët e Pavlit «Jehovai i njeh ata që i përkasin».—2 Tim. 2:19.
«HIDH POSHTË DISKUTIMET E MARRA DHE PREJ INJORANTI»
8. Pse nuk mjafton të përdorësh emrin e Jehovait ose të jesh pjesë e kongregacionit?
8 Duke iu referuar ngjarjeve të kohës së Moisiut, Pavli po i kujtonte Timoteut sa e nevojshme ishte të vepronte me vendosmëri, që të mbronte marrëdhënien e vyer me Jehovain. Nuk mjaftonte thjesht të ishe pjesë e kongregacionit, ashtu si nuk mjaftonte në kohën e Moisiut thjesht të zije në gojë emrin e Jehovait. Adhuruesit besnikë duhet të heqin dorë me vendosmëri nga padrejtësia. Ç’do të thoshte kjo në rastin e Timoteut? Dhe ç’mësime mund të nxjerrë sot populli i Jehovait nga këshilla e frymëzuar e Pavlit?
9. Si ndikuan te kongregacioni i hershëm «diskutimet e marra dhe prej injoranti»?
9 Fjala e Perëndisë jep këshilla specifike se nga cilat gjëra të padrejta duhet të heqim dorë, pra t’i hedhim poshtë. Për shembull, në vargjet pranë 2 Timoteut 2:19, vërejmë se Pavli i thotë Timoteut ‘të mos ziheshin për fjalë’ dhe ‘të shmangej nga fjalët boshe’. (Lexo 2 Timoteut 2:14, 16, 23.) Disa pjesëtarë të kongregacionit po nxitnin mësime apostate. Të tjerë duket se futnin ide që bëheshin mollë sherri. Edhe nëse nuk binin ndesh drejtpërdrejt me Shkrimet, ishin përçarëse. Si pasojë, haheshin dhe debatonin për fjalë, e kështu krijohej një atmosferë e rrezikshme nga ana frymore. Prandaj, Pavli theksoi sa e nevojshme ishte ‘të hidheshin poshtë diskutimet e marra dhe prej injoranti’.
10. Si duhet të veprojmë kur përballemi me apostazinë?
10 Sot rrallë ndodh që populli i Jehovait të përballet me apostazinë brenda kongregacionit. Sidoqoftë, kur gjendemi para mësimeve të pabazuara në Shkrime, pavarësisht nga burimi i tyre, duhet t’i hedhim poshtë me vendosmëri. Do të ishte e pamend të futeshim në debate me apostatët, qoftë personalisht, qoftë duke u kthyer përgjigje në një blog të tyre a me çfarëdo forme tjetër komunikimi. Edhe nëse synimi është të ndihmojmë individin, këto biseda do të binin ndesh me drejtimin biblik që sapo shqyrtuam. Në vend të kësaj, si populli i Jehovait e shmangim plotësisht apostazinë, pra e hedhim poshtë.
11. Nga se mund të lindin «diskutimet e marra», dhe si mund të lënë shembull të mirë pleqtë?
11 Përveç apostazisë, ka edhe gjëra të tjera që mund ta prishin paqen e kongregacionit. Për shembull, opinionet e ndryshme për zbavitjen mund të çojnë në ‘diskutime të marra dhe prej injoranti’. Pa dyshim, nëse dikush nxit zbavitje që shkelin normat morale të Jehovait, pleqtë e kongregacionit nuk duhet ta tolerojnë këtë sjellje thjesht për të shmangur debatet. (Psal. 11:5; Efes. 5:3-5) Gjithsesi, pleqtë tregojnë kujdes të mos u bëjnë reklamë pikëpamjeve personale. Ata ndjekin besnikërisht këshillën biblike që u jepet mbikëqyrësve të krishterë: «Kulloteni kopenë e Perëndisë që është nën kujdesin tuaj, jo . . . duke u sjellë si zotër me ata që janë trashëgimia e Perëndisë, por duke u bërë shembuj për kopenë.»—1 Pjet. 5:2, 3; lexo 2 Korintasve 1:24.
