Të rinj: Jehovai nuk do ta harrojë veprën tuaj!
«Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij, duke qenë se u keni shërbyer të shenjtëve dhe vazhdoni të shërbeni.»—HEBRENJVE 6:10.
1. Si e tregojnë librat e Hebrenjve dhe të Malakisë se Jehovai e çmon shërbimin tënd?
A KE kryer ndonjëherë një vepër mirëdashëse për një mik dhe pastaj nuk të ka falënderuar? Mund të lëndohesh thellë kur një veprim bujar merret si diçka e zakonshme ose, edhe më keq, harrohet fare. Megjithatë, sa ndryshe është kur i bëjmë Jehovait shërbim me gjithë zemër! Bibla thotë: «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij, duke qenë se u keni shërbyer të shenjtëve dhe vazhdoni të shërbeni.» (Hebrenjve 6:10) Mendo se çfarë do të thotë kjo! Jehovai në të vërtetë do ta quante një padrejtësi nga ana e tij—një mëkat—në qoftë se do të harronte atë që ke bërë dhe që vazhdon të bësh në shërbimin e tij. Sa Perëndi mirënjohës!—Malakia 3:10.
2. Çfarë e bën vërtet të jashtëzakonshëm shërbimin ndaj Jehovait?
2 Ke një mundësi të jashtëzakonshme për ta adhuruar dhe për t’i shërbyer këtij Perëndie mirënjohës. Meqenëse ka vetëm rreth gjashtë milionë bashkëbesimtarë në krahasim me gati gjashtë miliardë njerëz në mbarë botën, privilegji yt është vërtet i rrallë. Për më tepër, fakti që po dëgjon dhe po i përgjigjesh mesazhit të lajmit të mirë është një dëshmi se Jehovai interesohet personalisht për ty. Në fund të fundit Jezui tha: «Askush nuk mund të vijë tek unë, nëse Ati që më dërgoi nuk e tërheq.» (Gjoni 6:44) Po, Jehovai i ndihmon njerëzit individualisht që të nxjerrin dobi nga flijimi i Krishtit.
Ta çmosh privilegjin tënd të madh
3. Si e shprehën bijtë e Koreut çmueshmërinë për privilegjin që t’i shërbenin Jehovait?
3 Siç u trajtua në artikullin e mëparshëm, je në një pozitë të pashoqe për t’ia gëzuar zemrën Jehovait. (Fjalët e urta [Proverbat] 27:11) Kjo është diçka që kurrë nuk duhet ta nënvlerësosh. Në një nga psalmet e tyre të frymëzuara, bijtë e Koreut shprehën çmueshmërinë për privilegjin që t’i shërbenin Jehovait. Aty lexojmë: «Një ditë në oborret e tua vlen më tepër se një mijë gjetiu; mua më pëlqen më tepër të qëndroj në pragun e shtëpisë së Perëndisë tim, se sa të banoj në çadrat e të pabesëve.»—Psalmi 84:10.
4. (a) Çfarë mund t’i bëjë disa që ta shohin adhurimin e Jehovait si kufizues? (b) Në ç’mënyrë Jehovai tregohet i gatshëm për të vërejtur dhe për të shpërblyer shërbëtorët e tij?
4 A ndien të njëjtën gjë për privilegjin që t’i shërbesh Atit tënd qiellor? Pa dyshim ndonjëherë mund të duket se adhurimi i Jehovait ta kufizon lirinë. Është e vërtetë se të jetosh sipas parimeve biblike kërkon një masë vetëmohimi. Gjithsesi, në fund të fundit, çfarëdo që të kërkojë Jehovai nga ty, është për dobinë tënde. (Psalmi 1:1-3) Përveç kësaj, Jehovai i sheh përpjekjet e tua dhe shfaq çmueshmëri për besnikërinë tënde. Vërtet, Pavli shkroi se Jehovai «bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm». (Hebrenjve 11:6) Jehovai po kërkon mundësi për ta bërë këtë. Një profet i drejtë në Izraelin e lashtë tha: «Sa për Jehovain, sytë e tij enden nëpër gjithë tokën, për të treguar forcën e tij në dobi të atyre që e kanë zemrën të plotë për të.»—2 Kronikave 16:9, BR.
