Mos u sprapsshim kurrë për shkatërrim!
«Ne nuk jemi lloji që sprapset për shkatërrim.»—HEBRENJVE 10:39, BR.
1. Cilat rrethana bënë që apostulli Pjetër t’i dorëzohej frikës?
APOSTUJT duhet të jenë shtangur kur Zotëria i tyre i dashur, Jezui, u tha se që të gjithë do të shpërndaheshin dhe do ta braktisnin. Si mund të ndodhte kjo gjë në këtë moment kur ai kishte më shumë nevojë se kurrë për ta? Pjetri këmbënguli: «Edhe sikur të gjithë të tjerët të pengohen, unë nuk do të pengohem.» Faktikisht, Pjetri ishte një njeri trim e guximtar. Por kur Jezuin e tradhtuan dhe e arrestuan, të gjithë apostujt, duke përfshirë edhe Pjetrin, u shpërndanë. Më vonë, ndërsa Jezuin po e merrnin në pyetje në shtëpinë e kryepriftit Kajafa, Pjetri vinte vërdallë me ankth nëpër oborr. Ndërsa nata e ftohtë po mbaronte, Pjetrin ka të ngjarë ta ketë zënë frika se mos Jezuin dhe ndonjë tjetër që ishte shoqëruar me të, i ekzekutonin. Kur disa të pranishëm e njohën Pjetrin si një nga shoqëruesit e afërt të Jezuit, atë e zuri paniku. Tri herë mohoi se kishte lidhje me Jezuin. Pjetri madje mohoi edhe që e njihte.—Marku 14:27-31, 66-72, BR.
2. (a) Përse sjellja e Pjetrit nga frika natën e arrestimit të Jezuit nuk e bëri atë ‘llojin që sprapset për shkatërrim’? (b) Çfarë vendosmërie duhet të kemi?
2 Ky ishte një moment dobësie në jetën e Pjetrit, një moment për të cilin pa dyshim atij i ka ardhur keq gjatë gjithë jetës. Por, a tregoi sjellja e Pjetrit atë natë se ai ishte burracak? A tregoi se ai ishte një prej ‘llojit’ që përshkroi apostulli Pavël më vonë, kur shkroi «ne nuk jemi lloji që sprapset për shkatërrim»? (Hebrenjve 10:39, BR) Ngjashëm, shumica prej nesh e pranon se fjalët e Pavlit nuk zbatohen për Pjetrin. Përse? Sepse frika e Pjetrit qe e përkohshme, një çast dobësie në një jetë të karakterizuar nga guximi dhe besimi i jashtëzakonshëm. Në mënyrë të ngjashme, shumë prej nesh kanë momente të së kaluarës që i kujtojnë me njëfarë turpi, momente kur i ka zënë papritur frika dhe i ka penguar të qëndronin në anën e së vërtetës me atë guxim që do të kishin dashur. (Krahaso Romakëve 7:21-23.) Mund të jemi të sigurt se këto dobësi kalimtare nuk na bëjnë lloji që sprapset për shkatërrim. Gjithsesi, ne duhet të jemi të vendosur për të mos u bërë kurrë të atij lloji. Përse? Gjithashtu, si mund të mos bëhemi persona të tillë?
Çfarë do të thotë të sprapsesh për shkatërrim?
3. Si u dorëzuan ndaj frikës profetët Elija dhe Jona?
3 Kur shkroi për ‘llojin që sprapset për shkatërrim’, Pavli nuk kishte ndër mend ata që mund ta humbasin përkohësisht guximin. Patjetër që Pavli e njihte përvojën e Pjetrit dhe dinte raste të tjera të ngjashme. Elija, një profet i guximshëm e që fliste hapur, në një rast u dorëzua ndaj frikës dhe iku për të shpëtuar jetën, për shkak të një kërcënimi me vdekje të bërë nga mbretëresha e ligë Jezabel. (1. Mbretërve 19:1-4) Profetin Jona e pushtoi një frikë akoma më e madhe. Jehovai e caktoi që të udhëtonte për në qytetin famëkeq të lig e të dhunshëm të Ninivesë. Menjëherë Jonai hipi në një anije që shkonte për në Tarshish, 3.500 kilometra në drejtim të kundërt me Ninivenë. (Jonai 1:1-3) Megjithatë, as këta profetë besimplotë, as apostulli Pjetër, nuk mund të përshkruhen me të drejtë si lloji që sprapset. Përse jo?