12, 13. (a) Cili është qëndrimi i Dëshmitarëve të Jehovait për zgjedhjen e zbavitjes, dhe ç’parime biblike zbatohen? (b) Si zbatohen në çështjet personale parimet e shqyrtuara në paragrafin 12?
12 Kur bëhet fjalë për zbavitjen, organizata nuk analizon çdo film, videolojë, libër a këngë që të nxjerrë rregulla se cilët duhen të shmangim. Pse? Bibla nxit çdokënd të stërvitë «aftësitë perceptuese . . . për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën». (Hebr. 5:14) Shkrimet parashtrojnë parime bazë që një i krishterë mund t’i peshojë kur zgjedh zbavitjen. Në çdo fushë të jetës, duhet të kemi synimin ‘të vazhdojmë të sigurohemi se çfarë është e pranueshme para Zotërisë’. (Efes. 5:10) Bibla mëson se kryefamiljarët kanë njëfarë autoriteti, ndaj mund të vendosin që disa lloj zbavitjesh të mos lejohen në shtëpinë e tyre.a—1 Kor. 11:3; Efes. 6:1-4.
13 Parimet biblike të shqyrtuara më sipër nuk vlejnë vetëm për zbavitjen që zgjedhim. Edhe opinionet për veshjen e mënyrën si mbahemi, për shëndetin e ushqimin dhe për çështje të tjera personale mund të ndezin polemika. Prandaj, nëse nuk shkelet ndonjë parim biblik, shërbëtorët e Jehovait me mençuri i shmangin debatet për këto gjëra, sepse «skllavi i Zotërisë nuk duhet të luftojë, por duhet të jetë i ëmbël [me takt, shën. BR me referime, angl.] me të gjithë».—2 Tim. 2:24.
SHMANG SHOQËRITË E KËQIJA!
14. Ç’ilustrim bëri Pavli për të theksuar se duhet të shmangim shoqëritë e këqija?
14 Në ç’mënyrë tjetër mund ‘të heqin dorë nga padrejtësia ata që zënë në gojë emrin e Jehovait’? Duke mos lidhur shoqëri të ngushtë me njerëzit që praktikojnë padrejtësinë. Është domethënëse që pas ilustrimit për ‘themelin e fortë të Perëndisë’, Pavli bëri një ilustrim tjetër. Ai shkroi për «një shtëpi të madhe» ku «nuk ka vetëm enë ari e argjendi, por edhe druri e balte, dhe disa janë për një qëllim të nderuar, por të tjerat për një qëllim pa nder». (2 Tim. 2:20, 21) Pastaj i nxiti të krishterët ‘të qëndronin të pastër nga’ enët e përdorura për një qëllim «pa nder», pra të rrinin larg tyre.
15, 16. Çfarë mund të mësojmë nga ilustrimi për «një shtëpi të madhe»?
15 Ç’kuptim ka ky ilustrim? Në metaforën e tij, Pavli e krahason kongregacionin me «një shtëpi të madhe» dhe pjesëtarët e tij me «enë» të ndryshme. Në një shtëpi, disa enë mund të ndoten nga lëndë të rrezikshme ose nga pisllëku. I zoti i shtëpisë i mban këto larg enëve të pastra, si ato për gatim.
16 Edhe sot, shërbëtorët e Jehovait që përpiqen të bëjnë një jetë të pastër, duhet të shmangin lidhjen e ngushtë me ata pjesëtarë të kongregacionit që e kanë zakon t’i shpërfillin parimet e Jehovait. (Lexo 1 Korintasve 15:33.) Nëse kjo vlen për disa brenda kongregacionit, aq më tepër duhet ‘t’u largohemi’ e të mos lidhim shoqëri të ngushtë me njerëzit jashtë kongregacionit; shumë prej këtyre janë ‘të dashuruar pas parave, të pabindur ndaj prindërve, të pabesë, shpifës, të egër, pa dashuri për mirësinë, tradhtarë dhe kënaqësidashës në vend se perëndidashës’.—2 Tim. 3:1-5.
