Të ndiejmë neveri për të ligën
JEHOVAI është një Perëndi i shenjtë. Në kohët e lashta, ai ishte ‘i Shenjti i Izraelit’ dhe si i tillë, kërkonte që Izraeli të ishte i pastër, i panjollë. (Psalmi 89:18) Ai i tha popullit të tij të zgjedhur: «Jini, pra, të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë.» (Levitiku 11:45) Të gjithë ata që dëshironin ‘t’i ngjiteshin malit të Zotit’, duhej të ishin ‘të pafajshëm nga duart dhe të pastër nga zemra’. (Psalmi 24:3, 4) Kjo nënkuptonte më shumë, sesa thjesht shmangien e veprave mëkatare. Nënkuptonte ‘urrejtjen e së keqes’.—Proverbat 8:13.
Me dashuri, Jehovai vendosi ligje të hollësishme, me qëllim që kombi i Izraelit të mund të identifikonte dhe të shmangte keqbërjen. (Romakëve 7:7, 12) Këto ligje përfshinin udhëzime të rrepta mbi moralin. Tradhëtia bashkëshortore, aktet homoseksuale, marrëdhëniet e incestit dhe marrëdhëniet seksuale me kafshët identifikoheshin të gjitha si ndotës frymorë jo të shenjtë. (Levitiku 18:23; 20:10-17) Ata që ishin fajtorë për vepra të tilla degraduese asgjësoheshin nga kombi i Izraelit.
Kur kongregacioni i të krishterëve të mirosur u bë ‘Izraeli i Perëndisë’, u vendosën për ta norma të ngjashme morale. (Galatasve 6:16) Edhe të krishterët duhej të ‘ndienin neveri për të ligën’. (Romakëve 12:9, BR) Fjalët e Jehovait drejtuar Izraelit, zbatoheshin edhe për ta: «Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë.» (1. Pjetrit 1:15, 16) Praktika të tilla jo të shenjta, si kurvëria, tradhëtia bashkëshortore, aktet homoseksuale, marrëdhëniet seksuale me kafshët dhe incesti nuk duhej të korruptonin kongregacionin e krishterë. Ata që refuzonin t’i jepnin fund angazhimit në gjëra të tilla, do të përjashtoheshin nga Mbretëria e Perëndisë. (Romakëve 1:26, 27; 2:22; 1. Korintasve 6:9, 10; Hebrenjve 13:4) Në këto ‘ditë të fundit’, të njëjtat norma zbatohen edhe për ‘delet e tjera’. (2. Timoteut 3:1; Gjoni 10:16) Si rezultat, të krishterët e mirosur dhe delet e tjera përbëjnë një popull të pastër dhe të shëndetshëm, i cili është në gjendje të mbajë emrin e Perëndisë së tyre si Dëshmitarë të Jehovait.—Isaia 43:10.
Ta mbajmë kongregacionin të pastër
Në kontrast, bota mbyll sytë para çdo lloj imoraliteti. Ndonëse të krishterët e vërtetë janë të ndryshëm, ata nuk duhet të harrojnë se shumë nga ata, që tani i shërbejnë Jehovait, njëherë e një kohë kanë qenë në botë. Ka shumë nga ata, të cilët para se të njihnin Perëndinë tonë të shenjtë, nuk shihnin ndonjë arsye përse të mos kënaqnin dëshirat dhe fantazitë e mishit të tyre të rënë, duke u kredhur në një «det poshtërsish». (1. Pjetrit 4:4, DSF) Pasi përshkroi praktikat e neveritshme të njerëzve të degraduar të kombeve, apostulli Pavël tha: «Të tillë ishit disa nga ju.» Megjithatë, ai vazhdoi të thoshte: «Por u latë, por u shenjtëruat, por u shfajësuat, në emër të Zotit Jezu dhe me anë të frymës së Perëndisë tonë.»—1. Korintasve 6:11.
Kjo është vërtet një shpallje ngushëlluese! Çfarëdo që ka bërë një person më parë në jetë, ai ndryshon kur lajmi i mirë i lavdishëm për Krishtin, ndikon në zemrën e tij. Ai ushtron besim dhe ia dedikon veten Perëndisë Jehova. Që këtej e tutje, ai bën një jetë të pastër morale, të larë në sytë e Perëndisë. (Hebrenjve 9:14) Mëkatet e kryera më parë prej tij, janë falur dhe ai mund ‘të priret drejt atyre që ka përpara’.a—Filipianëve 3:13, 14; Romakëve 4:7, 8.
