Ata bënë vullnetin e Jehovait
Besimi i prindërve shpërblehet
PËR izraelitët, lindja e një fëmije mashkull ishte shkak për një gëzim të madh. Kjo donte të thoshte se linja e prejardhjes do të vazhdonte dhe se trashëgimia e tokës do të mbetej në familje. Por, aty nga viti 1593 p.e.s., lindja e një djali dukej se ishte më shumë një mallkim, se një bekim për hebrenjtë. Përse? Sepse faraoni i Egjiptit, i shqetësuar për shkak të shtimit të shpejtë të popullsisë judaike në territorin që gjendej nën kontrollin e tij, kishte urdhëruar që të gjithë të sapolindurit e tyre meshkuj duhej të vriteshin.—Dalja 1:12, 15-22.
Pikërisht gjatë kësaj përpjekjeje të neveritshme gjenocidi, Amrami dhe Jokebeda, një çift i martuar hebrenjsh, u bënë prindër të një djali të mrekullueshëm. Nuk është e vështirë të marrim me mend se si gëzimi i tyre mund të jetë errësuar nga tmerri, kur kanë sjellë ndër mend dekretin e faraonit. Megjithatë, tek shikonin foshnjën e tyre, Amrami dhe Jokebeda vendosën të mos e braktisnin, pavarësisht nga pasojat.—Dalja 2:1, 2; 6:20.
Veprojnë me besim
Për tre muaj, Amrami dhe Jokebeda e mbajtën të fshehur fëmijën e tyre. (Dalja 2:2) Kjo ishte me rrezik, sepse hebrenjtë dhe egjiptianët jetonin shumë pranë njëri-tjetrit. Kushdo që përpiqej t’i dredhonte dekretit të faraonit, kishte të ngjarë që të ndëshkohej me vdekje; edhe foshnja do të vdiste, po ashtu. Ç’mund të bënin, pra, këta prindër të devotshëm që të shpëtonin jetën e tyre dhe të djalit?
Jokebeda mblodhi disa lastarë papirusi. Papirusi është një kulmak i fortë, i ngjashëm me bambunë dhe ka një kërcell me tri faqe, sa gjerësia e një gishti. Ai mund të rritet i lartë deri në 6 m. Egjiptianët e përdornin këtë bimë për të bërë letër, rrogozë, vela, sandale dhe varka të lehta.
Jokebeda formoi me këta lastarë një kosh mjaft të madh, sa për të mbajtur foshnjën e saj. Më pas, e leu koshin me bitum dhe me zift që të qëndronte i lidhur dhe për të mos depërtuar uji. Atëherë, Jokebeda e futi foshnjën e saj në këtë varkëz dhe e lëshoi mes kallamishteve, përgjatë bregut të lumit Nil.—Dalja 2:3.
Foshnja zbulohet
Vajza e Jokebedës, Miriami, u vendos aty pranë, për të parë se ç’do të ndodhte më pas. Dhe ja, vajza e faraonit erdhi në Nil që të lahej.a Ndoshta Jokebeda e dinte që princesha shkonte shpesh në këtë pjesë të Nilit dhe me qëllim e la koshin në një vend, ku do të ishte e lehtë për t’u zbuluar. Sidoqoftë, vajza e faraonit e vuri re shpejt koshin e strukur në kallamishte dhe thirri një prej shërbëtorëve që të shkonte e ta merrte. Kur pa brenda djalin e përlotur, ajo ndjeu dhembshuri. Ajo e kuptoi se ishte një foshnje hebreje. Por, si mund ta vriste ajo një fëmijë të tillë të mrekullueshëm? Përveç dashamirësisë njerëzore, vajza e faraonit mund të jetë ndikuar edhe nga besimi i përhapur egjiptian se pranimi në qiell varej nga regjistrimi i veprave dashamirëse që dikush mund të kishte bërë gjatë jetës.b—Dalja 2:5, 6.
Miriami, e cila po vështronte nga njëfarë largësie, iu afrua vajzës së faraonit. «A duhet të shkoj të thërras një tajë hebreje që ta mëndë këtë fëmijë për ty?»—pyeti ajo. Princesha iu përgjigj: «Shko.» Miriami vrapoi tek e ëma. Jo shumë kohë më vonë, Jokebeda qëndronte para vajzës së faraonit. «Merre me vete këtë fëmijë, mënde për mua,—i tha princesha,—dhe unë do të të japë pagën tënde.» Mund të ketë shumë të ngjarë që në këtë kohë bija e faraonit ta ketë kuptuar se Jokebeda ishte nëna e fëmijës.—Dalja 2:7-9.
Jokebeda e mbajti fëmijën e saj derisa ky u zvjordh.c Kjo i dha asaj shumë mundësi të çmueshme që t’i mësonte atij për Perëndinë e vërtetë, Jehovain. Pastaj, Jokebeda ia ktheu fëmijën vajzës së faraonit, e cila e quajti djalin Moisi, që do të thotë «i shpëtuar nga uji».—Dalja 2:10.
Mësime për ne
Amrami dhe Jokebeda përfituan plotësisht nga mundësia e shkurtër që kishin, për t’i mësuar djalit të tyre parimet e adhurimit të pastër. Sot, prindërit duhet të bëjnë po njësoj. Në fakt, është e domosdoshme që të veprojnë kështu. Satana Djalli «sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë». (1. Pjetrit 5:8) Ai do të kishte shumë qejf që viktima të tij të ishin të rinjtë e çmuar, djem e vajza, të cilët kanë perspektivën për t’u bërë shërbëtorë të shkëlqyer të Jehovait. Satanai nuk ka fare dhembshuri për moshën e tyre të njomë! Me këtë në mendje, prindërit e mençur i stërvitin foshnjat e tyre që të kenë frikë prej Perëndisë së vërtetë, Jehovait.—Proverbat 22:6; 2. Timoteut 3:14, 15.
Në Hebrenjve 11:23, përpjekja e Amramit dhe e Jokebedës për të fshehur foshnjën e tyre gjatë tre muajve të parë të jetës së tij, është kujtuar si një vepër besimi. Të dy ata prindër të devotshëm treguan besim në fuqinë shpëtuese të Jehovait, duke mos pranuar ta braktisnin fëmijën e tyre dhe për këtë arsye u bekuan. Edhe ne duhet të mbahemi fort pas ligjeve dhe parimeve të Jehovait, duke pasur besim se çdo gjë që Jehovai lejon të bjerë mbi ne, do të jetë më së fundi për mirëqenien dhe lumturinë tonë të përjetshme.—Romakëve 8:28.
[Shënimet]
a Egjiptianët e adhuronin Nilin si një perëndi të pjellorisë. Ata besonin se ujërat e tij kishin fuqinë për të dhënë pjellori dhe madje të zgjatnin jetën.
b Egjiptianët besonin se, pas vdekjes, shpirti i një personi do të recitonte në prani të Osirisit pohime të tilla, si: «Unë s’kam munduar asnjë njeri», «Unë s’ia kam hequr qumështin nga goja foshnjave të gjirit» dhe «U kam dhënë për të ngrënë të uriturve dhe për të pirë atij që ka qenë i etur».
c Në kohët e lashta, shumë fëmijë ushqeheshin me qumështin e gjirit për një kohë më të gjatë, nga sa është e zakonshme sot. Ka të ngjarë që Samueli të ketë qenë të paktën tre vjeç kur u zvjordh, ndërsa Isaku ishte rreth pesë vjeç.