Vazhdoni të rriteni në njohuri
«Shtojini besimit tuaj . . . njohurinë.»—2. PJETRIT 1:5, NW.
1, 2. (a) Çfarë mund të mësosh duke parë qiellin? (Romakëve 1:20) (b) Sa është masa e vërtetë e rritjes së njeriut në njohuri?
ÇFARË mund të mësosh nëse del jashtë në një natë të errët e të kthjellët dhe shikon hënën e ndritshme e yjet e panumërt? Mund të mësosh diçka mbi Atë që e krijoi gjithë këtë.—Psalmet 19:1-6; 69:34.
2 Në qoftë se do të dëshiroje të rritje këtë njohuri, a nuk do të hipje mbi çatinë e shtëpisë tënde dhe të shikoje prej atje? Mbase jo. Një herë, Albert Ajnshtajn përdori një ilustrim të tillë për të nxjerrë në pah se shkencëtarët në të vërtetë nuk e kanë rritur shumë njohurinë e tyre mbi gjithësinë dhe padyshim shumë pak e kanë rritur këtë njohuri mbi Atë që e krijoi atë.a Doktor Levis Tomas shkroi: «Arritja e vetme më e madhe e shkencës në këtë shekull mjaft pjellor për nga pikëpamja shkencore është zbulimi se jemi thellësisht injorantë; njohim shumë pak mbi natyrën dhe kuptojmë akoma më pak.»
3. Në çfarë kuptimi rritja e njohurisë çon në rritjen e dhimbjes?
3 Madje edhe në qoftë se do të harxhoje të gjitha vitet e mbetura të periudhës së një jete normale në kërkim të një njohurie të tillë, mund të bëheshe më i vetëdijshëm mbi faktin se sa e shkurtër është jeta dhe mund të kuptoje më qartë se përdorimi i njohurisë njerëzore është i kufizuar nga papërsosmëria dhe nga «shtrembëria» e kësaj bote. Solomoni e shpjegoi këtë pikë duke thënë: «Në bollëkun e njohurisë ka një bollëk mërzie, pra, ai që rrit njohurinë rrit dhimbjen.» (Eklisiastiu 1:15, 18) Po, të fitosh dije e njohuri pa marrë parasysh qëllimet e Perëndisë, zakonisht përmban dhimbje e mërzi.—Eklisiastiu 1:13, 14; 12:12; 1. Timoteut 6:20.
4. Çfarë njohurie duhet të dëshirojmë të fitojmë?
4 A na këshillon Bibla që të mos kujdesemi për rritjen e njohurisë sonë? Apostulli Pjetër shkroi: «Jo, por vazhdoni të rriteni në dashamirësinë e pamerituar dhe në njohurinë për Zotërinë dhe Shpëtimtarin tonë Jezu Krisht. Atij i përket lavdia tani dhe në ditët e përjetësisë.» (2. Pjetrit 3:18, NW) Mund dhe duhet të pranojmë këtë këshillë që na drejtohet ne, duke na nxitur të rritemi në njohuri. Por ç’lloj njohurie? Si mund ta rritim atë? A po veprojmë me të vërtetë kështu?
5, 6. Si e theksoi Pjetri nevojën për të fituar njohuri?
5 Rritja në njohurinë e saktë për Krijuesin e gjithësisë dhe për Jezuin ishte ideja themelore në letrën e dytë të Pjetrit. Në hapje të saj ai shkroi: «Dashamirësia e pamerituar dhe paqja le të rriten ndër ju nga njohuria e saktë për Perëndinë dhe Jezuin, Zotërinë tonë, pasi fuqia e tij hyjnore na ka dhënë falas çdo gjë që lidhet me jetën dhe devotshmërinë hyjnore, përmes njohurisë së saktë për atë që na thirri përmes lavdisë dhe virtytit.» (2. Pjetrit 1:2, 3, NW) Kështu, ai lidh pasjen e dashamirësisë së pamerituar me fitimin e njohurisë për Perëndinë dhe Birin e tij. Kjo është e arsyeshme, sepse Krijuesi, Jehovai, është burimi qendror i njohurisë së vërtetë. Kushdo që i frikësohet Jehovait është i aftë t’i shikojë gjërat në mënyrë të drejtë dhe të ndërmarrë përfundime të vlefshme.—Proverbat 1:7.