4, 5. (a) Si na ndihmon konteksti për të përcaktuar se çfarë donte të thoshte Pavli te Hebrenjve 10:39, me fjalën «shkatërrim»? (b) Çfarë donte të thoshte Pavli me fjalët «ne nuk jemi lloji që sprapset për shkatërrim»?
4 Vër re frazën e plotë që përdori Pavli: «Ne nuk jemi lloji që sprapset për shkatërrim.» Çfarë donte të thoshte ai me fjalën «shkatërrim»? Fjala greke që përdori Pavli, disa herë i referohet shkatërrimit të përjetshëm. Ky përkufizim përputhet me kontekstin. Pavli sapo kishte paralajmëruar: «Nëse ne mëkatojmë me dashje pasi kemi marrë dijeni të së vërtetës, nuk mbetet më asnjë flijim për mëkatet, por vetëm një pritje gjyqi e tmerrshme dhe një e ndezur zjarri [një xhelozi e zjarrtë, BR] që do të përpijë kundërshtarët.»—Hebrenjve 10:26, 27.
5 Prandaj, kur u tha bashkëbesimtarëve «ne nuk jemi lloji që sprapset për shkatërrim», Pavli donte të thoshte se ai dhe lexuesit e tij të krishterë besimplotë ishin të vendosur të mos largoheshin kurrë nga Jehovai dhe të mos pushonin kurrë t’i shërbenin atij. Kjo gjë do t’i çonte vetëm në shkatërrim të përjetshëm. Juda Iskarioti ishte një që u spraps për një shkatërrim të tillë, ashtu siç bënë edhe armiq të tjerë të së vërtetës, të cilët vepruan me dashje kundër frymës së Jehovait. (Gjoni 17:12; 2. Thesalonikasve [Selanikasve] 2:3) Individë të tillë janë ndër «burracakët» që pësojnë shkatërrimin e përjetshëm në liqenin e zjarrtë simbolik. (Zbulesa 21:8, BR) Patjetër, ne nuk dëshirojmë kurrë të jemi të atij lloji!
6. Çfarë drejtimi dëshiron Satana Djalli që të marrim ne?
6 Satana Djalli dëshiron që ne të sprapsemi për shkatërrim. Duke qenë mjeshtër i «veprave dinake», ai e di se ky drejtim shkatërrimtar shpesh fillon me gjëra të vogla. (Efesianëve 6:11, shënimi, BR) Nëse nuk ia arrin dot qëllimit me persekutimin e drejtpërdrejtë, ai përpiqet të gërryejë besimin e të krishterëve të vërtetë me mjete të tjera tinëzare. Ai dëshiron t’i shohë Dëshmitarët e guximshëm e të zellshëm të Jehovait që të heshtin. Le të shohim se çfarë taktikash përdori ai kundër të krishterëve hebrenj, të cilëve u shkroi Pavli.
Çfarë presioni iu bë të krishterëve për t’u sprapsur?
7. (a) Cila ishte historia e kongregacionit të Jerusalemit? (b) Çfarë rrethanash frymore kishin disa nga lexuesit e Pavlit?