JEHOVAI BEKON VENDOSMËRINË TONË
17. Sa të vendosur ishin izraelitët besnikë kur iu kundërvunë padrejtësisë?
17 Bibla tregon me sa vendosmëri vepruan izraelitët kur morën urdhrin ‘të largoheshin nga tabernakujt e Korahut, Datanit dhe Abiramit’. Sipas tregimit biblik, «ata u larguan menjëherë». (Num. 16:24, 27) Nuk ngurruan aspak ose nuk i zvarritën gjërat. Nga shkrimi kuptojmë edhe sa e plotë ishte bindja e tyre. Ata «u larguan . . . nga çdo anë» (BR me referime, angl.). Besnikët as që e çonin ndër mend të rrezikonin. Bindja e tyre nuk ishte e pjesshme ose me gjysmë zemre. Ata qëndruan plotësisht në anën e Jehovait dhe kundër padrejtësisë. Ç’mësime mund të nxjerrim nga ky shembull?
18. Ç’frymë pasqyrojnë fjalët e Pavlit kur e nxiti Timoteun ‘të ikte nga dëshirat karakteristike rinore’?
18 Kur bëhet fjalë për të mbrojtur miqësinë tonë me Jehovain, duhet të veprojmë me shpejtësi e me vendosmëri. Këtë frymë pasqyrojnë fjalët e Pavlit kur e nxiti Timoteun ‘të ikte nga dëshirat karakteristike rinore’. (2 Tim. 2:22) Në atë kohë Timoteu ishte bërë burrë e ndoshta ishte te të 30-at. Sidoqoftë, ‘dëshirat rinore’ të pamenda nuk kufizohen medoemos nga mosha. Kur të përballej me dëshira të tilla, Timoteu duhej ‘të ikte’ prej tyre. Me fjalë të tjera, ai duhej ‘të hiqte dorë nga padrejtësia’. Jezui përcolli një mesazh të ngjashëm kur tha: «Nëse syri po të bëhet pengesë, hiqe dhe flake tej.» (Mat. 18:9) Sot, të krishterët që ia vënë veshin kësaj këshille, veprojnë me vendosmëri përballë rreziqeve frymore, pa ngurruar ose pa i zvarritur gjërat.
19. Si veprojnë me vendosmëri disa sot që të mbrohen nga rreziqet frymore?
19 Disa që kishin probleme me alkoolin para se të bëheshin Dëshmitarë, kanë zgjedhur personalisht të mos vënë fare në gojë pije. Të tjerë shmangin disa lloje zbavitjesh që nuk janë të gabuara në vetvete, por që mund t’i ngacmojnë në ato pika ku janë të dobët. (Psal. 101:3) Për shembull, para se të bëhej Dëshmitar, një burrë shkonte në festa ku kërcehej dhe i pëlqente atmosfera e tyre imorale. Tani që ka pranuar të vërtetën, e shmang plotësisht kërcimin edhe në festat me Dëshmitarë nga meraku se mos i zgjohen dëshira ose mendime të papërshtatshme nga e kaluara. Sigurisht, shërbëtorëve të Jehovait nuk u kërkohet të heqin dorë nga alkooli, kërcimi a gjëra të tjera që nuk janë të gabuara në vetvete. Sidoqoftë, nga të gjithë ne pritet të veprojmë me vendosmëri dhe me shpejtësi që të mbrohemi nga rreziqet frymore.
20. Edhe pse mund të mos jetë e lehtë ‘të heqim dorë nga padrejtësia’, çfarë na e ngroh zemrën e na jep siguri?
20 Privilegji që mbajmë emrin e Perëndisë, sjell edhe përgjegjësi. Duhet ‘të heqim dorë nga padrejtësia’ dhe ‘të largohemi nga e keqja’. (Psal. 34:14) S’diskutohet, kjo nuk është gjithnjë e lehtë. Por sa na ngrohet zemra kur mendojmë se Jehovai do t’i dojë gjithmonë «ata që i përkasin» dhe që ecin besnikërisht në udhët e tij të drejta.—2 Tim. 2:19; lexo 2 Kronikave 16:9a.
a Shih në sitin jw.org/sq artikullin «A ndaloni filma, libra ose këngë të caktuara?» te PËR NE > PYETJE QË BËHEN MË SHPESH.