6 Prandaj, Pjetri nxiti: «Shtojini besimit tuaj virtytin, virtytit njohurinë, njohurisë vetëkontrollin, vetëkontrollit durimin, durimit devotshmërinë hyjnore, devotshmërisë hyjnore dashurinë vëllazërore, dashurisë vëllazërore dashurinë. Nëse këto gjëra do të ekzistojnë dhe do të jenë me bollëk në ju, ato do t’ju parandalojnë të jeni joveprues apo të pafrytshëm në lidhje me njohurinë e saktë për Zotërinë tonë Jezu Krisht.» (2. Pjetrit 1:5-8, NW)b Në kapitullin tjetër lexojmë se përfitimi i njohurisë e ndihmon popullin e Jehovait t’u shpëtojë fëlliqësive të botës. (2. Pjetrit 2:20) Kështu, Pjetri e bëri të qartë se ata që bëhen të krishterë kanë nevojë për njohuri po aq sa ata që tashmë janë duke i shërbyer Jehovait. A bën pjesë dhe ti në njërën nga këto kategori?
Mëso, përsërit, vër në përdorim
7. Në çfarë mënyre shumë persona kanë fituar njohuri të saktë mbi të vërtetat themelore biblike?
7 Ndoshta e studion Biblën me Dëshmitarët e Jehovait sepse në mesazhin e tyre njihni tingëllimën e së vërtetës. Një herë në javë, për gati një orë, ti shqyrton një temë biblike duke përdorur një ndihmë si libri Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsën mbi tokë. Shkëlqyeshëm! Shumë prej atyre që kanë një studim me Dëshmitarët e Jehovait kanë përfituar njohuri të saktë. Por ç’mund të bësh për të rritur vlerën e informacioneve që ti personalisht po mëson? Ja disa këshilla.c
8. Gjatë përgatitjes për një studim, çfarë mund të bëjë një student për të përvetësuar sa më shumë?
8 Para së gjithash, kur përgatitesh për studimin tënd hidhi një sy materialit që do të trajtosh. Kjo do të thotë të shikosh titujt e kapitujve, nëntitujt dhe çdo pikturë që është përdorur për të ilustruar materialin. Më pas, kur lexon një paragraf apo më shumë, mundohu të gjesh mendimet kyçe dhe shkrimet që i mbështesin duke i nënvizuar dhe duke i theksuar ato. Për të parë nëse i ke mësuar të vërtetat e studiuara, përpiqu t’u japësh përgjigje pyetjeve të paragrafëve të ndryshëm. Duke vepruar kështu, përpiqu të formulosh me fjalët e tua përgjigjet. Në fund, përmblidh studimin, duke u përpjekur të kujtosh pikat kryesore dhe argumentet që e mbështesin.
9. Si do ta ndihmojë një person për të mësuar zbatimi i këshillave mbi studimin?
9 Nëse ndjek këto këshilla mund të shpresosh në rritjen e njohurisë tënde. Përse? Një arsye është se do të jesh më afër materialit me një dëshirë të madhe për të mësuar, duke përgatitur kështu terrenin. Duke i hedhur një shikim të shpejtë, duke parë për pikat kryesore dhe duke ndjekur linjat e arsyetimit, do të kuptosh se çfarë lidhje ekziston ndërmjet hollësive dhe temës apo përfundimit. Një rishikim përfundimtar do të të ndihmonte të kujtoje çfarë ke mësuar. Çfarë mund të bësh më vonë gjatë studimit të Biblës?
10. (a) Përse përsëritja në mënyrë të thjeshtë e fakteve apo informacioneve të reja është me vlerë të kufizuar? (b) Çfarë përfshihet në «kujtesën me intervale gjithnjë e më të gjata»? (c) Në ç’mënyrë bijtë izraelitë përfitonin nga përsëritja?