5. (a) Cila është një nga mënyrat më të shkëlqyera me anë të së cilës mund të tregosh se zemra jote është e plotë për Jehovain? (b) Pse mund të të duket e vështirë t’u flasësh të tjerëve për besimin tënd?
5 Një prej mënyrave më të shkëlqyera që mund të tregosh se zemra jote është e plotë për Jehovain, është t’u flasësh të tjerëve për të. A ke pasur ndonjëherë mundësi për t’u folur për besimin tënd disa prej shokëve të shkollës? Të bësh këtë gjë në fillim mund të të trembë dhe vetëm një mendim i tillë mund të shkaktojë pak frikë. ‘Po sikur të tallen me mua?’—mund të pyesësh.—Po sikur të mendojnë se feja ime është e çuditshme?’ Jezui e pranoi se jo kushdo do ta dëgjonte mesazhin e Mbretërisë. (Gjoni 15:20) Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se je i dënuar për të bërë një jetë me tallje dhe me mospranime. Përkundrazi, shumë të rinj Dëshmitarë kanë gjetur dikë të gatshëm për t’i dëgjuar dhe madje kanë fituar më shumë respekt nga bashkëmoshatarët duke iu përmbajtur bindjeve të tyre.
«Jehovai do të të ndihmojë»
6, 7. (a) Si arriti një vajzë 17-vjeçare t’u jepte dëshmi shoqeve të klasës? (b) Çfarë ke mësuar nga përvoja e Xheniferit?
6 Por, si mund të marrësh guxim për të folur rreth besimit tënd? Pse të mos vendosësh që të përgjigjesh me ndershmëri dhe çiltërsi kur njerëzit të të pyesin rreth fesë sate? Shqyrto përvojën e 17-vjeçares Xhenifer. Ajo thotë: «Po haja drekën në shkollë. Rastisi që vajzat në tryezën time po diskutonin për fenë dhe njëra prej tyre më pyeti se kujt feje i përkitja.» A ishte nervoze Xheniferi se si do të përgjigjej? «Po,—pranon ajo,—sepse nuk e dija se ç’reagim më priste.» Pra, çfarë bëri Xheniferi? «U thashë vajzave se isha një Dëshmitare e Jehovait,—vazhdon ajo.—Në fillim u habitën. Me sa duket mendonin se Dëshmitarët e Jehovait ishin njerëz të çuditshëm. Kjo i shtyu që të më bënin pyetje dhe isha në gjendje t’u sqaroja disa ide të gabuara që kishin. Madje edhe pas asaj dite, disa prej vajzave më afroheshin herë pas here për të më bërë ndonjë pyetje.»
7 A ndjeu keqardhje Xheniferi ngaqë shfrytëzoi rastin për të folur rreth besimit të saj? Aspak. «U ndjeva shumë mirë për këtë pasi kishim mbaruar drekën,—thotë.—Tani ato vajza e dinë më mirë se kush janë në të vërtetë Dëshmitarët e Jehovait.» Këshilla e Xheniferit është e thjeshtë: «Nëse e ke të vështirë t’u dëshmosh shokëve të klasës ose mësuesve, bëj një lutje të shpejtë. Jehovai do të të ndihmojë. Do të ndihesh i lumtur që e shfrytëzove mirë rastin për të dhënë dëshmi.»—1 Pjetrit 3:15.
8. (a) Si e ndihmoi lutja Neheminë kur u gjend përballë një rrethane të papritur? (b) Cilat janë disa rrethana në shkollë kur mund të kesh nevojë t’i bësh një lutje të shkurtër, e në heshtje Jehovait?
8 Vëre se Xheniferi këshillon që ‘t’i bësh një lutje të shpejtë’ Jehovait kur të jepet rasti për të dhënë dëshmi rreth besimit tënd. Kjo është pikërisht ajo që bëri Nehemia, kupëmbajtësi i mbretit pers Artakserks, kur u gjend përballë një rrethane të papritur. Nehemia dukej qartë se ishte i shqetësuar, sepse ishte vënë në dijeni për gjendjen e vështirë të judenjve dhe kishte marrë vesh se muri dhe portat e Jerusalemit ishin të rrënuara. Mbreti vuri re se Nehemia dukej se ishte në ankth, prandaj e pyeti se çfarë problemi kishte. Para se të përgjigjej, Nehemia u lut për drejtim. Pastaj me guxim kërkoi leje që të kthehej në Jerusalem dhe të rindërtonte qytetin e rrënuar. Artakserksi ia plotësoi kërkesën Nehemisë. (Nehemia 2:1-8) Çfarë mësimi nxjerr? Nëse ndihesh nervoz kur të shfaqet një rast për të dhënë dëshmi rreth besimit tënd, mos e lër pas dore mundësinë që të bësh një lutje në heshtje. Pjetri shkroi: «Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi [Jehovain], sepse ai interesohet për ju.»—1 Pjetrit 5:7; Psalmi 55:22.