7 Dëshmitë tregojnë se Pavli ua shkroi letrën e tij hebrenjve rreth vitit 61 të erës sonë. Kongregacioni në Jerusalem kishte një histori të trazuar. Pas vdekjes së Jezuit, goditi një valë e egër persekutimi, e cila i detyroi shumë nga të krishterët në qytet që të shpërndaheshin. Megjithatë, më pas vijoi një periudhë paqeje, e cila bëri të mundur që numri i të krishterëve të shumëfishohej. (Veprat 8:4; 9:31) Me kalimin e viteve, pati herë pas here persekutime dhe vështirësi të tjera. Duket se në kohën kur Pavli u shkroi letrën hebrenjve, kongregacioni po gëzonte përsëri një periudhë me paqe relative. Gjithsesi, presionet vazhdonin. Që nga koha kur Jezui kishte parathënë shkatërrimin e Jerusalemit kishin kaluar afro tri dekada. Ndoshta disa persona mendonin që fundi ishte vonuar më tepër sesa ishte e arsyeshme e ndoshta mund të mos vinte gjatë jetës së tyre. Të tjerë, veçanërisht ata që ishin më të rinj në besim, nuk kishin pasur ende sprova të një persekutimi të ashpër dhe nuk dinin shumë lidhur me nevojën për qëndrueshmëri nën sprova. (Hebrenjve 12:4) Patjetër që Satanai kërkoi të përfitonte nga këto rrethana. Çfarë ‘veprash dinake’ përdori ai?
8. Çfarë qëndrimi kishin shumë judenj ndaj kongregacionit të krishterë të formuar rishtas?
8 Komuniteti judaik në Jerusalem dhe në Jude e shihte me përçmim kongregacionin e krishterë të krijuar rishtas. Duke gjykuar nga përmbajtja e letrës së Pavlit, krijojmë një ide të talljeve që udhëheqësit fetarë arrogantë judaikë dhe ithtarët e tyre u drejtonin të krishterëve. Me pak fjalë, ata mund të kenë thënë: ‘Ne kemi tempullin e madh në Jerusalem, i cili ka shekuj që ekziston. Kemi një kryeprift të shquar që kryen funksionet atje, së bashku me nënpriftërinjtë e tij. Çdo ditë ofrohen flijime. Kemi Ligjin që iu transmetua Moisiut nëpërmjet engjëjve dhe u ratifikua me shenja të mëdha në malin Sinai. Ky sekt që sapo ka filluar, këta të krishterët, të cilët kanë kryer apostazi ndaj judaizmit, nuk kanë asnjërën prej këtyre gjërave.’ A pati efektin e dëshiruar kjo përbuzje? Me sa duket disa të krishterë hebrenj ishin të shqetësuar nga këto sulme. Letra e Pavlit u erdhi në ndihmë pikërisht në kohën e duhur.
Përse nuk duhej të sprapseshin kurrë për shkatërrim?
9. (a) Cila temë përshkon letrën drejtuar hebrenjve? (b) Në cilin kuptim të krishterët shërbenin në një tempull më të mirë se ai në Jerusalem?
9 Le të shqyrtojmë dy arsye që u dha Pavli vëllezërve dhe motrave të tij në Jude, për të mos u sprapsur kurrë për shkatërrim. Arsyeja e parë, epërsia e sistemit të krishterë të adhurimit, përshkon letrën drejtuar hebrenjve. Në tërë letrën e tij Pavli zhvilloi këtë temë. Tempulli në Jerusalem ishte thjesht kopje e një realiteti shumë më të madh, e tempullit frymor të Jehovait, një ndërtesë «që s’është bërë me dorë». (Hebrenjve 9:11) Të krishterët hebrenj kishin privilegjin të shërbenin në këtë rregullim frymor për adhurimin e pastër. Ata shërbenin nën një besëlidhje më të mirë, nën besëlidhjen e re të premtuar që prej shumë kohësh, e cila kishte një Ndërmjetës më të lartë se Moisiun, Jezu Krishtin.—Jeremia 31:31-34.
10, 11. (a) Përse Jezui mund të shërbente si Kryeprift në tempullin frymor, pavarësisht nga gjenealogjia e tij? (b) Në ç’mënyrë Jezui ishte një Kryeprift më i lartë se ai që shërbente në tempullin e Jerusalemit?