10 Ekspertë në fushën e edukimit njohin vlerën e përsëritjes në kohën e duhur dhe të qëllimshme. Kjo nuk është një përsëritje e thjeshtë e fjalëve si papagall, siç bëje ndoshta në shkollë duke mësuar përmendësh emra, fakte apo mendime. A nuk është e vërtetë që pas një kohe të shkurtër harrohej gjithçka që kishe përsëritur, e cila me shpejtësi ishte zhdukur nga mendja? Përse? Duke mësuar përmendësh një fjalë apo një fakt mund të jetë e mërzitshme dhe rezultatet janë jetëshkurtra. Ç’duhet bërë që kjo të mos ndodhë? Dëshira e vërtetë për të mësuar do të të ndihmojë. Një faktor tjetër është përsëritja me qëllim. Disa minuta pasi të kesh mësuar një pikë, para se ajo të zhduket nga mendja përpiqu të kujtosh me vete atë që ke mësuar. Kjo është quajtur «kujtesa në intervale gjithnjë e më të gjata». Duke rifreskuar mendjen para se informacioni të zhduket, do t’i gëzohesh gjatësisë së mbajtjes së këtyre informacioneve. Në Izrael, baballarët duhej të ngulitnin urdhërat e Perëndisë tek bijtë e tyre. (Ligji i përtërirë 6:6, 7) «Ngulit» do të thotë të mësosh duke përsëritur. Në mënyrë të ngjashme, shumë prej këtyre baballarëve në fillim i njihnin bijtë e tyre me ligjin; më vonë përsëritnin informacionin dhe atëherë u bënin pyetje mbi atë që kishin mësuar.
11. Çfarë mund të zhvillohet gjatë studimit të Biblës për të rritur njohurinë?
11 Në qoftë se një Dëshmitar është duke udhëhequr një studim biblik me ty, ai apo ajo do të të ndihmojë të mësosh duke bërë përmbledhje progresive në intervalet gjatë zhvillimit të studimit. Nuk është një metodë për fëmijë. Është një metodë që përmirëson të mësuarit, kështu merrni pjesë lumturisht në rishikimin e këtyre pyetjeve periodike. Pastaj, në fund të studimit, merr pjesë në përmbledhjen përfundimtare, duke u përgjigjur sipas asaj që mban mend. Mund të shpjegosh pikat me fjalët e tua ashtu siç mund të bësh kur mëson dikë. (1. Pjetrit 3:15) Kjo do të të ndihmojë të mbash në mend për një kohë të gjatë atë që ke mësuar.—Krahaso Psalmi 119:1, 2, 125; 2. Pjetrit 3:1.
12. Çfarë mund të bëjë vetë studenti për të përmirësuar kujtesën e tij?
12 Një hap tjetër që mund të të ndihmojë, është që në një apo dy ditë t’i tregosh dikujt tjetër çfarë ke mësuar, ndoshta një shoku të shkollës, një kolegu të punës apo dikujt tjetër. Mund të përmendësh temën dhe më pas të shtosh se dëshiron të shohësh nëse mban mend fillin kyç të arsyetimit apo shkrimet e marra nga Bibla. Kjo mund të zgjojë interesin e personit tjetër. Edhe nëse një gjë e tillë nuk ndodh, përsëritja e informacioneve të reja pas një kohe prej një apo dy ditësh do ta vendosë atë në mendjen tënde. Atëherë i ke mësuar me të vërtetë, duke bërë çfarë nxit 2. Pjetrit 3:18.
Përvetësim aktiv
13, 14. Përse duhet të kemi dëshirë që të shkojmë përtej të fituarit dhe të kujtuarit të thjeshtë të informacioneve?