‘Gati për të paraqitur një mbrojtje’
9. Si arriti Lea 13-vjeçare të shpërndante 23 kopje të librit Të rinjtë pyesin?
9 Shqyrto një përvojë tjetër. Lea, një 13-vjeçare, po lexonte librin Të rinjtë pyesin: Përgjigje praktikea gjatë pushimit të drekës në shkollë. «Të tjerët po më vështronin,—thotë ajo,—dhe shpejt një turmë po qëndronte pas meje e po shihte. Ata filluan të pyetnin se për çfarë fliste libri.» Nga fundi i ditës së shkollës, katër vajza i kishin kërkuar Leas nga një kopje të librit Të rinjtë pyesin. Shumë shpejt këto vajza u flitnin për librin të tjerëve dhe pastaj edhe ata donin nga një kopje. Gjatë pak javëve vijuese Lea u shpërndau shoqeve të shkollës dhe miqve të tyre 23 kopje të librit Të rinjtë pyesin. A ishte e lehtë për Lean t’u fliste të tjerëve kur në fillim e pyetën për librin që po lexonte? Aspak. «Në fillim isha nervoze,—pranon ajo,—megjithatë u luta dhe e dija se Jehovai ishte me mua.»
10, 11. Si arriti një vajzë e vogël izraelite të ndihmonte një kre të ushtrisë siriane që të mësonte për Jehovain dhe çfarë ndryshimesh bëri ai më pas?
10 Përvoja e Leas mund të të sjellë ndër mend një rrethanë të ngjashme që hasi një vajzë e vogël izraelite që ishte robinjë në Siri. Naamani, një kre i ushtrisë siriane, ishte me lebër. Ndoshta gruaja e tij mund të ketë nisur bisedën që e nxiti këtë vajzë të vogël të fliste për besimin e saj. Ajo tha: «Po të mundte të shkonte zoti im te profeti që është në Samari, me siguri ky do ta shëronte nga lebra.»—2 Mbretërve 5:1-3.
11 Falë guximit të kësaj vajze, Naamani arriti të merrte vesh që «nuk ka asnjë Perëndi në gjithë dheun, përveç se në Izrael». Madje vendosi se ‘nuk do t’u ofronte më olokauste, as flijime perëndive të tjera, por vetëm Zotit [Jehovait, BR]’. (2 Mbretërve 5:15, 17) Patjetër që Jehovai e bekoi atë vajzë të vogël për guximin e saj. Ai mund dhe do të bëjë sot të njëjtën gjë për të rinjtë. Lea zbuloi se kjo është e vërtetë. Me kalimin e kohës disa shoqe të shkollës iu afruan dhe i thanë se libri Të rinjtë pyesin po i ndihmonte në sjelljen e tyre. «Isha e lumtur,—thotë Lea,—sepse e dija se po i ndihmoja të tjerët që të mësonin më shumë për Jehovain dhe të ndryshonin jetën.»
12. Si mund të marrësh forcë për të paraqitur një mbrojtje të besimit tënd?
12 Edhe ti mund të kesh përvoja të ngjashme me ato të Xheniferit dhe të Leas. Ndiq këshillën e Pjetrit, i cili shkroi se si i krishterë duhet të jesh gjithnjë ‘gati për t’i paraqitur një mbrojtje kujtdo që të kërkon arsye për shpresën që është në ty, por duke e bërë këtë bashkë me frymë butësie dhe respekt të thellë’. (1 Pjetrit 3:15) Si mund ta bësh këtë? Imito sjelljen e të krishterëve të shekullit të parë, të cilët iu lutën Jehovait që t’i ndihmonte të predikonin «me plot guxim». (Veprat 4:29) Pastaj ji i guximshëm kur t’u flasësh të tjerëve për bindjet e tua. Mund të habitesh nga rezultatet. Për më tepër do t’ia gëzosh zemrën Jehovait.