10 Gjithashtu, ata të krishterë kishin një Kryeprift shumë më të mirë, Jezu Krishtin. Ai nuk e kishte prejardhjen nga Aaroni, por ishte Kryeprift «sipas mënyrës së Melkisedekut». (Psalmi 110:4, BR) Melkisedeku, gjenealogjia e të cilit nuk gjendej e dokumentuar, ishte si mbreti, ashtu edhe kryeprifti i Salemit të lashtë. Në këtë mënyrë, ai ishte një model i përshtatshëm profetik i Jezuit, priftëria e të cilit nuk varej nga ndonjë prejardhje e papërsosur njerëzore, por nga diçka shumë më e madhe, nga vetë betimi i Perëndisë Jehova. Ashtu si Melkisedeku, Jezui nuk shërben vetëm si Kryeprift, por edhe si Mbret, i cili nuk do të vdesë kurrë.—Hebrenjve 7:11-21.
11 Për më tepër, ndryshe nga kryeprifti në tempullin e Jerusalemit, Jezuit nuk i duhej të ofronte flijime vit për vit. Flijimi i tij qe vetë jeta e tij e përsosur, të cilën e ofroi një herë e përgjithmonë. (Hebrenjve 7:27) Të gjitha ato flijime që ofroheshin në tempull ishin vetëm hije, përfytyrime të asaj që ofroi Jezui. Flijimi i tij i përsosur bëri të mundur faljen e vërtetë të mëkateve të të gjithë atyre që ushtronin besim. Po aq ngushëlluese janë komentet e Pavlit që tregojnë se ky Kryeprift është i njëjti Jezu i pandryshuar që kishin njohur të krishterët në Jerusalem. Ai ishte një person i përulur, i dashur e që mund «t’i vijë keq për dobësitë tona». (Hebrenjve 4:15; 13:8) Ata të krishterë të mirosur kishin perspektivën për të shërbyer si nënpriftërinj të Krishtit. Si mund t’u shkonte qoftë edhe nëpër mend të sprapseshin për të shkuar drejt gjërave ‘të dobëta e të varfëra’ të judaizmit të korruptuar?—Galatasve 4:9.
12, 13. (a) Cilën arsye të dytë dha Pavli për të mos u sprapsur kurrë për shkatërrim? (b) Përse dëshmitë e qëndrueshmërisë në të kaluarën do t’i inkurajonin të krishterët hebrenj që të mos sprapseshin kurrë për shkatërrim?
12 Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, Pavli u dha hebrenjve një arsye të dytë për të mos u sprapsur kurrë për shkatërrim: vetë dëshmitë e qëndrueshmërisë së tyre. Ai shkroi: «Vazhdoni të kujtoni ditët e mëparshme në të cilat, pasi ishit ndriçuar, duruat një ndeshje të madhe nën vuajtje.» Pavli u rikujtoi atyre se ishin «ekspozuar si në teatër» ndaj qortimeve dhe vuajtjeve. Disa i kishin burgosur. Disa të tjerëve u kishte ardhur keq për ata që ishin në burg dhe i kishin mbështetur. Tamam, ata kishin treguar një besim dhe një qëndrueshmëri shembullore. (Hebrenjve 10:32-34, BR) Megjithatë, përse Pavli u kërkoi që të ‘vazhdonin t’i kujtonin’ përvoja të tilla të dhimbshme? A nuk do të ishte shkurajuese kjo?
13 Përkundrazi, ‘kujtimi i ditëve të mëparshme’ do t’u sillte ndër mend hebrenjve se si i kishte mbështetur Jehovai nën sprova. Me këtë ndihmë, ata tashmë u kishin rezistuar shumë sulmeve të Satanait. Pavli shkroi: «Perëndia nuk është i padrejtë që të harrojë veprën tuaj dhe mundimin tuaj të dashurisë që treguat për emrin e tij.» (Hebrenjve 6:10) Tamam, Jehovai i mbante mend të gjitha veprat e tyre të bëra me besim, duke i depozituar ato në kujtesën e tij të pakufishme. Kjo gjë na sjell ndër mend thirrjen e Jezuit për të grumbulluar thesare në qiell. Asnjë vjedhës nuk mund t’i vjedhë këto thesare dhe as mola ose ndryshku nuk mund t’i konsumojë. (Mateu 6:19-21) Në fakt, këto thesare mund të shkatërrohen vetëm nëse një i krishterë sprapset për shkatërrim. Ky veprim do të prishte çfarëdolloj thesari që ai kishte grumbulluar në qiell. Çfarë arsyeje të fuqishme u dha Pavli të krishterëve hebrenj për të mos ndjekur kurrë një drejtim të tillë! Përse t’i çonin dëm tërë vitet e shërbimit të tyre besimplotë? Gjëja më e mirë dhe më e drejtë do të ishte që të vazhdonin të qëndronin.