13 Përvetësimi është më shumë se asimilimi i thjeshtë i fakteve apo të qenët i aftë për të kujtuar informacionin. Njerëzit fetarë në ditët e Jezuit e bënin këtë me lutjet e tyre të përsëritura. (Mateu 6:5-7) Por, si ndikonin këto informacione mbi ta? A po prodhonin vallë fryte të drejta? Vështirë. (Mateu 7:15-17; Luka 3:7, 8) Pjesë e problemit ishte se njohuria nuk depërtonte në zemrat e tyre për të ndikuar mbi ta për mirë.
14 Sipas Pjetrit, të krishterët e atëhershëm dhe të sotëm duhet të veprojnë ndryshe. Ai na nxit t’i shtojmë besimit tonë njohurinë që na ndihmon të shmangim të qenët joaktivë dhe të pafrytshëm. (2. Pjetrit 1:5, 8) Që të ndodhë kjo në rastin tonë, duhet të kemi dëshirën e sinqertë që të rritemi në këtë njohuri dhe që ajo të ndikojë thellësisht mbi ne, duke na prekur në brendësi të vetes sonë. Kjo nuk ndodh gjithmonë.
15. Çfarë problemi doli në pah me disa të krishterë hebrenj?
15 Në ditët e Pavlit, të krishterët hebrenj kishin një problem në lidhje me këtë. Duke qenë hebrenj, ata kishin një farë njohurie mbi Shkrimet. Ata dinin mbi Jehovain dhe mbi kërkesat e tij. Më vonë shtuan njohurinë në lidhje me Mesinë, ushtruan besim dhe u pagëzuan si të krishterë. (Veprat 2:22, 37-41; 8:26-36) Me kalimin e muajve dhe të viteve merrnin pjesë në mbledhjet e krishtere, ku mund të lexonin dhe të komentonin shkrimet. Megjithatë, disa nuk ishin rritur në njohuri. Pavli shkroi: «E pra, për kah koha, duhej që të ishit tashmë mësues, kurse kështu keni nevojë t’ju mësojë dikush elementet e para të fjalëve të Hyut. Keni arritur deri në atë gjendje të keni nevojë për qumësht dhe jo për ushqime të forta.» (Hebrenjve 5:12) Si ishte e mundur? A mund të na ndodhë gjithashtu edhe neve?
16. Çfarë është ngrica shekullore dhe si ndikon ajo mbi bimët?
16 Për ta ilustruar, le të shqyrtojmë shembullin e një ngrice shekullore, tokën me ngricë të përhershme në Arktik dhe në rajone të tjera ku temperatura mesatare është nën zero. Terreni, shkëmbinjtë dhe ujërat e ngrira formojnë një masë të ngurtë që shpesh herë arrin në një thellësi prej 900 metrash. Në verë, shkrirja mund të ndodhë në sipërfaqe të terrenit (e quajtur shtresa aktive). Megjithatë, kjo shtresë e hollë e terrenit të shkrirë zakonisht është e mbuluar nga balta, për shkak se lagështira nuk mund të kullojë në pjesët e brendshme të ngricës. Bimët që rriten në këtë shtresë sipërfaqësore të hollë shpesh janë të vogla apo të pazhvilluara; rrënjët e tyre nuk mund të depërtojnë në shtresën e ngrirë. Ndoshta mund të pyesësh veten: «Por ç’ka të bëjë ngrica shekullore me rritjen e njohurisë mbi të vërtetën biblike?»
17, 18. Si mund të përdoret ngrica shekullore dhe shtresa e saj aktive për të ilustruar atë që ndodhi me disa të krishterë hebrenj?
17 Ngrica shekullore, ilustron mirë situatën e dikujt, fuqitë mendore të të cilit nuk përfshihen aktivisht me asimilimin, të kujtuarit dhe përdorimin e njohurisë së saktë. (Krahaso Mateu 13:5, 20, 21.) Ndoshta kapaciteti mendor i dikujt ka mundësi të përvetësojë gjëra të ndryshme, duke përfshirë të vërtetat biblike. Ai studion «gjërat elementare të shpalljeve të Perëndisë» dhe mund të jetë i aftë të pagëzohet si ata të krishterë hebrenj. Ndoshta ai nuk «përparon drejt pjekurisë» për gjërat si «doktrina themelore mbi Krishtin».—Hebrenjve 5:12; 6:1.