Videokasetat dhe detyrat e veçanta në shkollë
13. Nga cilat raste kanë përfituar disa të rinj për të dhënë dëshmi? (Shih kutitë në faqet 20 dhe 21.)
13 Shumë të rinj u kanë dhënë shpjegime për besimin e tyre shokëve të shkollës ose mësuesve duke përdorur videokasetat. Disa herë detyrat e shkollës kanë krijuar mundësi për t’i sjellë lavdi Jehovait. Për shembull, dy djem 15-vjeçarë, që të dy Dëshmitarë të Jehovait, morën një caktim në orën e historisë botërore që të shkruanin një raport për një nga fetë e botës. Ata punuan bashkë për të shkruar raportin e tyre për Dëshmitarët e Jehovait, duke përdorur si burim materiali librin Dëshmitarët e Jehovait: Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë.b Duhej të paraqitnin edhe një raport me gojë prej pesë minutash. Pas kësaj, mësuesi dhe studentët kishin kaq shumë pyetje, saqë djemtë qëndruan përpara klasës për 20 minuta të tjera. Për disa javë më pas, shokët e klasës vazhdonin t’u bënin pyetje rreth Dëshmitarëve të Jehovait.
14, 15. (a) Pse frika e njeriut është një lak? (b) Pse duhet të ndihesh i sigurt për t’u folur të tjerëve rreth bindjeve të tua?
14 Siç e ilustrojnë përvojat e mësipërme, mund të përjetosh bekime të mëdha në qoftë se u flet të tjerëve për besimin dhe bindjet e tua si Dëshmitar i Jehovait. Mos lejo që frika e njeriut të të heqë privilegjin dhe gëzimin që t’i ndihmosh të tjerët të njohin Jehovain. Bibla thotë: «Frika e njeriut përbën një lak, por ai që ka besim te Zoti [Jehovai, BR] është i siguruar.»—Fjalët e urta 29:25.
15 Kujto se si i krishterë ke diçka për të cilën bashkëmoshatarët e tu kanë shumë nevojë: mënyrën më të mirë të jetesës tani dhe premtimin e jetës së përhershme për të ardhmen. (1 Timoteut 4:8) Është interesante se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mund të mendosh se njerëzit në përgjithësi janë apatikë dhe nuk mendojnë shumë për fenë, një sondazh zbuloi se të paktën gjysma e të rinjve e marrin shumë seriozisht fenë dhe një e treta thotë se besimi fetar «ndikon më shumë se çdo gjë tjetër» në jetën e tyre. Gjendja ka të ngjarë të jetë e ngjashme edhe në shumë vende të tjera të botës. Prandaj ka shumë mundësi që bashkëmoshatarët e tu në shkollë do të ishin të lumtur të dëgjonin atë që ke për të thënë rreth Biblës.
Si një i ri që je, afroju Jehovait
16. Çfarë përfshin t’i pëlqesh Jehovait përveç se t’u flasësh të tjerëve rreth tij?
16 Patjetër që t’ia gëzosh zemrën Jehovait përfshin më shumë sesa vetëm të flasësh rreth tij. Gjithashtu duhet ta përputhësh sjelljen me normat e tij. Apostulli Gjon shkroi: «Kjo do të thotë dashuri për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij; dhe megjithatë urdhërimet e tij nuk janë të rënda.» (1 Gjonit 5:3) Do të zbulosh se kjo është e vërtetë, po qe se do t’i afrohesh Jehovait. Si mund ta bësh këtë?
17. Si mund t’i afrohesh Jehovait?
17 Gjej kohë për të lexuar Biblën dhe botimet e bazuara në të. Sa më shumë që të mësosh për Jehovain, aq më e lehtë do të jetë t’i bindesh atij dhe t’u flasësh të tjerëve për të. «Njeriu i mirë nxjerr të mirën nga thesari i mirë i zemrës së tij,—tha Jezui,—sepse goja e tij flet nga mbushullia e zemrës.» (Luka 6:45) Prandaj mbushe zemrën me gjëra të mira. Pse të mos vësh synime në lidhje me këtë? Ndoshta mund të përmirësosh në përgatitjen për mbledhjet e kongregacionit gjatë javës që vjen. Synimi tjetër mund të jetë të marrësh pjesë duke bërë një koment të shkurtër, por nga zemra. Sigurisht është jetësore që gjithashtu të vësh në praktikë gjërat që mëson.—Filipianëve 4:9.