Jehovai e fali Davidin e penduar për vrasjen dhe tradhëtinë bashkëshortore, fali Manaseun e penduar për idhujtarinë imorale dhe gjakderdhjen e madhe. (2. Samuelit 12:9, 13; 2. Kronikave 33:2-6, 10-13) Mund të jemi vërtet mirënjohës, që ai është i përgatitur për të na falur edhe ne, nëse pendohemi dhe i afrohemi atij me sinqeritet dhe përulësi. Megjithatë, pavarësisht se Jehovai e fali Davidin dhe Manaseun, këtyre dy burrave dhe Izraelit bashkë me ta, iu desh të jetonin me pasojat e veprave të tyre mëkatare. (2. Samuelit 12:11, 12; Jeremia 15:3-5) Në mënyrë të ngjashme, ndërsa Jehovai fal mëkatarët e penduar, nga veprimet e tyre mund të rrjedhin pasoja që nuk mund të shmangen.
Pasoja të pashmangshme
Për shembull, një njeri që bën një jetë të shthurur imorale dhe merr SIDA-n, mund të pranojë të vërtetën dhe të bëjë ndryshime në jetën e tij, deri në pikën e dedikimit dhe të pagëzimit. Tani, ai është një i krishterë i pastër frymësisht, që ka një marrëdhënie me Perëndinë dhe një shpresë të mrekullueshme për të ardhmen, por që akoma ka SIDA-n. Nga sëmundja, ai përfundimisht mund të vdesë, gjë që është një pasojë e hidhur, por e pashmangshme e sjelljes së tij të mëparshme. Për disa të krishterë, ndikimet e imoralitetit të madh të mëparshëm, mund të ngulmojnë në mënyra të tjera. Gjatë viteve pas pagëzimit të tyre, ndoshta gjatë viteve të jetës që u ka mbetur në këtë sistem gjërash, atyre u duhet të luftojnë nxitjet brenda mishit të tyre, për t’iu kthyer përsëri jetës së mëparshme imorale. Me ndihmën e frymës së Jehovait, shumë ia dalin mbanë të rezistojnë. Veçse, u duhet të bëjnë një betejë të vazhdueshme.—Galatasve 5:16, 17.
Për aq kohë sa i kontrollojnë nxitjet e tyre, këta persona nuk mëkatojnë. Por, nëse janë burra, me mençuri ata mund të vendosin që të mos ‘synojnë’ për të marrë përgjegjësi në kongregacion, ndërkohë që akoma duhet të luftojnë me impulset e fuqishme mishore. (1. Timoteut 3:1, BR) Përse? Sepse ata e dinë se ç’besim vë kongregacioni mbi pleqtë. (Isaia 32:1, 2; Hebrenjve 13:17) Ata e kuptojnë se pleqtë konsultohen për çështje shumë intime dhe duhet të trajtojnë situata të ndjeshme. Nuk do të ishte as e dashur, as e mençur dhe as e arsyeshme që një njeri, që bën një betejë të vazhdueshme me dëshirat e papastra mishore, të synojë për një pozitë të tillë me përgjegjësi.—Proverbat 14:16; Gjoni 15:12, 13; Romakëve 12:1.
Për një burrë që para se të pagëzohej, ka qenë një ngacmues fëmijësh, mund të ketë një tjetër pasojë. Kur mëson të vërtetën, ai pendohet dhe bën kthesë, duke mos e marrë me vete atë mëkat mizor në kongregacion. Pas kësaj, ai mund të bëjë progres të shkëlqyer, të mposhtë plotësisht impulset e tij të gabuara dhe madje të ketë prirje për ‘të synuar’ një pozitë përgjegjësie në kongregacion. Por ç’mund të thuhet, nëse ai akoma duhet të jetojë me namin e keq si një ish-ngacmues fëmijësh që ka në zonën ku jeton? A do të «ishte i patëmetë, . . . të ketë një dëshmi të mirë prej njerëzve nga jashtë, . . . [të jetë] i lirë nga akuza»? (1. Timoteut 3:1-7, 10, BR; Titit 1:7) Jo, aspak. Kështu, pra, ai nuk do të kualifikohej për privilegje në kongregacion.
Kur një i krishterë i dedikuar mëkaton
Jehovai e kupton se ne jemi të dobët dhe se edhe pas pagëzimit mund të biem në mëkat. Apostulli Gjon u shkroi të krishterëve të ditëve të tij: «Ju shkruaj këto gjëra që të mos mëkatoni; dhe në qoftë se ndokush mëkatoi, kemi një avokat te Ati, Jezu Krishtin, të drejtin. Ai është shlyesi për mëkatet tona; dhe jo vetëm për tonat, por edhe për ata të të gjithë botës.» (1. Gjonit 2:1, 2) Po, në bazë të sakrificës së Jezuit, Jehovai do të falë të krishterët e pagëzuar që bien në mëkat, nëse pendohen vërtet dhe e braktisin rrugën e tyre të gabuar.