18 Përfytyro disa prej atyre të krishterëve në mbledhjet e kohës së tyre. Ata ishin pjesëmarrës dhe zgjuar, por a ishin mendjet e tyre të përfshira në përvetësim? A po rriteshin aktivisht dhe me zell në njohuri? Mbase jo. Për ata që nuk ishin të pjekur, pjesëmarrja në mbledhje zinte vend vetëm sa një shtresë e hollë aktive, ndërsa poshtë ishte një ngricë e thellë. Rrënjët e së vërtetës më të fortë apo më të ndërlikuar nuk mund të depërtojnë në këtë rajon të ngricës mendore.—Krahaso Isaia 40:24.
19. Në ç’mënyrë edhe një i krishterë prej shumë kohësh mund të bëhet si të krishterët hebrenj?
19 Mund të ndodhë e njëjta gjë sot me një të krishterë. Edhe pse merr pjesë në mbledhjet e krishtere, mund të mos përfitojë prej këtyre rasteve për t’u rritur në njohuri. Por ç’mund të themi për pjesëmarrjen aktive në to? Për një person të ri në mbledhje apo për një të ri, leximi me dëshirë i një vargu nga shkrimet apo dhënia e një komenti me fjalët e paragrafit mund të kërkojë përpjekje të konsiderueshme, duke pasqyruar ushtrimin e shkëlqyeshëm dhe të lavdërueshëm të aftësive të tij. Por, Pavli tregoi se duke marrë parasysh kohën që ata kanë qenë të krishterë, duhej të kishin përparuar më shumë sesa në fazën fillestare të pjesëmarrjes së tyre nëse dëshironin të vazhdonin të rriteshin në njohuri.—Hebrenjve 5:14.
20. Çfarë vetëshqyrtimi duhet të bëjë çdonjëri prej nesh?
20 Në qoftë se dikush që është i krishterë prej shumë kohësh nuk shkon më larg se leximi i thjeshtë i një vargu biblik apo dhënia e një komenti elementar marrë direkt nga paragrafi, është e mundur që pjesëmarrja e tij të vijë vetëm në sipërfaqe të «shtresës aktive» të mendjes së tij. Mbledhje pas mbledhjeje, thellësia e fuqisë së tij mendore mund të mbetet në një gjendje të ngrirë, për të vazhduar kështu ilustrimin tonë mbi ngricën shekullore. Mund të pyesim veten: «A ndodhem unë në një situatë të tillë? A kam lejuar që në mendjen time të krijohet një gjendje e tillë ngrice mendore? Sa i gatshëm dhe i interesuar mendërisht jam për të mësuar?» Edhe nëse nuk ndihemi rehat për përgjigjet tona të ndershme, mund të fillojmë që tani të ndërmarrim hapa për t’u rritur në njohuri.
21. Çfarë hapash tashmë të trajtuar më lart mund të ndërmarrësh në përgatitjen për mbledhje apo gjatë mbledhjes?
21 Mund të aplikojmë personalisht këshillat e paragrafit 8. Pa marrë parasysh se sa kohë kemi që shoqërohemi me kongregacionin, duhet të jemi të vendosur të përparojmë në pjekuri dhe të rrisim njohurinë. Për disa kjo do të thotë të përgatiten më mirë dhe me zell për mbledhjet, ndoshta të rifitojnë shprehitë që ndiqnin vite më parë, por që me kohë u bënë të pavlefshme. Kur përgatitesh, përpiqu të përcaktosh pikat kyçe dhe të kuptosh shkrimet e panjohura që janë përdorur për të nxjerrë në pah fillin e arsyetimit. Shiko për çdo këndvështrim apo aspekt të ri në materialin e studimit. Në mënyrë të ngjashme, gjatë mbledhjes përpiqu të aplikosh brenda vetes tënde këshillat e përmendura në paragrafët 10 dhe 11. Përpiqu të jesh syhapur mendërisht, duke e mbajtur të lartë temperaturën e mendjes tënde. Kjo do të luftojë çdo tendencë për formimin e një «ngrice shekullore»; kjo përpjekje e vetëdijshme gjithashtu do të shkrijë çdo gjendje «të ngrirë» që mund të krijohet që më parë.—Proverbat 8:12, 32-34.