Përse ne nuk duhet të sprapsemi kurrë për shkatërrim?
14. Çfarë sfidash hasim ne, që janë të ngjashme me sfidat e të krishterëve në shekullin e parë?
14 Sot të krishterët e vërtetë kanë arsye po kaq të fuqishme për të mos u sprapsur. Së pari, le të kujtojmë se çfarë bekimi është forma e pastër e adhurimit që na ka dhënë Jehovai. Ashtu si të krishterët e shekullit të parë, ne jetojmë në një kohë kur anëtarët e feve më të përhapura na përqeshin dhe tallen me ne, duke treguar me krenari ndërtesat e tyre hijerënda fetare dhe lashtësinë e traditave të tyre. Por, Jehovai na siguron se ai e miraton formën tonë të adhurimit. Në fakt, sot ne gëzojmë bekime që të krishterët e shekullit të parë nuk i kishin. Mund të pyesësh: ‘Si është e mundur kjo?’ Në fund të fundit, ata jetuan në kohën kur tempulli frymor hyri në veprim. Krishti u bë Kryeprifti i këtij tempulli pas pagëzimit të tij në vitin 29 të erës sonë. Disa prej tyre e kishin parë Birin e Perëndisë të kryente mrekulli. Madje edhe pas vdekjes së tij, u bënë mrekulli të tjera. Por, siç ishte parathënë, me kalimin e kohës këto dhurata pushuan.—1. Korintasve 13:8.
15. Gjatë përmbushjes së cilës profeci po jetojnë të krishterët e vërtetë sot dhe çfarë do të thotë kjo për ne?
15 Megjithatë, ne jetojmë gjatë një përmbushjeje domethënëse të profecisë së zgjeruar të tempullit, të përshkruar në kapitujt 40-48 të Ezekielit.a Kështu, ne kemi parë rivendosjen e rregullimit të Perëndisë për adhurimin e pastër. Ky tempull frymor është pastruar nga të gjitha format e ndotjes fetare dhe nga idhujtaria. (Ezekieli 43:9; Malakia 3:1-5) Mendo se çfarë avantazhesh na ka dhënë ky pastrim.
16. Me cilën prirje shkurajuese u ndeshën të krishterët e shekullit të parë?
16 Në shekullin e parë, për kongregacionin e organizuar të krishterë e ardhmja dukej e zymtë. Jezui kishte parathënë se do të ishte sikur fushës së porsambjellë me grurë t’i ishte hedhur farë egjre, duke e bërë grurin pothuajse të padallueshëm nga egjra. (Mateu 13:24-30) E kështu ndodhi. Aty nga fundi i shekullit të parë, kur apostulli i moshuar Gjon po shërbente si pengesa e fundit ndaj korruptimit, apostazia tashmë po lulëzonte. (2. Thesalonikasve 2:6; 1. Gjonit 2:18) Jo shumë kohë pas vdekjes së apostujve, lindi një klasë e ndarë kleri, e cila e shtypte kopenë dhe mbante një rrobë të veçantë. Apostazia u përhap si gangrenë. Sa shkurajuese ishte kjo për të krishterët besimplotë! Ata panë se një formë e korruptuar adhurimi i zuri frymën rregullimit të sapovendosur për adhurimin e pastër. Kjo gjë ndodhi më pak se një shekull pasi Krishti themeloi kongregacionin.
17. Në cilin kuptim kongregacioni i krishterë i ditëve moderne ka vazhduar të funksionojë më gjatë se ekuivalenti i tij i shekullit të parë?