Një shembull për këtë, u pa në kongregacionin e shekullit të parë, në Korint. Apostullit Pavël i ra në vesh për një rast kurvërie incesti në atë kongregacion të sapoformuar dhe dha udhëzime që njeriu, që ishte përfshirë në këtë gjë, të përjashtohej. Më vonë, mëkatari u pendua dhe Pavli e këshilloi kongregacionin që ai të rivendosej. (1. Korintasve 5:1, 13; 2. Korintasve 2:5-9) Në këtë mënyrë, me fuqinë shëruese të dashamirësisë së dashur të Jehovait dhe me vlerën e madhe të sakrificës shpërblerëse të Jezuit, ai njeri u pastrua nga mëkati i tij. Gjëra të ngjashme mund të ndodhin edhe sot. Megjithatë, edhe nëse një person i pagëzuar, i cili bën një mëkat serioz, pendohet dhe është i falur në sy të Jehovait, pasojat e mëkatit të tij përsëri mund të vazhdojnë.—Proverbat 10:16, 17; Galatasve 6:7.
Për shembull, nëse një vajzë e dedikuar bën kurvëri, ajo mund të ndiejë shumë keqardhje për aktin e saj dhe përsëri ta përtërijë shëndetin e saj frymor me ndihmën e kongregacionit. Po sikur ajo të mbetet shtatzënë, për shkak të imoralitetit të saj? Në këtë mënyrë, e gjithë jeta e saj është ndryshuar në mënyrë të pashmangshme, nga ajo që bëri. Një burrë që bën tradhëti bashkëshortore, mund të pendohet dhe të mos përjashtohet. Por bashkëshortja e tij e pafajshme ka bazë biblike për t’u divorcuar prej tij dhe mund të zgjedhë për të bërë kështu. (Mateu 19:9) Nëse ajo e bën, burri, megjithëse i falur nga Jehovai, do ta kalojë gjithë jetën me këtë pasojë të rëndë të mëkatit të tij.—1. Gjonit 1:9.
Po nëse një burrë në mënyrë të pamëshirshme divorcon gruan e tij, për t’u martuar me një grua tjetër? Ndoshta, në fund ai do të pendohet dhe do të rivendoset në kongregacion. Me kalimin e viteve, ai mund të bëjë progres dhe ‘të përparojë drejt pjekurisë’. (Hebrenjve 6:1, BR) Por, për aq kohë sa gruaja e tij e parë jeton pa burrë, ai nuk do të kualifikohet për të shërbyer në një pozitë përgjegjësie brenda kongregacionit. Ai nuk është «burrë i një gruaje të vetme», sepse nuk kishte bazë biblike për të ndarë gruan e tij të parë.—1. Timoteut 3:2, 12.
A nuk janë këto arsye të forta, përse një i krishterë duhet të kultivojë neveri për të ligën?
Ç’mund të thuhet për një ngacmues fëmijësh?
Po nëse një i rritur i pagëzuar si i krishterë ngacmon në mënyrë seksuale një fëmijë? A është ai një mëkatar kaq i lig, sa Jehovai nuk do ta falë kurrë? Jo medoemos. Jezui tha se ‘blasfemia kundër frymës së shenjtë’ ishte e pafalshme. Ndërsa Pavli tha se nuk ka sakrificë për mëkatet e atij që edhe pse e di të vërtetën, praktikon mëkatin me vullnet. (Luka 12:10; Hebrenjve 10:26, 27) Por, Bibla nuk thotë asgjëkundi se një i krishterë i rritur, i cili ka abuzuar në mënyrë seksuale tek një fëmijë, si me incest apo në mënyra të tjera, nuk mund të falet. Në fakt, mëkatet e tij mund të pastrohen, nëse ai pendohet sinqerisht nga zemra dhe bën kthesë në sjelljen e tij. Megjithatë, atij mund t’i duhet akoma të luftojë me impulset e gabuara mishore që ka kultivuar. (Efesianëve 1:7) Për më tepër, mund të ketë pasoja, që ai nuk mund t’i shmangë.
Në varësi të ligjit të vendit ku jeton, ngacmuesit mund t’i duhet të kalojë një kohë në burg apo të përballojë masa të tjera ndëshkimore nga shteti. Kongregacioni nuk do ta mbrojë atë nga kjo gjë. Veç kësaj, ky burrë ka zbuluar një dobësi serioze, që më pas duhet të merret parasysh. Nëse duket se është penduar, ai do të inkurajohet që të bëjë përparim frymor, të marrë pjesë në shërbimin në fushë, e madje të zhvillojë pjesë në Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe të prezantojë përvoja dhe demonstrime në Mbledhjen e Shërbimit. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se ai do të kualifikohet, për të shërbyer në një pozitë përgjegjësie brenda kongregacionit. Cilat janë arsyet biblike për këtë?