Njohuria, një ndihmë për të qenë të frytshëm
22. Si do të përfitojmë nëse punojmë për të rritur njohurinë tonë?
22 Si mund të përfitojmë personalisht nëse punojmë në çështjen e rritjes në mëshirën e pamerituar dhe në njohurinë për Zotërinë dhe Shpëtimtarin tonë Jezu Krisht? Duke bërë përpjekje të vetëdijshme për të mbajtur fuqitë tona mendore në gatishmëri për të përfituar njohuri, farat e të vërtetave të reja dhe më të ndërlikuara biblike do të çojnë thellë rrënjët e tyre dhe kuptueshmëria jonë do të rritet dhe do të bëhet e qëndrueshme. Do të jetë e ngjashme me atë që tha Jezui për zemrat në një ilustrim tjetër. (Luka 8:5-12) Farat që bien në tokë të shkëlqyeshme lëshojnë rrënjë të forta për të mbështetur bimët që prodhojnë dhe sjellin frut.—Mateu 13:8, 23.
23. Çfarë rezultatesh mund të kemi nëse marrim me gjithë zemër fjalët e 2. Pjetrit 3:18? (Kolosianëve 1:9-12)
23 Ilustrimi i Jezuit dallonte në një farë mënyre, por rezultatet e mira ishin të ngjashme me ato që premtoi Pjetri: «Duke kryer si përgjigje çdo përpjekje të kujdesshme, shtojini besimit tuaj virtytin, virtytit njohurinë . . . Përderisa këto gjëra të ekzistojnë dhe të jenë me bollëk në ju, do t’ju parandalojnë të jeni joveprues apo të pafrytshëm në lidhje me njohurinë e saktë për Zotërinë tonë Jezu Krisht.» (2. Pjetrit 1:5-8) Po, rritja në njohuri do të na ndihmojë të jemi të frytshëm. Do të kuptojmë se sa më shumë të përfitosh njohuri, aq më e këndshme do të jetë. (Proverbat 2:2-5) Gjërat e mësuara do të të kujtohen më shpejt dhe do të të nevojiten për të mësuar të tjerë që të bëhen dishepuj. Kështu, edhe në këtë mënyrë, do të jesh më i frytshëm dhe do t’i sjellësh lavdi Perëndisë dhe Birit të tij. Pjetri e përfundoi letrën e tij me fjalët: «Vazhdoni të rriteni në dashamirësinë e pamerituar dhe në njohurinë për Zotërinë dhe Shpëtimtarin tonë Jezu Krisht. Atij i përket lavdia tani dhe në ditët e përjetësisë.»—2. Pjetrit 3:18.
[Shënimet]
a «[Kjo] është e ngjashme me atë që një njeri, duke dashur të mësojë më shumë mbi hënën, ngjitet mbi çatinë e shtëpisë së tij për të shikuar nga afër këtë trup ndriçues.
b Besimi dhe virtyti, dy cilësitë e para në këtë fragment janë trajtuar në botimin tonë të 1 dhjetorit 1993.
c Këto këshilla mund të ndihmojnë gjithashtu edhe ata që janë të krishterë nga shumë kohë të përfitojnë nga studimi i tyre personal dhe nga përgatitja për mbledhje.
Pyetjet për përsëritje
◻ Përse duhet të interesohesh për të rritur njohurinë tënde?
◻ Si mund të përfitojë një student sa më shumë nga studimi i tij?
◻ Çfarë rreziku duhet të shmangësh, siç ilustrohet nga shembulli i ngricës shekullore?
◻ Përse duhet të jesh i vendosur për të përmirësuar aftësitë e tua në rritjen e njohurisë?