18. Për çfarë mund të jesh i sigurt edhe sikur të hasësh njëfarë kundërshtimi?
18 Bekimet që vijnë nga shërbimi i Jehovait janë afatgjata, madje të përhershme. Vërtet, ndonjëherë mund të hasësh njëfarë kundërshtimi ose tallje ngaqë je Dëshmitar i Jehovait. Por mendo për Moisiun. Bibla thotë se «e mbante shikimin të ngulur në dhënien e shpërblimit». (Hebrenjve 11:24-26) Edhe ti mund të jesh i sigurt se Jehovai do të të shpërblejë për përpjekjet që bën për të mësuar dhe për të folur për të. Vërtet, ai kurrë ‘nuk do ta harrojë veprën tënde dhe dashurinë që tregove për emrin e tij’.—Hebrenjve 6:10.
[Shënimet]
a Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
b Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
A të kujtohet?
• Pse mund të jesh i sigurt se Jehovai e vlerëson shërbimin tënd?
• Çfarë metodash të dhënies së dëshmisë në shkollë kanë parë disa se janë të suksesshme?
• Si mund të marrësh forcë për t’u dëshmuar shokëve të klasës?
• Si mund t’i afrohesh Jehovait?
[Kutia dhe figurat në faqen 20]
Edhe fëmijët lavdërojnë Jehovain!
Edhe fëmijët kanë arritur të japin dëshmi në shkollë. Shqyrto këto përvoja.
Ambri është dhjetë vjeç dhe është në klasën e pestë. Në klasën e tij po lexonin një libër për sulmin nazist kundër judenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ambri vendosi t’i sillte mësueses videokasetën Trekëndëshat vjollcë. Mësuesja u habit kur mësoi se edhe Dëshmitarët e Jehovait u përndoqën nga regjimi nazist. Ajo ia tregoi videokasetën të gjithë klasës.
Aleksa, në moshën tetëvjeçare, i shkroi klasës një letër ku shpjegonte se përse nuk mund të merrte pjesë në festimin e Krishtlindjeve. Mësueses së saj i bëri kaq shumë përshtypje, saqë i tha Aleksës që ta lexonte letrën përpara klasës së vet, si edhe para dy klasave të tjera. «Më kanë mësuar që t’i respektoj të tjerët, bindjet e të cilëve ndryshojnë nga të miat,—tha ajo në fund,—dhe ju falënderoj që respektoni vendimin tim për të mos festuar Krishtlindjet.»
Pak kohë pasi filloi klasën e parë, Eriku mori në shkollë librin Libri im i tregimeve biblike dhe kërkoi leje që t’ua tregonte shokëve të klasës. «Kam një ide më të mirë,—tha mësuesja.—Pse mos të lexosh një tregim përpara klasës?» Eriku e lexoi. Pastaj i ftoi që të ngrinin dorën të gjithë ata që donin një kopje të librit. Tetëmbëdhjetë veta, përfshirë edhe mësuesen, ngritën dorën. Eriku tani mendon se ka territorin e tij të veçantë për të dëshmuar.
Uitni nëntëvjeçare është mirënjohëse për broshurën Dëshmitarët e Jehovait dhe arsimimi.c Ajo thotë: «Zakonisht çdo vit mami ua jep këtë broshurë mësuesve të mi, por këtë vit ua dhashë unë. Falë kësaj broshure mësuesja më zgjodhi si ‘nxënësja më e mirë e javës’.»
[Shënimi]
c Të gjitha botimet e përmendura janë prodhuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Kutia dhe figurat në faqen 21]
Rrethana që kanë shfrytëzuar disa për të folur rreth besimit të tyre
Disa kanë zgjedhur një temë që i ka lejuar të japin dëshmi, kur u është caktuar të bëjnë një raport ose një detyrë në shkollë
Shumë të rinj i kanë dhënë mësuesit të tyre një videokasetë ose një botim që kishte lidhje me temën që po trajtohej në klasë
Disave, ndërsa lexonin Biblën ose një botim të bazuar në të gjatë pushimit, u janë afruar të rinj të tjerë që kanë bërë pyetje
[Figura në faqen 18]
Ata me përvojë mund të ndihmojnë për t’i stërvitur të rinjtë që t’i shërbejnë Jehovait