17 Tani shqyrto një kontrast. Sot, adhurimi i pastër tashmë ka zgjatur më shumë sesa periudha deri në vdekjen e apostujve. Që nga koha e botimit të numrit të parë të kësaj reviste, në vitin 1879, Jehovai na ka bekuar me një adhurim gjithnjë e më të pastruar. Në vitin 1918, Jehovai dhe Krishti Jezu hynë në tempullin frymor që ta pastronin. (Malakia 3:1-5) Që nga viti 1919, rregullimi për adhurimin e Perëndisë Jehova është rafinuar në mënyrë progresive. Kuptueshmëria që kemi për profecitë dhe parimet e Biblës është bërë më e qartë. (Fjalët e urta [Proverbat] 4:18) Kujt i duhet dhënë merita për këtë? Jo njerëzve të papërsosur. Vetëm Jehovai, me Birin e tij si Kreun e kongregacionit, mund ta mbronte popullin e Vet nga korruptimi gjatë këtyre kohëve të korruptuara. Le të mos harrojmë kurrë, pra, të falënderojmë Jehovain që na ka lejuar të marrim pjesë në adhurimin e pastër sot. Gjithashtu, le të jemi plotësisht të vendosur për të mos u sprapsur kurrë për shkatërrim!
18. Çfarë arsyeje kemi për të mos u sprapsur kurrë për shkatërrim?
18 Ashtu si ata të krishterë hebrenj, ne kemi një arsye të dytë për të mos u bërë kurrë burracakë dhe për të mos u sprapsur: vetë dëshmitë e qëndrueshmërisë sonë. Qoftë që kemi filluar t’i shërbejmë Jehovait vitet e fundit, qoftë që e kemi bërë këtë me besnikëri për dekada, ne kemi grumbulluar dëshmi të veprave të krishtere. Shumë prej nesh kanë pësuar persekutim në formë burgimi, vënieje nën ndalim, brutaliteti ose në formën e humbjes së pronave. Shumë të tjerë kanë përballuar kundërshtimin e familjes, përqeshjet, talljet dhe indiferencën. Që të gjithë ne kemi rezistuar, duke vazhduar në shërbimin tonë besimplotë ndaj Jehovait pavarësisht nga sfidat dhe sprovat e jetës. Duke bërë kështu, kemi grumbulluar dëshmi qëndrueshmërie që Jehovai nuk do t’i harrojë, një grumbull thesaresh në qiell. Sigurisht, pra, kjo nuk është aspak koha për t’u sprapsur, duke shkuar drejt sistemit të vjetër të korruptuar që kemi lënë pas. Përse ta bëjmë të pavlefshme tërë punën e mundimshme që kemi bërë? Kjo është veçanërisht e vërtetë sot, kur ka mbetur vetëm «fort pak kohë» para se të vijë fundi.—Hebrenjve 10:37.
19. Çfarë do të trajtohet në artikullin vijues?
19 Pra, le të jemi të vendosur për të mos qenë «lloji që sprapset për shkatërrim»! Përkundrazi, le të jemi «lloji që ka besim»! (Hebrenjve 10:39, BR) Si mund të sigurohemi se e plotësojmë këtë përshkrim dhe si mund t’i ndihmojmë të bashkëkrishterët për të bërë të njëjtën gjë? Artikulli vijues do të trajtojë këtë çështje.
[Shënimi]
A të kujtohet?
◻ Çfarë do të thotë të sprapsesh për shkatërrim?
◻ Çfarë presionesh po ushtroheshin mbi të krishterët hebrenj, të cilëve u shkroi Pavli?
◻ Çfarë arsyesh për të mos u sprapsur për shkatërrim u dha Pavli hebrenjve?
◻ Çfarë arsyesh kemi ne për të qenë të vendosur që të mos sprapsemi kurrë për shkatërrim?
[Figurat në faqen 15]
Dorëzimi i përkohshëm i Pjetrit ndaj frikës nuk tregoi se ai ishte «lloji që sprapset për shkatërrim»