Njëra nga arsyet, është se një plak duhet të jetë «i vetëkontrolluar». (Titit 1:8, BR) Është e vërtetë se asnjëri prej nesh nuk ushtron vetëkontroll në mënyrë të përsosur. (Romakëve 7:21-25) Por një person i rritur që është i krishterë i dedikuar, i cili bie në mëkatin e abuzimit seksual tek fëmijët, nxjerr në pah një dobësi mishore të panatyrshme. Përvoja ka treguar se ky i rritur fare mirë mund të ngacmojë edhe fëmijë të tjerë. Është fakt se jo të gjithë ngacmuesit e fëmijëve e përsëritin mëkatin, por shumë, ama, e bëjnë. Dhe kongregacioni nuk mund të lexojë zemrat, për të thënë se kush është dhe kush nuk është i prirur për të ngacmuar përsëri fëmijët. (Jeremia 17:9) Kështu, pra, këshilla e Pavlit drejtuar Timoteut zbatohet me një theks të veçantë në rastin e të rriturve të pagëzuar, të cilët kanë ngacmuar fëmijë: «Mos i vër duart askujt dhe mos u bëj pjesëtar në mëkatet e të tjerëve.» (1. Timoteut 5:22) Për mbrojtjen e fëmijëve tanë, një burrë që njihet se ka qenë ngacmues fëmijësh, nuk kualifikohet për një pozitë me përgjegjësi në kongregacion. Për më tepër, ai nuk mund të jetë një pionier apo të jetë në shërbime të tjera speciale në kohë të plotë.—Krahaso parimin në Daljen 21:28, 29.
Disa mund të pyesin: «Por, a nuk ka ndodhur që disa kanë kryer lloje të tjera mëkati dhe në dukje janë penduar, por më pas, e kanë përsëritur mëkatin e tyre?» Po, kjo ka ndodhur, por ka faktorë të tjerë që duhen marrë parasysh. Për shembull, nëse një individ i bën propozime imorale një të rrituri tjetër, ky i rritur duhet të jetë në gjendje t’i rezistojë propozimit të tij apo të saj. Fëmijët mashtrohen, ngatërrohen apo terrorizohen më lehtë. Bibla flet për mungesën e mençurisë nga ana e një fëmije. (Proverbat 22:15; 1. Korintasve 13:11) Jezui i përdori fëmijët si një shembull për pafajësinë e përulur. (Mateu 18:4; Luka 18:16, 17) Pafajësia e një fëmije përfshin mungesën e plotë të përvojës. Shumica e fëmijëve janë të çiltër e mezi presin që të kënaqen, e në këtë mënyrë janë të zbuluar ndaj abuzimit nga një i rritur që thur plane, të cilin e njohin dhe i besojnë. Prandaj, kongregacioni ka përgjegjësi para Jehovait, për të mbrojtur fëmijët e tij.
Fëmijët e stërvitur mirë, mësojnë t’u binden dhe të nderojnë prindërit e tyre, pleqtë dhe të rriturit e tjerë. (Efesianëve 6:1, 2; 1. Timoteut 5:1, 2; Hebrenjve 13:7) Do të ishte një zvetënim tronditës, nëse ndonjëri prej këtyre figurave autoritare të keqpërdorte këtë besim të pafajshëm të fëmijës, për ta mashtruar apo për ta detyruar atë që t’i nënshtrohet akteve seksuale. Ata që kanë pësuar ngacmime seksuale të këtij lloji, shpesh luftojnë për vite të tëra për të mposhtur traumën emocionale, që vjen si rezultat. Prandaj, ky ngacmues fëmijësh mund të presë disiplinë të ashpër në kongregacion dhe kufizime. Nuk duhet marrë parasysh statusi i tij si një figurë autoritare, por, përkundrazi, pastërtia e panjollë e kongregacionit.—1. Korintasve 5:6; 2. Pjetrit 3:14.
Nëse një ngacmues fëmijësh pendohet sinqerisht, ai do të pranojë mençurinë e zbatimit të parimeve biblike. Nëse ai mëson vërtet që të ndiejë neveri për të ligën, ai do ta përçmojë atë që ka bërë dhe do të luftojë për të mos e përsëritur më mëkatin e tij. (Proverbat 8:13; Romakëve 12:9) Përveç kësaj, ai me siguri do të falënderojë Jehovain për madhështinë e dashurisë së Tij, si pasojë e së cilës një mëkatar i penduar, ashtu si ai, mund të adhurojë akoma Perëndinë tonë të shenjtë dhe të shpresojë për të qenë mes ‘të drejtëve’, që do të banojnë përgjithmonë në tokë.—Proverbat 2:21.
[Shënimi]
a Shiko «Pyetje nga lexuesit», në numrin e Kullës së Rojës 1 maj 1996.
[Diçitura në faqen 28]
Ndërsa Jehovai fal mëkatarët e penduar, nga veprimet e tyre mund të rrjedhin pasoja që nuk mund të shmangen